Home

Lajme

Historiku i përmbledhur i Teatrit Kombëtar – nga Aurel Plasari – korrik 2018

No Comments Argëtim Histori

Mjafton që, si një heqje nervi, t’ia shkulësh një shoqërie kujtesën historike që ta kthesh atë në barbare. “Mjerë ai popull që e ka humbur kujtesën historike!”, psherëtihet atëherë. Mirëpo, “atëherë” domethënë vonë. Asgjësimin e kësaj ekzistence të dytë të qenies shqiptare synon kazma që është ngritur kundër një monumenti shumëfish historik, – të historisë kulturore, të historisë artistike, të historisë sociale, të historisë së albanologjisë, të historisë politike të shtetit shqiptar, – siç është ish-kompleksi emërmadh “Skanderbeg”, i thjeshtuar sot në trajtë të aktualizuar si “Teatri Kombëtar”.

U duhet treguar saktë bashkëqytetarëve se për çfarë monumenti shumëfish historik bëhet fjalë, ndonëse betejën për mbrojtjen e tij po e zhvillojnë më së shumti njerëz të teatrit. Ata paçin faqen e bardhë për këtë betejë! Dhe nuk do të m’i keqkuptojnë pohimet e këtushme, së paku ata që e dinë se, për ç’i takon historisë së teatrit, jam rritur në rreth familjar njerëzish të lidhur me teatrin qysh prej viteve ’30. Por, meqë kazma e sapongritur synon një rrënim shumë më “kompleks”, duhet shtyrë pak dera e së kaluarës për të parë të ardhmen para se krimi të kryhet.

Monumenti në fjalë është konceptuar, projektuar dhe realizuar pikërisht si një kompleks. I përfunduar së ndërtuari më 1940, në Shqipërinë e aneksuar në të njëjtën “perandori” me Italinë fashiste, kompleksi emërtohej saktësisht “Qarku italo-shqiptar Skanderbeg”. Në botimet enciklopedike të një kalorësi të mbrojtjes së kujtesës së kryeqytetit, dr. Spiro Mëhillit, mund të gjeni të dhëna ndër më kërshëroret për unicitetin e kompleksit në fjalë.

Të dhëna plotësuese, kush të dëshirojë, mund të qëmtojë në botimin “Historia e shtetit shqiptar 1912-2005: Organizimi shtetëror, jeta politike, ngjarjet kryesore, të gjithë ligjvënësit, ministrat dhe kryetarët e shtetit shqiptar” (2006), të historianit të vështruar vëngër Kastriot Dervishi. Dëshmi dokumentare me vlera unikale figurative u shtohen atyre nga arkivat e Institutit “LUCE” dhe ata të ATSH-së sonë. Do të ishte dhunë që historia e këtij monumenti shumëfish historik të Shqipërisë të mëvishej me çaprashitje ndërtimesh “të përkohshme”, për asqerhane italiane a për eglenxhehane. “Qarku italo-shqiptar Skanderbeg” përbëhej nga dy ndërtesa paralele, të ndara nga një gjysmëpatio e organizuar si mjedis relaksimi: me një pishinë në mes dhe përfund me një palestër model për kohën. Bëhej fjalë për konceptime me parametra bashkëkohorë të ndërtimeve të epokës së njohur si “il Ventennio”, fashist për komplekse të atilla. Ndër dy ndërtesat, ajo majtas emërtohej në fillim “Kinema-Teatër Savoia”. I konceptuar si për projektime filmash, ashtu edhe për shfaqje teatri, koncerte artistike etj., në kohën e vet u klasifikua si “i cilësisë së parë”. Por të vihet re: i përshtatur edhe për veprimtari ndër më të rëndësishmet politike, përfshirë ato të krerëve të shtetit, pavarësisht regjimeve politike. Hyje dhe aty të priste një atrium, kurse mbas tij një sallon për publikun para shfaqjes ose gjatë antrakteve me pushime. Salloni kishte një garderobë nga njëra anë dhe nga ana tjetër shërbimet e tualetit. Fotot e LUCE-s i dëshmojnë ato shërbime të një cilësie ende sot të lakmueshme, d.m.th. krejt ndryshe nga sa ankohet ndonjë “ndërtues” nga ata të specializuarit për të ndërtuar qenefe allaturka të modelit të diktaturës. Dyshemeja e sallonit ishte shtruar me pllaka mermeri të kombinuara bardhë-e-zi. Përkundrejt çeleshin dyert për në sallën e shfaqjeve, të dubluara me perde të rënda kadifeje. Ato çonin në platenë, kurse në të dyja anët çeleshin dyert për t’u ngjitur në të dyja katet e lozhave.

Kati i parë i tyre përbëhej nga ndarje të veçanta, kurse kati i sipërm shërbente si galeri për publikun me bileta më të lira; galeria ka funksionuar deri kur kam qenë vetë fëmijë. . Teatri Kombaëtar dhe zona përreth – Pamje ajrore Në atë kinema-teatër, që cilësohej “e cilësisë së parë” në Shqipëri, spektatori shqiptar u njoh “nga afër” – madje duke rënë në dashuri me ta – me aktorë të shkëlqyer të artit kinematografik: Greta Garbo, Alida Valli, Anna Magnani, Lorenz Oliver, Amadeo Nazzari, Vittorio de Sica, me dhjetëra. Jo vetëm kaq, por po në atë mjedis kulturor-artistik nisën e u organizuan në kryeqytetin e Shqipërisë vargu i koncerteve të muzikës klasike: Scarlatti, Cherubini, Corelli, Vivaldi, Bocherini, Cimarosa, Paganini, Rameau, Schumann, De Gallot, Schopin etj. Kushedi sa artdashës i ndiqnin për së pari herë! Deri edhe spektaklet me pjesë nga repertori i zgjedhur operistik aty u praktikuan: nga Verdi, Bellini, Donizetti, Rossini etj., përfshirë edhe një Mascagni të përsyshur dikur si “bolshevik” nga Mussolini gazetar. Dhanë aty koncerte edhe yjet shqiptare të muzikës lirike, që nga Tefta Tashko-Koço dhe Kristaq Antoniu, nga Jorgjia Filçe dhe Marie Kraja, etj. Aty dha shfaqje të vetat edhe Grupi Filodramatik i Radio-Tiranës, siç quhej, “Strazivari”, “Peshku në det”, “Osman Opingaxhiu” të Viktor Eftimiut etj., çfarë do të thotë që aty u shfaqën Mihal Popi, Behije Çela, Xhevat Serezi dhe të tjera figura që do t’i jepnin sharm edhe Teatrit të ardhshëm Kombëtar. Ja një arsye më shumë se përse rekomandoj t’i kaloni njëherë për duarsh enciklopeditë e dr. Mëhillit. Nga 9 më 12 prill 1940, u përurua aty ai që do ta meritonte të quhej i pari festival i këngës popullore shqiptare. Përpos zonjave Marie Kraja dhe Tefta Tashko, si dhe mjeshtres Lola Gjoka dhe mjeshtrit Tonin Guraziu në piano, në atë sallë u shfaq për së pari në publik rapsodi magjepsës Gjergj Pllumbi.

Edhe ekspozita të arteve figurative u organizuan në sallonin e atyshëm; ndër to u shënua për mbresat që la ajo e motrave piktore Androniqi dhe Sofia Zengo. Duhet të jeshë përnjëmend i pacipë që të guxosh e ta përshkruash një mjedis të tillë, i cili prej majit 1941 riemërtohej “Kinema-teatër Kosova”, si ngrehinë “të përkohshme” për asqerhane italiane a për eglenxhehane. Ceremoni të tyret, ndër më të rëndësishmet politike, i kryen po aty edhe kryeministra dhe ministra të Shqipërisë së pushtuar, duke përfshirë edhe vetë Zotërinë e Tij, Françesco Jacomoni di San Savino, mëkëmbës i mbretit në Shqipëri.

I veshur e i mbathur gjithë sqimë, kokë e këmbë në të zeza, vetë senatori Mustafa Merlika-Kruja mbajti aty, në prag të përvjetorit të parë të pushtimit të Shqipërisë, ligjëratën “Shqipnija, shtet i bashkuem me Italín në suazën e Perandorís së Romës”: njëfarë leksioni që do të delte herët jashtë modës politike. Sikundër delte edhe ai i 22 nëntorit 1942, me titull “Në hullí të histories”, prej të cilit u mbajt mend thirrja që u bëhej shqiptarëve për të rënë në gjunjë e për t’i puthur çizmen ushtarit të Rajhut të Tretë. Pjesë të historisë politike të shtetit shqiptar përbëjnë, pa pikë dyshimi, edhe këto. Nuk ka sesi të harrohet sakaq ndërtesa tjetër paralele, ajo në të djathtë. Në të u vendosën strukturat e mirëfillta të fondacionit “Skanderbeg”. I menaxhuar prej një bordi të përbërë prej emrash të nderuar të kohës, si Gjergj Bubani, Odhise Paskali, Vangjel Koça, Bahri Omari, Kristo Kono etj., fondacioni do të punonte nën motto-n “Pro Cultura”. Tek ajo ndërtesë e dytë qe vendosur edhe tanimë i njohuri në historinë e albanologjisë si “Instituti i Studimeve Shqiptare”. Përkrah ndonjë emri italian pa peshë u mblodhën e punuan në atë Institut kontribuues shqiptarë që u vinte era shkencë e kulturë: Dhimitër Berati, Aleksandër Drenova (Asdreni), Karl Gurakuqi, Anton Harapi, Et’hem Haxhiademi, Kolë Kamsi, Sotir Kolea, Xhevat Korça, Nikollë Lako, Bernardin Palaj, Lasgush Poradeci, Odhise Paskali, Vincenc Prennushi, Ilo-Mitkë Qafëzezi, Namik Resuli, Justin Rrota, Eqrem Vlora, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej etj.

Aty i patën zyrat, bibliotekat dhe sallat e mbledhjeve. Po aty, dhe jo kund tjetër, u organizua e u mblodh nga 9 më 13 prill 1940 “Ma i pari Kuvend i Studimevet Shqiptare”. Fatmirësisht janë publike punimet e tij, në të cilat u hodhën bazat e projekteve: për një Fjalor të madh të gjuhës shqipe, për një Enciklopedi shqiptare, për një korpus të botimeve dokumentare për historinë e Shqipërisë “Albania diplomatica”, për fillimin e botimit të kolanës së Folklorit shqiptar etj., deri te projekti për një Muze të Shkencave të Natyrës. Sa pllaka përkujtimore do të duheshin vendosur në atë ndërtesë të dytë, që një frotë të papërgjegjshmish guxojnë të na e përshkruajnë si ngrehinë “të përkohshme” për asqerhane italiane a për eglenxhehane?

Burimi/voal.ch/

Kuvendi i Junikut djepi i pavarësisë së Shqipërisë – Nga AZGAN HAKLAJ

No Comments Argëtim Histori

Në vendet e vogla lindin histori të mëdha.

Kurbanë për lirinë e Atdheut edhe fëmijët.

Oda e Junikut institucion i pleqërisë dhe drejtësisë.

Në Kullat e Junikut u njoh ndërkombtarisht UÇK-ja nga Buldazeri i Ballkanit Riçard Hollbruk.

Askush më bukur se populli ynë nuk ka përshkrur trimërinë e bijëve të vet:
“Mua po më thon’ Brahim Sadiki,
I kam kullat midis Juniki.
Ku t’qëlloj pushkën e nisi.
Vet po jes, pashën koriti”
E fillova kështu këtë opinioni timin, sepse në historinë e tij mijëravjeçare populli shqiptar është përballur me hordhi pushtuesish të shumtë, me perandori barbare, mbretëri mizore, sundimtarë gjakatarë.
Shqiptarët kanë qëndruar fort për ekzistencë, në këto përballje, por me sakrifica sublime.
Për të mbrojtur trojet e veta kanë luftuar heroikisht, por gjithmonë kanë menduar edhe fundin e vet, vdekjen, në mejdanet për liri e çlirim kombëtar, por që ajo të jetë me nder.
Ata kanë çmuar më shumë vdekjen me nder se sa vetë jetën.
Më shumë lirinë e Atdheut se familjen e vet.
Në historinë tonë të dhimbshme, por të lavdishme nuk ka pellëmbë toke shqiptare që të mos jetë larë me gjak për mbrojtjen e saj.
Nuk ka vit që të mos jetë i shënuar në enciklopedinë shqiptare për betejat homerike për liri.
Nuk ka trevë shqiptare që të mos jetë e shquar për kuvende, besëlidhje, kryengritje për çlirim kombëtar.
Që në krye të herës theksova se objek i këtij shkrimi do të jetë Juniku, aty ku 108-të vite më parë u mblodh Kuvendi i Junikut, i cili mori vendime shumë të rendësishme, përcaktuese për fatet e Kombit Shqiptar.
Motoja e të cilit ishte “Liria ose vdekja”.
Ai hartoj platformën për kryengritjen e përgjithshme kombëtare dhe shpalljen e pavarësisë nga Turqia Otomane.
Por para se të flas për këtë kuvend historik, i cili është djepi i pavarësisë së Shqipërisë do të përshkruaj shkurtimisht historinë e Junikut.
Ai shtrihet mes lumit Erenik dhe përroit Trava.
Rreth tij shtrihen Vokshi dhe Reka e Keqe, dy vatra tě shquara në histori, e para është adn- ja e Sylejman Vokshit, ndërsa të dytën e pagëzon si vatër kushtrimi Homeri i ndjesive shqiptare Gjergj Fishta kur i fton të bahen bashkë në betejat kundër pushtuesve.
Citoj:
“L’sho kushtrimin grishe Rekën
Del e piqu n’Haxhi Zekën
L’sho kushtrimin n’toskë e n’gegë
Mblidhnu tok si kokrrat n’shegë”.
Si kurorë lavdie mbi të ngrihen madhështore bjeshkët e Koshares e Gjeravicës.
Të gjitha burimet historike deshmojnë se aty kanë banuar dardanët, të cilët ishin fisi më i madh ilir, që themeloj Mbretërinë Dardane.
Tokat e saj u pushtuan prej perandorive romake, bizantine, serbe, otomane e lloj -lloj pushtuesish kalimtarë.
Popullsia e Junikut përbehet nga fiset Thaç, Gash, Berishë, Krasniqe, Morinë, Hot, Kelmend.
Sipas Ptolemeut Junik do të thotë bashkim, lidhje, gjaku i veçantë, unik.
Emri i tij përmendet edhe nga perandorët serbë Stefan Deçani dhe Stefan Dushani në krisovulat e tyre.
Sipas teftereve të pushtuesve osmanë është vendbanim i madh me emrin Alltën “Vend i artë”.
Oda e Junikut është e njohur në trevat shqiptare si institucion i pleqërisë dhe drejtësisë.
Juniku ra nën pushtimin otoman në shekullin XVI-të.
Gjatë sundimit të gjatë otoman shqiptarët organizuan kryengritje të mëdha e kuvende të shumta por edhe pse derdhën lumej gjaku, edhe pse humbën mijëra jetë njerëzore në keto beteja për çlirim kombëtar nuk arritën ti këputin vargonjtë e robërisë.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte kuvendi ku prijësit shqiptarë, rilindasit e mëdhenj ripërtërinë Epokën e ndritshme të Gjergj Kastriotit,(Skenderbeut).
Ata për herë të parë, pas katër shekujsh robëri, startuan me platformë të qartë politike, ku sanksionohej çlirimi kombëtar dhe bashkimi i katër vilajeteve në një vilajet të vetëm.
Megjithë kontributin e madh të patriotëve shqiptarë, entiziazmin popullor, sakrficën sublime, luftën heroike të Ushtrisë së Lidhjes por dhe gjithë shqiptarëve, gjakun e derdhur, mijëra jetëve njerëzore të dhëna në fushë betejë ëndrra nacionale nuk u realizua.
Edhe Lidhja e Pejës vazhduese e programit të Lidhjes së Prizrenit u shtyp.
Shqiptarët shpresuan tek Revolucioni Xhonturk por triumfi i tij pati kosto të madhe për ta.
Xhonturqit ushtruan masa të egra ndaj tyre, çka i detyroj të ngriheshin në dy kryengritje brenda një harku kohor shumë të shurtër, në kryengritjen e vitit 1910-të dhe atë të Malësisë Madhe në vitin 1911-të.
Por edhe këto përpjekje deshtuan për shkak se nuk u shndërruan në lëvizje kombëtare.
Në këto kushte ishte imperative një levizje panshqiptare.
Më dt. 21-25 maj të vitit 1912-të u mblodh Kuvendi i Junikut me pjesëmarrjen e 250-të delegatëve nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Shkodrës, Dibrës, Elbasanit dhe të përfaqësuesëve të jugut.
Ketij kuvendi kombëtar i paraprinë disa kuvende lokale ku kryengritësit u besëlidhën me betimin solemn:
“Bajmë be dhe e japim besën e burrave se kemi me ba çdo gja fli.
N’koftë nevoja me duart tona kemi me i ba kurban edhe fëmijët tanë”.
Pas Besëlidhjes së Lezhës, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Beslidhja e Junikut është besëlidhja më e madhe e shqiptarëve në historinë e tyre.
Porta e Lartë u mundua me çdo çmim për ta penguar organizimin e këtij kuvendi panshqiptar.
Trinomi i drejtimit të tij Prishtina, Boletini, Curri ia doli të neutralizojë elementët turkomanë dhe të ndërgjegjësojë të lëkundurit.
Njëzeri Kuvendi vendosi vazhdimin e kryengritjes së përgjithshme kombëtare me armë, pasi nuk u kishin lënë rrugë tjetër.
Truri i Levizjes Kombëtare, Hasan Prishtina, lëshoi Proklamatën: “Shpëtim a Vdekje”.
Ky Kuvend hartoi Platformën për Kryengritjen e Përgjithshme dhe Shpalljen e Pavarësisë si dhe programin politik të tij.
Ai përmbante këto pika themelore.
Njohjen e autonomisë së Shqipërisë.
Vendosjen e administratës shqiptare.
Caktimin e Gjuhës Shqipe si gjuhë zyrtare me Alfabetin Kombëtar të Manastirit.
Ngritja e Flamurin Kuqezi në të gjithë vendin.
Caktimin e një Guvernatori të Përgjithshëm të një stërnipi të familjeve princërore shqiptare.
Caktimin e kufijëve të Shqipërisë.
Garancia për zbatimin e këtij programi u kërkoj fuqive të mëdha.
Për këto vendime u njoftua edhe Porta e Lartë.
Ky program ishte Libri i Kuq i hartuar në Memorandumin e Greçes, me pak ndryshime.
Kuvendi u bëri thirrje të gjithë atdhetarëve kudo që ndodheshin për të jetësuar këto vendime me çdo çmim .
Kuvendi i Junikut vendosi Liri a vdekje.
Menjëherë filluan pregatitjet në terren.
Mijëra kryengritës, të udhëhequr nga korifeu Hasan Prishtina, “Robinhudi Shqiptar” Isa Boletini, tribuni popullor Bajram Curri, në gusht të vitit 1912-të çliruan Shkupin dhe në tetor thirrën Kuvendin e Shkupit.
Hasan Prishtina kërkoj bashkimin e katër vilajeteve në një vilajet të vetëm, me kryeqytet Shkupin.
Kjo Kryengritje finalizoj “Nëntorin e Dytë”.
Plaku i Vlorës Ismail Qemali shpalli pavarësinë, pikërisht me dt. 28 Nëntor, ditën kur Gjergj Kastrioti – Skenderbeu kishte ngritur krenarë Flamurin tonë në Kalanë e Krujës në vitin 1443.
Kuvendi i Junikut është prologu i pavarësisë.
Zëri brilant i Shkurte Fejzës na përcjell mrekullisht madhështinë e këtij Kuvendi, në vargjet e poetit Hamit Aliaj, “Mjeshtër i Madh” me rastin e 100- vjetorit të tij:
“O Junik me kulla guri.
Prej tek ti u nis Flamuri.
Prej n’Koshare n’Kaçanik
Thërret Kosova: – o Junik”.
Vitet kalojnë e Juniku kthehet përsëri në qendër të historisë.
Konferenca e Paqes së Parisit një shekull më parë krijoj Mbretërinë serbo-kroato-sllovene.
Kosova mbeti nën thundrën e saj.
Nga dhjetori i vitit 1921 deri në shkurt të vitit 1923 Juniku shpallet zonë neutrale.
Livizja kaçake e Azem Bejtës dhe neutraliteti i Junikut ishin ende shpresë për shqiptarët, por u shua shpejt, sepse forcat çetnike malazeze u futën në Junik vranë 60-të burra, dogjën 12-të shtëpi dhe plaçkitën gjithë zonën neutrale të Junikut duke shkaktuar panik të madh tek populli.
Një vit më vonë u vra Azem Bejta, u shua levizja e tij kaçake e shterroj edhe ëndrra e shqiptarëve që besonin ende bashkimin e tyre.
Krejt Kosova mbeti nën Mbretërinë sllave, gjithashtu edhe pas Luftës Dytë Botërore nën Jugosllavinë Titiste për më shumë se pesë dekada gjersa doli në skenë UÇK-ja e lavdishme.
Shqiptarët pritën me gezim të jashtëzakonshëm njohjen ndërkombëtare të saj nga Buldazeri i Ballkanit Riçard Hollbrik në Oden e Met Shalës, në Kullat e Junikut.
Tre luftra të fuqishme u zhvilluan në Junik mes UÇK-së dhe ushtrisë sllave, ajo e Zharreve, Kallavajit, Rogopeqit, sepse ai ishte nyjë nevralgjike, fotosinteza e UÇK-së.
Mbi 20- mijë luftëtarë të saj kaluan nëpër të duke u furrnizuar me armatim në vitet 1988-të-1999-të.
Për mbrojtjen e tij ranë në fushën e nderit për t’u përjetësuar në pavdekësi dragojtë e lirisë Bedri Shala, Bekim Berisha, Permet, Vula Elton Zherka.
Aktin e tyre heroik e ka skalitur zeri brilant i kollosit Ilir Shaqiri.
“Kullat e Junikut nga një gjamë e lshojnë
Bedriu dhe Bekimi thon’ k’tu do t’luftojmë”
Në vitin 1997-të me dt 31 janar ranë në Vushtri, në altarin e lirisë Edmond Hoxha nga Juniku, Zahir Pajaziti dhe Hakif Zejnullahun të cilët janë pagëzuar si pushkët e para të lirisë.
Juniku ishte mbështetje e fuqishme e betejave të UÇK-së në Koshare ku u thye kufiri Shqipëri-Shqipěri dhe u nënshkrua në rrasat e saj ngadhënjimi lirisë.
Në vendet e vogla lindin histori të mëdha.

Burimi/voal.ch/

Shqiptarët duhet të gjendën së bashku…

No Comments Lajme Opinion

Skënder Karaçica/

Shkrimtarët janë udhërrëfyesit për sublimimin e artit në fushën e hapësirës së vet kombëtare sesi duhet të bëhet atdheu.

Në një debat të kulturuar që qysh moti nuk kisha lexuar në mes dy shkrimtarëve Natasha Lako e Rudolf Marku dhe në qasjen e tij Preç Zogaj dhe unë nga Amerika, kemi vënë në spikamë se trajtat e artit dhe shkrimtari me shembullin e debatit kulturor dhe letrar, hapë shtigjet sesi shqiptarët duhet të gjënden së bashku (pjesë e debatit Natasha Lako dhe Rudolf Marku).

Shqiptarët u gjendën së bashku(termë N.Lako) që kur De Rada e gjeti Naim Frashërin, Kristoforidhi e gjeti Vaso Pashën, Filip Shiroka gjeti Çajupin, Asdreni gjeti Lasgushin, Konica gjeti Fan Nolin në gjithë metropolët e botës.

Këso kohe me shembullin e Rilindasve,duhet të gjendën së bashku krijuesit e letërsisë së sotme bashkohore në hapësirën shqiptare.Rexhep Qosja duhet të gjejë Ismail Kadare në Tiranë, dhe tevona Kadare të gjejë Rexhep Qosjen në Prishtinë.

Shqiptarët duhet të gjendën së bashku…!

Burimi/ina-online.net

Shpalime historike – Pushka e Azem Bejtës është përdorur edhe në luftën e Shaban Polluzhës – Nga Skënder Karaçica

No Comments Argëtim Histori

39 vjet nga lufta Nebi dhe Tahir Meha në Prekaz të Drenicës me forcat e policisë serbo-jugosllave

Sot bëhen 39 vjet nga lufta babë e djalë(Nebi dhe Tahir Meha)në Prekaz të Drenicës me forcat ushtarako-policore të ish Jgosllavisë dhe të Serbisë.

13 maj 1981 ishte kushtrimi për lirinë e Kosovës dhe larg duart e pushtetit serbo-sllav ndaj popullit shqiptar dhe ndaj Kosovës,ishte thirrja e trimërisë nga frangjitë e Kullës në Prekaz të Drenicës e Tahir Mehës.

Forcat e mëdha serbo-çetnike me tre tankse dhe tre hilokopterë e rrethuan Kullën e Mahajve dhe pas njëzetë orësh të luftës,Nebi dhe Tahir Meha vdesin në tokën e vet dhe nuk e lëshuan Kullën në dorë të forcave vrastare dhe antishqiptare serbo-jugosllave.

Drenica përseri ballë për ballë me Serbinë dhe në petkun e ,,vëllazërim-bashkimit,,të Jugosllavisë.

Historiani prof.dr.Muhamet Pirraku,një njohës i thellë me tipare shkencore të historisë së lavdishme të Drenicës,pati thënë se Pushka e Azem Bejtës,pas vdekjes së Tij(1924)e mori në dorë gjyshi i Tahir Mehës(Emin Lati)dhe e njëjta Pushkë doli në flakën e zjarreve të luftës së Shaban Palluzhës dhe e përfundoi historinë e vet të trimërisë në luftën e Nebi dhe Tahir Mehës në Prekaz.

Çikago,maj të motit 2020

Burimi/voal.ch

Fjalimi rrënqethës mbi varrin e Gjergj Fishtës: Hoxha i thurr vargje një prift

No Comments Argëtim Histori

Fjalimi rrënqethës mbi varrin e Gjergj Fishtës: Hoxha i thurr vargje një prifti

Kur vdiq Gjergj Fishta, në varrimin e tij morën pjesë personalitete nga e gjithë Shqipëria, Kosova e më gjerë. Ai u varros me nderime të mëdha më 31 dhjetor të vitit 1940, ndërsa hoxha Ali Kraja kishte mbjatur një fjalim rrënqethës para të pranishmëve për Fishtën, duke theksuar se shqiptarët do të mburren me të përgjithmonë, shkruan Gazeta Metro.

Fjalimi i tij në ceremoninë e varrimit të klerikut të shquar, at Gjergj Fishta, është një ndër fjalimet më të bukura të mbajtura në raste të tilla. Ajo çfarë e bën më të veçantë, është fakti se si një hoxhë i thurr një tekst të tillë të lartë një prifti.

Më poshtë ju sjellim fjalimin e tij:

Poet kombëtar, Pater Gjergj!

Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…

Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politike tanden do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcisë”, kryevepra jote monumentale.

Të jesh i bindun, o Poet i Madh se shqyptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën e persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar…

Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme./gazetametro.net

Haradin Bala sonte ka dalë në roje të Atdheut

No Comments Argëtim Histori

Fletëza jete

…Nuk kam djalë për të dhanë Ushtrisë së Kosovës(UÇK), por e kam ketë pushkë që e kam ruajt për ketë ditë, ishin fjalët e plakut nga Shala e Bajgorës(Shpalime historike të prof. dr. Muhamet Pirraku).

Haradin (Selman) Bala sot ka dalë në roje të Atdheut. Përseri ka dalë në Grykën e Llapushnikut dhe në vargmalet e Drenicës që të shoh me sytë e Udhën e djelmenisë shqiptare për të mbrojtur Kosovën dhe në kërkim të Lirisë që, nëpër vite ishte ëndrra shekullore e brezave. Sot, Haradin Bala në Drenicë ka dalë në roje të Atdheut, ndonëse e kishte mësuar Oda e burrave në Korroticë dhe kënga e sharkisë e babës Selman me Adil Cenën (Dugollin), që kur i këndonin Kamer Loshit “Nuk e lëshoj Flamurin o shka i shkinës” oda e burrnisë bëhej “shtabi” i Lirisë së Kosovës.

Kushtrimi i maleve në Drenicë dhe thirrja e Adem Jasharit:
Hajdeni vllazën e luftojmë bashkë, Haradin (Selman)Bala mori pushkën dhe u nisë të bashkohet në udhën e madhe të djelmenisë së Drenicës dhe u bënë bashkë me lisat dhe plisat e përgjakur nëpër vite në kërkim të Ditës së Lirisë dhe për Kosovën me njëmijë plagë nga dora vrastare e hasmit.

Këtu është Gryka e Llapushnikut, atje shihen lisat dhe shtrojera e vargmaleve të Drenicës, atje ku do të jetë fushëbeteja dhe qëndresa jonë, u thoshte djelmenisë shqiptare Haradin (Selman)Bala që u nisën bashkë me ballin hapur se ku ka vdekje më të mirë se sa për Lirinë e Kosovës!

Krismat e pushkëve dhe Gryka e Llapushnikut i kishte dalë ballë për ballë hasmit:Këtu nuk keni udhë,këtu nuk keni kah të shkoni, kjo është Toka dhe Dielli i Kosovës o hasëm…! Përseri përgjakët balli i djelmenisë dhe kënga e burrnisë nuk ndalët me testamentin e Kamer Loshit, të Azem e Shotë Galicës, të Ahmet Delisë, të Shaban Palluzhës, të Fazli Grajqevcit… kështu e bënte të fortë gjoksin e Haradin (Selamn) Balës para hasmit serb.

ARKIV

Burimi/fjala.info

Kandidati për President të Amerikës, Joe Biden: “Jemi të gatshëm të qëllojmë çdo kënd i cili i sulmon shqiptarët në Ballkan”

No Comments Aktualitet Lajme

Kandidati nga radhët e Demokratëve për President Joe Biden në vitin 2002, në një konferencë të organizuar në SHBA, kishte deklaruar haptazi dashurinë e tij të madhe për kombin shqiptar.

Biden në atë kohë kishte thënë që SHBA janë të gatshëm të qëllojnë dhe të vrasin çdo kënd i cili sulmon shqiptarët në Ballkan.

Do të vazhdoj me çdo ind në qenien time për ta mbajtur Amerikën, të përfshirë me trupa që të jenë të gatshme të qëllojnë dhe të vrasin, për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve kudo që ata banojnë në Ballkan’ kishte thënë Biden.

Së fundmi kjo deklaratë e tij ka filluar të shpërndahet më të madhe.

Kujtojmë që Biden kundër kandidat për President në SHBA, do ta këtë presidentin aktual Donald Trump.

Burimi/njekomb.org

Shqiptaro-amerikanët të (unifikuar) për çështjen e Kosovës, pse po veprohet pas shpine të Joe DioGuardit…?

No Comments Lajme Opinion

Në vend të reagimit

LQSHA-ja me seli në Nju Jork (Joe DioGuardi), është i vetmi asociacion politiko-kombëtar i regjistruar në organet e shtetit amerikan, që e ka të drejtën e plotë për të lobuar për çështjen shqiptare në hapësirën etnike në Ballkan dhe për aktualitetin e sotëm të zgjidhjes së marrëdhënieve në mes të dyja shteteve sovrane të Kosovës dhe Serbisë.

Për hirë të së vërtetës, po theksoj pa zbuluar ndonjë “sekret” se arbëreshi dhe udhëheqësi i devotshëm i LQSHA-së Joe DioGuardi, brenda muajit dy-tre herë kalon një kohë në Shtëpinë e Bardhë në Washington, duke takuar krerët kryesorë të institucioneve të shtetit amerikan, administratën e presidentit Donald Trump, si dhe senetorë e kongresmenë, miq të respektuar të popullit shqiptar dhe të Kosovës, për të biseduar për aktualitetin politik në hapësirën etnike shqiptare në Ballkan dhe, me një prioritet të bisedimeve Kosovë-Serbi.

Letra e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, që është adresuar nga Nju Jorku dhe, siç thuhet në bashkëpunim me 40 shoqatat tjera nga tërë Amerika, tregon edhe njëherë se diaspora shqiptare në këto hapësira është politizuar dhe është përqarë në (modelin) ashtu siç është përçarë subjektët politike në Kosovë, Shqipëri dhe në pjesët tjera etnike në hapësirën tonë shqiptare në Ballkan.

Asgjë nuk kemi kundër letrës së Shqiptar-Amerikanëve me seli në Nju Jork, e nënshkruar nga bartësit e kësaj letre dërguar presidentit Donald Trump në Washington lidhur me çështjen aktuale në Kosovë dhe të rolit të rëndësishëm që ka shteti mik i përjetshëm Amerika, si gardiane e mbrojtjes, të shpetimit nga asgjësimi i popullit shqiptar dhe të “tokës së djegur” të Kosovës në vitet 1998-1999 nga dora vrastare deri në shkallë të gjenocidit serb të diktatorit S. Millosheviq.

Në këtë letër të nënshkruar nga aktivistët Ardita Dunellari, Hyri Bajraktari, Richard Llukaj dhe Drilon S. Gashi (në një adresë SHSHA-ja) me seli në Nju Jork, kësaj radhe nuk ka bërë më shumë sesa në adresë të adimistratës së presidentit Donald Trump të shkoj kjo letër,që nuk mund të thotë më shumë se sa ka thënë sy më sy me përfaqësuesit e shetit amerikanë Joe DioGuardi (LQSHA) në Washington. Krejt kjo e dhënë për opinion është në mbeshtetje që ka SHSHA në Çikago me LQSHA në Nju Jork dhe diçka më shumë se kjo…!

Me këtë rast shqetësimi ynë është diku tjetër,ndonëse tash sa vjet, qarqe të caktuara dhe, më gjasë si krah i (ndonjë partie apo udhëheqësi të saj në Kosovë), shpeshherë dalin “aktivistë të mbrëmjes” (sic!) dhe pas shpine të arbëreshit dhe LQSHA-së, Joe DioGuardi veprojnë me nisma të tilla kur dihet fakti se po ky arbëreshi ynë në një rreth edhe më të ngusht me administratën e presidetit Donald Trump, ka biseduar për çështjen e Kosovës dhe relacionet e bisedimeve të pafund me Serbinë(!), që tashmë janë në dijeni për tërë rrjedhën aktuale.

Atëherë çfarë porosie ka dërguar kjo letër nga Nju Jorku në Uashington, ku, për një problem dhe pesha e saj politike dhe diplomatike veçse ka qenë në tovolinën e miqëve tanë të kësaj administrate, tash shkon një letër po me të njejtën kërkesë për të marrë qendrim më të matur ndaj shtetit të Kosovës, mos vallë po e ngarkojmë “postën shtetërore” me informata të njëjta që Joe DioGuardi, veçse i ka vënë në tryezën e administratës në Uashington!

Për fund po theksojmë se në Amerikë të gjitha organizatat politike dhe kombëtare (shoqatat shqiptaro-amerikane) dhe kjo nga Nju Jorku me aktivistët tanë të përmendur me lartë, është dashtë që të bashkrendojnë aktivitetet me LQSHA Joe DioGuardi dhe jo në adresë të administratës së prsidentit Donald Trump të shkojnë letra me përmbajtje të njejtë dhe për aktualitetin politik në Kosovë!

Kjo paraqitje e letërs shqiptaro-amerikane nga Nju Jorku për Uashingtonin zyrtar, po i vjen era si kundërvënie ndaj aktivitetit të përditshëm të Joe DioGuardit me administratën dhe institucionet e shtetit amerikanë (senatorë dhe kongresmenë), ndonëse për këto 27 vjet të veprimtarisë së LQSHA-së me arbëreshin tonë, ishte dhe është krahu i fortë çështjes shqiptare në Ballkan, të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës!

Skënder Karaçica

Skënder Karaçica,
Drejtor Ekzekutiv i SHSHA-së
Çikago, IL.

Burimi/fjala.info

Ardiana Dhimiter Mitrushi – E di… ti je shpirti im

No Comments Argëtim Letersi

Me netët, ditët,
orët, minutat i përpija nji e nga nji,
kuriozitetet ngulmonin, heshtja bënte ujdi…

Unë shpesh thosha,
po të më doni, do t’ju dua shumë,
pyetjet më gëlltisnin, më linin pa frymë…

Mendoj shpesh,
vështirësitë e netëve, më linin pa gjumë,
buzë brigjeve ëndërruar, dëshirat bërë lumë…

E ndeza, e çela
ditën, me një përpëlitje, bota pjesë e syrit tim,
sa lart unë fluturoja, lirinë rrëmbeja si shpëtim…

Më në fund rrëmbeva,
e gjeta vetveten, e shtrëngoja me ngulmim,
nuk të lë më të shkosh, ti je drita e shpirtit tim…

Tani e kuptoj, pa ëndërra
pse ke ndryshuar, ti je pranvera pa dyshim,
sot je krenari e jetës, të besoj ti je shpirti im…
Ardiana Mitrushi 05/12/2020…

Teuta Shaqiraj – Kohet brenda meje .

No Comments Argëtim Letersi

Ndersa rri e mendoj e
perhumbur,
kredhur ne muzgun e argjendte
te buze mbremjes sime ,
e kaluara me dergjet
dritezbehte ,
e tashmja enderr , qe vec
enderr nuk qe .
Te dyja shqiten , ngjishen ,
kaperthehen
si dy te marre
ne prushhirin e dashurise
qe kurre s’ mori zjarr .

Kurthuar ne nje gershet te
bere pa shije ,
mlepksur me ngjyren daleboje
te kohes demode ,
relikt i epokes se perhimte
te se vetmuares vetrine .
Ne pluhurin e harreses ,
denim i hiresuar i fundit kujtim .

E une , cbej ketu me kembet kureshtare
ngulur ne rripin e kohes
neutrale
me veshtrimin prapa e
zemren qe rend perpara ?
Me syte qe ndjellin shpresen ,
buzagaz ,
por jo me te ndjerin maraz ,
nuk dua te heq zvarre
relikten e lene pas .

Sepse e ardhmja bulbezon ,
nuk pret ,
as fle brenda kornizez se
blerte ,
rajevizon profilin e shpirtit te
etshem
me rrebeshin e ngjyrave qe
derdhen haareshem .

Teuta Shaqiraj

Poggio , maj , shi 2020.