Warning: Use of undefined constant REQUEST_URI - assumed 'REQUEST_URI' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /customers/4/8/1/radioprojekt.dk/httpd.www/wp-content/themes/remix/functions.php on line 73 Intervista/ Hekuran Krasniqi: Nga Bleona Qereti kur më rrëmbeu “Mandarinën” tek hitet me Fisnikët – Radio projekt 21

Intervista/ Hekuran Krasniqi: Nga Bleona Qereti kur më rrëmbeu “Mandarinën” tek hitet me Fisnikët

Rrëfimi i këngëtarit nga Prizreni për “Shqiptarja.com”. Puna, projektet e reja, marrëdhëniet me kolegët dhe detaje nga jeta e tij personale. Hekuran Krasniqi flet për edhe për sukseset e para, ku nuk harron të përmendë këngën me Bleona Qeretin

Florida Mingla

Hekuran Krasniqi, goditi në zemrat e shqiptarëve me hitin muzikor tepër të pëlqyer “Ajo me mbyti”, një bashkëpunim perfekt me grupin Fisnikët. Këngëtari me një vokal unik, nuk është ndalur në bashkëpunime, të cilat pasojnë njëra-tjetrën në vite, duke sjellë për publikun shqiptar e sidomos për ndjekësit e muzikës e stilit të tij, ndjeshmëri e origjinalitet. Jo vetëm zëri, por edhe muzika që prodhon për këngët e tij e gjithashtu edhe për shumë artistë të tjerë e kanë bërë emrin e tij të kërkuar e të dashur për publikun e ndër kolegë.

Në këtë rrëfim të Hekuranit, për gazetën “Shqiptarja.com”, do të mësojmë disa të reja sa i përket jetës profesionale, por dhe detaje të tjera të pathëna rreth tij.

Emri juaj të çon menjëherë tek tingujt e paharruar të hitit muzikor “Ajo më mbyti”, bashkëpunim me grupin “Fisnikët”. Ky hit dihet që është kompozimi juaj, ndaj dhe natyrshëm lind pyetja si u formësua ideja për këtë duet?

Atëherë, përveçse përpara publikut kam krijuar një raport prej interpretuesi,për informacion të të gjithë atyre që nuk e dinë, unë në studion time realizoj këngë edhe për artistë të tjerë. Kështu që, natyrshëm të mbash mbi supe përgjegjësinë e autorit të këngës duhet ta dish edhe kush do të jetë interpretuesi i saj. Si fillim, kënga “Ajo me mbyti” kishte të krijuar muzikën dhe vetëm pjesën e refrenit…Zemra sa sa e don ti nuk e imagjinon … të realizuara prej meje. Më pas vlerësova që vokali i Agimit ishte i domosdoshëm që kënga të kompletohej e tëra. Por, përveç kësaj, Agimit i ngarkova edhe një detyrë që të kujdesej edhe për tekstin e kësaj kënge që ajo të merrte formën përfundimtare, sikur edhe ndodhi. Për gjashtë muajt e parë pas realizimit të këngës dhe klipit nuk pati një shpërthim të menjëhershëm,por më pas ajo zuri vend në të gjithë zemrat e dëgjueseve të muzikës tonë dhe për këtë, sot jam shumë i lumtur.

Le të qëndrojmë dhe pak te impakti i kësaj kënge specifikisht në Shqipëri. Referuar këtij suksesi të padiskutueshëm, publiku mbase ka pritur dhe një prani më të shpeshtë tuajën, jo vetëm në Kosovë, por edhe në skenën muzikore në Shqipëri, ndonëse prezenca juaj daton shumë më herët se ky bashkëpunim. Ju keni qenë prezent si konkurrent në Top Fest8, me Këngën “Jetë në parakalim”,viti 2011, në festivalin “Kënga Magjike“, viti 2013 me këngën “ Të dua sa Havanë”, madje edhe më herët në Tiranë, si fitues i Festivalit të VIII “Netët e klipit Shqiptar”me video spotin “Mos e le për pak”, kompozime tuaja dhe këto. Eshtë i saktë konstatimi ynë?

Po, është shumë i saktë konstatimi juaj dhe me gëzon fakti që gjurmët po mbesin dhe koha kur i vlerëson ato, vetëm se ndihemi super të realizuar. Kjo nuk do të thotë që të biem në gjumë, por vazhdojmë dhe punojmë për suksese të reja. Hehehehe.

3.Si pjesë e dy grupeve muzikore “Latino Band” dhe “Makiato Band”, duke lënë mënjanë historikun mbi formimin e tyre, sa nostalgjik ndihet sot Hekurani për atë kohë?

Janë përvoja që nuk do t’i harroj kurrë, pasi aty fillova të prek sukseset e mia të para. Gjithashtu nga shokët e të dyja grupeve që ju përmendët, kam mësuar shumë në muzikë, e për këtë ju jam mirënjohës gjithë jetën.

4. Sjellim në kujtesë këngën “Mandarinë”, me këngëtaren Bleona Qerreti, e cila edhe pse kanë kaluar shumë vite ka lënë mbresë sa i përket stilit të veçantë si në kompozim ashtu edhe tekst e interpretim. Diçka më tepër, ose ndonjë detaj që nuk dihet mbi këtë hit tjetër të atyre viteve.

“MANDARINA“, ishte këngë e albumit tim të titulluar “IRON” dhe Bleona me të dëgjuar këtë këngë; o e merrte o s’ bënte… hehehe… por megjithatë ishte e frytshme për të gjithë ne, e sikur e përmendët dhe ju mund të quhet një hit muzikori atyre viteve..

Sot, këngëtarja Dafina Zeqiri është një emër i njohur, por mbase pak kush e di që një nga daljet e saj të para, ka qenë me ju në këngën tuaj “Manushaqe”. Si erdhi ky projekt mes jush?

Koha kur isha i angazhuar në Labelin Gramafon Entertainment së bashku me Genc Prelvukajn e grupit tani Etnon, ishte gjithashtu e veçantë, pasi që thuaj se 90 për qind e këngëtarëve në zë në botën e muzikës moderne ishin tek ne. Vazhdimisht si në atë kohë, por edhe tani përpiqemi të sjellim talente të rinj në skenë, e njëra ndër ta ishte edhe Dafina Zeqiri, e cila sot shkëlqen në skenën muzikore.

Me plot gojën ju mund të quheni këngëtari unik i bashkëpunimeve, sikur në periudhën kur këto ishin të rralla, por edhe sot që janë kthyer në një trend. Përveç bashkëpunimeve që përmendëm deri tani në intervistë, ju numëroni shumë e shumë bashkëpunime të tjera si me këngëtarë me eksperiencë në treg ashtu edhe me emra të rinj. Përmendim këtu disa prej tyre si Naser Berisha, Egzon Pireci, Dardan Gjinolli, Vjosa Emini, Jehona Shaqiri, Linda Halimi, Vullnet Zhuniqi, Ymer Bajrami, Sulltan Hajolli, Venom Seferi, Grupin“Fama”,Doruntina Hoxha etj etj. Këto bashkëpunime mbajnë vulën e kompozimit tuaj dhe a mund të quani ju veten kantautor?

Nëse kantautor mund të quhet ai i cili i realizon këngët vetë dhe i interpreton ato atëherë po, mund ta quaj veten.

Ndër këngët tuaja, mund të veçoni njërën që ju e doni më shumë?

Sinqerisht ju them edhe nëse rrethi i selektimit të këngëve vjen në minimum, me sjell në një pozitë që të them se jo të gjitha kanë rëndësinë e vet dhe janë të mira për mua.

Vihet re një thjeshtësi e bukur e kuptimplotë në materialet e tua video, duke i dhënë më shumë përparësi muzikës së mirë, tekstit si dhe interpretimit tuaj që realisht mbart shumë ndjeshmëri. Është e vërtetë apo ka diçka më tepër që mund të na tregoni sa i përket realizimit të videoklipeve të tua?

Është e vërtetë që në plan të parë tek unë gjithmonë do të jetë kënga, por edhe videot nuk do të thotë që nuk do të bëhen ndërkohë me elementë të cilat vlejnë për tu vlerësuar në botën e video- projekteve.

Gjithashtu, ju keni shtrirë projektet tuaja dhe me këngëtarë jashtë kufijve të Kosovës, konkretisht e pëlqyer është dhe kënga “Eja ti” me këngëtarin Turk, Gokten Yuksel,kënduar në shqip e turqisht. Si u bë e mundur realizimi i saj?

Me Gokten Yuksel nga Ankara-ja, jemi njoftuar përmes një mikut tim që tani është ambasador në Portugali. Ai ka mbaruar studimet e shkallës së tretë në Ankara para 10 viteve dhe e ka ndjekur nga afër aktivitetin muzikor të Goktenit, duke më informuar për cilësitë dhe reputacionin e tij atje. Duke pasur parasysh që në Turqi jetojnë mbi gjashtë milionw shqiptarë e pash të udhës që të kemi një bashkëpunim me një këngëtar turk, në mënyrë që të thërrasim shqiptarët andej për të pasur edhe ata qasje në repertorin tonë artistik.

Në media jeni shprehur mbi vlerat e padiskutueshme të muzikës shqiptare e sidomos asaj polifonike e cila shpesh ju frymëzon. Cili është opinion juaj mbi origjinalitetin dhe përpunimin që ajo ka pësuar ndër kohë, si taban kaq i plotë i identitetit tonë?

Muzika polifonike edhe si ishte në sistemin akustik edhe në formacione të ndryshme orkestrale apo në forma ose përpunime çfarëdo qofshin ato, gjithmonë rri mirë dhe e ka të sigurt se do të pëlqehet, pasi është në mënyrë të padiskutueshme e veçantë, unike.

Hekurani nuk është vetëm një këngëtar e kompozitor i njohur,por edhe pedagog në Shkencat e Komunikimit e Gazetari në një nga Universitetet e Prishtinës. Sa i motivuar ndiheni në mësimdhënie e si e menaxhoni ju kohën me kaq shumë angazhime të suksesshme madje, që keni? Jeni një profesor strikt, i rreptë dhe si e gjeni brezin e ri sa i përket përkushtimit ndaj dijes?

Përpiqem të zbatoj metodologjitë më të update-uara. Pragmaticiteti tek unë ka qenë,është dhe mbetet A- ja e çdo iniciative që marr. Gjithashtu, ndarja e punës, përgjegjësia, si dhe besimi i plotë në vendime është suksesi i garantuar.

Kemi mësuar se jeni në proces të krijimit të një televizioni tematik. Mendoni që do të jetë një risi në tregun audiovisual ne Kosovë kjo sipërmarrje e re e juaja?

Gjithsesi tregu medatik është i hapur dhe të përmbledhësh, të gjitha aktivitetet që ndodhin, kuptohet ato të cilat ja vlen të paraqiten para auditorit, dhe përbëjnë interes publik e që janë te shumta, në këtë kuptim mbase nuk mund t’i gjejmë të gjitha. Por, në media ka hapësirë veprimi dhe me cilësinë e produktit tonë do të jemi kompetitiv, pa diskutim.

Publiku në Shqipëri është kurioz të mësojë diçka edhe për jetën tuaj private. Dimë që jeni nga Prizreni, një qytet me shumë histori, kulturë e ndjeshmëri të fortë për gjithë Shqiptarinë. Si i kujtoni ju vitet e kaluara në këtë qytet, fëmijërinë e mbi të gjitha ndikimin e këtij qyteti në formimin tuaj?

Kjo është përcaktim i Zotit se nga e ke prejardhjen dhe si do të valëvit jeta. Prizrenin, vendlindjen time e kam në zemër dhe kam përftuar shumë nga ky qytet. Mburrem dhe jam krenar që jam nga Prizreni, nga kryeqyteti shpirtëror i Shqiptarisë.

Së fundmi, referuar repertorit tuaj si kantautor, ku tema e dashurisë është aq prezent në tekstet e këngëve të tua, cila është muza apo frymëzimi juaj kur i këndoni më aq ndjejë dashurisë?

Dashuria edhe historikisht ka pas një rol në zhvillimet dhe ndryshimet shoqërore sikur ai i Cezarit dhe Kleopatrës. Të dashurosh dhe të këndosh për dashurinë kurrë nuk është boll… Referuar dhe këngës time të fundit me grupin “Fisnikët”, më pëlqen të cilësoj vargjet…. Moj shqiptare jam me fate, shpirtin tim e hallakate….

Si profesionist i kësaj fushe a është e mundur që ju të vlerësoni me note këtë intervistë të parë tuajën për Gazetën “Shqiptarja.com”?

Meqë unë u ndjeva shumë mirë dhe u përpoqa të jem jo i bezdisshëm për lexuesin tuaj, më lejoni që t’ju falënderojë për këtë mundësi dhe të uroj shëndet për të gjithë njerëzit kudo në botë, ndjekësit e muzikës sime sigurisht, ndërsa juve gjitha të mirat dhe shihemi në intervista të radhës. Notën e keni maksimale.

f.g.

http://shqiptarja.com

Mund të ju pëlqej ...

0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *