Home

Lajme

“U velëm me demagogji”

No Comments Lajme Opinion

“Sa i lumtur është ai që njeh shkakun e ndodhive…” / VIRGJILI
Mendova të jap disa mendime për gazetën “DITA”, e cila na bën ftesë për çështjet ë mëposhtme: a duhet vijuar me këtë klasë(shtresë) politike? Më tej: A e meritojmë varfërinë, padijen, arrogancën e sotme? A duhet të prodhojë Shqipëria pasuri për një grup sharlatanësh politikë, të cilët bëjnë ç’është e mundur të sigurojnë një vend në Parlament, në Qeveri,dikaster qendror e kështu më radhë…Madje përpjekjet në këtë drejtim bëhen shpesh me çdo çmim…
Shqipëria,siç e dimë, nuk vuan për parti politike( e as për qindra shoqata), të cilat populli i mban mbi kurriz.Po atëherë pse u dashka të shtojmë partitë, që edhe me kaq jemi ca si shumë të politikanizuar.Ato thonë se i binden dhe mendojnë për sovranin popull!Është ky “sovran”që rropatet e rropatet jo rrallë lugëzbrazët e zorrëthatë në mjerimin e vet migjenian, ndërsa ata voclakët në numër, politikanët, majmen e majmen me miliardat e tyre, si dhe duke pronarizuar gjithçka, kurse burimet e tyre financiare apo pronësore nuk kanë për t’i treguar kurrë.
“Pushteti të korrupton”- thotë një filozof, por jo në këto përmasa stratosferike si tek ne.Dhe ja të shtojmë edhe ca parti të reja që kinse do bëjnë më të mirën,por me ç’bazë,askush nuk e thotë nga këta llafeshitës.Nuk dihet se njeriu e prish sistemin ekonomiko-shoqëror apo e kundërta?Tërëçka ndodh, veç të tjerave, nga pandëshkueshmëria e disa “trimoshave”,të cilët mund të bëjnë çdo veprim antiligjor apo korrupsion e për dekada me radhë s’kanë marrë gjemb në këmbë dhe ndaj trimërohen ata…
Dhe të shumojmë partitë,gjë që është sikur me që p.sh.juristët po ngelin në rrjetën e vettingut, të shtojmë ca fakultete të rinj drejtësie? Pse kështu do të ecim ne si gaforrja? Ai profesionist e politikan i cili shkel ligjet, t’u nënshtrohet gjykatoreve, se ka plot të tjerë që presin për një vend pune! Demokracia,ka theksuar Xh.Kenedi,”kërkon cilësi të larta, vetëdisiplinë, vullnet për të sakrifikuar për interesin e përgjithshëm dhe gjithashtu kërkon njohje, dituri”.
Le të theksojmë meqënëse shkalla e të ndëshkuarit është e pakët,pse mos të shtojmë partitë politike se ato do të na premtojnë për të bërë paskëtaj më të mirën! Është një melodi e refren i njohur, që veç përbetohen sa herë bëhen zgjedhje.E si mund t’i besojë këto parrulla dalëboje,ky popull i shumë vuajtuar, i cili nuk e meriton këtë gjendje(derexhe) ku sot ka arritur. Pse të pjellorojmë vendin me parti të reja, pa bukë e bereqet?!
Pra “ndal” dhe zbatim të ligjit nga më i madhi tek më i vogli, mendoj unë.Po inshallah,s’na zënë rrugën parti dhe politikanë të tjerë se jemi të velur me ta…
Mëse një shekull më parë, Lev N.Tolstoi ka shkruar:”Cilado parti që të fitojë, për të ruajtur fuqinë e vet, do të përdorë jo vetëm të gjitha mjetet e dhunës që ka në dispozicion,por do të sajojë edhe të reja.”
Desh na demagogjizuan të gjithëve, por nuk ia kanë arritur…
Izet S. Çulli

Burimi/podiumi.com

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *