Home

Lajme

Një letër miqësore për Profesorin Përparim Kabo

No Comments Lajme Opinion

I dashur Profesor Përparimi,

Në Portalin “Voal” të datës 16 nëntor, lexova shënimin tuaj të shkurtër, por mjaft domethënës, me titull “Ky vend nuk është Gjiri Derrave, është Gjiri i Lalzit…i lalëve të zinj….”.

Është një shënim i shkëlqyer që lexuesin e emocionon, e bën të përsiatë thellë, e mbush me mllef dhe e revolton kundër kalbësirave politike, si mbeturina të diktaturës komuniste, të cilat kanë 30 vjet që tallen me popullin shqiptar dhe Shqipërinë po e shpopullojnë në mënyrën më të pamëshirshme.

Ju, Profesor i nderuar, jeni një intelektual i shquar që e doni me shpirt vendin tonë të shtrenjtë, jeni modeli i intelektualit që dëshmon në mënyrën më të kulluar se si duhet të jetë intelektuali, jeni një shembull i shkëlqyer për inteligjencien universitare, e cila është e vdekur dhe e pakallur. Ju shprehni mendimin se pasanikëve të pozitë-opozitës mund t’u preken vilat luksoze në Gjirin e Lalzit nëse OFL dhe SPAK do të kryejnë detyrën. Në këndvështrimin tim, as OFL dhe as SPAK s’kanë për të bërë asgjë, sepse aleanca e nëndheshme pozitë-opozitë, si mbeturinë e diktaturës komuniste, e dalë nga demoshëmtia dhjetoriste, është e çimentuar që 30 vjet më parë, i ka kopsitur mirë punët dhe vazhdon të jetë e çimentuar deri në ditët tona.

Më 28 janar 2016, unë pata botuar në internet një analizë me titull “Reforma në drejtësi: do të mbarset mali dhe do të pjellë një mi”. Aty theksoja se reforma në drejtësi duhet të fillojë nga politikanët dhe mandej të zbresë te organet e drejtësisë, sepse këto organe janë pjellë e politikës. Por kastat politike pozitë-opozitë, për të mbrojtur pronat e tyre të paligjshme, nuk deshën ta fillojnë nga politikanët reformën në drejtës Për pasojë, gjatë këtyre pesë vjetëve është rrahur ujë në havan. Për fatkeqësinë tonë kombëtare, populli shqiptar nuk është i aftë të nxjerrë nga gjiri i vet një tjetër klasë politike me brumosje nacionaliste, sepse i mungon inteligjencia me formim nacionalist. Për këtë arsye, ai nuk është në gjendje ta shporrë nga skena këtë klasë oligarkësh politikë në pozitë-opozitë. Prandaj klasën në fjalë le të vazhdojë ta mbajë mbi kurriz dhe ta gëzojë për jetë e mot.

Me respekt dhe mirënjohje

Eshref Ymeri

San Francisko, Kaliforni

20 nëntor 2020

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *