Home

Lajme

Juristi Romeo Kara: Ja neni që mund të fundosë Berishën, ndodhet në një kurth ligjor dhe nuk shpëton dot, dosja “Hajdari” e ka trembur shumë

No Comments Aktualitet Lajme

Juristi Romeo Kara ka analizuar nga ana juridike thirrjen e Sali Berishës si dëshmitar në gjyqin e Izet Haxhisë. Sot gjykata do marrë vendimin final dhe sipas juristit, Kodi i Procedurës Penale ka një dispozitë që parashikon marrjen e tij me forcë nëse refuzon, duke qenë se Berisha ka thënë se nuk do shkojë në gjykatë.

“Patjetër që ai mund të merret forcërisht në zbatim të Kodit të Procedurës Penale për të dëshmuar. Sipas nenit 157 të KPrP, ai është i detyruar të paraqitet në gjykatë, t’u përmbahet urdhrave të saj dhe t’u përgjigjet me vërtetësi pyetjeve që i bëhen. Nëse ai do të vazhdojë të luaje refrenin e përhershëm të refuzimit, atëherë gjykata mund t’i drejtohet zbatimit të parashikimeve të nenit 164 të KPrP duke bërë shoqërimin e detyrueshëm, t’i vendosë gjobë si dhe ta shoqërojë forcërisht, duke e mbajtur në dispozicion deri në 24 orë. Megjithatë ka një parashikim ligjor, që lejon dhënien e dëshmisë së tij nëpërmjet lidhjeve direkte me kamera online.

KPrP parashikon në nenin 165 të tij përgjegjësinë për dëshmi të rreme ose refuzimin për të dëshmuar, ku gjykata urdhëron prokurorinë që të procedojë sipas ligjit”, tha ai. Sipas juristit, deklarata e dhënë nga Berisha te ambasada amerikane nuk ka vlerë. Sipas tij, në një proces gjyqësor duhet dëshmi nga goja e tij. Sipas juristit, Berisha është në një pozitë mjaft të vështirë. “Dihet publikisht që Sali Berisha ka dhënë një deklaratë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, deklaratë e cila u përdor si dëshmi në këtë proces me pasojë dënimin e vëllezërve Haxhiaj. Këtë gjë Berisha e ka pranuar edhe vetë në një nga seancat parlamentare përpara disa viteve.

Sipas ligjit deklarata e Berishës përpara Ambasadës Amerikane nuk duhet të këtë vlerën e dëshmisë, pasi për t’u konsideruar e tillë, ajo duhet të jepet vetëm përpara oficerëve të policisë gjyqësore, prokurorit dhe gjykatës. Edhe nëse ajo deklaratë do të konsiderohet dëshmi, mospranimi për të dëshmuar do ta bëjë automatikisht nul atë dëshmi dhe ligjërisht Sali Berisha duhet të ndiqet penalisht për dëshmi të rreme. Duke qenë në këtë kurth ligjor, sigurisht që ai e sheh veten në një pozicion të vështirë dhe të pashpresë”, tha ai.

Berisha i trembur

Juristi Romeo Kara ka deklaruar se Berisha i trembet ballafaqimit me realitetin dhe të akuzuarit. Sipas tij, në dëshmi ai duhet të nxjerrë të gjithë ata që e informuan.

“Ai trembet sepse do të pyetet për çdo fakt që ai ka deklaruar publikisht dhe në deklaratën e tij, personat që e kanë informuar atë, rrethanat dhe provat shkresore etj. Tashmë gjykata do të duhet të realizojë ballafaqimin e tij me të dënuarin nëpërmjet dëshmisë së tij, ballafaqim i parashikuar nga ligji dhe i detyrueshëm për t’u realizuar.

Nëpërmjet një sistemi të kryqëzuar pyetjesh, nga i dënuari, avokati i tij, prokurori dhe gjykata, besoj se gjykata do të arrijë të çmojë vlerën dhe vërtetësinë e çdo fakti të ofruar deklarativisht nga Berisha, duke vazhduar më pas hetimin gjyqësor me personat të cilëve iu është referuar Berisha deri në dëshmitarin direkt fundor, i cili është burimi i pakontestueshëm i faktit”, tha juristi.

Sipas tij, duke qenë se palët janë njohur më parë, kanë punuar gjatë bashkë, ligji parashikon që mund të bëhen pyetje të hollësishme lidhur me raportin personal të tyre dhe më gjerë, në mënyrë që të vërtetohet vërtetësia e thënieve dhe motivi i tyre.

“Unë parashikoj një proces shumorësh pyetjesh të palëve në proces ndaj Sali Berishës, nëse procesi do të zhvillohet në respekt të ligjit. Jam i sigurt se tashmë jo vetëm që nuk bëhet më fjalë për të rrëzuar atunë që Berisha ia ka njohur vetes si njeri mbi ligjin dhe mbi procedurat ligjore, që e detyrojnë të dëshmojë përpara gjykatës, por ai do ta këtë të pamundur të mbrojë çfarë ka deklaruar publikisht dhe në deklaratë, si dhe të mos tregojë burimin e informacionit të tij. Megjithatë ai do përpiqet t’u shmanget të gjitha pyetjeve që do të mund të implikonin penalisht atë. Dikur shkonte Berisha tek procesi, tani po shkon procesi tek Berisha”, tha avokati.

Burimi/zgjohushqiptar.info/

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *