Home

Lajme

Ç’ do të thotë të jesh grua në Shqiperi!!!

No Comments Lajme Opinion

Kam ndër duar një vendim të turpshëm gjykate!
Kazusi: Dy burra, nga ata “të fortët”, pasi shkundën xhepat në kazinonë e lagjes, i futën nga dy dopio, sepse burrërohesh kësisoj, dhe i kryqëzuan rrugën shtetases duke e bllokuar në trafik. Kërcënim me jetë, ofendime, ulërima, pa shkaqe të arsyeshme. Përndjekje dhe breshëri telefonatash me përmbajtje ultimatumi…
Në komisariat: OPGJ-ja, me paraqitjen e njerit prej të të paditurve, se tjetri u fsheh pasi i kishte dalë pija, ndryshoi qëndrim 180 gradë. “Paraja hedh ujin përpjetë” – ka thënë dikush. E harroi detyrën dhe kërkoi të bënte “pajtim gjaqesh” duke luajtur me viktimën që ende e kishte të freskët traumën. Asnjë suport psikologjik! Madje edhe gjeneralitetet i kërkoi në koridorin e komisariatit, në këmbë, me një letër jashtë formatit zyrtar të shkresave. Pasi dëgjoi të paditurin që shkrifërohej, se kishte investuar, dhe pasi nuk i bëri dot ballë rezistencës së viktimës për të ndjekur çështjen ligjërisht, me pështymë të tharë dhe me shumë dhimbje, e përcolli në prokurori.
Në prokurori: Muaj të tërë pritjeje dhe asnjë njoftim! As për t’u dëgjuar, as për të vënë provat në dispozicion dhe as për t’u njoftuar për vendimin e marrë në heshtje nga prokurori, që është detyrim ligjor t’i bëhet me dije viktimës, në çdo rast, për t’i dhënë të drejtën e ankimimit.
Pas paraqitjes së zonjës së keqtrajtuar në Prokurori, viktimës së çështjes, rreth një vit pas kallëzimit, u mësua se prokurori na paskërkësh vendosur: Mosfillimin e çështjes penale. Pa thirrur palën kallëzuese, se me palën e kallzuar, patjetër që është takuar për të marrë çfarë i “takonte” që të mbyllte muhabetin (këtë e tha dhe i padituri, që i kam pesë miq e shokë unë! Ky duhej të ishte një nga të pestët). Jeta e viktimës në ankand! Edhe për të vënë në dispozicion kopjen e vendimit, rezistencë nga sekretaria. Qark i mbyllur i një sistemi të kalbur.
Pas marrjes së kopjes së vendimit, u bë një ankimim, brenda afateve ligjore dhe dosja u rikthye dhe një herë për plotësim dhe rishqyrtim. Gjyqe pas gjyqesh dhe, pas kalvarit 2 vjeçar, u zgjidh me vendimin e turpshëm si më poshtë…
Gjykata, në emër të “Drejtësisë”
VENDOSI:
Deklarimin fajtor të të pandehurit X për kryerjen e veprës penale “Kanosja” dhe në bazë të nenit 84 të Kodit Penal e dënon me 60 000 lekë gjobë (emri I të pandehurve dhe gjyqtarit pak rëndësi kanë pasi të gjitha vendimet për këtë target janë copy/paste. Vendime që lehtësojnë të pandehurin, mashkull në këtë rast, por i paburrë, duke paragjykuar viktimën.
Në aplikim të nenit 406, të KPrP, ulet 1/3 e dënimit dhe I pandehuri dënohet përfundimisht me 40 000 lekë gjobë ….edhe një lehtësim I vogël: pagesa e gjobës mund të kryhet brenda tre muajve.
Pa dashur aspak të promovoj, i referohem Kanunit të Lek Dukagjinit që shprehet: grueja s’bjen n’gjak edhe me qëllue që të vrasi kënd……Nëse hakmarrësi ve dorë mbi gruan e burrit, duke dashur që të hakmerret ndaj burrit, të saj, për marrje haku apo marrje borxhi, hakmarrësi ka bërë gabimin fatal që kanuni nuk ja fal…….Burrëria kanunore, nuk lejon që në sy të gruas të vtitet apo të çnderohet bashkëshorti… gjithashtu përcakton qartë që burri nuk ka tagër mbi jetën e gruas, pra, sipas kanunit, gruaja është e shenjtë dhe nëse vret një grua, ke hyrë 2 herë në gjak (duke presupozuar një shtatzani të mundshme). Më erdhi ndër mend një thënie: “Të jesh grua, do të thotë të jesh dy herë njeri”. Për fat të keq nuk ndodh kështu!
Pyetjes: “Ç’do të thotë të jesh grua në Shqipëri”, do t’I përgjigjesha: Do të thotë: të shkosh tek burri e virgjër! Të mos e shqepësh zërin e gojës se ai ishte fati yt! Të durosh siç kanë duruar shumë e shumë të tjera! Të rrihesh kafshërisht derisa burri, i sëmuri psiqik që të ka rënë për pjesë, të lodhet edhe vetë me dajakun dhe ta kurorëzojë këtë rreth vicioz me një vrasje spektakolare! Do të thotë të mos gjesh mbrojtje askund sepse dhuna është bërë status! Të të vlejë lëkura shumë pak! Të të paragjykojë i plotfuqishmi i lagjes sepse pi raki me burrin tënd dhe ti patjetër je kurva që meriton dajak, prandaj hesht se je me fat, se shoqet e tua kanë shkuar me vakt në atë dynja!
Të jesh grua në Shqipëri, do të thotë të bëjnë Pazar me lëkurën tënde! Do të thotë që jeta jote të kushtojë 40 000 lekë, në rastin më të mirë. Kaq ta ka vënë çmimin gjyqtari! Gjyqësori më seksist se kanuni!!!
Të jesh grua në Shqipëri do të thotë të gjendesh fillikat, e ngërthyer nga Sindroma e Stokholmit që, e vetmja gjë që ke mbas shpirtit, është psherëtima se edhe lotët janë tharë…as support nga prindërit, për arsye të opinionit, dhe as nga organet e drejtësisë, për shkak të prostitucionit institucional që e fabrikon dhe promovon dhunën. Të jesh grua në Shqipëri do të thotë që edhe festa jote të jetë ditë zie.
Dikur më bënte përshtypje një thënie e tim eti që sot tingëllon më aktuale se kurrë: “Femna asht darka e dreqit, moj bijë”.

Monika Melyshi, mars 2019

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *

Tags: , ,