Home

Lajme

ELENI KOCAQI FLET EKSKLUZIVISHT PËR DIELLIN: JO KOSOVË POR DARDANI….

No Comments Intervista Lajme

Gazeta Dielli

Elena Kocaqi: Grup legjitim pune për dialogun Kosovë-Serbi, jo negociata koncensionare për interesa personale, grekët në shumice janë me origjinë shqiptare. …

Intervistoi për Diellin Eneida Jaçaj-New York-

Historiania Elena Kocaqi, njëherësh pedagoge në Universitetin e Durrësit, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, ka folur për çështje shumë të nxehta dhe tejet delikate, si dialogu Kosovë-Serbi, ndryshimi i emrit Kosovë, marrëdhëniet me Greqinë, si dhe ndikimi rus në Ballkan. Studiuesja e historisë ka deklaruar se duhet të ngrihet një grup i posaçëm legjitim pune, për të mbikëqyrur dialogun Kosovën-Serbi. Por, sipas saj, që të ngrihet një grup i tillë pune, duhet të zhvillohen zgjedhje të reja, pasi qeveria e Abdullah Hotit nuk ka mandat nga populli për këtë. Elena Kocaqi kërkon që në dialogun Kosovë-Serbi të mos negociohet integriteti territorial i Kosovës, pasi pavarësinë ia dha Amerika, si dhe politikanët të mos i lëshojnë Serbisë koncensione për interesa të tyre personale. Kocaqi kërkon që emri Kosovë të ndryshojë në Dardani, pasi emërtimi Kosovë është emër sllav. Sa i takon Greqisë, Elena Kocaqi deklaron se grekët janë ne shumice shqiptarë ortodoks, ndërsa shtoi se Tirana zyrtare nuk është aspak serioze për të diskutuar çështje delikate me shtetin grek.
-Pas një periudhe shkëputjeje, më 16 korrik u rikthye sërish në skenë dialogu Kosovë-Serbi. Çfarë prisni nga dialogu Kosovë-Serbi 2020, dhe si e shihni rolin e SHBA-BE në këtë fazë kaq delikate të dy vendeve?
Dialogu Kosovë -Serbi deri më tani ka dështuar, për shkak të trajtimit të vendit nga klasa politike si domen personal. Klasa politike në Kosovë ka vënë në diskutim integritetin territorial të vendit. Kjo klasë i kaloi Maqedonisë si dhuratë dy mijë e pesë qind hektar tokë dhe Malit të Zi tetë mijë e dy qind hektar tokë dhe, në tentativën e fundit për t’i dhënë Veriun Serbisë, ajo u ndalua nga faktori ndërkombëtar. Pra, dialogu dështoi në Uashington, sepse disa politikanë të marrë vesh me Serbinë në mënyre të njëanshme jo vetëm preknin integritetin e vendit, por edhe gjithë ekuilibrat gjeo-strategjikë në Ballkan, dhe kjo prekje është e palejueshme nga Fuqitë e Mëdha. Për Kosovën nuk është e dobishme të shkojë në dialog me Serbinë, vetëm duke i lëshur koncesione asaj. Pala shqiptare duhet të bëjë zgjedhje të reja; të nxjerrë një qeveri legjitime, dhe kjo qeveri të ngrejë një grup pune që do hartojë edhe një plan pune për negocim. Grupi i punës duhet të mos negociojë kurrë pavarësinë, si dhe integritetin territorial, dhe kur them për integritet e kam fjalën jo vetëm për moslëshim territori, por edhe për mos krijimin e enklavave serbe brenda vendit. Pavarësia dhe integriteti u vendosën nga lufta e NATO dhe Amerikës në 1999, dhe klasa politike nuk ka asnjë të drejtë t’i negociojë ato.Autonomia territoriale që aplikohet në kuadër të BE, është standard evropian dhe më ketë standard problemi i të drejtave të serbeve është i mbyllur. Në vend të kësaj, Kosova duhet të kërkojë dëmshpërblim lufte dhe zgjidhjen e problemeve të tjera që ka me Serbinë. Madje, Kosova duhet të kishte paditur Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare, dhe vonesa është e pajustifikuar.

-Ju keni kërkuar ndryshimin e emrit të Kosovës, ne Dardani. Çfarë mund të na thoni më tepër për prejardhjen e vërtetë të emrit Kosovë? Sa do të ishte i realizueshëm ky ndryshim, dhe si do të pritej nga Serbia?
Emri Kosove është emër sllav, pasi po të shohësh vetëm në google map në të gjithë botën sllave ka disa vendbanime me emrin Kosovë. Të identifikosh shtetin shqiptar me një emër sllav apo dhe ta deklarosh si kosovar, kjo është e papranueshme. Vilajeti i Kosovës u krijua nga Osmanët me insistimin e Rusisë në vitin 1877, me qëllim që gjithë ky territor t’i kalonte shtetit serb me fallcifikime historike, ku një nga shkaqet e pretendimit është edhe emri saj sllav. Deri vonë, ai rajon shqiptar është quajtur Dardani dhe është e papranueshme mbajtja e një emri të tillë, Kosovë. Serbia nuk do pranojë ndryshimin, sepse asaj me ndryshimin e emrit i bien të gjitha pretendimet për të. Aq kohë që mbahet një emër sllav, aq kohë edhe do vazhdojnë pretendimet. Me ne shqiptarët ndodh çudia!! Sllavët na imponojnë emrat e tyre në tokën tonë dhe na marrin emrat ilir, siç është edhe rasti i Maqedonisë, ku të vetmit maqedonas aty janë shqiptarët dhe jo sllavët. Ndryshimi është vullnet politik dhe kryhet brenda ditës nëse politika do të donte. Edhe sikur të kishte në të ardhmen një bashkim politik Shqipëri- Kosove, janë disa rajone të lidhura me shqiptarët si Dardani, Epir, Maqedoni, Iliri që duhet t’i mbajnë këto emra sepse me to ruajmë origjinën dhe identitetin tonë etnik.

-Eksponentë të njohur në fushën e diplomacisë kanë deklaruar se Rusia ka shtuar ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor, duke dashur të pengojë integrimin e këtyre vendeve në NATO dhe BE. Si e shihni ndikimin e Rusisë në Ballkan qoftë dhe në të ardhmen, dhe cilat janë interesat gjeo-politike të Putinit ne ketë rajon?
Rusia e ka pasur zonën e vet të interesit Ballkanin, dhe ishte ajo që krijoi nga hiçi shtetet ortodokse në Ballkan në shek e XIX dhe i zgjeroi ato në trojet shqiptare, ne emër të pan sllavizmit. Edhe sot vazhdon t’i ketë ato interesa.

-Keni deklaruar se grekët dhe shqiptarët kanë të njëjtën prejardhje. Pra, nuk ka komb grek, por vetëm shqiptar. Ku e bazoni deklaratën tuaj?
Të dhënat historike tregojnë se fiset antike në Peloponez dhe Atik ishin nga origjina Pellazg dhe Ilir si shqiptarët sot. Gjuha që quhet greke antike është gjuhë teknike, por mbi baza pellazgjishten apo shqipen, pasi shohim që homerishtja afrohet me shqipen e dialektit gegë sot dhe vet Ilida fillon me fjalën Mini, mënia, -meria. Grekët modern në 1821 ishin shqiptarë ortodoksë dhe vllehë ortodoksë, dhe në revolucion nuk ka asnjë kryengritës që të jetë grek nga origjina, por janë shqiptarë, madje, shqipja është folur në Parlament në atë kohë. Shqiptarëve iu vendos gjuha e kishës dhe vet Greqia ka ndërruar për dy shekuj 3 herë gjuhën zyrtare. Në 1923 u dëbuan myslimanët e Greqisë ndër ta shumica shqiptarë, dhe u sollën ortodoksë nga Azia, dhe ky ishte spastrim fetar dhe genocidal mbi kombin shqiptar. Greqia është një bashkësi fetare dhe jo etnike, pasi quhesh grek se je ortodoks dhe flet gjuhën teknike nuk ka rëndësi fare se çfarë etnie je. Ata të detyrojnë të lësh etninë dhe mos të flasësh gjuhën mëmë siç ndodh me shqiptarët në Greqi, që nga arvanitët dhe ata të emigruar, të cilët nuk kanë asnjë shkollë për të mësuar gjuhën shqipe. Madje, me këtë politikë, Greqia po tenton të asimilojë edhe vet Shqipërinë.
-Shpesh herë në politikën shqiptare është debatuar për ligjin e luftës me Greqinë. Zyrtarë të lartë të shtetit grek e kanë mohuar se ekziston ende ligji i luftës, pasi sipas tyre është rrëzuar që në vitin 1987. Megjithatë, nuk ka transparencë të plotë sa i takon këtij ligji. Por, a ekziston vërtet një ligj lufte mes dy vendeve?
Dy vende anëtare në NATO nuk mund të kenë ligj lufte, sepse neni 5 i Traktatit të NATO sanksionon mbrojtjen kolektive. Ligji i luftës, një ligj aspak real duhet të ishte me Italinë aq kohë sa ishte lufta, dhe me mbarimin e luftës nuk kishte pse të ekzistonte as me atë. Ndërsa mbajtja e një ligji lufte me Shqipërinë një vend i pushtuar, është justifikim për të sulmuar dhe për të shkelur të drejtat e shqiptarëve, në kuadër të një politike agresive. Juridikisht nuk ka dhe nuk mund të ketë ligj lufte, thjesht është presion mbi naivët politikë të Tiranës.
-Si e shihni rolin e politikës së jashtme shqiptare sa i takon çështjes çame në pergjjithesi, varrezave çame, si dhe çështjes së detit me Greqinë. A po tregohet serioze dhe aktive pala shqiptare për të diskutuar çështje kaq te rëndësishme me Greqinë?
Tirana zyrtare as i ka fare në axhendën politike këto çështje në lidhje me Greqinë. Tirana zyrtare sillet si shtet vasal dhe jo si vend i pavarur. Asnjë lloj autoriteti politik të reciprocitetit nuk ka treguar Tirana këto 30 vjet. Mendoj se duhet ndryshuar sjellja politike e Tiranës, dhe duhet një mbështetje nga miqtë tanë ndërkombëtarë.

-Vrasja e ushtarit ekstremist grek Kostantinos Kacifas nga forcat RENEA, duket sikur i acaroi marrëdhëniet me Greqinë. Megjithatë, si i parashikoni në të ardhmen marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë?
Ishte një akt kundër shtetit shqiptar! Kudo në botë të qëllosh me orë të tëra mbi forcat e sigurisë së vendit, sigurisht në zjarr e sipër do të ekzekutohesh. Ishin qarqet ekstremiste naziste ato që shkaktuan probleme, dhe që qeveria shqiptare as duhet t’i kishte lejuar te hyjnë, por që me pas i shpalli non grata. Rol në acarimin e situatës luajnë edhe ata që vet shpallen pjesë e minoritetit, sepse marrin fonde pasi e kane bërë një lloj biznesi këtë çështje. Atyre u intereson acarimi i situatës, sepse u shtohen fondet që përfitojnë me pa të drejte nga taksa paguesit grekë. E ardhmja e marrëdhënieve është vetëm reciprociteti, si e vetmja bazë në marrëdhëniet midis shteteve të pavarura, parim ky që nga antikiteti.
-Është hedhur më herët teza për një Shqipëri Natyrale, Shqipëria e vitit famëkeq 1913, ku kufijtë e saj u copëtuan për interesa të Fuqive të mMëdha. A do të sillte trazira në Ballkan nëse do të thelloheshin përpjekjet për një Shqipëri Natyrale?
Shqipëria natyrale nuk është ajo e 1913, por ajo e 1800-ës që fillon në Mesdhe dhe mbaronte në Dalmaci. Kur mbërrijmë në 1913, Shqipëria ishte copëtuar disa herë, në fillim me krijimin e shteteve ortodokse ballkanike që i morën asaj gjysmën e popullit dhe pjesën më të madhe të territorit, me copëtimin e 1878 ku u zgjerua Serbia dhe ai final i 1913, ku Shqipëria u ricopëtua sërish. Pra, nga Shqipëria e vërtetë kanë mbetur vetëm disa copa që duhet t’i ruajmë. Shqipëria dhe Dardania duhet ta kishin filluar procesin e bashkimit ekonomik pa dogana e taksa dhe pa pengesa në rrugë. Pastaj kalohej në një bashkim politik federativ pa asnjë problem. Ndërsa shqiptarët në shtetet e tjera duhet të luftojnë për të drejtat etnike si në Maqedoni, Greqi, Turqi, Mal të Zi dhe Serbi. Diaspora në Amerikë mund të luajë rol në proceset në boten shqiptare, duke qenë e bashkuar në formën e një lobi përtej interesave egoiste. Kjo diasporë luajti rol të madh edhe në sabotimin e tentativës për copëtimin e Kosovës, dhe ka mundësi të bërë më tepër në këtë drejtim. Politika Amerikane është miqësore ndaj vendit tonë, dhe ne shqiptarët duhet t’i jemi mirënjohës shtetit amerikan për sa ka bërë për ne. Ndaj faktori shqiptar në Amerike duhet të lobojë fort, dhe kjo bëhet me bashkëpunim shoqatash dhe regjistrimin e popullsie shqiptare aty, si dhe me qëndrim unik të përbashkët kur vjen puna tek interesi kombëtar.

Fotografia e Frasher Racaj

Eneida Jaçaj-New York

Burimi/Facebook /Frasher Racaj

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *