Home

Lajme

Vëllaut tim, heroit tim, udhërrëfyesit tim Bislim Latif Zekolli me rastin e 22 vjetorit të rënjes në altarin e lirisë

No Comments Argëtim Histori

Si sot me 23 gusht 1998, prindi, bashkëshorti, vjehrri, gjyshi e vëllau ynë, Bislim L. Zekolli, me pushkë në dorë, në luftë për çlirimin dhe bashkimin e kombit shqiptar dhe adheut tonë të bërbashkët, në ballafaqim me forcat serbe në lagjen Fangu në Bllacë, ra në altarin e lirisë dhe u bë si një gurëthemel për pavarësinë dhe ardhëmërinë e brezave

Bislimi ishte fëmiju i tretë nga të gjallët, (i lindur nga Nanë Fazilja dhe i ati Latifi), menjëherë mbas vëllaut të madh Aliut dhe motrës së madhe Ajshes

Më 5 shtator të vitit 1968 vëllau i madh Aliu ndrroi jetë në moshën 19 vjeçare dhe barra e familjes mbeti mbi Bislimin si djali më i madh në moshë i familjes, edhepse ai ishte vetëm 15 vjeçar

Vdekja e Aliut është shumë misterioze, sepse unë edhepse i ri e mbaj mendë një zënkë me një serb të Lypjanit, i icli kishte marrë prej nesh një kosh me rreth 50 kg kumbulla dhe nuk i paguante të hollat . Baci, (pra Aliun e thërrisnim Bac të gjithë vëllezërit dhe motrat, pasi që ai ishte më i madhi në moshë),kishte nxjerrë thikën dhe e kishte detyrue serbin që t’i paguante kumbullat . Ne shkonim në treg të hënave dhe shpesh na zinte terri në Lypjan . Unë dyshoj se Aliut i kanë hudhur ndonjë helm në ushqim, sepse menjëherë pas kthimit nga Lypjani u sëmue derisa ditën e tretë humbi edhe vetëdijen dhe e dërguam në spitalin e Prizrenit ku me 12 shtator n’ora 15. 05 ndërroi jetë !
Fatkeqësisht në atë kohë nuk kishim mundësi, e as dijeni për një ekspertizë mjeko-ligjore dhe më mbetet si një pikë e zezë në zemrën time përgjithëmonë …

Ne si familje ishim të vetëm, sepse e gjithë barra binte mbi supet e dy prindërve tanë, megjithëse edhe ne fëmijët u ndihmonim me sa kishim mundësi, por duertë tona të njoma nuk kishin forcë të përballonin punët fizike të fushës, që prej të ardhurave bujqësore mvarej edhe mbijetesa jonë si familje . Bislimit, si djali më i madh dhe më i pjekur i mbeti barra më e madhe për tu ngjitur dorën sado pak prindërve tanë të dërmuar nga ana psikologjike dhe fizike mbas vdekjes së djalt të madh Aliut . Bislimi ishte në klasën e shtatë të shkollës fillore, ndërsa unë kisha fillue në klasën e gjashtë. Rregullisht mbas mësimit shoqëroheshim bashkë në të gjitha punët rreth fushës, bagëtive, pazarit për të shitur fruta pemësh, dru për djegje etj…

Ynë At Latifi u sëmua nga brezi dhe mbet rreth një muaj i shtrirë në shtrat, kurse nanë Fazila ankohej nga kyçet e duarëve dhe me vështirësi i bënte punët e shtëpisë . Punët më të rënda i përballonte vëllau ynë Bislimi dhe motra jonë e madhe Ajshja, kurse ne të tjerët u shkonim mbrapa dhe mundoheshim t’i ndihmonim sado pak .
Me të mbaruar viti shkollor 1968/1969 Bislimi donte të nisej për në fshatrat e Sharrit për të kositë dhe për të sigurue të hollat për korrje shirjet e grurit, por edhe unë vendosa të shkoj me te dhe ashtu bëmë . Kur mbrrimë në fshatrat e Sharrit gjetëm shumë hallegjinjë nga rrethi ynë dhe u informuam për rrethanat dhe kushtet e argatëve në ato anë .
Duhej të gjenim ndonjë pleme dhe të flenim ilegalisht, sepse goranët , jo që nuk bënin konak, por edhe në pleme nuk lejonin të flenim …
Çdo mëngjes heret dilnim në qendër të fshatit me u shitë, pra me gjetë ndonjë pronar që të na merrte për t’i kositë livadhet …
Në fillim, jo vetëm që nuk na merrte kush në punë, por edhe ata hallegjinjët e rrethit tonë talleshin me ne me fjalët : « – A mund po i mbani kosët në krah me bacin ?!… Hajt baco shkoni në shpi e ruani gjanë e gjallë, se nuk është kosa për ju ! « , … etj.etj.
Unë kisha besim të madh në Bislimin, sepse jo vetëm që ishte dy vjet më i madh se unë, por ishte mjeshtër i mirë i kosës dhe të cakaturën e kosës që i bënte ai, nuk dinte ta bënte asnjë tjetër .
Kaluanë dy tri ditë dhe ne nuk gjenim punë, por fati e deshti dhe në ditën e tretë erdhi një fshatar dhe na propozoi të marrim një livadh për ta kositur kotrrum, sepse nuk na besonin të na paguanin me ditë .
U goditëm me pronarin e livadhit dhe menjëherë shkuam bashkë me të në livadh . Ai na la në livadh dhe shkoi, kurse ne filluam punën… Ishte ditë e freskët dhe kishte pak lagështi e kishte ajam për kositje . Kur erdhi pronari na e solli drekën, ne kishim kositë gadi gjysmën e livadhit . Na solli bukë të mirë , në vegsh mish qingji me pasul dhe ne na u shtue vullneti dhe energjia për punë, pasi që nuk e dinim që goranët, të cilët nuk bënin konak ishin bukëdhënës të mirë . Pak para mbramjes erdhi prap i zoti i livadhit dhe na pa se ne kishim atkosët e fundit , pra ishim në mbarim të kositjes së livadhit . Me çka ai shprehi habinë se si kishim mujtë me e mbarue gjithë atë livadh për një ditë . Filloi të kontrollonte nën atkos mos kishim bërë ndonjë hile, por u bind se punën e kishim bër mirë dhe pa hile . Nmegjithëse ne e kishim goditur 150 dinarë,(një argat ditor shkonte 30 dinarë), i zoti i livadhit duke e pa moshën tonë të re tentoi të na paguante vetëm për dy argat. Pra vetëm 60 dinarë .
Bislimi më dha thikën e tij dhe më tha që unë t’i kërcknohesha goranit, kurse ai të fliste me të mirë dhe ashtu bëmë. Megjithëse u acaruam bukur shumë me goranin, me intervenimin e një të moshuari u rregullua çdo gjë dhe ne i muarëm 150 dinarë . I moshuari dëshmoi se ne të dy nuk ishim ndalë për asnjë çast të pushojmë, andaj dhe e detyroi bashkëfshatarin e tij të na paguante . Pra ne të dy bashkë vetëm në ditën e parë të punës fituam pesë paga ditore për një ditë .

Menjëherë pasi i morëm të hollat, i moshuari na propozoi një livedh aty afrër dhe na e dha të njejtin çmim, sepse edhe ai i merrte rreth pesë argat për ta kositë. Ne filluam menjëherë punën dhe kositëm deri n’ora 22,00 kur u terrue . Plaku erdhi dhe ishte i kënaqur kur e pa se e kishim mbarue gadi gjysmën e livadhit . Na mori në shtëpinë e tij dhe ate, sepse fitoi një simpati për punën e mirë që kishim bërë, dhimbje për moshën tonë të re dhe se ishte bashkemnak me heroin tim, pra edhe plaku quhej Bislim
Prej asaj dite ne nuk flenim më në pleme, por te migja Bislim, i cili na e hapi derën e shtëpisë dhe zemrën sikur të ishim fëmijët e tij .

Falë mjeshtrisë së bislimit, të cilën ma mësoi edhe mua ne vazhduam të shkojmë çdo verë për të punue në fshatrat e malësisë së Sharrit . Në vitin 1970, derisa ne ishim në malësinë e Sharrit, Bislimit i erdhi një kontratë pune nga gjermania, të cilën me kërkesën e Bislimit ia kishte rregullue daja ynë që punonte në Gjermani …
Në Gjermani punoi vetëm një vit dhe ndërkohë rregulloi letrat që të punojë në Zvicer . Firma në të cilën punonte, duke e parë shkathtësinë e Bislimit e dërgoi në një kurse tremujor në Austri dhe pas këtij kursi u bë punëtor i specializuar në montimin, demontimin dhe komandimin e vinçave në kantjere ndërtimi .
Vëllau ynë Bislimi, heroi im që nga vegjëlia me të shkuar në zvicër u bë shtylla e familjes dhe jo vetëm që ua ngjiti dorën dy prindërve tanë, por na mbajti e na shkolloi të gjithë vëllezërve dhe motrave tjerë më të ri se ai .

Në Zvicer qëndroi deri në fund të vitit 1988 kur e gjithë Kosova ishte ngritur në këmbë për mbrojtjen e të drejtave të veta të rrezikuara nga ana e shovinistëve serbë .

Në fund të nëntorit 1988 mora një telefonatë nga heroi im , ku në mes tjerash më tha se :

  • Qamil, unë prej sot kam vendosë me e lëshue Zvicren
  • Eshtë vendimi yt dhe nuk mund të të them mos me u kthye në vendin tonë – ia ktheva unë
  • Qamil , ti e di që unë kam qenë 17 vjeçar kur jam dalë prej Kosove, e çova kohën më të mirë të rinisë time në Zvicër. Zviceranët e kanë pa që jam punëtor i mirë dhe jo vetëm mue që më kanë propozue shtetësinë zvicerane, por po dojnë që edhe familjen time të ngushtë me i pru në Zvicer . Pra po dojnë me mi marrë edhe fëmijët . Unë kam vendosë me u kthye dhe mos me i largue fëmijët e mi nga Kosova . Në anën tjetër derisa krejtë Kosova është çue në kambë me e mbrojtë autonominë e 74-ës, e unë me nejtë në Zvicer me ba sehire nuk ban dhe nuk po mund të duroj . Dua të shkoj atje dhe në qoftë se e lypë nevoja vetë dhe vullnetarisht do të hudhem në mes të zjarrit në të cilin po digjet krejt populli i Kosovës – mi tha këto fjalë shumë i vendosur dhe i bindur në drejtësinë e vendimit të tij, me çrast e pashë se nuk kisha çka t’i them, sepse kur Bislimi merrte një vendim, nuk kishte kush ia kthen mendjen
  • Vëlla i dashur Bislim,
    Edhe njëherë po të them se, nuk mund të të them që mos të kthehesh në vendin tonë, por vetëm për një punë më vjen keq . Sa ke qenë në Zvicer ke marrë pagë të mirë rreth 6000 franga zviceriane, ke marrë edhe shtesat e fëmijëve gadi njëmijë franga, kurse në Kosovë të duhet me punue një muaj dhe nuk e di a mundesh, për një muaj me e nxjerrë një meditje të Zvicres – i thash me një kujdes dhe shtërngim emocional mjaft të ndrojtur
  • Aiiii…, Qamil bre ! A qatë gajle e ke a ?! … hahaha
    Ndëgjo këtu vëllau im ! Në qoftë se zgjohem në ora 6,00 në mëngjes dhe kthehem në ora 7,00 në mbramje në shtëpi, edhe në Kosovë dhe ku do qoftë kam me pasë bukë për veti dhe për fëmijët e mi – ma ktheu heroi im Bislimi
  • Atëherë si qoftë ma hajr e ma mirë, ashtu u bëftë vëlla Bislim ! – ia ktheva unë dhe në fund më tha se do të vinte në Belgjikë para se të kthehej përgjithëmonë në atdheun tonë të përbashkët, të cilin aq shumë e deshti

Mbas dy ditësh erdhi në Belgjikë dhe qëndroi rrafsh një muaj ku e pritëm së bashku ndrrimin e moteve 1988/1989.
Me të ardhur në Belgjikë e pashë se nuk rehatohej dhe i propozova të dalim të pijmë një gotë diku afër në ndonjë tavernë. Propozimin tim e mirëpriti me kënaqësi dhe ashtu bëmë .
Shkuam te atomiumi, vizituam atomiumin dhe u ulëm në tavernën e atomiumit, e cila gjindej në njërën nga sferat e poshtme të tij
Muarëm nga një pije dhe filluam muhabetin rreth vendimit për kthimin e tij në Kosovë, por ai kishte hallin tjetërkund . Brengosej për fatin tim, dhe e hapi bisedën drejtë në temën që e mundonte

  • Qamil , Derisa kam qenë në Zvicer, çfarë do problemi të kishe pasë kam pasëmundësi të të ndihmoj, por tashti jam tuj u kthye në Kosovë dhe jo që nuk mund të të ndihmoj ty, por ndoshta edhe për veti do të hjek keq, andaj due që sa të jam unë këtu , ti të blejsh një shtëpi, sepse nuk due të rrishë dyerve të halkkut në banesë me qera ! – më tha me një vendosmëri të pa shoqe dhe nuk dija se çka t’i them
  • Vëlla i dashur Bislim, Unë deri sot i kam urrejtë ata që kanë ble shtëpija në Belgjikë, apo ku do qoftë në shtetet tjera në Evropë, sepse kur të shtijmë rranjë në vend të huaj, është shumë e zorshme me i shkulë ato rranjë dhe me u kthye në vendlindje – i thash unë
  • Ndëgjo këtu Qamil !
    Në qoftë se je ai Qamili që ke qenë në Kosovë dhe ke ikë nga gjyqi ushtarak i ushtrisë jugosllave, atë ditë që të krijohen rrethanat me u kthye e shet shtëpinë dhe kthehesh . Unë nuk shkoj për Kosovë pa të pa ty që e bane pazar një shtëpi, apo një banesë . Dua të di që nuk je dyerëve të hallkut, por e ke një kulm mbi krye ! Mos mujsh ti me e pague , më thuaj dhe unë shkoj në Zvicer, i nxjerri të hollat e pensionit dhe t’i jap . – mi tha këto fjalë me aq bindje e vendosmëri, sa që nuk kisha asnjë mundësi kundërshtimi
  • Mirë vëlla i dashur Bislim, do të shohim bashkë dhe shtëpinë e parë që e gjejmë me çmim të leverdisëshëm do ta bëjmë pazar . Sa për të holla nuk kam problem, sepse jam në punë dhe i kam të kursyera sa për të pague 10 % të çmimit , apo vlerës së shtëpisë dhe shpenzimet e noterit, kurse pjesën tjetër i marr kredit në bankë …

Mbas dy tri ditësh së bashku me familje dualëm në shetitje në parkun e atomiumit, pastaj do të bënim një vizitë te daja i time shoqe dhe rastësisht më shkoi syri në një afishe, e cila tregonte se një shtëpi ishte në shitje
E ndala kerrin para shtëpisë dhe zbrita për ta parë nga afër afishen dhe kushtet e çmimin e shitjes së shtëpisë . E mora numrin e telefonit dhe hyra në kerr .
Gruaja ime nuk dinte asgjë për bisedën që kishim bërë me heroin tim, vëllaun e madh Bislimin

  • Çka e ndale kerrin ? – mu drejtue çortueshëm ime shoqe
  • Do ta blejmë këtë shtëpi – ia prita unë
  • Çfarë të blemi shtëpi, kur ti po grindesh me njerëz pse po blejnë shtëpi në Belgjikë , se kurrë nuk mund të kthehen ma në atdhe ?!
    E tash vetë thua se dojmë me ble shtëpi !- më tha ime shoqe dhe kishte të drejtë
  • Eh, po kanë thanë pleqët ; – Mos kesh n’kodër, se t’vjen n’votër ! – ia ktheva unë

Shkuam te daja i gruas për vizitë, pastaj u kthyem në banesën tonë dhe menjëherë i telefonova agjencisë, e cila e shiste shtqpinë . Caktuam një termin për vizitë dhe mbas dy ditësh shkuam e vizituam shtëpinë dhe aty për aty u dakorduam për çmimin e shitblerjes . Desha t’i jap një kopar, por belgu,( Mr. Song ), njihte shumë miqë të mi shqiptar, kryesisht emigrantë të vjetër të ikur nga Shqipëria londineze dhe nuk pranoi të merrte kopar duke u arësyetuar se ,

  • Në qoftë se ju shqiptarët keni besën , ne belgët kemi fjalën e nderit dhe mos ke merak, sepse shtëpia është e jotja .
    Ty dhe bashkëshorten tënde ju pres në zyrën time të hënen në mëngjes në ora 9,00 për të nënshkrue kontratën e shitblerjes
    Ishte ditë e premte dhe Zr. Songun e ftova në banesë për darkë . Megjithë kundërshtimin e Zr. Song, vëllau im Bislimi filloi të fliste gjermanisht me te dhe e bindi që të vinte së paku për të shijue një gotë vere burgund kosove, nga e cila kishte sjellë tri shishe
    Në mbrëmje erdhën Zr. Song dhe një mik pejan me gjithë të shoqen e tij, me ç’rast kaluam një mbrëmje shumë të mirë miqësore
    Kaloi fundjava dhe të hënen në mëngjes i telefonova Zr. Song për t’i konfirmue se po nisemi për në zyrën e tij .
  • Zotëri Zekolli, më vjen keq , por shtëpinë e kam shitë dhe ate me një çmim 25 % më të lartë – më tha zëri në anën tjetër të telefonit
    Megjithëse u bëra dhé i zi nuk e dhash veten dhe ju drejtova :
  • Nuk ka asnjë të keqe Zr. Song, sepse edhe kjo është pjesë e tregëtisë
  • Zotëri Zekolli merre të shoqen tënde dhe ejani të në,shkruajmë kontratën , sepse kjo është fjala e nderit që kemi ne belgët !- më tha Zr. Song
    Shkuam e nënshkruam kontratën, kurse vëllau dhe heroi im Bislimi qëndroi në shtëpi me djalin tonë Liratin, i cili sa kishte mbushur një vit .

Mbasi e nënshkruam kontratën dhe ia dhash 10 % të të hollave na e solli nga një kafe, por e luti time shoqe që të rri në zyrë se ai kishte një punë me mua

Pasi që dualëm në një pjesë tjetër bashkë me kafet më solli një shishe konjak dhe dy gota . I cakrruam gotat dhe në bisedë e sipër më tregoi se si ishte puna që kishte një klient, i cili i kishte propozue një çmim më të lartë pë 25 % të çmimit .
Pas insistimit tim miqësisht , Zr. Song mu drejtua .

  • Zr. Zekolli në qoftë se do t’i ndajmë bashkë ato 25 % të çmimit të shtëpisë, e prishim kontratën dhe ia shesim shtëpinë atij individit, i cili më ka propozue dhe ty ta gjej menjëherë një shtëpi tjetër, përndryshe shtëpia është e jotja
  • Zr. Song , unë nuk e kam pasë mendjen me ble shtëpi, por vëllau im me këmbëngulje më ka detyrue që ta blej . Qëllimi im nuk ka qenë dhe nuk është të fitoj nga kjo shtëpi, por vetëm t’i bëj qefin vëllaut dhe të kam një kulm mbi krye për familjen time . Pra në qoftë se ty të ngelet merak, nuk ka asgjë të keqe, prap jepja atij, i cili të ka propozue ato 25 % në të zezë, pra për xhepin tënd, por të lutem dua të më tregoshë se , kush është ai person që të ka propozue , sepse belgët nuk dinë merifete të tilla ?! …- i thash unë megjithëse tani veç e kisha nënshkrue kontratën
  • Zr. Zekolli, Nuk mund të tregoj, sepse te ju shqiptarët keni ligje të forta hakmarrjeje, prandaj po e lëmë me kaq dhe gëzuar e ta gëzoni shtëpinë ! – më tha belgu dhe cakrruam gotat
    Kur e përmendi hakmarrjen më shkoi mendja keq dhe i premtova që, jo që nuk do të bëj asgjë, kundër atij personi, por as ime shoqe dhe im vëlla nuk do të marrin veshë asgjë në lidhje me këtë punë
  • Atëherë Zr. Zekolli, Personi që më ka telefonue të premten n’ora 23 e 30 minuta mbasi kemi ngrënë dhe kemi pirë në banesën tënde është ai musteqoshi, i cili sihte mysafir i juaj bashkë me gruanë e tij
    E falenderova dhe i premtova edhe njëherë që nuk do t’i thoja asgjë, as atij, as nuk do ta dijnë këtë gjest të shëmtuar të pejanit, as vëllau dhe as gruaja ime

Pasi u kthyem në shtëpi , hapëm një shishe konjak Skenderbeg dhe festuam bashkë me vëllaun e heroin tim Bislimin
Pra Bislimi, jo që kujdesej për prindët, vëllezërit, motrat, fëmijët e tij, nipat e mbesat në Kosovë, por kishte edhe hallin tim dhe duke iu falenderue këmbënguljes së tij më detyroi që të bleja edhe unë një shtëpi në Belgjikë

Bislimi u kthye në Kosovë, jetoi rrafsh dhjetë vjet në atdhe në mes jetës dhe vdekjes, pa u frigue dhe pa u dorëzue asnjëherë të vetëm dhe kur lindi UÇK-ja , Ai me energjinë e tij që kishte nuk u ndal për asnjë moment të vetëm derisa ra në altarin e lirisë më 23 Gusht 1998 , në lagjen Fangu të fshatit tonë, në luftë ballë për ballë me çetnikët serbë .
Heroi im, Bislimi, Jo vetëm që shpëtoi nga rrethimi i ushtrisë dhe milicisë serbe vëllaun e pestë Destanin vetë i gjashti, ndër ta edhe djalin e tij Dritonin, te Shelgjet e Bllacës, të cilët luftuan për 13 orë rresht kundër forcave ushtarake, paramilitare e policore serbe, por në bazë të dëshmive, me armën e tij la të vrarë disa ushtarë të armikut

Vëlla Bislim, heroi im kurajoz , të falemnderit për çdo gjë që më mësove, më këshillove dhe udhëzove gjatë gjithë jetës tënde, të jam borxh, të përulem dhe të falem për jetë e mot !

Qoftë i përjetëshëm kujtimi për ty heroi ynë Bislim Latif Zekolli ! 🇦🇱☀️🙏
Lavdi për jetë e mot !

Fotografia e Qamil Zekolli
Fotografia e Qamil Zekolli

Burimi/Facebook- Qamil Zekolli

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *