Home

Lajme

Çfarë prodhon politika shqiptare ?!

No Comments Lajme Opinion

Nga Skënder Sadri KAPITI

Politikanët shqiptarë e shohin pushtetin si të drejtë për krim e mosndëshkim; e shohin si strehë sigurie dhe si të drejtë plaçkitjeje, vjedhjeje dhe abuzimi me paranë publike, me atdheun, me interesin kombëtar, me shtetin dhe me shoqërinë. Prej kësaj politike dhe prej këtyre politikanëve po e pësojnë dhe po vuajnë rëndë Shqipëria, Kosova dhe të gjithë shqiptarët kudo janë ata.

Politika shqiptare e këtij tranzicioni ka nxjerrë si produkte politike krimin, përderisa kërkohet me këmbëngulje publikisht, mediatikisht dhe ndërkombëtarisht prej vite e vitesh si nevojë domosdoshmërie në Shqipëri dhe në Kosovë dekriminalizimi i politikës e cila e ka kapur dhe kriminalizuar edhe drejtësinë, edhe shtetin, edhe ekonominë, edhe shoqërinë.

Prandaj SHBA dhe BE duke parë pamundësinë e ndarjes së politikës shqiptare nga krimi i organizuar ndërhynë dhe e detyruan politikën në Tiranë që të miratojnë VETING-un i cili fillimisht do ta pastrojë drejtësinë dhe më pas drejtësia e dekriminalizuar do ta dekriminalizojë edhe politikën shqiptare, pastrim i cili pritet të ndodhë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 25 Prillit 2021.

Produkti i dytë që ka prodhuar me shumicë politika e Tiranës është korrupsioni dhe hajnija institucionale, politikë e cila në këto 30 vite ka ngritur dhe ndërtuar një sistem politik korrupsioni dhe vjedhjeje, korruptivo-kleptokracinë, gje e cila e ka klasifikuar Shqipërinë në krye të Europës si vëndin më të korruptuar ku vjedhja e hajnija institucionale e parasë publike, e asaj të marrë borxhe e kredi dhe të pronave e të pasurive të Shqipërisë e të shqiptarëve kanë bërë kërdinë. Edhe në këtë aspekt nuk është aspak më mirë as Kosova, e cila ka marrë si model e yrnek politikën e Tiranës

Produktii tretë që ka prodhuar politika shqiptare është tradhtia publike e kombëtare, që konsistojnë në mashtrimet, gënjeshtrat e premtimet e rrejshme publike si dhe tradhtia e pabesia ndaj interesave kombëtare duke i përdorur ato vetëm sa për përfitime personale, familiare e klanore.

Produkti i katërt i politikës shqiptare është eksodi, për të cilin Shqipëria radhitet në një rrafsh me Sirinë e Afganistanin vënde këto të mbërthyera nga lufta civile.

Këto janë produktet kryesore që ka prodhuar politika shqiptare në Shqipëri por edhe në Kosovë prej të cilave derivojnë edhe këto nënprodukte si: mjerimi, varfëria, papunësia, pasiguria, trafikimi i drogave dhe qënieve njerëzore, padrejtësia dhe paqëndrueshmëria politike.

Me këto produkte“të prodhuara e të përpunuara” nga politika dhe politikanët shqiptarë nuk shkohet në BE, dhe prandaj Shqipëria ka 30 vite që është jasht BE-së , pasi Europa e Bashkuar nuk pranon në gjirin e saj shtete dhe vënde të cilat do të eksportonin produkte të tilla siç prodhon dhe eksporton ilegalisht politika e Tiranës, dhe sidomos, që kanë arritur kulmin në këto tetë vitet e Rilindjes së rilindasve socialistë me në krye Edi Ramën, me të cilët rilindi regjimi komunist si një rilindje djallëzore dhe i një shkalle të paimagjinueshme mashtrimesh, hipokrizie, korrupsioni, vjedhjeje , papërgjegjshmërie dhe amoraliteti politik; regjim cili tashmë ka hyrë në histori si pushteti më i keq dhe më i dëmshëm në historinë e Shtetit shqiptar.

Këto janë dhe përbëjnë realitetin fatkeq e mjeran të Shqipërisë dhe të shqiptarëve që prej 30 vitesh, që politika shqiptare premton luftën kundër tyre, por që në fakt vetëm sa ajo ushqehet, rritet, majmet e trashet nga zullumi dhe është pasuruar prej tyre, dhe ku deri më sot asnjë politikan e pushtetar i lartë shqiptar nuk është ndëshkuar ligjërisht si autor i tyre, pasi të gjithë atyre që iu mundësua qënia si politikan, pushtetar, ministër, drejtor, deputet, administrator, kryebashkiak e kuvendar, gjyqtar, prokuror me ndihmësa , këshilltarë e me sekretar e sekretarica, pothuajse të gjjithë janë të zhytur në krim , hajni, korrupsion e vjedhje dhe që e kanë infektuar rëndë edhe shoqërinë me këto vese antihumane dhe antisociale.

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *