Home

Lajme

Mr. Hamdi Nuhiju – Mësimi online përballë mësimit me prezencë fizike .

No Comments Lajme Opinion

Një tetori i këtij viti (2020) që përkon me nisjen e mësimit nëpër shkollat e Maqedonisë së Veriut ka hapur debatin e formës së mësimit se qysh do të ishte më e përshtatshme për nxënësit dhe studentët. Nëpër shumë qytete të Maqedonisë së Veriut lexuam dhe raportuam lajme për protesta të nxënësve të shkollave të mesme të cilët duan që mësimi të realizohet me prezencë fizike dhe jo në formën bashkëkohore-online.

Sipas strategjisë nacionale të ministrisë së arsimit dhe shkencës, nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë do të marrin pjesë në shkolla, ndërsa nga klasa e katërt deri në vitin e katërt në shkollë të mesme mësimi do të realizohet në formën online. Ky debat u nxit për shkak të pandemisë Covid 19 dhe rekomandimeve shëndetësore të autoriteteve kompetente në këtë temë.

Njëra prej dobive të pandemisë Covid 19, nëse mund ta quajmë dobi, është edhe futja në funksion të sistemit të mësimit të nxënësve me distancë fizike. Shtetet e ndryshme të botës, duke përfshirë edhe disa shtete të rajonit e kanë të zhvilluar prej shumë kohë më herët këtë metodë të mësimit e cila ka dhënë rezultate të mira.

Megjithatë, organizimi i mësimit dhe strukturës shkollore në Maqedoninë e Veriut edhe në nivelin master, e të mos flasim për nivele më të ulëta dallon prej shkollave shqipe me ato maqedonase. Përderisa në shumicën e fakulteteve tona, studentët në nivelin master duhet që të marrin pjesë në ligjërata dhe ushtrime njëjtë si në fakultet, pa marr parasysh elementin e kohës së studentit i cili është në marrëdhënie pune, në shumicën e fakulteteve maqedonase ky element me kohë është i rregulluar. Të mos flasim për metodat e mësimit online të cilat përveç në Universitetin e Evropës Juglindore që është zhvilluar dhe zbatuar me kohë, nuk është zbatuar në asnjë institucion tjetër shkencor jashtë periudhës së pandemisë Covid 19.

Në të gjithë shkollat prestigjioze botërore ofrohen dy mundësi për nxënësit dhe studentët, mësimi me prezencë fizike si dhe mësimi online. Vetëm në Maqedoninë e Veriut, sidomos te shkollat me mësim në gjuhën shqipe, mësimi online problematizohet deri në atë nivel saqë nxënësit duhet të dalin në protesta për të kthyer mësimin me prezencë fizike.

Përveç përdorimit të teknikës dhe teknologjisë te të cilat po shihet qartas se arsimtarët, profesorët dhe mësuesit tanë, një pjesë e madhe e tyre nuk ia kanë idenë se si duhet të operojnë me to, shumë pikëpyetje po ngritën në kokat e tyre. Pikëpyetjet e tyre mendoj se mund t`i japin përgjigje organizimi i disa seminareve dhe trajnimeve profesionale në Slloveninë fqinje, të organizuara këto nga ministria e arsimit dhe shkencës e Maqedonisë së Veriut.

Metoda e vlerësimit të nxënësve në mënyrë reale dhe mbajtjes gjallë të aktivitetit të tij gjatë periudhës së mësimit online, ndoshta do të ishte më e mirë dhe e përshtatshme sesa metodat të cilat arsimtarët, mësuesit dhe profesorët tanë i kanë përdorur gjatë kohës kur nxënësit i kanë pasur nëpër klasa.

Mësimi online përveç dobive tjera, e ka edhe një dobi se asnjë nxënësi nuk mund që t`i hysh në hak duke e nënvleftësuar mundin dhe dijen e tij, po ashtu nuk ke mundësi që ta favorizosh asnjë nxënës të ndonjë shefi lokal politik.

Angazhimi është i dyanshëm. Nuk mundet që mësuesi, arsimtari, profesori të dal para nxënësit i papërgatitur, pasi që gjithçka incizohet dhe vëzhgohet nga autoritetet arsimore. Po ashtu, as nxënësi nuk mund të arrije që me lehtësi ta mësoje lëndën e caktuar nëse nuk angazhohet në mënyrë vetanake, duke kërkuar, hulumtuar e gjurmuar.

Mësimi online nxënësit shqiptar i kthen nga parazit që kanë pritur gjithmonë prej tjetrit, në nxënës mjaft aktiv dhe kreativ në zgjidhjet e tyre. I mëson ato se mjetet teknike dhe teknologjike nuk bën që t`i përdorin vetëm për ta kaluar kohën kot, por përmes tyre edhe të mësojnë dhe aftësohen për tregun e punës.

Argumenti se pjesa dërmuese e nxënësve shqiptarë nuk kanë mjete për të ndjekur mësimin online, duke i munguar llaptop ose tabletë, nuk mban. Me vet faktin se Maqedonia e Veriut është njëri prej shteteve me përqindjen më të lartë në rajon për përdorimin e internetit nga të rinjtë, ndërsa informimi i të rinjve ndodh më shumë nga rrjetet sociale sesa nga TV, e dëshmon qartas se ky argument është artificial. Me këtë gjë, nuk përjashtohet mundësia që në Maqedoninë e Veriut të ketë raste sociale e që kanë nevojë për përkrahje për t`u furnizuar me tabletë dhe llaptop.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *