PËRKRAHJA E KËNGËTARIT EUGENT BUSHPEPA NË EUROVISION, ËSHTË PËRKRAHJA NDAJ SHQIPËRISË, PËRKRAHJA NDAJ GJITHË BASHKËKOMBASVE KUDO JETOJMË

Nga Pierre-Pandeli Simsia.

Sonte në mbrëmje, nata finale e Festivalit Evropian të Këngës, Lisbona, 2018.
Tre shqiptarë këndojnë në festival dhe përfaqësojnë tri shtete të ndryshme:

Eugent Bushpepa, përfaqëson Shqipërinë.

Eleni Foureira, përfaqëson Qipron.

Ermal Meta, përfaqëson Italinë.

Gjigandi shqiptar i skenës, Eugent Bushpepa, i cilësuar si zëri më i bukur mashkullor i Festivalit.

* * *

Me bashkëshorten time, të akomoduar në Hotelin TIVOLI, në Lisbonë, Portugali për të ndjekur netët e Festivalit Europian, 2018, hotel, ku janë akomoduar një pjesë e mirë e këngëtarëve pjesëmarrës, gazetarë, telekronistë të shteteve të ndryshme evropiane, që na dha mundësinë edhe të takoheshim me ta, të bisedojmë, të shkëmbejmë mendime të ndryshme, madje edhe të prononcohemi, në biseda të ndryshme, dëgjohej të flitej edhe për Shqipërinë pjesëmarrëse në Eurovision, këngëtarin përfaqësues Eugent Bushpepa, i cili është cilësuar si zëri më i bukur, zëri më i mirë mashkullor në Eurovision.
E bukura, madje karakteristikja e festivalit, është se edhe kur këndonin këngëtarë të ndryshëm në skenë, spektatorë të ndryshëm në sallë nga vende të ndryshme, valvisnin flamujt e shteteve të tyre, që krijonte një mozaik shumëngjyrësh.
Ashtu ndodhi edhe me mua dhe bashkëshorten time; ndërsa ktheheshim nga nata e dytë e festivalit, edhe pse Eugenti nuk do këndonte, ne i valvitëm flamujt tonë kombëtarë gjatë orëve të festivalit, ashtu siç pamë edhe spektatorë të tjerë në sallë të valvisnin flamujt e tyre kur këndonte Eugent Bushpepa e të tjerë.
(Dua të përmen faktin: Numri i shqiptarëve të shpërndarë nëpër shtete të ndrshme të Evropës është shumë i madh. Të gjithë do e dëshironim që edhe numri i shqiptarëve spektatorë në sallë të ishte edhe më i madh, të bënin tifo për Shqipërinë, të ndizej salla e madhe nga flamujt shqiptarë; ashtu siç pamë flamujt e shumtë izraelitë të valviteshin për përfaqësuesen e tyre, po ashtu edhe suedezët, maqedonasit, polakët, rumunët…)

Në hollin e madh të Hotelit Tivoli, sapo u kthyem nga nata e dytë e festivalit, (Holli,si gjithmonë, ishte plot me gazetarë, telekronistë…) mes një grupi njerëzish që po bisedonin në gjuhë të huaj, pamë të shkëputej një burrë fisnik në pamje duke u drejtuar drejt nesh. Edhe pa na njohur, na foli shqip: Flamuj shqiptarë janë këta që po mbani në duar?
– Po! – Iu përgjigja unë dhe bashkëshortja ime njëzëri.
U prezantuam: – Jam Kleart Duraj, përgjegjës i grupit shqiptar në festival – na thotë.
– Ju, – mos jeni miqtë e Sokolit?
– Po, – ne jemi, – iu përgjigjëm.
Me maestro Sokol Marsi, i cili ëshë edhe në grupin përfaqësues të Shqipërisë në Eurovision, kishim komunikuar shpesh me njëri tjetrin me mesazhe, por, koha tepër e kufizuar e gjithë grupit shqiptar si e të gjithë grupeve të tjerë në Arenë për prova, kishte ndikuar që ne të mos ishim takuar nga afër.
– Ju presim të vini në hotelin ku janë akomoduar, e të takoheni me pjesëtarët e tjerë të grupit….
Lamë orën e takimit.
Takimet me bashkëkombas në të tilla raste janë emocionante, sepse takohesh me motra vëllezër të një gjaku në një shtet të huaj dhe, të gjithë e kemi provuar se sa shumë gëzim, kënaqësi ndjen çdonjeri prej nesh në të tilla raste.
Shkuam që në orët e para të mëngjesit. Në hollin e hotelit po na priste maestro Sokol Marsi
Takimi me maestro Sokol Marsi-n, mund të shkruaj njëherë tjetër; sa shumë intelektual është, po aq edhe popullor në komunikim. Sa shumë kulturë të lartë profesionale ka, po aq edhe kulturë qytetare.
Në hollin e bukur të hotelit ishin pothuajse gjithë pjesëtarët e grupit.
Vjen e na takon sërish, Kleart Duraj; pamë shkëlqim dhe rrezatim në syt e tij që shprehnin gëzim për vajtjen tonë atje.
Erdhën edhe pjesëtarë të tjerë të grupit e na takuan, sigurisht edhe ai, për të cilin ne kishim shkuar, përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovision, që unë me të drejtë e quaj gjigandi i skenës, Eugent Bushpepa.
Në bisedë e sipër, më shkoi mendja tek Ambasada jonë në Portugali dhe i pyes bashkatdhetarët, nëse kishin patur takime, kontakte me ambasadën tonë; mendova se do i ishte bërë pritje grupit shqiptar përfaqësues në Eurovision në Ambasadën Shqiptare në Portugali.
Ata, si të zënë në faj, madje sikur donin të më thonin, pse na e bëre këtë pyetje, më mirë të mos e kishe hapur fare këtë temë, me shumë kulturë dhe mirësjellje, mundoheshin t’i shmangeshin pyetjes sime.
U kuptua, asnjë kontakt! Ambasada Shqiptare në Portugali nuk kishte patur kontakt, nuk ishte takuar me grupin shqiptar përfaqësues në Eurovision, e jo më t’i uronte mirseardhjen.
Nga përvoja e jetës sime mbi 20 vjeçare në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më shkoi mendja tek pritja e madhe që ne si komunitet i bëjmë personaliteve të ndryshme të politikës shqiptare, madje deri edhe tek deputeti më i thjeshtë i parlamentit shqiptar, duke shtruar dreka dhe darka, duke i uruar mirseardhjen në shtetin ku ne jetojmë.
Edhe grupi shqiptar përfaqësues i Shqipërisë në Eurovision, aktivitet shumë i rëndësishëm evropian, këto ditë janë personalitete të larta të artit, kulturës, muzikës shqiptare, prandaj edhe duhen pritur dhe respektuar si të tillë.
Eugent Bushpepa, ky djalë i ri, energjik, tepër i talentuar, shpërrthyes në skenë, kërkon përkrahjen e të gjithë bashkëkombasve të tij në Eurovision.
Përkrahjen nuk e kërkon Eugent Bushpepa personalisht, ashtu siç e kërkojnë këngëtarë të ndryshëm që dynden për të ardhur nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zakonisht në prag festash të ndryshme kombëtare apo edhe në festat e fundvitit, me pretendimin e tyre se do japin koncerte për bashkatdhetarët, kur në të vërtetë ata vijnë për të mbushur xhepat e tyre, pa paguar asnjë taksë detyruese ndaj shtetit amerikanë, siç janë edhe rregullat e atij vendi.
Eugent Bushpepa nuk këndon në Lisbonë për fitime personale, për të mbushur xhepat e tij me shuma të mëdha eurosh; gjigandi i skenës ka ardhur për ti dhënë nder dhe krenari vendit tonë, Shqipërisë.
Përkrahja e këngëtarit në Eurovision, është përkrahja ndaj Shqipërisë, përkrahja ndaj gjithë bashkëkombasve anembanë kudo jetojnë.
Të gjithë do ndjehemi krenarë me vlerësimin, me rezultatin e lartë që do na japi në këtë eurovision gjigandi i skenës Eugent Bushpepa.
Na takon të gjithë neve, i takon çdo bashkëkombasi, sonte, në natën finale të Festivalit Evropian të votojnë për këngëtarin Eugent Bushpepa.

Suksese Eugent Bushpepa.
Suksese Shqipëri.

Good luck Eugent Bushpepa.
Good Luck Albania.

Mund të ju pëlqej ...

0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *