Warning: Use of undefined constant REQUEST_URI - assumed 'REQUEST_URI' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /customers/4/8/1/radioprojekt.dk/httpd.www/wp-content/themes/remix/functions.php on line 73 Drejt per drejt nga Vlora me zonjen Monika Melyshi ! – Radio projekt 21

Drejt per drejt nga Vlora me zonjen Monika Melyshi !

Te nderuar degjues si ju kam bere me dije nepermjet rrjetit social facebook , sonte kemi nje zonje te nderuar drejt per drejte nga Shqiperia dhe konkretisht nga qyteti i bukur bregdetar i Vlores . Ne anen tjeter eshte z. Monika Melyshi me detyre Pergjegjese Administrate në Kantierin e Ndërtimit dhe Riparimit të Anijeve, Pashaliman. Mirembrema dhe mire se vini z. Monika , jeni ne keto momente drejt per drejt me degjuesin e Radio Projektit 21 , qender ne Kopenhage te Danimarkes. Kjo radio nuk degjohet vetem ketu ne Danimarke ,por ne te gjithe boten ku jetojne shqiptaret dhe degjuesit e radios tone jane qe nga Australia, Kanadaja, Amerika, Europa dhe nga trevat tona shqiptare , pra dua te them se kemi nje numer te madh degjuesish qe na ndjekin, kete e vertetojme edhe kur organizojme aksione humanitare, qe per nje kohe fare te shkurter mblidhet shuma e kerkuar ! Jemi vertete krenar me degjuesit tone Fjala per ju e nderuar per pershendetjen tuaj . Z. Monika si fillim dhe ne baze te standartit te ketij emisioni , si fillim duam qe te prezantoheni me degjuesin tone , kuptohet ne vija te shkurta, Kush eshte z. Monika? Cili eshte arsimimi juaj dhe detyra qe kryeni,nga vini dhe ku jetoni.
1. Keto si fillim per te na dhene mundesi per te bashkebiseduar me gjere me ju, per çështje te ndryshme te jetes se gruas sot . Po e nderuar …
Monika është Bija e derës së mirë, kështu thonë! Kam studjuar Drejtësi, sikurse im atë. Detyra që kryej është Përgjegjëse Administrate: menaxhim I Burimeve Njerëzore që është relativisht e vështirë por që unë kam gjetur veten sepse I dua shumë njerëzit. Jam lindur dhe rritur në Tiranë. Prej 4 vitesh, jetoj në Vlorë. Vij nga një familje tradicionale mirditase. Stërgjyshi im, Gjon Melyshi ka qenë bajraktar i Kthellës. Prindërit më kanë frymëzuar me dashuri për origjinën time dhe I kam mbajtur gjallë lidhjet me Trollin e Vjetër që është kulla e të parëve të mi ku sot jetojnë pasardhësit bujarë.

2. Kush jane rrenjet e origjines suaj ?
Thonë që paraardhësit e mi janë shpërngulur nga 3 bajrakët e Ohrit dhe kanë zënë vend në Mirditë, pikërisht në vendin që Skënderbeu e pagëzoi me emrin Kthella e Epërme.
3. Cfare perfaqeson Mirdita per Ju ?
Cdo gjë të mirë që ekziston; Mirdita është djepi i trimërisë, bujarisë, besnikërisë, patriotizmit. Mirdita e ka fjalën shenjtëri. Sipas kanunit shtëpia e malësorit është e zotit dhe e mikut,. I kam parë nga afër familjet mirditore se si funksionojnë: Burri është zoti i shtëpisë, që ka përgjegjësitë e veta dhe autoritet të padiskutueshëm, ndërsa gruaja është e shenjtë dhe e emancipuar. Familja ka një hierarki perfekte që mbështetet në respektin ndaj më të madhit. Cdokush i di detyrat e veta dhe i kryen më së miri. Më i mencuri i fisit udhëheq ceremonitë e ndryshme dhe askush nuk ja thyen tagrin.
4. Ju mbani mbiemrin Melyshi, cfare perfaqeson ky mbiemer per ju ?
Përfaqëson krenari. Paraardhësit e mi kanë lënë gjurmë në histori për patriotizëm dhe vlera njerëzore. Nga libri i babait tim “Krahina e Kthellës dhe Bajraktari Gjon Melyshi”, kujtoj një paraardhës të kahershëm, Gjet Kol Pjetër Melyshin që në 1812-ën sakrifikoi jetën e tij për interesat e mbarë popullit të Kthellës, kur shkoi në saraj të Pash Sakatit në Burgajet të Matit për të protestuar për taksat e rënda dhe kërkoi ndarjen administrative nga Mati, gjë për të cilat Pash Sakati i preu kokën dhe ia dërgoi Sulltanit në Stamboll, duke i thënë se kishte shtypur një kryengritje anti turke. Në vitin 1913, heroi Ded Gjo’Luli ka ardhur në shtëpinë tonë dhe ka kërkuar që në besë të Gjon Melyshit të shoqërohej e të dorëzohej te shtëpia e Preng Marka Prengës, bajraktarit të Oroshit. Kështu Gjon Melyshi i dha djalin e tij Lleshin që e dorëzoi në besë te bajraktari.
Në vitin 1917 në fushën e Lumthit Rrëshen u rrethuan dhe u dorëzuan pa kushte 250 ushtarë, nënoficera dhe oficera austriakë në besën e Gjon Melyshit. Me urdhër të këtij, këto forca janë shoqëruar dhe dorëzuar në komandën e qytetit të Lezhës nga Llesh Gjon Melyshi.
5. Si eshte nje dite e juaja nga mengjezi deri ne darke ?
Fillon me falenderim për ditën e re, dhe për cdo gjë që kam arritur në jetë, pastaj 30 km për në punë, 8 orë punë, kthimi në shtëpi, Pasditeve ndonjë takim me miq të mirë ose shetitje buzë detit, sytë më mbyllen duke ju dhënë bekimin fëmijëve.
6. Cili eshte profesioni juaj ?
Kam CV të pasur në profesione. Kjo për shkak se baba im më ka çuar në fermë për punë që në moshën 13 vjec, gjatë pushimeve të verës. Atëhere nuk me pëlqente kjo gjë sepse doja ta shpenzoja kohën me lojra por, sot i jam mirënjohëse sepse e dashuroj punën dhe do bëja cfarëdolloj pune pa pengesë. Na thoshte shpesh: ka shumë mund e djersë buka për të ardh deri në shtëpi, mos lini rrumullica (kafshata të mbetura). Punë tjetër që kam bërë ka qenë Laborante Mikrobiologe në Uzinën e Antibiotikëve që prodhoi penicilinën e parë shqiptare. Kam administruar një aktivitet privat, Qendër Estetike. Kam dhënë mësim në një shkollë të këtij profili.

7. Cili ka qene idhulli juaj gjate femijerise suaj ose me vone ?
I vetmi idhull ka qenë, është dhe do të jetë gjyshja ime: Nan Dava. 10 vitet e para të jetës I kam kaluar me të. Nuk besoj të ekzistojë një njeri I dytë si ajo. Bashkëjetesa me gjyshen ka qenë shkolla më e madhe e jetës time. Fjalët e saj kanë qenë udhërrëfyesi më i mirë: moj bijë, më thoshte, mos ja bëj askujt atë që nuk dëshiron të ta bëjë kush. Mos e lakmo kurrë gjënë e tjetrit. Mos kërko prej të tjerëve, ndihmoje shokun në nevojë etj. Këto fjalë të arta, që janë edhe 10 urdhnesat e tënzot, i kam trashëguar me fanatizëm. Më kujtohet që gjatë dimrit, për cdo ditë, gjyshja ngrohte një kovë me ujë dhe ja linte gati pastrueses së shkallëve të pallatit, që të mos I ftoheshin duart kur lante. Për cdo ditë I ndante racion ushqimi dhe i shërbente kafe ose caj, në respekt të lodhjes. Gjithmonë linte racion ushqimi edhe për miqtë që kurrë nuk mungonin në shtëpinë tonë. Nuk ka gjë më fisnike për një derë se sa buka e dhënë.
8. Per cfarte debatoni perhere me bashkeshortin tuaj ?
Aktualisht jam e divorcuar por, kam debatuar për faktin që nuk më ka suportuar në ide, të cilat rezultuan brilante. Unë e shoh marrëdhënien bashkëshortore si dy gjysma të një të tëre, që duhet t’I japin oksigjen njera-tjetres, jo si konkurencë apo luftë egosh, pavarësisht nga mentaliteti I trashëguar dhe respekti natyral që kam për të zotin e shtepisë.
9. Sa fëmijë keni dhe si është marrëdhënia juaj me ta!
Kam dy djem të rritur që janë bekim. Nuk më ka shkuar mundi dëm. Më gëzon zemra kur mësojnë, shkollohen, investojnë në libra, sillen mirë. Marrëdhëniet nënë-fëmijë kanë ulje-ngritjet e veta, sidomos në periudhën e adoleshencës por me bashkëpunim ja kemi dalë me sukses. Jam përpjekur të toleroj dhe të bisedoj për cdo fobi timen dhe pasojat që mund të sillte ndonjë eksperiencë negative.
10. Mund të na tregoni ndonje moment te bukur te jetes suaj ?
Momenti më i bukur i jetës është: belbëzimi I shpirtit njerëzor mbi buzët e fëmijës. E ka thënë Hygoi.
11. Po ndonje moment te rende ?
Kur lashë djalin e vogël në vendin që jeton edhe sot. Në atë moment, më doli zemra prej vendit. Nuk jam nënë posesive por kjo ishte ndjesia që përjetova.
12. Cfare eshte dashuria per Ju ?
Dashuria është ajo fara e mirë që, sa më shumë të hedhësh aq më shumë mbin dhe shtohet. Me dashurinë sot, spekullohet. Dashuria është ajo ndjenje që nuk i bën keq askujt, që njeh dhe respekton kufijtë e gjithkujt. Dashuri nuk është xhelozia, lakmia, ambicja, . Çuditërisht njerëzit janë të kursyer në dashuri. Askush nuk ka gjetur keq pse fal dashuri, përkundrazi.

13. Nje nder planet tuaja me te aferta ?
Nuk më pëlqen të bëj plane. Ndjek rutinën. Planet i bën Zoti!
14. Sa tolerante jeni ?
Pafund! Toleranca gjeneron energji.
15. Cfare eshte falja per ju ?
Falja është institucion. Nga gjyshja kam dëgjuar dhe mbaj mend një thënie: Falja asht shkru n’der t’parrizit (parajsës).
16. Cilat jane tre gjerat qe ja vlen te jetoni ?
Dashuria për fëmijët, arritjet personale dhe dëshira për të rritur me përkujdesje nipër e mbesa.
17. Kujt ja dedikoni arritjet tuaja ?
Këmbënguljes dhe ambicjes pozitive. Nuk kam zili askënd!
18. Kuj do ti kerkoje falje ne keto momente ?
2 djemve krutanë që më kanë shpëtuar nga mbytja në det në vitin 1978, të cilët nuk munda kurrë t’i gjej dhe ndjehem në borxh me ta, të paktën për një falenderim! Ishin aq fisnikë, saqë u larguan pa zhurmë, ndërkohë që unë po kthehesha sërish në jetë.
19. A mund te ju pyesim dicka meqe ju punoni ne Pashaliman ,kuptohet nese doni te ju pergjigjeni pyetjes sime , jam kurioz te di une por dhe degjuesit e radios sone, per problemin teper te diskutuar , qe thuhet kaq e as milje det i jane fale Greqis nga qeveria shqiptare . Keto lajme jane hapur nga media shqiptare, nga specialiste e jo specialiste , si qendron realisht sipas jush kjo situate ?
Populli thotë: shkon haku ke I zoti dhe populli është filozof, është vetëm cështje kohe dhe durimi.
20. Ju punoni ne nje nga bazat me te rendesishme te kohes se komunizmit, pra te asaj te Pashalimanit , ku ka historine e vet te shkuar, sot flitet se ajo baze do ti kaloje turqve, dikush tjeter shkon me tej do ti kaloje Rusise, si qendron realisht situata ?
Këto janë fantazi ose dashakeqësi që i prodhojnë mendjet diabolike. Baza e Pashalimanit ka një personel të kualifikuar, të trajnuar, I cili me shumë mund, profesionalizëm e përkushtim ka ndërtuar 3 anije të standarteve të larta “Oriku”, ”Iliria” dhe ”Butrinti” që janë Rojet Bregdetare të cilat kanë shpëtuar me dhjetra e qindra njerëz e mjete në rrezik dhe që kanë përmbushur me sukses misionet e tyre paqeruajtëse në Egje. Baza është Repart Ushtarak me standart të lartë sigurie dhe me personel 100% shqiptar. Për të apasionuarit e filmit shqiptar “Ballë për ballë” mund t’ju them që ja vlen ta vizitoni bazën, pasi aty është në ruajtje dhe administrim nëndetësja 105, gjithashtu edhe një vendbanim Ilir që quhet Orik dhe daton nga shekulli III para erës së re.
21. Cili eshte vendimi me i mire qe keni marre ne jete per ardherine tuaj ?
Edukimi hap pas hapi i fëmijëve, nxitja për t’u shkolluar dhe për të gjetur rrugën e tyre në jetë.
22. Cili eshte kendveshtrimi per median ne pergjithesi sot ne Shqiperi ?
Media, në përgjigjësi, është shndërruar në një kazan ku pështyn kush të mundet. Media duhet ta shfrytëzojë potencialin e vet në dobi të njerëzve, mirëqenies, jo të interesave personale apo grupeve. Media duhet të mbajë përgjegjësi për vërtetësinë e fakteve. Dëgjoj shpifje nga më të ultat, me kosto morale dhe pasoja. Ky është një turp!
23. Cili eshte kendeveshtrimi juaj per te ardhmen e Shqiperise ?
Shqipëria është një gur I cmuar. E ka bekuar Zoti me diell. Do vetëm pak dashuri.
24. Cila eshte pikpamja juaj per politikanet ne Shqiperi, Kosove e Maqedoni ?
Në përgjithësi kam rezerva. Vota e popullit nuk duhet shpërdoruar. Institucionet janë të shenjta, nuk gjuhen as me cizme, as me miell dhe as me vezë. Nga të gjithë politikanët do të vecoja Znj. Kodheli që e njoh nga afër. Jemi rritur bashkë. I jap pikët maximale për politikane sepse e ka ndershmërinë në gen. Nuk e sheh politikën si trampolinë për benefite personale por si mundësi për t’I dhënë maximumin vendit të vet! Është njeriu më I palodhur që kam parë. Politikane me axhendë tejet të ngjeshur, herë me gjume e herë pa gjumë në krye të punëve dhe takimeve me elektoratin. Njerëzore në maximum, serioze dhe me figurë morale të pastër.
25. Sipas mendimit tuaj , a jane shqiptaret agresive ?
Do të thoja impulsivë. Nuk dijnë me numëru deri në 10, para se të përgjigjen apo veprojnë. Gjak Ballkani.
26. Cfare ju intereson me shume tek nje njeri , tek nje mik apo mikesh e juaja tek shoku apo shoqja juaj ?
Më intereson korektësia, shenjtëria e fjalës, sinqeriteti dhe mendja e hapur. Personalisht nuk kam ngarkesa, as paragjykime por, për të qënë mik me mua, nuk duhet të jesh posesiv dhe I djallëzuar.
27. Cila eshte motoja juaj ne jete?
Cdo arritje me djersën tënde. Kali I huj të len në udhë.
28. Kush eshte ai person qe ju mungon me se shumti ?
Gjyshja, baba, halla…të gjithë ata qe nuk kthehen me…
29. Kush eshte per ju Vitore Stefa Leka , per cfare e adhuroni ate ?
Është një engjëll që I mungojnë vetëm krahët. E adhuroj për faktin se kur unë përmend Shqipërinë asaj I vezullojnë sytë. Është paqësore dhe shumë e disponueshme të të vijë në ndihmë. Njerëz të tillë janë të rrallë sot.
30. Po Tinka Kurtin , ne cfare rrethanash e njihni ate dhe cila eshte marredhenia juaj me te ?
Me Tinkën kemi kumari. Për ne katolikët, kumaria është lidhje e shenjte. Tinka është pagëzuar në një ditë me xhaxhain tim, Heroin e Popullit Pal Melyshi, që nëna e Tinkës nuk e ndante nga fëmijët e vet.
31. Si e vleresoni rolin e gruas ne kohen e vjeter , ne kohen qe shkoi dhe ne ditet e sotme ?
Gruaja, në kohën e vjetër është Argjiroja, Shota, Nora, ajo që lindi e rriti prijësa dhe atdhetarë, është malësorja që vuri djepin me fëmijën e vet në mes të dy fiseve në gjak, për të ndalur gjakmarrjen. ose (ahmarrjen) sic i thonë malësorët. Me vjen ndërmend episodi I një gruaje shqiptare që shtroi sofrën për 20 miq duke sfiduar dhimbjet e lindjes. Ndërkohë që miqtë kuvendonin, ajo shkoi në dhomë, e priti vetë fëmijën duke i bërë gjithë shërbimin që i duhet të porsalindurit, e mbështolli në rroba dhe vazhdoi tu shërbente miqve, pa e kuptuar askush që tashmë ishte lehonë! Kjo është rrenqethëse.
Gruaja në kohën që shkoi: bënte nga dy norma, kur kthehej në shtëpi të gjitha punët e shtëpisë, në mbremje lante rrobat e fëmijëve dhe i thante për gjithë natën tek tubi i sobës me dru. Kujdesej për mirërritjen e fëmijëve dhe mirëqenien e familjes.
Gruaja sot është promotor dhe e ka shpalosur veten në të gjitha fushat e jetës! Përmbush me devocion edhe detyrat më të larta shtetërore si ministre, gjenerale etj.
32. Po te ishit presidente e vendit , cila do ishte puna e pare qe do te beje ?
Do të mbillja paqen per çdo ditë që ka falë zoti. Ku ka paqe nuk ka mjerim shpirtëror.
33. A je penduar per ndonje gje ne jete ?
Jam penduar vetëm për gjërat që nuk kam bërë. Edhe gabimet vlejnë.
34. Si i perkufizoni popullin tone?
I vetmi popull që flet gjuhën e perëndive!
35. Per cfare i thoni Zotit , falemnders o Zot qe ma dhe kete , apo ate?
Faleminderit që flas shqip!
36. Thashethemja me e madhe qe keni degjuar per veten?
E shumëzoj me zero pa dalë ende nga goja. Thashethemi është një vrimë e zezë me gravitet të tmerrshëm. Asgjë nuk ta vjedh kohën dhe energjinë, më shumë se sa thashethemi.
37. Cila eshte formula per te pasur nje marredhenie te sukseshme dhe te lumtur?
Vetëvlerësimi.
38. A besoni tek fati?
Mendoj që fati është zgjedhje dhe pasojë
39. Raporti qe keni me parane?
Jam padron I lekut. Mund të bëj feste edhe kur mbetem pa para. Nuk ma ndryshon statusin aspak gjendja e parave. Ka gjëra më të rëndësishme në jetë të cilat nuk i blen paraja.
40. Raporti me rrjetet sociale
Jam aktive. Rrjetet sociale janë dritare komunikimi dhe informacioni për sa kohë nuk abuzohet me kohëqëndrimin.
41. Ushqimi qe preferoni me shume?
Preferoj çdo ushqim të gatuar me dashuri
42. Nese do ju jepej mundesia cili do ishte vendi me i mire per ju per te jetuar ?
Kam shetitur jashtë shtetit dhe jam mrekulluar nga kulturat unike të vendeve por, me një frymë jam kthyer në Shqipëri. Jetës nuk I dihet sepse ndonjëherë ta kushtëzon destinacionin por ndjehem ne paqe këtu! Kam varret e gjyshërve.
43. Cili eshte mesazhi juaj per te gjithe ata degjues qe na kane degjuar intervisten tuaj?
Jam bijë mirdite dhe nënë lebërish! Në shtëpinë time është festuar edhe Pashka edhe Bajrami sepse e dua Shqipërinë anëekënd ku ka trojet. Ky është kushtrimi i të parëve që na rrjedh nëpër gjak. Mos e harroni!!
44. Keni dicka per fund te kesaj bisede te shtoni cfare kemi harruar pa e thene?
Mendoj që kemi thënë shume por kemi edhe shumë të tjera për të thënë. Ky ishte një fillim I mbarë. I përshëndes të gjithë dëgjuesit dhe paçin bekimin e Zotit kudo qofshin! Ju falenderoj edhe Juve, Zoti Luigj për këtë mundësi të artë!

FUND

Mund të ju pëlqej ...

0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *