Home

Lajme

Faktet të shitjes së Ujmanit: Ishte testament i Sllobos që në 1993

No Comments Lajme Opinion

Kur ‘Pamfleti’ ngriti zërin vazhdimisht për negociatat Kosovë-Serbi që qeveria e Avdullah Hotit, duhet të merrte në delegacion specialistët më të mirë për tu përballur me Beogradin, nuk pati asnjë reagim nga qarqe publike në Prishtinë, e sot ne gjendemi para një fakti të kryer që është realisht i tmerrshëm.

Ekspertët më të mirë të ujrave në Kosovë bëjnë me dije se ajo që ka ndodhur në negociatat e Uashingtonit ka pasoja dramatike, e për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi qeveritarët e Prishtinës.

Avdi Gjonbalaj është një nga specialistët më të mirë të ujrave, dhe një nga projektuesit e gjigandit ujëmbledhës të Ujmanit.

Inxhinier Gjonbalaj thekson se interesimi i Serbisë për tu bërë pjesë në liqenin e Ujmanit daton para vitit 1968 që në fazën e projektimit.

“Atëhere Serbia kerkonte 163 milion m3 ujë nga liqeni. Janë zhvilluar polemika të shumta. Në atë kohë Serbia insistonte që mungesat e ujit për pjesen lindore Kosova t’i plotësojë nga pjesa perëndimore më saktësisht me ujëra të Lumit Drini i Bardhë për kundër faktit se kur të kihet para sysh e drejta ujore ndërkombetare nuk e lejon atë pa pëlqimin e shtetit shqiptar.

Nuk donin ta dinin se që nga viti 1962 çështja e ujërave të Lumit të Drinit ishte rregulluar në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Kapërcimi i ujërave nga një pellg në pellgun tjetër nuk mund të bëhet pa pëlqimin e shtetit në rrjedhën e poshtme.

Në aspektin e të drejtës ujore ndërkombetare Serbia nuk e ka as një të drejtë të kërkoj për pjesëmarrje në administrimin e ujërave të akumulimit. Sasia e ujërave që do të shfrytëzohet nga ky liqen nuk i kalon 37% të ujërave të pellgut të lumit Ibër e që është më e vogël se sasia që formohet në territorin e Kosovës.

Perveç kësaj, financimi i objektit është bërë me para të Kosovës, të Federatës, Bankes Botërore, Bankës së Kosovës etj”, thekson Gjonbalaj.

Por projektuesi i këtij gjigandi të rëndësishëm të burimeve energjetike të Kosovës shkon edhe më tej. Ai shton se marrja e Ujmanit ka qenë në një farë mënyre edhe “amanet i Sllobodan Millosheviçit”.

Në vitin 1993, qeveria e Serbisë, i kalon të drejtat e ndërmarrjes ujore “Morava” të Nishit, që të marrë të gjithë inventarin që administronte ndërmarrja tjetër “Ibër-Lepenc”, e cila menaxhonte një pjesë të resurseve të sistemit ujëmbledhës të Ujmanit.

Por cili ishte inventari që ju kalua ndërmarrjes “Morava” nga Nishi?

“Bëhet fjalë për një inventar gjigand që përfshin:

Diga me material rrethanor me lartesi prej107.5 m, akumulimin prej 350 milion m3, hidrocentralin prej 217 MW, Digën e Pridvoricës për rregullimin e furnizimit të kanalit kryesor me lartësi prej 10 m me vëllim prej 0.5 milion m3, vepra e marrjes në digë prej22.2 m3/sec me tri fusha kapërderdhjeje.

Kanalet kryesore (tunele 20 copë, sifon 30 copë, akvadukete 23 copë, Kanalet me gjatesi prej 134.7 km, objektet e shpërndarjes Vërbicë, Mijaliq, Hamidija, dhe Drenica, stacione pompimi,12, prej të cilave dy të mëdha, sistemi i ujitjes në 16783 ha në gjatësi prej 629.5 km.

Në sistem janë vendosur 4985 hidrantë dhe 1652 ulluqe shiu, sistemi i drenazhimit me dy stacione pompimit.

Ka edhe katër objekte në Ujëman, Shkabaj, Vushtrri dhe Komoran.

Nga Ujmani furnizohen 6 komuna, industrija dhe Energjetika në Mitrovicë, Vushtrri, Drenas Obiliq”.

Studimin për t’ja kaluar inventarin e mjeteve nga ndërmarrja e “Ibër-Lepenc” tel “Morava” e Nishit e ka kryer Ndërmarrja Energoprojekt-Hidroinzhenjering nga Beogradi e cila ka qenë edhe projketuese e HS “Ibër”.

Ndërkaq, edhe specialisti tjetër, Baton Begolli, një nga përfaqësuesit e Këshillit të Ujrave në Kosovë, pjesëmarrës në projektet më të mëdha ndërkombëtare nga çlirimi i vendit e sot, thekson se nuk është kontaktuar nga qeveria as për këshillë, e as për të punuar që të hartonte bashkë me kolegët tij një projekt për të mbrojtur Ujmanin.

Begolli shkon më tej dhe thekson se plani për Ujmanin nuk është gjë tjetër pasi është pjesë të masterplanit që Serbia ka për të marrë katër komunat e veriut të Kosovës: Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Zubin Potokun dhe Leposaviçin.

“Nëse Serbia mundi të heqë” pikën për njohje reciproke, edhe ne duhej të hiqnim pikën për Ujman! Çfarë përdorimi i përbashkët… kur vet liqeni i Ujmanit dhe tërfushë Ujmanit është territor Kosovar, përveç nëse plani i dytë është riaktivizimi i humbjes (shkëmbimit) të pjesëve të Veriut! Dëshmoj që kurrë askush nuk na ka konsultuar, as mua as kolegët e as njohësit tjerë të sektorit të ujërave (pak jemi, njihemi dhe jemi unikë) për Ujman”, thekson Begolli.

I pyetur nga Pamfleti, se cila është kleçka e kësaj çështje që mund të ndikojë në atë që ai shtron, pra me rrezikun e shkëputjes së veriut, Begolli është shumë i qartë.

“Rjedha apo burimi i liqenit të Ujmanit është në territorin e Kosovës. Serbia nuk ka mundësi përveçse nëse pretendon me i marr komunat veriore. Sot Serbia nuk e përdor fare. Por jashtë institucioneve tona po financon ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujit të pijes për Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanit dhe Zubin Potokut. Janë duke hapur një kanal për të marrë ujin direkt nga Ujmani për këtë impiant dhe kështu t’i pavarësojnë komunat në veri nga furnizimi përmes fabrikës në Shipë, në Mitrovicën e Jugut. Pra Serbia nuk kanë hise. Është financuar 100% nga ne, nuk ka shfrytëzim për ta.. prandaj hiç nuk do duhej të ishte temë diskutimi”.

I pyetur se nëse do të ishte pjesë e delegacionit në negociatat e Uashingtonit, i thirrur nga qeveria, cili do ishte këshilla për qeverinë, inxhinieri i njohur i ujrave thekson: “Nuk do të pranomin të flisnim për këtë temë. Serbia nuk ka punë aty fare, për ne të sektorit, jo”.

E shikoni pra që paska qenë shumë e thjeshtë kjo punë, vetëm që Avdullah Hoti të kishte marrë me vete specialistët e të mos fliste fare vetë. Këta inxhinierë që e njohin në themel këtë çështje e kishin argumentuar dhe nuk kishte fare nevojë të bëhej kompromis politik.

Këtë kleçkë e ka shpjeguar mirë kryeministrja serbe Brnabiç, që thotë se çështja e “shkëmbimit ekonomik” ishte një “mënyrë krijuese” për të shmangur njohjen.

Pra si “kopila”, ata kanë punuar gjatë, janë menduar për të përgatitur grackën që ne të Pamfletit e kemi paralajmëruar që kur dështoi samiti i 27 qershorit. E askush nuk e vuri në zjarr. Kjo bie erë që gjithçka është kryer me koshiencë se s’ka mundësi ndryshe.

Liqeni i Ujmanit shtrihet në veriperëndim të Kosovës dhe andej kufirit me Serbinë. Me një sipërfaqe prej 11,9 km² dhe thellësinë maksimale prej 105 metrash, ky liqen është më i madhi në Kosovë. Ujmani ndodhet në Komunën e Zubin Potokut, Hidrocentrali dhe stacioni i pompimit në Vallaç.

Liqeni furnizon me ujë më shumë se gjysmën e Kosovës dhe ujit 20 mijë hektarë tokë, e gjithashtu ofron mundësi të mira për turizëm.

Kushtet për të vizituar tani këtë vend dhe bukuritë që ofron janë të kufizuara për shkak të mungesë së sigurisë, pasi Beogradi financon banda të krimit që kontrollojnë në fakt të gjitha veprimtaritë ekonomike në zonë.

Ndër bukuritë që ka kjo pjesë është edhe vendi i quajtur Veli Bregu. Aty ende ekzistojnë vilat në të cilat më herët janë shfrytëzuar për pushime.

Ky liqen është pasuria më e madhe e Kosovës. Nga Ujmani furnizohen me ujë gati gjysma e qyteteve të Kosovës dhe Termocentrali i Obiliqit.

Fitimet e çdo ndërmarrjeje ekonomike që administron Ujmanin janë të garantuara, sikur edhe 1 cent të shitet metri kub i ujit që ky ujëmbledhës përmban.

Vetëm 8 orë mund të punojë Korporata Energjetike e Kosovës pa ujin që e merr nga Ujmani. Në rast të ndërprerjes së ujit, i cili shërben për sistemet e ftohjes dhe avullimit në termocentralet elektrike, vendi do të përballet me një kolaps energjetik.

Akumulimi i Ujmanit është ndërtuar nga viti 1973 deri më 1977, duke iu zënë gryka lumit Ibër. Më 29 prill të vitit 2013 Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për ujërat në të cilin thuhet se resurset ujore janë interes i përgjithshëm dhe janë pasuri të Republikës së Kosovës që ruhen e mbrohen me ligj./Pamfleti

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *