Home

Lajme

SOT MBRETËRESHA E KËNGËS, AJO QË I TAKON GJITHË BOTËS SHQIPTARE, SHKURTE FEJZA KA DITËLINDJEN.

No Comments Lajme Opinion

Nga Ramazan Çeka
Le t’i urojmë edhe 100 vite të lumtura kësaj ikone të këngës shqiptare që zëri i saj nuk njeh kufi, por shpirti krijues dhe virtuoziteti i interpretimit të këngëve, janë një pikë referimi për shumë këngëtarë profesionistë që debutojnë në skena të ndryshme edhe nëpër botë, duke transmetuar një identitet të veçantë kulturor.

Në miqësinë time falë bashkpunimeve të shumta me këngetarë kam patur fatin dhe privilegjin të njoh nga afër edhe shumë artistë të mëdhenj dardanas, ndër të cilët do veçoj këngëtaren më të përzemërt të krejt trojeve shqiptare Shkurte Fejzen.
Sa i takon vlerave të saj njerëzore mund të them me bindje se është një zonjë e kompletuar ku ka merita të veçanta për këtë, por ajo që më bën të ndihem më shumë se krenar për këtë miqësi është rrugtimi i vështirë i saj në karrieren artistike si këngëtare shqiptare në një kohë dhe hapsirë me liri të cunguar, e ku gjithçka çensurohej nga shteti sllav nën juridiksionin e të cilit gjendej toka dardane e para luftës, kohë në të cilën u formua si këngëtare profesioniste dhe mjaft e dashur, Shkurte Fejza, legjenda e frymës së patriotizmit dardan që ndezi dhe ushqeu shpirtin e të gjithë shqiptarëve me ndjenjën kombëtare, duke kuruar edhe plagët më të thella me të cilat u ndëshkua populli i pa faj i Kosovës.
Shkurte Fejza është padyshim edhe një ndër këngëtaret më të talentuara të shekullit XX-të, pasi ajo me zërin e saj briland në kushtet e një teknologjie gati primitive, arriti të përcillte në publik këngën në mënyrën më natyrale, dhunti kjo e lindur dhe rritur bashkë me të, gjë që sot është e rrallë ose gati e pamundur ta shohim, apo ta takojmë në pafundësin e këngëtarëve që dekadat e fundit zbuluan për ne, pasi shumë prej tyre janë këngëtarë të varur nga teknologjia dhe krejt pak guxojnë të këndojnë live para publikut.
E them me bindje se ajo periudhë ka prodhuar idhuj të këngës dhe talente që koha i ka ngritur në pjedistalet më të larta, që në rastin e Shkurte Fejzës mund të them se falë meritave të saj, qëndron në atë panteon si një këmbanë që ngre peshë zemrat dhe shpirtin e të gjithë shqiptarëve, duke i emocionuar me këngën e saj shumë të spikatur me frymë patriotizmi dhe kujtesen historike që mbartin pothuajse të gjitha këngët e repertorit te saj.
Një tjetër karakteristikë e kësaj këngëtareje është serioziteti i një fisnikeje shqiptare në skenë dhe në këngë, në veshje e në qëndrim, pa anashkaluar zërin e saj tejet të veçantë, gjë që e bën atë tepër të dashur për publikun, sidomos atë dardanas, i cili në këngët e saj, sikur gjente ilaçin shpresdhënës për ditë më të bardha.
Falë edhe përvojës së saj artistike, ku shumë herë është përndjekur dhe penguar në rrugtimin e saj, ajo e dinte fort mirë se shtypja dhe presioni psikologjik mund të mposhtej vetëm me punë dhe këmbëngulje, ku veç mbështetjes së familjes, Shkurte Fejza kishte mbështetjen e krejt popullit të Kosovës, i cili nuk e braktisi për asnjë çast edhe në momentet më të vështira.
I privilegjuar nga afrimiteti miqsor me këtë këngëtare dhe artiste të madhe, pata fatin të njihem edhe më në brendësi me rrugtimin artistik dhe repertorin e saj, ku e them me bindje që Shkurte Fejza është një nga këngëtaret me repertorin më të pasur me një pafundësi albumesh, ku dominon qëndresa dhe etja e popullit të Kosovës për liri në kohën e para luftës, si dhe mjaft këngë në të cilat janë përjetsuar bijt dhe bijat më të mirë të Kosovës.
Një arkivë e gjallë, e cila nuk reshti kurrë për të dhënë sa më shumë nga vetja, e për të qenë sa më afër spektatorit të saj më të dashur në vendlindjen e saj e me gjerë.
Kjo ka bërë që në pafundësinë e këngëve të gjejmë bashkëpunime me artistët më të mëdhenj, poetë e kompozitorë të shquar ne lëmin muzikor e këngetarë të suksesshëm, bashkëpunime të cilat i kanë rezistuar kohës, duke u bërë hite të pavdekshme në memorjen e publikut mbarë shqiptar.
Këngëtarja Shkurte Fejza është njëkohsisht edhe një pishtare e gjallë e trashëgimisë sonë kulturore në lëmin e këngëve epike, të cilat mbartin gjithashtu vlera të mëdha shpirtërore të shprehura aq bukur e me mjeshtëri në këngët dhe repertorin e saj të mrekullueshëm.
Nëpërmjet këtij dedikimi, Shkurte Fejzës i shpreh mirnëjohje të thellë për punën e palodhur, durimin, sakrificën dhe sukseset e saj pa fund, kësaj bije shqiptare që fliste, këndonte e gëzonte zemrat e shqiptarëve në gjuhën e nënës, të lashtë e të ëmbël shqipe.
Me bekimin e Kosovës dhe dashamirsinë e të gjithë shqiptarëve gëzofsh e këndofsh për ditë më të lumtura, ku shqiptarët të mblidhen bashkë rreth sofrës si një familje e madhe, e t’i rrisin bashkë fëmijët në trojet tona të bashkuara.
Me respekt e mirënjohje Ramazan Çeka.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *