Home

Lajme

Eurodeputetja e parë shqiptare, Arba Kokalari zgjidhet në Suedi

No Comments Aktualitet Lajme

Arba Kokalari, e cila jeton në Stokholm të Suedisë, është shqiptarja e parë që siguron një vend në Parlamentin Europian. Politikania e re është pjesë e partisë së moderuar, e cila fitoi 17.6 për qind të votave, duke marrë kështu 4 eurodeputetë, mes të cilëve edhe Kokalarin.

E lindur në Tiranë, 27 nëntorin e vitit 1986, ajo ka mbajtur postin e sekretares ndërkombëtare të grupimit rinor të partisë në të cilën aderon, e ku ka qenë mjaft aktive. Ndër të parët që e përshëndetën një zhvillim të tillë ishte presidenti Ilir Meta.

“Arba Kokalari, shqiptarja e parë eurodeputete, i bën të lumtur të gjithë shqiptarët dhe meriton mirënjohjen e tyre, jo vetëm si model suksesi në Suedi, por edhe përfaqësimi dinjitoz në Europën e Bashkuar”, ka qenë urimi i kreut të shtetit.

Sikurse edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

“Tani kemi lajme të mira nga Suedia. Sapo është konfirmuar se Arba Kokalari me prejardhje shqiptare ka siguruar vendin e saj në Bruksel. Historike, sepse është eurodeputetja e parë shqiptare ndonjëherë. Urime”, ka shkruar ai në Facebook.

Pati mjaft kandidatë shqiptarë në zgjedhjet europiane këtë vit. Ata përfaqësuan Belgjikën, Greqinë, Italinë dhe Suedinë, e ishte pikërisht kjo e fundit që nxori edhe fituesen e vetme.

Arba Kokalari është e afërme e shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari, që u diplomua në “La Sapienza” të Romës në vitin 1941, por u dënua më vonë në Shqipëri prej regjimit komunist e vdiq e internuar në Rrëshen në 1983-shin.

Vet eurodeputetja e re përcolli falenderime për mbështetësit e saj përmes një mesazhi në Facebook. “Moderatorët marrin një mandat të katërt dhe unë kam hyrë në Parlamentin Europian. Falemnderit për të gjithë ata që kanë luftuar për moderatorët dhe mua”, ka shkruar ajo.

Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *