Home

Lajme

Janulla Rrapi – Persekutoret e familjes time !

No Comments Lajme Opinion

Persekutoret e familjes time, duke filluar nga Ramiz Alia, Hekuran Isai, Foto Cami,kryetari i pergjithem i hetuesis Qemal Lame qe edhe sot Edi Rama e ka vene ne te njejten detyre sikur dje .. Pra komunistet nuk po e lene Shqiperine te marre fryme lirshem,sot jane kthyer ne viktima te korruptuara qe po luajne miljaderin me pronat e vjedhura..

Zonja e hekurt, e nderuara Liri Gjoliku, ja u nxorri masken ketyre kriminelave , lexojeni se deri ku arriten me shpifjet e tyre si Qemal Lamja qe thote:: I thashe Enver Hoxhes mos te arestohet Ismail Kadare .. genjeshtra dhe pacavure ..

..Liri Gjoliku: Për nderin e Kadaresë u bënë krime ndaj
familjes Rapi
U përplasa me Foto Çamin e Hekuran Isain për të.

Debate të ndryshme bëheshin vazhdimisht në Drejtorinë e
Ligjshmërisë për zbatimin praktik të normave të ndryshme
ligjore, veçanërisht këto, kur ne shqyrtonim probleme të
ndryshme që ngriheshin në lidhje me shkelje të ligjeve,
veçanërisht në fushën e të drejtave të barabarta të
shtetasve në të gjitha fushat e jetës.
Një ditë, midis letrave të shumta që më kishin dërguar
shtetas të ndryshëm, më erdhi edhe një letër e dërguar nga
Janulla Rrapi. Ajo ankohej në lidhje me dënimin prej 11
muaj riedukim nëpërmjet punës, që i kishte dhënë gjykata,
se gjoja kishte fyer shkrimtarin Ismail Kadare. Në letër,
ajo theksonte, mesa mbaj mend unë, se djali i saj
dashuronte vajzën e shkrimtarit. Janulla shkoi në shtëpinë
e shkrimtarit, për të biseduar se çfarë do të bënin me
fëmijët. Bashkëshortët Kadare e kishin denigruar, duke i
thënë që familja e saj nuk ishte e përshtatshme për t’u
bërë krushqi me ta. Fyerjet kishin qenë reciproke.
Gjithashtu, edhe ankimet në gjykatë ishin bërë si nga
Ismail Kadareja, po kështu edhe nga Janulla. Por në këtë
çështje kishte një shkelje sepse Janulla u dënua nga
gjykata, pa u sqaruar fare për ankimin e saj kundër
Ismailit. Për të sqaruar më mirë çështjen, unë dërgova në
Gjykatën e Tiranës një nga specialistët e drejtorisë që të
shikonte dosjen, për të saktësuar nëse kishte apo jo
shkelje të ligjit proceduarial penal.
Nga verifikimet që bëri specialisti, me nivel të lartë
profesional, doli se gjykata kishte shkelur haptazi
kërkesat e Kodit Proceduarial dhe të Kodit Penal, ku
çështjet që ndiqen me ankimin e të dëmtuarve direkt në
gjykatë, mund të pushojnë vetëm me heqjen dorë nga ankimi i
të dëmtuarit. Në rastin konkret, Janulla nuk kishte hequr
dorë nga ankimi i saj për fyerje dhe për rrahje të bërë,
sipas saj, nga Ismaili.
Në këto kushte, unë u detyrova dhe ia dërgova letrën
kryetarit të Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, i cili kishte
të drejtë ligjore të bënte kërkesë për mbrojtje të
ligjshmërisë kundër vendimeve të gjykatave, në rastin
konkret, në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë.
Papritur e pakujtuar, unë thirrem nga njeri nga
zv/kryetarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor, dhe më
kërkohet llogari, pse letra kundër Ismail Kadaresë ndodhej
në dosjen e gjykatës, e cila kishte dënuar “me riedukim
nëpërmjet punës”, Janulla Rrapin. Unë i thashë që letra ka
lidhje me atë dosje dhe se të gjitha letrat që vijnë në
emrin tim si drejtoreshë e Ligjshmërisë apo si deputete e
Kuvendit Popullor, unë ua dërgoj të gjitha atyre organeve
që janë kompetente për t’i zgjidhur. “Ato që vijnë në emrin
tuaj, – shtova unë, – i dërgoj atje ku juve e çmoni të
arsyeshme”. “Ke bërë gabim, – më tha anëtari i Byrosë
Politike. – Ismaili është personalitet dhe ne duhet ta
ruajmë”. “Para ligjit, – i thashë unë, – janë të gjithë të
barabartë. Ligji nuk parashikon dallime”. Debatet vazhduan
dhe në fund, ai më tha: “Sill këtu tek unë gjithë anëtarët
e drejtorisë, këshilltarin juridik, (ky i fundit kishte
zëvendësuar juristin shumë korrekt dhe të aftë, Lili Roba
dhe ishte marrë njëri me miqësi, i cili nuk ishte fare
praktik, por i rrotullonte gjërat siç i donin titullarët që
vinin e iknin, ashtu siç bëri edhe mbas vitit l992).
Meqenëse shumica e anëtarëve të drejtorisë kishin të
njëjtin mendim me mua si juriste, atëherë u vendos që të
thirreshin: kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela,
Prokurori i Përgjithshëm, Rrapi Mino dhe kryetari i
Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, dhe të gjithë
juristët e aparatit. Mbasi u shtrua problemi, të ftuarit u
përgjigjën të gjithë me një mendim: Shkurt, ato organe
vihen në lëvizje me ankesa, protestat dhe kërkesat që janë
në dosje; jashtë dosjeve nuk merren parasysh. Gjithashtu,
çdo shtetas, kur i preken interesat e të drejtat apo
diskriminohet, ka të drejtë të ankohet kundër çdo organi e
personaliteti në të gjitha fushat e funksionet. Para ligjit
janë të gjithë të barabartë. “Dhe ju, – iu kthye Aranit
Çela, atyre që kundërshtonin, – mësoni mirë ligjet!”. Mbas
këtij debati, Aranit Çela, edhe me porosi si nga Enver
Hoxha dhe Ramiz Alia, bëri kërkesë për mbrojtje të
ligjshmërisë kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës dhe
kështu, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, e uli dënimin e
dhënë kundër Janullës; nga 11 muaj, në dy muaj, aq sa ajo
kishte bërë në beton, në Kombinatin “Josif Pashko”. Asaj
nuk i ishte zënë vendi si shitëse, pasi e mbronte gjithë
kolektivi dhe veçanërisht drejtoresha Hyrjete Ruli, e cila
thoshte se “e kam shitëse shembullore”.
Porosia e Çamit dhe Isait
Mirëpo problemi nuk u mbyll me kaq. Një ditë, unë u thirra
në Komitetin e Partisë së Tiranës nga Sekretari i Parë,
anëtari i Byrosë Politike Foto Çami. Këtë, unë e njihja që
në Moskë, ku ai ishte në vitin e fundit të Filozofisë,
kurse unë, në vitin e parë për Drejtësi. Ai sillej shumë
mirë me ne studentët e rinj. “E di pse të kam thirrur, – më
tha ai kur hyra. “Jo, – i thashë, – nga ta di? Unë nuk hedh
fall (këtë me të qeshur). – Të kam thirrur që të mos
merresh me çështjen e Ismail Kadaresë. Unë iu përgjigja se
nuk dija të kishte ndonjë çështje Ismaili. Por ai
këmbënguli duke më thënë: “Ti e di sepse ke ndihmuar
Janulla Rrapin. Ne kemi ndihmuar vajzën e Kadaresë që ka
mbetur shtatzënë me djalin e asaj si e quajnë”. Unë bëra
sikur nuk ia dija emrin Janullës, por i thashë:
“Interesante, aborti tek ne është i ndaluar dhe bëhet vetëm
me lejen e komisionit mjekësor, kur është në rrezik jeta e
nënës që pret fëmijën. Kjo nuk është fare në kompetencën
tuaj!”. Pas kësaj u ngrita për të dalë, duke i kujtuar
atij, se për personat që ndihmoja brenda kompetencave të
mia, i jepja llogari Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Pas ca kohësh, unë thirrem nga një anëtar tjetër i Byrosë
Politike; nga ministri i Brendshëm Hekuran Isai. Ai më
priti në zyrë, më ftoi të zija vend dhe më pyeti nëse doja
kafe. Iu përgjigja: “Kafe nuk dua, por mbylle incizimin!”.
Ai u çudit me këto që thashë; diçka lëvizi, dhe më tha:
“Ç’janë këto që flet? Më thuaj!”. E pyeta se përse më
kishte thirrur. Këtë person unë e kisha student, kur jepja
Bazat e Shtetit dhe të së Drejtës në Shkollën e Lartë të
Partisë. Ishte një student të cilit I kisha vënë notën maksimale.
Pas kësaj, ai më tha se më kishte thirrur, që të mos
merresha më me çështjen e Janulla Rrapit dhe të djalit të
saj, pasi ata kishin vendosur t’i internonin. Të them të
drejtën u çudita dhe e pyeta se çfarë kishin bërë që do
merrnin të tillë dënim. “Ata, – theksoi ai, – kanë
shqetësuar dhe shqetësojnë shkrimtarin e shquar Ismail
Kadare”. I thashë: “Ju shkelni në mënyrë arbitrare të
drejtat e njeriut dhe unë, për ata që mbroj si drejtoreshë
e Ligjshmërisë, jap llogari përpara Presidiumit të
Kuvendit”. Ky ishte zemëruar me ne, sepse juristët shumë të
mirë që unë kisha në drejtori, si; Perikli Zaharija, sot
anëtar i Gjykatës së Lartë dhe Kujtim Puto, anëtar i
Gjykatës Kushtetuese, kishin bërë një kontroll për
ligjshmërinë nëpër burgje, dhe aty ata kishin gjetur shumë
të meta, veçanërisht në drejtim të kushteve në të cilat ata
punonin, etj.
Takimi me Ramiz Alinë
Për sa më sipër, unë shkova dhe kërkova takim me Kryetarin
e Presidiumit, Ramiz Alinë. I kërkova shefit të kabinetit,
Guro Zenelit, të lajmëronte kryetarin se doja ta takoja.
“Përse, – më pyeti Gurua. – Për shkrimtarin e madh, – ia
ktheva atij me ironi.
Kryetari Ramiz Alia më priti, më ftoi të ulesha dhe më
pyeti: “Hë Liri çfarë ke?” – Kam ardhur të të vë në dijeni
që jam thirrur disa herë nga funksionarë të ndryshëm, të
cilët pretendojnë që unë të mos mbroj askënd, kur atyre u
shkelen të drejtat nga Ismail Kadareja. “Pse si është puna,

  • vazhdoi, – prapë ai muhabeti që kemi biseduar vazhdon? –
    Jo, – i thashë, – janë muhabete të tjera”. Dhe kështu i
    shpjegova fill e për pe se ç’më tha njëri e ç’më tha
    tjetri. Në fakt i tregova me vërtetësi ato që u kisha thënë
    unë, pa zvogëluar apo zmadhuar fjalët, (duke menduar të
    them të drejtën, se ai mund të ishte në dijeni).
    “Po të them shoku Ramiz, se ndaj nënës së djalit dhe vetë
    këtij të fundit po bëhen në kurriz të tyre krime, gjë që
    nuk është fare e drejtë. Nderin dhe dinjitetin, në radhë të
    parë e mbron çdo njeri vetë”.
    Në fund i thashë se përveç detyrës që unë kryeja si
    drejtoreshë e Ligjshmërisë, ndaj asaj gruaje kam edhe një
    detyrë morale. “Çfarë, – më tha ai me habi. – Po ja, – i
    thashë unë, – sa herë që unë shkoj përpara shtëpisë së
    nënës sime, më del ajo përpara me shami të zezë, dhe më
    thotë me ndrojtje: “Nuk dua të të bëj keq ty, por mbroje të
    shkretën Janullë, se e griu ai burgjezi, (burgjez u themi
    ne labërit, shpirtligërve). Dhe këtë ajo e bën për
    falënderim të gjyshit të saj, Pipo Gjoni nga Shenvasia e
    Sarandës, i cili si mik i babait tim, kur u vu në dijeni se
    në Rrezomë, afër fshatit të tij ishte vrarë vëllai im,
    Aliu, tri ditë pas vrasjes së vëllait të madh Mitatit, në
    Mavrovë të Vlorës, pa u vunë në dijeni për vrasjen e këtij
    të fundit, gjyshi i kësaj, Pipo Gjoni kishte qenë nga më të
    pasurit e fshatit dhe i kishte ruajtur vëllait varrin, deri
    sa ne i morëm eshtrat mbas luftës. Gjithashtu, I tregova se
    origjina e Janullës është më e mirë se ajo e Ismailit.
    “Pipon, e kishin shpallur kulak dhe ky titull iu hoq me
    urdhër të Enver Hoxhës, me kërkesën e babait tim. “Ka qenë
    i pasur babai – i tha Enver Hoxhës -, por ishte dhe bazë e
    luftës.
    Interpretimi
    sipas Kadaresë
    Të gjitha këto veprime që bëmë ne si drejtori e
    Ligjshmërisë, vërtetohen me thëniet e shkrimtarit në librin
    e tij “Pesha e Kryqit”, botuar më 1991-in në Paris. E
    gjithë përmbajtja e këtij libri është fund e krye trillim.
    Ai, me anë të këtij libri mundohet ta tregojë veten të
    persekutuar dhe njëkohësisht disident. Ishte koha kur ky ka
    qenë zv./kryetar i Frontit Demokratik, me kryetare Nexhmije
    Hoxhën.
    Ja çfarë shkruan ai në faqen 122 të librit “Në mbrëmjen e
    28 janarit të ditëlindjes sime, ndërsa hanim darkë me disa
    miq, një gur i hedhur nga jashtë goditi pezullin e dhomës
    së ndënjtjes. Një tjetër, fill pas tij theu qelqin e
    dritares. Kisha lexuar shumë herë, sidomos te Solzhenucini
    se policia e fshehtë e vendeve të Lindjes shfrytëzonte
    rrugaçët dhe prostitutat kundër intelektualëve. Megjithatë
    nuk më shkoi mendja se sulmi i ri, më i egri dhe më i
    gjati, ai që do të vazhdonte gjer në vdekjen e diktatorit,
    do niste pikërisht me thyerje qelqi”.
    Fshehur nën një forme banale, u zhvillua kështu një nga
    historitë më të errëta nga ato që mund të pjellë vetëm
    ferri komunist. Në të u përzien personazhe nga më të
    ndryshmët, duke filluar nga rrugaçët, prostitutat,
    hajdutët, spiunët, hetuesit e policët e natës, gjer te
    oficerët e Sigurimit, shefi i Sigurimit të kryeqytetit,
    shefi i gjykatës së kryeqytetit, zëvendësi i Enver Hoxhës,
    Ramiz Alia, gruaja e diktatorit, Nexhmije Hoxha etj.”
    Kurse në faqen l42, ai do të shkruante: I përpirë pas
    pleniumit, e kisha nxjerrë jashtë vëmendjes banden e
    rrugacëve. Në të vërtetë, gjatë gjithë kohës që godiste
    shteti, ajo qe fashitur. Por pas së dielës, domethënë pas
    tërheqjes së shtetit, banda qe rishfaqur përsëri më e egër
    se më parë. Koka e shtatë e hidrës qe rishfaqur përsëri më
    e egër se më parë. Skenari ishte po ai i mëparshmi.
    Kërcënime për vrasje, hedhje në erë të apartamentit,
    vrasjen e fëmijëve.
    Banda vërtitej në mënyrë kërcënuese rrotull shtëpisë. Por
    unë kisha aq miq, sa t’i bëja ballë lehtësisht. Rrugaçët
    vetë, pasi trimëroheshin prej Sigurimit të Tiranës, nuk e
    kuptonin përse rriheshin prej policisë. Kishin urdhëra të
    kundërta. Thuhej se Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë
    të Tiranës, Foto Çami ishte kundër rrugaçëve, kurse
    sekretari i dytë, Xhelil Gjoni, pro tyre. Sigurimi i
    Tiranës kishte mosmarrëveshje me policinë. Shefi i
    policies, Hajredin Shyti nuk i bindej shefit të Sigurimit,
    Zef Lokës. E gjithë kjo ishte e pazakontë për një shtet
    diktatorial. Mesa dukej, truri i lodhur, i çakërdisur, i
    diktatorit punonte me ndërprerje. Kështu shpjegoheshin
    kundërthëniet. Miqte e mi po e sqaronin dalëngadalë
    tabllonë. Ishin aq të përkushtuar në mbrojtjen time, saqë
    arritën të futnin një njeri të tyre midis bandës. Pas ca
    ditësh më sollën bisedat e tyre të regjistruara. Prej tyre
    kuptohej gjithçka. Ata vetë, banda, nuk ishin të
    ndërgjegjshëm se ç’bënin. Ishin futur në këtë lojë si
    rastësisht dhe tani ajo po i tërhiqte. Loja ishte vërtet
    tërheqëse, sidomos në pjesët e pashpjegueshme të saj. Çdo
    natë atë bënin bilancin e fitoreve dhe të humbjeve. Kishin
    me vete Sigurimin e Tiranës, por kishin kundra policinë.
    Kishin me vete drejtoreshën e Ligjshmërisë në Kuvendin
    Popullor, por s’e kapnin dot me kë ishte ministri i
    Brendshëm! Kishin me vete Xhelil Gjonin, por kundra, Foto
    Çamin. Fjalët inkurajuese të gruas së diktatorit nuk
    pengonin shefin e Policisë së Tiranës t’i zhdëpte në dru!”
    Këto janë interpretime që të kujtojnë monologët e
    Shekspirit dhe fantazira të sëmura, për të mbuluar veprime
    që bënte ky shkrimtar dhe shokët e tij në kundërshtim me
    ligjet në fuqi. Ai midis këtyre monologjeve, përpiqej që të
    bëhej mizën, buall dhe ta paraqesë veten të persekutuar pa
    të drejtë. Në këtë rast, ai ashtu si kundër pranon dhe
    vetë, në kuptimin juridik ka qenë bashkëpunëtor në kryerjen
    e veprave penale që u theksuan më sipër, si edhe në dhunën
    që përdorte shefi i policisë, në kundërshtim me kompetencat
    e tij, sepse përdorimi i dhunës ishte i ndaluar me ligj. Të
    ndaluara me ligj ishin edhe përgjimet e personave të
    ndryshëm zyrtarë, siç e pranon dhe ai vetë. Ka qenë një nga
    njerëzit më të privilegjuar në atë sistem dhe as nuk
    mendonte njeri që ishte e mundur të persekutohej Ismail
    Kadareja.

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *