Home

Lajme

Muhamed B. Sytari – Rrugicave të lagjeve tona muslimane…

No Comments Argëtim Histori

Sonte, bashkë me vëllaun tim Ervil Kuçi bëmë një ecje meditive, nga Parruca drejt Tophanës e, prej andej në kthim, drejt Garucit, Zdrales, Çinarit të Hoxhë Dheut e në vazhdim…

Këto janë lagje të vjetra, ku kryesisht banojnë muslimanë. Xhamia e Parrucës, ajo e Tophanës, pak më tutje ajo e “Dy Vajzave”, (pjesë e lagjes Shabanej), janë tre xhamitë e kësaj zone. Do të duheshin edhe dy-tri xhami të tjera në këtë kuadrat gjeografik, për të shërbyer si vende adhurimi për muslimanët e kësaj zone…

Teksa shkel në këto rrugica, është e pamundur të mos vëresh detaje, disa prej të cilave kam dëshirë t’i ndaj me ju, edhe si një mesazh publik drejtuar krejt muslimanëve të Shkodrës, por edhe mbarë bashkëqytetarëve të mi dhe përtej tyre.

1) Rrugicat e lagjeve muslimane, ndonëse janë trajtuar me indiferencë të plotë nga pushtetet e ndryshme të 26 viteve të fundit, (si në investime, projekte, studime urbanistike, ndërtime etj.), ngelen të pastra, rrezatojnë një frymë karakteristike që ndjehet natyrshëm teksa shijon ecjen e mbrëmjes mbi këtë tokë të shtrenjtë…

Ndoshta, është gjurma e besimtarëve, që ndër shekuj kanë shkelur mbi të, që herët në sabah, drejt xhamive, lutjeve e dhikrit… Ndoshta është teuhidi në zemrat e banorëve dhe salavatet në gjuhët e tyre… Ndoshta, gjallëria e lëvizjeve në muajin e agjërimit, vizitat e bajrameve a përcjellja e pritja e haxhilerëve…

Ndoshta, aroma e parfumeve të Natës së Mevludit Sherifë, leximet e Kur’anit a ndenjat e burrave besimtarë me tesbihë në duar, përreth oxhaqeve, me kafe turke e ilahi ashikësh të përvëluar për All-llah e Pejgamber… Ndoshta, era e pastërtisë së ujit mbi gurët e oborreve, lulet e pemët karakteristike…

Ndoshta, është gjurma e hoxhallarëve në ecjen e tyre plot hejbe e madhështi, modesti e përulje drejt xhamive, drejt pajtimeve, drejt lutjeve… Ndoshta…

2) Lagjet tona, rrugicat tona, janë amanet! Që do të thotë se, ne si muslimanë, si bashkësi qytetare, është e mira që tiparet e rrugicave tona, oborret, muret e tyre, dyert e larta të drunjta etj, t’i ruajmë e t’i trashëgojmë si vlerë qytetare, si tipar kombëtar dhe vlerë tradicionale shqiptare! Mos të lejojmë që lagjet tona të prishen, (a të na i prishin, siç kanë bërë deri më sot), duke u prishur me to edhe tradita, historia, shpirti e tabani ynë qytetar.

Nuk është larg vëmendjes tuaj Tabaku a Bexhisteni! I pari, lagjja e vjetër ish-bajrak i parë i Shkodrës. I dyti, tregu i famshëm historik, prej të cilit ka ngelur vetëm ndonjë foto bardh e zi, a emri në ndonjë libër historie, (autori i të cilit bart akoma sadopak qytetari e njerzillëk, sa për të mos mbuluar krejt gjurmët islame të këtij qyteti)..!?

Si të thuash, për disa në këtë qytet, komunizmi ka ngelur i shenjtë, i shenjtërueshëm, edhe për fshirjen e gjurmëve islame dhe shkatërrimin a deformimin e tyre në këtë qytet!? Por, mos të harrojmë se, nga viti ’90 e deri më sot, nuk ka më komunizëm, por diçka tjetër përtej tij, që vazhdon me shumë finesë politikat e tij antiislame dhe antimuslimane!

3) Muslimanët shkodranë duhet t’i ruajnë e t’i mbrojnë vetë gjurmët e shekujve, traditat dhe trashëgiminë e tyre, në lagjet e tyre. Nuk duhet të lejojnë përzierjen, shitjen, transformimin rrënjësor, deformimin a fshirjen e gjurmës së identitetit. Sepse, devijimi nga tabani, është rrezik për brezat që vijnë, për edukimin e tyre, për rrugëtimet e mëtejshme në jetë. Sepse, origjina, baza, themeli, tabani, janë të shenjtë, të patolerueshëm, të padiskutueshëm, të paprekshëm!

Kësisoj, muslimanët duhet t’i mbrojnë vetë gjurmët e trashëgimisë së tyre shekullore, mos të presin t’ia bëjë këtë as qeveria, as Bashkia, as institutet e ndryshme të monumenteve të kulturës e të ngjashëm, që kur bëhet fjalë për trashëgiminë shekullore islame në këtë kohë, rrudhen e tjetërsohen, ç’kombëtarizohen e deformohen…

4) Sa të shijon ecja në rrugicat muslimane, ku aty-këtu, të shfaqen të rinj e të vjetër, që të japin selam, që ngrihen në këmbë me dorë në zemër, në shenjë respekti, që të pyesin: “Si ka kenë zotnia jote?”, që të japin fytyrë, duke buzëqeshur me mirësinë tipike të muslimanit…

Sa të shijon shfaqja e të rinjve me njëri-tjetrin, që nuk e harrojnë tabanin e familjes, qoftë edhe në lojën e tyre, teksa thërrasin me të madhe: “Pasha Allahun nuk po baj hile!”…

Sa të shijon pëshpëritja e vajzave të reja, që teksa kthehen në shtëpi me prindët e tyre a me ndonjë prejt të afërmve më të mëdhenj, ruhen të mos e ngrejnë zërin, plot edukatë e qytetari…

Sa të shijon ecja në këtë natë vjeshte, në këto rrugë e rrugica të ujitura me dhikër e salavatë, me qytetari muslimanësh e pastëri vlerash shekullore, që kalojnë brez pas brezi, si bekim, që Shkodra e ruan në zemër të saj, duke e shpërndarë plot krenari për këdo që shkel në këtë tokë të shtrenjtë besimi e vlerash…

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 4 nëntor 2016
(Ripost)

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *