Home

Lajme

Tregim në vetën e parë

No Comments Argëtim Histori

Jam lindur në Prishtinë me datën 23 korrik 1986.
Fëmijërinë time të hershme e kam kaluar në Skënderaj, sepse prindërit e mi Flora dhe Iliri banonin atje. Babai im punonte si farmacist në barnatoren e qytetit dhe drejtonte Ansamblin “Drenica” bashkë me heroin tonë kombëtar Hamëz Jashari, ndërsa nëna punonte në posten e Kombinatit Trepça në Mitrovicë.
Kur rrëgjimi i atëhershëm i dëboi nga puna shqiptarët, gjithashtu edhe prindërit e mi, ne u zhvendosem nga Skënderaji në Prishtinë në një banesë me qira. Nëna kujdesej për ne, ndërsa babai vazhdonte me aktivitetet e tij muzikore, që për kohën ishin tepër të nevojshme.
Mbaj mend se atë vit që erdhëm në Prishtinë ishte qershor dhe babai na dërgoi në shkollën e muzikës: Gojartin, mua dhe Drenasin. Që të tre e kaluam provimin dhe në shtator duhet të fillonim mësimet në shkollën e ultë të muzikës “Prenkë Jakova”, por asnjëri nga ne nuk shkuam atje, sepse na pëlqente shkolla “Naim Frashëri që e kishim pranë banesës ku banonim.
Vitin tjetër, i kërkova babait të më shoqëronte deri të shkolla e muzikës, që të regjistrohesha edhe njëherë. Babai më tha: Ti e din ku është shkolla e muzikës dhe duhet të shkosh vetë. Dhe kështu u bë. Shkova në provim, kalova dhe mësimet do t’i filloja në piano me profesorin Agron Shujaku.
Pas katër muajsh në shkollën e muzikës, babai solli në banesën tonë një pianino “Petrof” që e kishte blerë nga kompozitori Gjergj Kaqinari. U lumturova shumë! Babai e kishte kuptuar se tashmë do hyja në rrugën e muzikës. Ai kishte vetëm një kërkesë nga unë: që çdo mëngjes ta zgjoja me tingujt e pianos. Dhe kështu po ndodhte gjithmonë, sepse isha i pari që zgjohesha në familje. Gjyshja ime do të thoshte “kush zgjohet herët ka nafakë”, ka fat!
Atë kohë babai im incizonte shumë këngë dhe aty ku duhej zëri i fëmijëve isha unë. Mbaj mend se në vitin 1995, pushimet verore po i kalonim familjarisht në Strugë. Një pasdite babai me mori me vete me makinë, që të shkonim deri të kufiri në “Qafë Thanë”. Aty erdhi kompozitori Naim Gjoshi, me të cilin babai im kishte realizuar disa këngë të bukura si: Zëri i atdheut, Udhët e mia e Jam Evropë. Unë mbeta duke e pyetur babain tim: pse ka kufi në mes nesh dhe xhaxhit Naim? Naimi më mori në përqafim dhe u nisëm për në Strugë. Rrugës, ai krijoi këngën time të parë “Udhët e babit” që bazohej të kënga “Udhët e mia” dhe do ta këndonim bashkë me babain tim.
Vazhdova shkollën e mesme të muzikës dhe synimet e mia ishin të vazhdoja për kompozicion. Duke parë interesimin tim në këtë drejtim, babai ma kompletoi një studio incizimi. Mësimet e para për studio i mora nga kompozitori Xhevdet Gashi. Bëra disa krijime të reja dhe orkestrime këngësh për babain tim dhe këngëtarë të tjerë, pa u ndarë asnjëherë nga ligjëratat e pedagogëve në shkollë.
U bëra gati për provim në Akademinë e Arteve të bukura në Tiranë dhe dola me sukses. Pata fatin të jem në klasën e profesorit Haig Zaharian (kompozitor i shquar shqiptar, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë e muzikës artistike).
Mbaj mend se, në fillim të tetorit bashkë me babain tim shkuam në konviktin e studentëve në Tiranë. Babai kishte vendosur që unë ta provoja jetën studentore bashkë me ata të cilët nuk kishin para të mjaftueshme për të marr një shtëpi banimi me qira me kushte normale për jetesë. Një dhomë konvikti me katër shtretër, një tavolinë dhe dy karrige gati të dala boje. Të tjerat ishin gjëra të përbashkëta që mund t’i shfrytëzonin studentët. Nuk kisha ankesa, derisa erdhi dimri dhe nuk kishim ujë të ngrohët. Atëherë e mora në telefon babain dhe i thashë: E mësova jetën studentore në konvikt dhe dua të marr një banesë private me qira! Babai më tha: zgjidhe ku të duash se ta paguan baba. Atë vit takova mjeshtrin Shpëtim Saraqi, i cili me ftoi në studion e tij dhe më ofroi bashkëpunim. Shpejt po bëhesha i zoti i veti dhe shpenzimet për studime do t’i mbaja vetë.
Kisha krijuar disa këngë për vete dhe mendoja të shfaqesha edhe si këngëtarë. Por ende nuk isha i bindur se janë krijimet e duhura për mua, derisa krijova muzikën për këngën “Banesa e vogël”. Ia tregova babait dhe i kërkova të ma bëjë tekstin e këngës, me fabulën që e kisha menduar. – Fabula paska lidhje me jetën në konvikt, më tha duke qeshur! Orkestrimin e këngës ia besuam mjeshtrit Gashi dhe pas disa javësh në koncertin recital të babait tim në Sheshin 21, u shfaqa si këngëtar.
Gjatë studimeve kam krijuar disa vepra artistike të lavdërueshme nga profesorët e Akademisë së Arteve. Diplomova me notën maksimale dhe menjëherë regjistrova studimet pasuniversitare (në klasën e profesorit Aleksandër Peçi) të cilat i mbarova po ashtu me notën maksimale. Pata propozime që të filloja punë në Akademi, si asistent i profesorit Haig Zaharian, por mendoja se Prishtinës i duhem më shumë sesa Tiranës, prandaj u ktheva duke filluar mësimdhënie në Fakultetin e Muzikës në Prishtinë. Edhe vëllezërit e mi Gojati dhe Drenasi mbaruan studimet në Universitetin Amerikan, e shijuan nga një vit jetën studentore amerikane në White sity dhe North Caroline, por u kthyen në Kosovë për të punuar, duke i shërbyer familjes dhe vendit. Është edukata prindërore që na ka bërë të jemi shumë të lidhur me vendin. Ndoshta edhe këngët e babait, gjithsesi!
Një thënie që ma përsëriste shpesh “Mësimi nuk përfundon asnjëherë, lum kush plakët duke mësuar” më troket gjithmonë përbrenda.
Mora përsipër studimet e doktoratës në Universitetin “Kirili & Metodij” në Shkup në klasën e akademikut Stojkov. Veprat e krijuara gjatë këtyre studimeve presin të shfaqën para publikut shqiptarë edhe ndërkombëtarë, pse jo!

P.s. Faleminderit z.v. Drejtoreshës së shkollës fillore Naim Frashëri zn. Drita Qorolli (Arsimtares time të shkëlqyer në lëndën e Matematikës) në Prishtinë, për surprizen e mrekullueshme për ditën e shkollës!
Faleminderit Kujdestares time Nafije Sylejmani-Berisha, për kujtimet që i kaluam në ato pak minuta që po përgaditeshim për të dal në skenë!
Faleminderit mësueses time të parë në Prishtinë, zn. Melihate Sina për fjalët e ngrohta, ashtu siç dite gjithmonë t’na bësh për vete!
Faleminderit të gjithë stafit të shkollës Naim Frashëri për pritjen e ngrohtë si ish nxënës i kësaj shkolle, ku përfundova shkollimin e ulët në tetë vite!
Faleminderit nga zemra, i juaji,

Korab SHAQIRI

Burimi – Facebook i kengetarit Korab Shaqiri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *