Home

Lajme

Bëri BUJË në rrjet/ Deputeti që jeton në shtëpi të rrënuar sqaron aplikimin për bonus qiraje: Ju rrëfej keqkuptimin për ‘fëmrat’ dhe uiskin (INTERVISTA)

No Comments Intervista Lajme

FotoMontazh: Deputeti Kostaq Papa dhe shtëpia e tij e rrënuar në Sarandë
Ilir XHAFAJ për Newsbomb.al

“Ne kemi një deputet, Kostaq Papën, ka hedhur një ditë shtëpinë e tij, është si ato shtëpitë e Thumanës.” Kështu u shpreh ditë më parë deputeti Murrizi, kur i doli në mbrojtje kolegut Kostaq Papa, shtëpia e të cilit realisht është e shkatërruar. Vetë deputeti i ka vënë në dispozicion newsbomb.al foto nga shtëpia e rrënuar në fshatin Sopik të Sarandës.

Në një intervistë për newsbomb.al, zoti Papa është shprehur se shtëpinë në fshatin Sopik e ka ndërtuar për prindërit të cilët nuk jetojnë më, me paratë e mbledhura nga emigracioni, por që zyrtarët lokalë sipas tij dhe një firmë që kryen shpërthime me eksploziv ja kanë rrënuar.

“Shtëpia është dëmtuar rëndë nga veprimet abuzive të shtetarëve e komunarëve dhe nga minat e fuqishme që hedh një firmë gurore në këmbët e prapme të fshatit. Kjo firmë korrupton nënpunësit për aktivitetin dhe minat e paligjshme që hedh”, u shpreh deputeti Papa.

Sipas tij, firma Kalivioti SHPK është denoncuar dhe nga banorët e fshatit Sopik sepse me aktivitetin e saj ka dëmtuar mbi rreth 40 shtëpi, prej të cilave 3 janë gati të shembura. Zoti Papa thotë se pavarësisht komuniteti i atjeshëm është ngritur në protesta e ka bërë dhe peticione, nga autoritetet nuk ka pasur asnjë reagim.

Ka qenë pikërisht rrënimi i shtëpisë së tij nga firma Kalivioti SHPK që e ka detyruar deputetin Papa që të aplikojë për bonusin e qirasë. “Firma Kalivioti SHPK duhet bllokuar se po shemb fshatin më të vjetër të Shqipërisë! Pra Tranzicioni po më shkatëron këtë shtëpi të mundimeve të mia”, tha ai në një intervistë për gazetarin e newsbomb.al Ilir Xhafaj, ndërsa tregoi se dhe në diktaturë regjimi i kishte shembur shtëpinë ku lindi.

“Ndërsa Diktatura, kur isha fëmijë më shembi shtëpinë ku linda, nga më të mëdhatë në jug duke hedhur në rrugë familjen tonë 8 anëtarëshe, e na çoi si në internim në një kasolle në fund të fshatit”, përmbylli ai.

Të ardhurat e vetme për zotin Kristaq Papa, siç pohon vetë ai, janë vetëm ato që i jep funksioni si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Në fokus të intervistës së gazetarit të newsbomb.al Ilir Xhafaj, nuk mund të mos ishte dhe deklarata e zotit Papa në Kuvend “për fëmrat”, e cila sipas tij, është keqkuptuar dhe është nxjerr nga konteksti qëllimisht sepse për të gruaja shqiptare meriton respekt.

“Dashakeqësia dhe keq interpretimi ishte thjeshtë një zhurmë nga të korruptuarit sepse kërkova kontrollin e tenderave koruptiv të viteve të fundit. Zhurmës ju bashkuan dhe ata që menduan se u bë deti kos e që mendojnë se ne me ndjeshmëri të lart, nga zhurma mund ta lëmë Atdheun pa legjislativ, sidomos në këto ditë të vështira që po kalojmë si Komb”, u shpreh deputeti Kostaq Papa.

Në intervistën për newsbomb.al, deputeti Kostaq Papa foli dhe për nisjen e sezonit turistik në Sarandë, pas pandemisë, qytet i cili sipas tij do të bëhet promotor i turizmit dhe argëtimit për pushuesit dhe turistët e shumtë që e zgjdhin si destinacion për pushimet verore.

Më poshtë, intervista e plotë e deputetit Kostaq Papa, për gazetarin e newsbomb.al Ilir Xhafaj:

1- Zoti Papa, si fillim uroj të jeni mirë familjarisht në këto ditë të vështira për të gjithë ne. Doja t’ju pyesja për mbledhjet online të Kuvendit në këtë periudhë pandemie, si ka qenë për ju dhe deputetët e tjerë kjo formë takimi të themi?

-Faleminderit! Uroj dhe ju të jeni mirë dhe ju. Cilado forma e realizimit të mbledhjeve, ne e kemi detyrim ti përgjigjemi detyrës për të realizuar funksionimin e Parlamentit, sidomos në kohë të vështira siç është periudha e pandemisë e që ka shtuar dhe më hallet e popullit dhe kombit tonë. Forma e realizimit online po realizohet me sukses e ndikon të jepen mendime konçize.

2- A mendoni se kjo formë takimi dhe diskutimi është aq efikase sa mbledhjet në Kuvend?

-U përgjigja më sipër. Kjo formë po ja arrin qëllimit. Komisionet e Kuvendi janë funksionalë e u përpunuan shumë projektligje e akte normative për 3 seancat e fundit plenare.

3- Zoti Papa, ditët e fundit ju keni publikuar në profilin tuaj pamjet e një shtëpie të rrënuar, si qëndron e vërteta e kësaj shtëpie? Deputeti Murrizi ju ka mbështetur publikisht për këtë kur ka thënë se jo të gjithë deputetët janë hajdutë.

-Është e vërtetë. Shtëpia ime që ndërtova në vendlindje për prindët e sëmurë që tani nuk jetojnë më, e ndërtova dhe për veten sigurisht, me të ardhura nga emigracioni disa vjeçar. Shtëpia është dëmtuar rëndë nga veprimet abuzive të shtetarëve e komunarëve dhe nga minat e fuqishme që hedh një firmë gurore në këmbët e prapme të fshatit. Kjo firmë korrupton nënpunësit për aktivitetin dhe minat e paligjshme që hedh.

Ka dëmtuar rreth 40 shtëpi, 5-7 puse gjeodezik privat i ka shteruar, rreth 3-4 shtëpi janë gati në shëmbje e disa familje braktisën shtëpitë nga ndotja e madhe që shkakton në mushkëri e frymëmarrje, asëm, bronshite e probleme të tjera.

Firma Kalivjoti shpk duhet bllokuar se po shemb fshatin më të vjetër të Shqipërisë! Pra Tranzicioni po më shkatëron këtë shtëpi të mundimeve të mia.

Ndërsa Diktatura, kur isha fëmijë, më shembi shtëpinë ku linda, nga më të mëdhatë në jug duke hedhur në rrugë familjen tonë 8 frymë, unë djali i vogël i shtëpisë, e na çoi si në internim në një kasolle në fund të fshatit!

Kolegun Murizi e falenderoj për mbështetjen. Unë jam betuar në flamur; nuk kam prekur e nuk do të prek asnjë qindarkë para publike!

4- Në marrje të mandatit ju keni aplikuar për bonusin e qirasë, a ka qenë shtëpia e rrënuar arsyeja?

-Sigurisht kur aplikova për bonus qiraje, shtëpia ishte e rrënuar dhe vazhdon Firma Kalivjoti Shpk të rrënoi me minat e forta që hedh, dhe pse fshati Sopik i Sarandës ka bërë disa protesta, petecione e kallzim penal ndaj saj e që shteti të marrë masa por dhe firma të riparojë apo rindërtojë shtëpitë e sopiqotëve.

Ne i kërkuam Parlamentit për të aplikuar për apartamente sociale konform ligjit e që paratë publike mos të bëheshin qira apartamentesh por të bëheshin apartamente për familjet e deputetëve të ndershëm e të varfër.

5- Po aktualisht ku jetoni, ju dhe familja juaj?

-Unë kam jetuar në shumë qytete të Shqipërisë por vendbanimin e kam në qytetin e Sarandës, ku 3-4 vitet e fundit të jetës familjes time dhe zyrtarisht ju bashkua nëna ime 80 vjeçare si antare e thjeshtë.

Në fakt në dokumentat civile unë nuk figuroj i martuar. Por në konceptin real e në respektin që kam për familjen si qeliza e shoqërisë dhe e Kombit Shqiptar, jam i martuar publikisht! Veç se për arsye të gjendjes ekonomike e goditjeve që na bënte militantizmi shtetëror partiak, jetonim shumë vite në distancë; unë në Tiranë e Sarandë dhe familja me 2 fëmijë të mitur në Shqipërinë e Mesme.

Prej vitit 1988 de fakto jetoj në Tiranë por pa shkëputur asnjëherë lidhjen me Vendlindjen time në Jugën e Bardhë, me qytetin tim të bukur në brigjet e Jonit.

6- Me çfarë te ardhurash jetoni dhe sa ka ndryshuar në këtë aspekt jeta juaj nga momenti që u bëtë deputet?

-Jetoj me të ardhurat që më jep funksioni Deputetit. Sigurisht që jeta ime është përmirësuar. Por ende vazhdoj të shlyej pasojat e viteve të kaluara kur nuk isha në punë dhe pse bëj pjesë në njerëzit më të shkolluar të Shqipërisë e sigurisht në njerëzit e ndershëm.

Sa grumbulloj ca lekë, bëj diçka ose shlyej diçka, por ende jemi larg asaj që si familje të bëjmë një jetë normale e me mjedise të rregullta familjare.

7- A del rroga e një deputeti për të përballuar shpenzimet e jetës së përditshme?

  • Sigurisht që del, por ende kam probleme nga vitet e kaluara dhe gjendja ime familjare e social-ekonomike!

8- Zoti Papa, ish-kryeministri Berisha ka qenë një zë i fortë opozitar në Kuvend, ulësen e të cilit e keni zënë ju. A mendoni se dhe angazhimi juaj aq i fortë sa ai i ish-kryeministrit?

-Mos u përpiqni të bëni krahasime që nuk bëhen! Si një politikan i pastër dhe si pjesë e Oratorisë Shqiptare jam një zë i fuqishëm opozitar në Parlamentin Shqiptar dhe zëri i vetëm Kombëtar në Parlament sepse vetëm fjala ime prek probleme kombëtare e çështje brenda dhe jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë në Trojet Etnike, në Kosovë, në Iliridë, në Malësi, në Kosovën Lindore Preshevë, Bujanovc e Medvegjë, në Çamëri; në Emigracion, Mërgatë e Diasporën Shqiptare.

9- Një nga fjalimet tuaja më të komentuara ka qenë ai kur ju thatë një batutë për gratë, mendoni se deklarata juaj është keqinterpretuar? Pra, që opinioni publik nuk e kuptoi thelbin e asaj që ju keni dashur të tregoni në të vërtetë.

-Padyshim që fraza e shkëputur nga konteksti u keqkuptua e u keqkomentua. Respektoj shumë gjininë femërore, sepse të gjithë kemi lindur nga një grua, nga një nënë!

Ndaj ta mbrojmë gruan shqiptare e kujdo niveli qoftë ajo! Sepse ajo sjell në jetë antarët e rinj të brezave të Kombit.

Dashakeqësia dhe keq interpretimi ishte thjeshtë një zhurmë nga të korruptuarit sepse kërkova kontrollin e tenderave koruptiv të viteve të fundit. Zhurmës ju bashkuan dhe ata që menduan se u bë deti kos e që mendojnë se ne me ndjeshmëri të lart, nga zhurma mund ta lëmë Atdheun pa legjislativ, sidomos në këto ditë të vështira që po kalojmë si Komb!

10- Në CV tuaj personale keni përmendur disa aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, mund të na i shtjelloni ato?

-Prej vitesh jam Kryetar i Partisë Emigracioni Shqiptar (PESH) dhe Përfaqësuesi Politik i Emigracionit Shqiptar, kështu që shumica e aktiviteteve tona janë aktivitete kombëtare e ndërkombëtare. Jam pjesmarrës në shumë Kongrese, Konferenca, Simpoziume etj Kombëtare në Shqipëri e Troje Etnike por dhe në aktivitete ndërkombëtare të këtij niveli ku në shumë prej tyre kam thënë fjalën time të drejtpërdrejt e cila është pritur me interes!

Jam autor i shumë librave për çështjen kombëtare, një pjesë janë botuar.

I diplomuar në Fakultetin e Agronomisë në Korçë dhe në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, në mënyrë të rregullt. Njoh disa gjuhë të rajonit. Kam kryer 3 vjet të grupuar Doktoraturën në Fushën e të Drejtës Ndërkombëtare, para pak kohësh por për arsye financiare ende nuk kam përmbyllur procesin.

11- Për ta mbyllur zoti Papa, ju jeni deputet i Tiranës por keni lindur në Sarandë, qytet i cili është shumë i preferuar dhe i frekuentuar nga rinia në sezonin e verës ku përveç plazheve, një pjesë të rëndësishme të argëtimit e zënë dhe klubet e natës, të mbyllur nga qeveria. Çfarë propozini ju që jeta e natës të rinisë sërish në qytetin bregdetar?

-Në fakt kam lindur në Sopik të Sarandës në lindje të Butrintit, që është nga fshatrat më të mëdhenj, më historik e më të vjetër të Shqipërisë e ku shumica absolute i përkasin ortodoksisë kombëtare shqiptare dhe pse aty veprojnë ca kulisë për ti shndërruar fshatarët e mi në numëror topi e gjallesa në oborr të fqinjëve grabitqarë!

Ëndërra ime e fëmijërisë ka qënë Tirana, ku kaloja në vitet e shkollës gjithë pushimet verore e dimërore me gjyshërit nga mamaja. Dhe ja arrita të punoj përditë me pasion e përkushtim për të mirën e Tiranës dhe popullit të saj, gjumi nuk më zë kur prek familjet në lagjet e varfëra!

Banesa ime simbolike dhe adresa ime është në qytetin e Sarandës ku kam shoqëri e miqësi.

Me gjithë kohën e vështirë të pandemisë, besoj e shpresoj që qyteti im buzë Jonit, Saranda ashtu si gjithë Shqipëria do e kapërcejnë këtë situatë e them se vera me plazhin dhe turistët/pushuesit do të vijë. Sigurisht do të ketë disa rregulla që do mbahen për të mirën e jetës së popullatës, në jetën e përditshme, në plazh e në argëtim.

Shpresoj që Saranda dhe bregdeti i saj të bëhen premotore e rinisjes së jetës turistike e të argëtimit; mjedisi ku rinia të gjej vetveten, në kondita të reja. Saranda është një perlë e qytetarëve të saj por dhe e gjithë Kombit Shqiptar, sidomos pushuesit e Trojeve Etnike e preferojnë shumë. Tiranasit po e po! Saranda është e do të mbetet Kryeqyteti i Verës. E dua shumë qytetin tim që këto ditë më mungon.

FOTOT E SHTËPISË SË RRËNUAR TË DEPUTETIT KRISTAQ PAPA, NË FSHATIN SOPIK TË SARANDËS:

96019417_170704780926556_2501474616313118720_n.jpg
96157936_673474026825684_7529944725000814592_n.jpg
96013032_235077277722518_1559906867499499520_n.jpg
96080678_2587377628194642_1101015136912539648_n.jpg

Burimi /newsbomb.al/

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *