Në 18-vjetorin e vdekjes se atdhetarit të dëshmuar gjithëkombëtar-Bedri Kyçyku
Nga, Ibrahim Egriu
Prof. Latif Nallbani, ish-drejtor i Gjimnazit të Kaçanikut, autor i librit dhe ish nxënësit e z. Bedri, në Bern të Zvicrës, për nder të Përvjetorit të vdekjes, në formë madhështore organizuan promovimin e Monografisë së pedagogut e atdhetarit, Bedri Kyçyku. Ndaj, me rastin e 18-vjetorit të vdekjes me pietet e përkujtojmë këtë atdhetar e pedagog të palodhur, i cili së bashku me atdhetarin e madh, ish kryetarin e Kaçanikut, z. Sali Bajra dhe lulen e tretë të Kaçanikut, pra, bashkëpunëtorin më të ngushtë të tyre, Latif Nallbanin e shumë heronj trima të tjerë, që ranë fli për liri e Bashkim Kombëtar, sot s’gjënden në mesin tonë që t’i shijojnë ditët e lirisë e të mëvetësisë së Kosovës. Pra, siç më shkroi veprimtari e deputeti i Parlamentit të Kosovës, Hajdin Abazi: ”Lypset të përkujtohen të gjithë ata që kanë kontribuar për Atdheun, për lirinë, arsimin e shqiptarinë, sepse për jetë të jetëve janë të pavdekshëm dhe s’duhet lejuar që t’i përfshijë pluhuri i harresës”.
Bedri Kyçyku i takon Plejadës së Parë të pedagogëve kaçanikas të Shkollës Normale në Shkup, ku diplomoi në qershor të vitit 1959, ndër sa Fakultetin në lëndën e gjeografisë e kreu në Prishtinë.

Ai, ndër të parët, së bashku me z. Latif Nallbanin e pedagogët e tjerë të parë, për 35 vjet rresht, si pionier i arsimit në Kaçanikun Legjendar, gjeneratat e tëra i mësoi se çdo abetare fillon mësimet e të shtrenjtës liri. Çdo kaptinë libri ka kurorë lirinë, siç thoshte L. Gurakuqi. Tek vëllai ynë Bedri Kyçyku dominonin: ndjenja e atdhedashurisë, e besnikërisë, e sinqeritetit, e vendosmërisë e fisnikërisë dhe e rigorozitetit. E deshe Shqipërinë e bashkuar me Kosovën, Çamërinë dhe me të gjitha trojet e okupuara nga hegjemonistët sllavë. S’më harrohen kurrë ngjarjet revolucionare të vitit ’68. Atë ditë, pas programit manifestues, urdhëroi që të gjithë nxënësit e Shkollë së Mesme ” Voskopoja ” të futen nëpër kabinete. Ai, më mori mua meqë kishte më tepër besim, filluam të futemi nga kabineti në kabinet dhe iu drejtohej nxënësve: Dëgjuat se ç’ ndodhën sot në Kosovë ?!-Për Atdhe mos ju dhimbset jeta ! -Pa gjak s’ fitohet liria ! -Jepni ca gjak për Kosovën ! Aq trim e guximtar ishte, saqë s’ i luante syri fare.Vendosmëria dhe qëndrueshmëria zënin hapësirë të veçantë në karakterin e tij stoik e të pathyeshëm,ndaj dhe ish kryetari Sali Bajra e deshe me shpirt dhe gjithmonë e mbante pranë duke e konsultuar për çdo gjë. Kishte prirje të jashtëzakonshme organizative. Që ditën e parë, porsa fillova detyrën në Shkollën e Mesme ”Voskopoja”, ai, më ngarkoi si kujdestar në klasën e dytë -M. Ishte klasa më problematike dhe, ne mesin e saj, siç më kujtohet ishin nxënësit:-Hamit Lika, Ibush Dema etj. të cilët më vonë, së bashku me ca të tjerë u bën shembullor. S’mundem të anashkaloj pa përmend kontaktin me nxënësit në atë klasë. Ishte ora e parë dhe takimi i parë me nxënësit problematikë të klasës 2-M. Si njësi mësimore e kisha temën: – Voskopoja çerdhe e arsimit dhe e kulturës në shekullin e 17-të. Isha mjaft i përgatitur për atë temë..Hyra në kabinet dhe, porsa isha duke e shkruar njësinë mësimore në ditar, papritmas, nxënësi, Hamit Lika ia krisi një flakaresh shokut të tij Ibush Dema. O Zot thashë në vete, ç’ndodh kështu! -Imi, ose merre ditarin, dorëzoja drejtorit dhe kthe ne Dibër ose zgjidhe këtë problem: -S’e zgjata!
Mora guximin, iu ofrova Hamitit, e kapa për krahu dhe e nxorra jashtë, duke i thënë:- Pa prindin, mos më vish më në shkollë!
- Shkoi pa bërë kurrfarë reagimi.
- Të nesërmen, Hamiti me prindin e tij, me lotë në sy, kërkoi falje se kurrë më s’do të ndodhë një gjest i tillë, premtoi se do tregohet i kujdesshëm dhe se do ndihmojë në mbarëvajtjen e disiplinës në klasë e shkollë. Premtimi i tij u realizua me sukses.
Pos kësaj, s’mund të përshkruhet gëzimi i drejtorit të ndjerë, z. Bedri, kur në maj të vitit ’69 përgatita dramën ”Nora e Kelmendit”, tëAndrea Skanjeti.
Në fund të vitit shkollor, z. Bedri, mu drejtua e tha: -A e sheh se për ç’arsye ta besova këtë klasë, sepse kisha besim të plotë në Ty se do i edukosh. Ashtu dhe u bë.
Karakteri i njeriut njihet vetëm atëherë kur bëhet epror. Ndaj, lirisht mund të them se ishte parimor e i përpiktë, me shpirt fisnik, bujar, besnik, atdhedashës dhe me një humanizëm të lartë njerëzor, cilësi që në tërë përbënin një mozaik kolorit të karakterit të tij të lartë, qoftë si epror, apo edhe si pedagog i dalluar.
”Atdhetarët e dëshmuar, siç janë: Bedri Kyçyku, të burgosurit politik shumëvjeçar, dr. Burhan Pasholli e shumë dëshmorë të tjerë, kontributi i tyre s’ mund të mbyllet në kornizën e një rrethi apo krahine, por, ata atdhetarë të sakrificës, kalojnë kufijtë e një treve dhe shtrihen në tërësinë gjeografike etnike mabarëshqiptare. Andaj me respekt e pietet nderohen kudo veprat e tyre” – thotë z. Meriman Braha, koordinator i Departamentit për arsim e kulturë në Kosovë dhe vazhdon: ”Ata s’kanë vdekur, por vetëm se kanë ndërruar jetë, sepse, pas vetes kanë lënë veprat e tyre të paharruara”.
Ne, të gjithë kolegët e tij e përkujtojmë me respekt e krenari këtë pishtar të arsimit, këtë patriot të dëshmuar, i cili për ne qe shembull i virtyteve më të larta patriotike e njerëzore.
Lavdi veprës së tij dhe shpirti t’i prehet plot dritë !
Me pietet e respekt vëllazëror!
Dibër Madhe, më 1 shtator 2012
Në Kategori: Të ndryshme




