Home

Lajme

Rrëfehet shoku i Kurtit: Si u rrah për vdekje Albini në burg dhe kush e shpëtoi

No Comments Argëtim Histori

Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes Enver Dugolli, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe për kohën e kaluar në burg.

Ai ka treguar edhe një detaj prekës nga koha e kaluar në burg me ish-kryeministrin Albin Kurti. Ish i burgosuri politik ka treguar se si më 9 qershor të vitit 1999 ishte rrahur për vdekje Kurti në burgun e Lipjanit.

Sipas Dugollit, atë e kishte shpëtuar një gardian, i cili ia kishte hapur derën dhe dritaret që të hynte sa më shumë ajër në qelinë e burgut. Sipas përshkrimit, Kurti e kishte gjoksin e fryrë nga goditjet.

Dugolli ka thënë se ishte mrekulluar nga Kurti, pasi ky i fundit ishte shumë modest dhe nuk kishte dëshirë të fliste për veten e tij.

Për këtë ngjarje, ai ka ndarë një fragment nga libri i tij “Qark i (Pa)mbyllur Burgjesh”, ku e përshkruan detajisht rastin:

“Për këtë pyetje po shkëpus pak rreshta nga libri im i botuar vitin e kaluar “Qark i (Pa)mbyllur Burgjesh”.

“…Paragjykimi im për njeriun me flokë të gjatë u zbeh në pak minutat e ditës së parë. Diskutimet e ditëve në vazhdim e zhdukën prej imazhit të fotove paragjykimin tim. Takimi me të, për mua qe vendimtar. Kisha fatin të takoja shumë veprimtarë të çështjes, në liri dhe burg, në burg të parë e në burg të dytë. Aq më tepër që burgjet ishin përqendrim i madh i rezistencës. Por takimi me Albinin, përshtypjet që formova për personalitetin e tij, ishin të jashtëzakonshme. Albini më fliste shumë për familjen time që nuk e kisha parë, për luftën e UÇK-së, për demonstratat e Studentëve të vitit 1997, për bashkëpunimin me bacën Adem Demaçi, e çka jo. Thellësia e mendimit politik e kombëtar tek Albini, më pasiononte. Ndonëse në moshë shumë më të re se unë, mezi prisja të hapej ndonjë temë diskutimi. Dhe me Albinin, temat nuk mungonin kurrë. Çdo temë kishte përmasën e horizontit. Ishin ditët më të mira në burgun e Nishit. Nuk e kisha menduar kurrë se do të më shijonte ndonjëherë burgu.

Por ja që pashë atëherë edhe xhelozinë në disa njerëz, bashkëveprimtarë dhe të burgosur. E shfaqnin kur diskutonim tema të ndryshme. Për Albinin rezervoja admirimin për zgjuarsinë, talentin, thellësinë e mendimit dhe vendosmërinë e palëkundur në parimet dhe të drejtën për liri. Rastësisht mësova edhe për atë natën e 9 qershorit në burgun e Lipjanit, atë natën e rrahjes në njërën prej dhomave. Vetëm tani po mësonim se kush e kishte pësuar. Kishim dëgjuar goditjet aq gjatë, sa thellë brenda nesh atë të burgosur e kishim shënuar të vdekur të paemër në arkivin e mendjes sonë. Ndërsa tani po rrinim bashkë me të në burgun e Nishit. Edhe një tjetër i kthyer prej fushës së pamat të vdekjes.

Në fakt, hamendja jonë kishte brenda një gjysmë të vërtete. Albinin e kishin lënë gjysmë të vdekur. Por, siç na tregonte vetë Albini, një gardian, i cili, duket se kishte qenë me shpirt njeriu, kur e pa në atë gjendje frymëmarrjeje të vështirë nga goditjet e marra në gjoks – sipas përshkrimit, gjoksi i ishte fryrë nga goditjet – i kishte lënë hapur derën dhe dritaret që të hynte sa më shumë ajër. Ndoshta ky gjest i thjeshtë kishte qenë vendimtar që Albini të shpëtonte. Ajo që më befasonte, dhe njëkohësisht më mrekullonte, ishte se Albini nuk kishte dëshirë të fliste për veten. Ishte thellësisht modest…”

Burimi/botasot.info/

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *