Home

Lajme

Vjosa Osmani, femra e parë si kandidate për kryeministre, e diplomuar në SHBA

No Comments Opinion

Kosova mund të jap shembullin e parë në historinë shqiptare ku një femër të jetë kryeministre. Kandidatja Vjosa Osmani mbetet kandidatura më e fortë ndër radhët e LDK në Kosovë.

Ajo është deputetja më e votuar në Kosovë si dhe është diplomuar në Universitetin e Pitsburgut në SHBA. Është nga Mitrovica dhe militante e fortë për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Flet shkëlqyer gjuhë të huaja si anglisht, turqisht, spanjisht dhe serbisht

Kosova po shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Të gjitha partitë janë fokusuar të fushata, te koalicionet parazgjedhore dhe natyrisht te emri për kandidat për kryeministër që do të nxjerrin para votuesve kosovarë. Deri tani, sipas sondazheve, duket se LDK do jetë favorite e fitores së pushtetit, por edhe për një fakt tjetër. LDK do të propozojë për kandidate për kryeministre një femër. Ajo quhet Vjosa Osmani.

Ja CV e kandidates për kryeministre në Kosovë. Nëse ndodh kjo atëhere Kosova do të jetë në hapësirën shqiptare e para që do të jap shembullin se si një femër mund të jetë kryeministre.

Dhe zakonisht femrat kryeministre janë më të drejta dhe bashkëpunuese se burrat. Krahasimi përherë çalon, porse mjafton të shikojmë Angela Merkel si kancelare e Gjermanisë.

Po kusht është pra kandidatja për kryeministre e Kosovës?

Është deputete e Kuvendit të Kosovës tash e tri mandate. Dy palë zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë e nxorën Vjosën si gruan deputete më të votuar në historinë e Kuvendit të Kosovës. Ajo është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, në R.I.T Kosovo dhe në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA.

Vjosa Osmani – Sadriu u lind më 17 maj të vitit 1982, në qytetin e Mitrovicës, Kosovë. Shkollën fillore dhe atë të mesme, e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në qytetin e saj të lindjes. Studimet themelore i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe doktoraturën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA, ku u dallua në mesin e qindra studentëve ndërkombëtarë. Përgjatë të gjitha fazave të studimit, ajo ishte bursiste. Si profesoreshë universiteti, në Kosovë ajo ligjëron lëndë nga fusha e së Drejtës Ndërkombëtare, ndërkaq në Amerikë ligjëron lëndën “Shtet-ndërtimi dhe e Drejta: Përvoja e Kosovës”.

Aktualisht është kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë.

Në foto: Vjosa Osmani

Veprimtaria

Karriera politike e Vjosës filloi qysh në adoleshencë, kur edhe ishte aktiviste e LDK-së, për t’u ngritur më pas ndër vite. Më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani – Sadriu u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëherëshëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Tash e tri mandate, Osmani është deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, me ç’rast në dy mandatet e fundit, ishte deputetja grua më e votuar në Kosovë.

Ndonëse në moshë të re, ajo njihet për kontributin e saj të dhënë për pavarësimin e Kosovës, saktësisht njihet kontributi i saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ku në atë kohë ishte pjesë e palës kosovare në mbrojtjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, rast të cilin Kosova e kishte fituar kundrejt Serbisë. Në këtë proces jetik për pavarësimin e vendit, Vjosa ka shërbyer si përfaqësuese e Kosovës.

Në foto: Vjosa Osmani me familjen

Çmimet dhe shpërblimet

Vjosa i përfundoi studimet e nivelit bachelor në Kosovë me bursë, e cila iu nda nga Ministria e Arsimit, duke u vlerësuar nga e njëjta si studentja më e mirë e Fakultetit Juridik në Kosovë. Njëherësh, ajo u zgjodh edhe një ndër pesë studentët më të mirë të vendit nga të gjitha fakultetet. Në vitin 2004, ajo ishte përfituese e bursës për përfundim të studimeve të nivelit master në Universitetin e Pitsburg-ut në SHBA. Në vitin 2005 është shpërblyer dy herë me Çmimin “Excellence For The Future Aëard”, nga Universiteti i Pitsburgut. Në vitin 2009, falë suksesit të treguar, kishte fituar përsëri bursë të plotë studimi, për përfundim të studimeve të doktoraturës në të njëjtin universitet, ku u fokusua përsëri në fushën e Juridikut, konkretisht në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare. Po ashtu, për kontributin e saj në fushën e të drejtave të njeriut, ajo u vlerësua me Çmimin “Sheth International Achievement Award”, nga Universiteti i Pitsburgut.

Fokusi politik i Vjosës është në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për sigurimin e një juridiksioni të pavarur. Po ashtu, ajo është e fokusuar edhe në politikën e jashtme, veçanërisht në procesin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës dhe në ruajtjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Përveç gjuhës amtare, flet edhe anglishten, turqishten, spanjishten dhe serbishten.

Pra kjo është kandidatja për kryeministre e Kosovës. Theksojmë më e votuara në Kosovë, por të mos harrojmë diplomuar në SHBA.

Eshte e martuar dhe ka dy vajza binjake.

S.P.

Burimi/Kohajone.com

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *