Home

Lajme

Klubet VIP në jug të vendit mbulohen me gjak nga sherret

No Comments Aktualitet Lajme

Njerëzit më të pasur, këngëtarët më të njohur, personazhet VIP të ekranit, vajzat më të përfolura të showbizit, por edhe politikanët; si çdo verë spostohen në plazhet më të bukura në jug të vendit, duke formuar një “bllok” të përkohshëm, si ai i Tiranës, ku njerëzit e zakonshëm të këtij vendi nuk futen dot.

Bashkë me luksin e shfrenuar dhe çmimet e kripura, shpesh pa kupon tatimor, festat e çmenduara pasohen me sherre të dhunshme dhe përplasje me armë, si ai i dy ditëve më parë, në plazhin e Jalit.

Sherri nisi pas mesnate mes dy grupe të rinjsh, të cilët mësohet se kishin konsumuar alkool. Konflikti degjeneroi në përdorimin e armëve, ku u raportuan të shtëna, ndërsa klientët që ndodheshin aty, të terrorizuar, u fshehën poshtë tavolinave, në zonën “Vip” të lokalit Folie Marine. Ngjarja mbetet ende e mbuluar me mister, ndërsa nga përplasja mbeti e lënduar një vajzë.

‘Lufta’ në disko ‘Havana’ në Dhërmi një vit më parë

Përplasjet me armë në lokalet e natës në jug të vendit janë të përvitshme. Edhe më herët, në lokalet e natës në plazhe kanë ndodhur ngjarje të ngjashme, kjo për shkak se ato janë jashtë kontrollit të plotë të Policisë. Një skenë e tillë ndodhi një vit më parë në Dhermi, në një prej diskove më të njohura, ku pas një sherri mes të rinjve u përdoren armët. Shishe, gota e karrige të thyera. Kjo ishte panorama që mbeti. Sherri brenda diskos ka qenë masiv dhe ka kthyer përmbys gjithçka brenda ambienteve të diskos. Klientët kanë parë tmerr me sy dhe u larguan të alarmuar për t’u shpëtuar plumbave. Autori, i cili më pas u arrestua nga policia, qëlloi 4 herë me armë, por fatmirësisht nuk pati të plagosur

Plagosja e bodigardit të disko Mango një vit më parë

Ngjarja në disko “Havana” në Dhërmi vjen pas plagosjes me armë zjarri në disko “Mango” në Sarandë në fillim të muajit qershor 2018, ku u qëllua me armë zjarri truproja, Ardian Rako, 31-vjeç. Edhe aty, protagonistë ishin disa të rinj, të cilin u përfshinë në një sherr me njëri-tjetrin dhe për rrjedhojë pati të shtëna me armë zjarri.

Siguria në plazhe në pikëpyetje

Ngjarje të tilla, që regjistrohen më mesin e sezonit turistik, vënë seriozisht në pikëpyetje sigurinë në plazhe dhe imazhin e turizmit shqiptar. Shumë nga lokalet VIP që ndodhen në jug të vendit, janë jashtë kontrollit të policisë. Pas festave të çmendura me alkool, por edhe seks, ku çmimet e pijeve kapin shifra marramendëse, “të fortët” nxjerrin edhe armët. Si gjithmonë, vajzat e showbizit janë “molla e sherrit”.

Policia duhet të marrë masa të forta, për të vënë në kontroll të plotë zonat VIP në plazhe, ku shpesh raportohet edhe për shpërndarje droge. Ngjarje të tilla në pikun e sezonit turistik, e dëmtojnë seriozisht imazhin e vendit, por mbi të gjitha kërcënojnë sigurinë e pushuesve.

©Copyright Gazeta SHQIP

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *