Home

Lajme

Akili luftoi si pellazg, jo si helen

No Comments Argëtim Histori

Përkatësia etnike e Akil Pelidit dhe kontributi i akademik Apollon Baçes në zbardhjen e të vërtetave historike

Nga Kujtim Mateli

Nxitjen për këtë shkrim e mora nga intervista e akademik Apollon Baçes, dhënë gazetarit Roland Qafoku, botuar në gazetën “Fjala” të ditës së djeshme, 07/07/2020. Duke u nisur që nga vitet 1960, kur institucionet tona shkencore të asaj kohe filluan të organizojnë simpoziume e konferenca shkencore, është bërë gabimi më i madh që shqiptarët u panë vetëm si pasardhës të ilirëve duke mënjanuar popullsinë tjetër që quhej pellazge, e cila shënoi me Dodonën një pikë kulmore në historinë njerëzore. Kaluan vite që nga ajo kohë dhe historia jonë më shumë se sa shkencë ka qenë e përdorur si një dogmë, ku të njëjtët autorë vërtiteshin rreth së njëjtës ideje të fiksuar në vitet `60 të shekullit të kaluar se jemi pasardhës të ilirëve dhe pikë.

Megjithëse pellazgët ishin një popullsi e përmendur pothuaj nga të gjithë autorët e antikitetit, me një shtrirje gjeografike, një pjesë e së cilës i përket territorit të sotëm të shqiptarëve, akademikët e Shqipërisë nuk bënë asnjë përpjekje për të gjetur lidhjet burimore midis shqiptarëve dhe pellazgëve. Fatmirësisht, brenda Akademisë së Shkencave të Shqipërisë del një zë, siç është akademik Apollon Baçe, dhe që kërkon të provojë se Akili, prijësi hyjnor i Luftës së Trojës, nuk ishte helen, por i përkiste racës së shqiptarëve. Deri më sot nuk ishte dëgjuar një pohim i tillë dhe nga opinion publik dhe ai shkencor duhet një përshëndetje e madhe që i duhet bërë akademikut Apollon Baçe për guximin e tij shkencor.

Ky guxim nuk vjen nga një kokëkrisje e akademikut, por nga një bindje e thellë e tij se vërtet Akili nuk i përket fisit të helenëve, por atij të shqiptarëve, bindje që ai është munduar ta provojë me dëshmi të kohës së Luftës së Trojës.
Në të vërtetë, historia e Epirit lidhet me Akilin. Pasardhësit e Akilit duke filluar me djalin e tij Neoptolemeun, që thirrej dhe Pirro për shkak të flokëve të tij, ishin ata që u vendosën në Epir dhe pas tij u krijua një dinasti mbretërore që vazhdoi deri në kohën e pushtimit romak.
Nëqoftëse Pirroja, biri i Akilit, do të ishte helen, atëherë dhe popullsia e Epirit do të ishte helene, sepse nuk mund të ndodh që një njeri që shkon diku,të bëhet mbret i një popullsie që nuk ka lidhje me atë. Akademik Apollon Baçe pohon se Akili ishte nga Dodona e Epirit, ndaj dhe popullsia epirote i pranoi pasardhësit e tij si mbretër të kësaj bashkësie.

Nëse Akili i Dodonës ishte paraardhës i shqiptarëve, atëherë dhe Dodona që emërtohej pellazge nga popullsia e Epirit ka qenë dhe mbetet pasuri e popullit tonë. Po a e kanë pranuar deri tani institucionet tona shkencore Dodonën si pasuri të stërgjyshërve tanë? Duhet thënë se deri më sot mendimi akademik shqiptar ka qenë i njëjtësuar. Pellazgët mund të ketë qenë ajo popullsi para ilire, siç ka qenë për grekët e një popullsi para helene.

Logjika greke se helenët, kur erdhën në ato troje gjetën si popullsi autoktone pellazgët, është mbartur tek institucionet tona shkencore se kur erdhën ilirët gjetën si popullsi autoktone po pellazgët, me të cilët nuk i lidh asgjë përveç faktit se ilirët u vendosën në ato troje kur dikur banonin pellazgët.

Por nëse logjika helene funksionon se është e dokumentuar nga burimet historike, logjika e institucioneve tona shkencore nuk ka funksionuar dhe ja ku na del një akademik si Apollon Baçe që e kundërshton këtë tezë. Ai thotë se Akili ka qenë banor i Dodonës dhe është paraardhësi i shqiptarëve. Shkojmë më tej. Dodona ka qenë pellazge, rrjedhimisht dhe përkatësia e Akilit është pellazge.

Po a ka të drejtë akademik Apollon Baçe? A e ka një pasaportë Akil Pelindi që vërteton se nuk i përket etnisë helene? Akil Pelidi shkoi në Luftën e Trojës si një prijës i fisit të mirmidonëve të Thesalisë. Duke qenë në krye të ushtrisë thesale, ai nuk lufton “si mercenar” në ushtrinë akease, por si komandant i një force të armatosur ku shfaqi heroizmin e tij brenda formacionit luftarak që komandonte.

Duke qenë se Akili është një nga figurat më të rëndësishme të antikitetit, edhe dëshmitë rreth tij dhe etnisë që ai përfaqësonte janë më të shumta dhe më të qarta se heronjtë e tjerë të Luftës së Trojës. Akili ishte djali i nereidës Theti dhe i Peleut të vdekshëm, i cili ishte mbret i mirmidonëve të Thesalisë. Në pemën gjenealogjike të perëndive pellazge, Peleu është pasardhës i Pellazgut të I,kurse Thesalia emërtohej Thesalia pellazge, sepse e tillë ishte popullsia.

Vetë Homeri në “Iliada” i ka veçuar popujt pellazgë nga popujt e tjerë, duke u dhënë pellazgëve epitetin hyjnor, kurse të tjerët i emërtonte sipas emrit të fiseve. Për të patur një ide më të qartë le të shohim 7 vargjet e para të “Iliadës” Të përkthyera nga poeti Llambro Ruci:

Këndo hyjneshë, mërinë e Akil Pelidit,/
rrënimtarin, që brenga pa fund u shkaktoi akejve/
dhe në Had rrokullisi shumë shpirtra burrërorë/
heronjsh, ata i bëri pre të qenve/
dhe gjithë zogjve mishngrënës, vullneti i Zeusit po kryhej,/
qysh në fillim, kur u grinden dje u ndanë,/
Atridi, prijësi i burrave dhe Akil hyjnori.

Në këto 7 vargje shohim qartë që Akili nuk ishte pjesë e ushtrisë Akease, e pretenduar si helene. Ai kishte vrarë në betejë aq shumë njerëz duke bërë që akejtë as të mos kishin mundur t`i varrosnin, por kishin mbetur si ushqim për qentë dhe për zogjtë. Akili si pasardhës i pellazgëve, ndryshe nga heronjtë e tjerë të luftës së Trojës, mbante epitetin hyjnori, që ishte vetëm epitet i pellazgëve. Që paraardhësit e Akilit kishin zbritur në Thesali nga Epiri, është përsëri e dokumentuar me burime historike.

Madje enianët që kishin qenë në kohën e Luftës së Trojës pranë Dodonës, e kanë pretenduar Akilin, sipas Plutarkut, se rridhte nga fisi i tyre.Shkurt, Akil Pelindi, luftëtari dhe komandanti legjendar i Luftës së Trojës, ishte me origjinë nga fiset që banonin rrotull Dodonës. Kjo është arsyeja që Epiri i pranoi pasardhësit e Akilit, si mbretër të tij.

Që Akili i përkiste etnisë pellazge, kjo është fare mirë e dokumentuar, por akademik Apollon Baçe shkon më tej, na vërteton se Akil ka qenë paraardhësi i shqiptarëve. Ky është një hap për t`u përshëndetur dhe që duhet të pasohet edhe nga akademikët e tjerë të trojeve shqiptare duke sjellë punime shkencore në mbështetje të kësaj teze. Por mendoj se edhe vetëakademik Apollon Baçe, bashkë me akademikët e tjerë, duhet të kapërcejnë pengesa të tjera për të arritur në përfundime të sakta shkencore.

E para: akademik Apollon Baçe e pranon se Akili është paraardhësi më i lavdishëm i shqiptarëve, por nuk e ka pohuar në intervistë se Akili i përkiste etnisë që quhej pellazge. Përderisa Akili ishte pellazg, do të thotë se edhe pellazgët kanë qenë paraardhësit e shqiptarëve. Mirëpo teza e prejardhjes së shqiptarëve nga pellazgët ka qenë aq fort e kundërshtuar nga akademikët tanë saqë edhe akademiku i nderuar e katë vështirë të gjejë mbështetje nga kolegët e tij.

E dyta: del nga intervista midis gazetarit Roland Qafoku dhe akademikut Apollon Baçe. Duke folur për Akilin si pjesëmarrës në Luftën e Trojës.
-Nga erdhi?
-Akili është nga zona e Dodonës, andej vjen ai.
-Po mund ta themi vendin fiks ku ishte?
-Dodona është diku.
-Është diku po cilit fis i përkiste?
-Dodona i përkiste fisit të Molosëve.

Nga intervista del qartë se akademiku nuk e pranon vendndodhjen e Dodonës në jugperëndim të Janinës, atje ku ajo pretendohet nga institucionet shkencore edhe të trojeve të shqiptarëve.

Përgjigja: “Dodona është diku” do të thotë se vendndodhja e saj është ende e papërcaktuar. Po pa përcaktuar vendndodhjen e Dodonës, nuk përcaktojmë dot as etninë e Akilit, nuk mund të themi dot që Akili është paraardhësi i shqiptarëve. Ndaj përcaktimi i vendndodhjes së Dodonës dhe i përkatësisë së saj etnike, është a-ja e një pune kërkimore shkencore për të përcaktuar origjinën e shqiptarëve.

Akili si pasardhës i fisit të enianëve që banonin rreth Dodonës, vendoset nga Plutarku në luginën e Përmetit, në krah të parauejve që ishin banorë të lumit Aos. Dodona ka nëntë vjet që është e përcaktuar qartë nga dy libra studimorë, viti 2011 dhe 2016, në luginën e Dëshnicës së Përmetit. Këtej duhet të fillojë sqarimi për origjinën e heronjve tanë të antiketit. Pa zgjidhur vendndodhjen reale të Dodonës, nuk mund të ketë zgjidhje të problemit të origjinës së shqiptarëve.

Duke qenë se akademiku i nderuar është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është një mundësi më shumë që ky institucion të vihet në lëvizje. Aq më tepër që tashmë në krye të kësaj Akademie është një personalitet i shquar: akademik Skënder Gjinushi, prej të cilit pritet një reformim i thellë i këtij institucioni, jo në lëvizje njerëzish, por në radhë të parë duke u hapur rrugën ideve të reja, duke i hapur rrugën kërkimit shkencor që deri tashmë ka qenë i munguar.

Burimi/fjala.al

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *