Home

Lajme

Pandemia/ Manastirliu: Sistemi shëndetësor rrezikon kolapsin

No Comments Aktualitet Lajme

Rritja e numrit të personave të infektuar me COVID-19 në Shqipëri, e shoqëruar me rritje të shtimit të personave të shtruar, rrezikon futjen në kolaps të sistemit shëndetësor. Nga foltorja e Kuvendit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu, thekson se janë parashikuar masa të forta për subjektet në zonat turistike, që nuk zbatojnë protokollet e sigurisë për mbrojtjen nga COVID-19.

Në aktin normativ parashikohet dënimi me gjobë 700000 (shtatëqind mijë) lekë për subjektet që nuk zbatojnë masat dhe, në rast përsëritjeje, parashikohet edhe mbyllja e veprimtarisë.

Nga Ina Allkanjari

Situata e COVID-19 në Shqipëri është serioze dhe kërkon një ndërgjegjësim më të madh nga qytetarët, pasi sistemi i shëndetësisë mund të mos e përballojë fluksin e rasteve në rritje. Kështu u shpreh ditën e djeshme ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend. Sipas saj, sistemi shëndetësor në Shqipëri është shumë delikat për të përballuar atë që mund të vijë, dhe kjo jo për arsye të mospërgatitjes dhe mosimpenjimit real të qeverisë shqiptare, por për atë që mund të vijë nga neglizhenca dhe moszbatimi i protokolleve të sigurisë dhe masave të thjeshta.

Nga foltorja e Kuvendit Manastirliu theksoi se situata vijon të jetë serioze, ndaj qeveria ka marrë masat për përballimin e kësaj epidemie, duke forcuar gjurmimin, testimin dhe kapacitetet spitalore.

“Kur përpara pak kohësh inauguruam me kryeministrin Rama spitalin e ri dhe shtuam me 100 shtretër kapacitetin për trajtimin e pacientëve me COVID, atëherë thanë pse po bëhet kjo, virusi iku. Dhe ka akoma mes nesh që thonë se s’ka Covid! Po nuk besuat, shkoni tek Infektivi, ku aktualisht 6 persona janë të intubuar, mes tyre tre janë në moshë të re: 45, 46, 49 vjeç. Kjo nuk është lojë. Kush e konsideron lojë apo konspiracion, na rrezikon të gjithëve. Duhet marrë me shumë seriozitet kjo situatë, është shumë serioze”, tha Manastirliu, teksa u bëri apel qytetarëve dhe bizneseve për zbatim të masave, rregullave dhe protokolleve të sigurisë.

Qytetarët që kanë njohur ose jo persona të prekur me COVID-19, të tregojnë kujdes çdo ditë, për të respektuar disa rregulla të thjeshta, theksoi ministrja, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ulim mundësinë e përhapjes së infeksionit. Ajo u bëri thirrje të gjitha subjekteve që nuk i respektojnë rregullat, se nëse s’ka shëndet, s’ka ekonomi, ndaj duhet të zbatojmë disa rregulla të thjeshta.

Më tej Manastirliu vuri theksin te zonat turistike dhe penalitetet që parashikohen për subjektet që nuk zbatojnë protokollet e sigurisë. “Çdo shkelje do të ndëshkohet, pasi konsiderohet kërcënim i shëndetit të qytetarëve! Për këtë arsye, nëpërmjet këtij akti normativ, do të forcohen penalitetet për subjektet që ushtrojnë veprimtari në zonat turistike”, tha Manastirliu në Kuvend.

Gjatë së enjtes në Parlament u kalua në ligj akti normativ i 27 majit. Mësohet se nëpërmjet ndryshimeve në aktin normativ, do të vendosen penalitetet për subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike në zonat e plazhit, që i thyejne rregullat, duke ndikuar direkt në përhapjen e infeksionit SARS COV2. Parashikohet dënimi me gjobë 700000 (shtatëqind mijë) lekë dhe, në rast përsëritjeje, parashikohet edhe mbyllja e veprimtarisë, duke synuar të mbrohet shëndeti i turistëve në zonat e plazheve, nga infeksioni SARS COV2.

Burimi/Fjala.al

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *