Home

Lajme

Këngëtari që vuri modelin e interpretimit shqiptar në Kosovë

No Comments Argëtim Histori

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, 23 Nëntor, 2020, qyteti i Gjakovës, mbarë Kosova e Shqipëria mbeti pa këngëtarin e njohur gjakovar Ismet Peja.

Fotografia e Behar Arllati


Ismet Peja u lind në një familje ku pothuaj të gjithë merreshin me këndim, me 27 prill të vitit 1937. Babai i tij Musa Peja ishte këngëtar i njohur i kohës së Ymer Rizës, një tenor akut, ndërkohë që vëllezërit e tij Qamil dhe Ismail Peja poashtu shquheshin për zëra shumë të bukur si dhe për sensin e lartë që kishin për interpretimin e këngës tradicionale popullore qytetare. Shkollën fillore e kryen në vendlindje dhe pikërisht në këtë kohë u hap dhe Gjimnazi i Gjakovës, ndaj Ismet Peja bëhet një nga nxënësit e gjeneratës së parë të këtij institucioni shkollor. Pas kryerjes së gjimnazit vendoset në Sarajevë ku fillon studimet për drejtësi në Universitetin e Sarajevës, por krahas këtyre studimeve, fillon studimet dhe në Akademinë e Muzikës po në Sarajevë, drejtimi i kantos, tek prof. Bruno Shpiler. Në Sarajevë qëndron vetëm 18 muaj pasi, për shkak të kushteve ekonomike, detyrohet t’i lë njëherë e përgjithmonë këto studime.

Fotografia e Behar Arllati


Inçizimet e para i bën në Radio Prishtinën e atëhershme dhe pikërisht me këngët “Kah dera të erdha” të Mazllum Myezinit dhe “K’ndo o zog i malit” të Qamilit të Vogël në vitin 1954 nën kujdesin e kompozitorëve dhe krijuesve të njohur Rexho Mulliqi dhe Lorenc Antoni. Në vitin 1959 punësohet si këngëtar në Radio Prishtinë, por shumë shpejt e ndërpret punën për t’u kthyer në vendlindje.
Pas kthimit në Gjakovë fillon punën si mësues në shkollën “Zef Lush Marku” të fshatit Brekoc bashkë me muzikantë tjerë si Asllan Kryeziu, Avni Zherka, Nazim Dylatahu, etj. Dhe, pikërisht në këtë shkollë, nga këta muzikantë me Ismet Pejën në krye, del iniciativa për formimin e një shoqërie muzikore. Shoqëria formohet, porse shumë shpejt shpërbëhet ngase pak kohë më vonë do të themelohej shoqëria muzikore “Hajdar Dushi”. Kështu, bashkë me Mazllum Mejzinin, Zekri Çarkaxhiun dhe shokë të tjerë të grupit, themeluan shoqërinë “Hajdar Dushi” në Gjakovë, në vitin 1962.

Fotografia e Behar Arllati


Një nga regjistrimet më të rëndësishme të tij janë ato që Ismet Peja bashkë me këngëtarë të tjerë të mëdhenj, si: Qamili i Vogël, Gani Grubi, Gonxhe Manaqi, Nexhmije Pagarusha, Hanife Sejfullah Reçani, Mazllum Mejzini, Shahindere Bërlajolli, Nazife Dylatahu, Sekine Lamaxhema, Dueti Shiroka, Halim Keca, Shaban Stafaj, Toni Antoni, Emrije koci, Ajrulla Emini, Sami Ibrahimi, Ismet Veseli, Isa Krasniqi, Maksut Dehari etj., që i bëri në Radio Shkupi në vitet 1962-1966. Pas vitit 1966 pasuan regjistrimet në disqe të shtëpisë diskografike “Jugoton” të Zagrebit bashkë me këngëtarët e njohur Qamili i Vogël, Mazllum Mejzini, Nazim Dylatahu, Idriz Dhomi, Njazi Nikoliqi, Gonxhe Qaushi etj. që mbeten edhe sot e kësaj dite regjistrime model për shqiptarët jo vetëm të Kosovës.
Ka marrë pjesë në shumë festivale si “Akordet e Kosovës” , “Gjakova”, “Zambaku i Prizrenit”, etj. ku ka marrë çmime të shumta. Ka kënduar në shumë skena të shteteve të Evropës dhe ShBA. Pa dyshim Ismet Peja paraqet modelin e këngëtarit tipik ideal, pothuaj për të gjitha këngët qytetare. Mjeshtër i ahengut gjakovar që nga vitet ’70-ta e këtej. Bashkë me Njazi Nikoliqin (1937-1999), një kohë të gjatë ka qenë duet i pandarë, deri me vdekjen e këtij të fundit.
Ismet Peja kishte aftësinë që të përshtatej me melosin e këngëve të pothuaj çdo treve shqiptare. Ai me shumë sukses interpretoi këngët gjakovare, beratase, shkodrane, tiranase, elbasanase, korçare, vlonjate, kolonjare, kavajase, krutane por dhe këngë në gjuhë të tjera, si: serbe, kroate, sllovene, maqedone, turke etj. kryesisht të popujve që jetonin në ish-RSFJ-në e dikurshme. Kështu, ai interpretoi bukur këngët e Qamilit të Vogël, Mazllum Mejzinit, Iuf Myzyrit, Muharrem Gurrës, Mustafa Budinit, Aleksandër Konstandin Josifit-Leksi i Vinit, Palokë Kurtit, Ndrekë Voglit, Paulin Palit, Mehmet Ali Vrionit, Hasan Prezës, Karlo Palit, Sheuqet Krujës, Markut të Kranjanes, Hilës së Files, Shtjefën Jakovës-Jakov Qorrit, Sabah Bytyqit, Muharrem Xhedikut, Xhet Bebetit etj.
Ka kënduar bashkë me Mazllum Mejzinin, Qamilin e Vogël dhe një dyzinë këngëtarësh të tjerë, qoftë gjakovarë, qoftë nga qytetet tjera. Po ashtu ka xhiruar katër video-kaseta me titullin “Sofra gjakovare” në vitet e tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Nuk ka Festival ku Ismet Peja nuk është shpërblyer me çmime të ndryshme si këngëtari me zë brilant. Kudo ku ka interpretuar ka lënë mbresa të thella për interpretimet e tij. Nuk njihet ndonjë ngjarje e rëndësishme ku nuk ka interpretuar Ismet Peja gjithmonë me sukses maksimal. Karriera e tij mbi 60 vjeçare në skenë është shoqëruar me suksese të shumta që vështirë të përmenden të gjitha.
Ka marrë me dhjetëra e qindra mirënjohje. Në vitin 1991, në Festivalin Mbarëkombëtar në Shkodër i jepet Çmimi i Nderit bashkë me këngëtarin tjetër Esat Bicurri. Ka të inçizuara në studio mbi 300 këngë.
Të shkruash për Ismet Pejën është shumë e vështirë dhe kërkon një kohë shumë më të gjatë pasi nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një interpretues të zakonshëm. Me vdekjen e tij Gjakova, Kosova dhe shqiptarët kudo ku janë, humbi një këngëtar që ishte i padiskutueshëm, i mirëfilltë, shumë të veçantë dhe një zë brilant që jo shpesh vjen në jetë. Skena shqiptare humbi një nga përfaqësuesit më të denjë të këngës së mirëfilltë shqipe.
Edhepse Ismet Peja u largua nga kjo botë, ai la pas vetes qindra këngë, regjistrime në studio, regjistrime private, video regjistrime, video-klipe etj. Ai poashtu la pas vetes vajzën Vigjinën dhe dy djemtë Vegimin e Visarin që poashtu janë marrë dhe merren akoma me këndimin dhe këngën. Ismet Peja la pas vetes një trashëgimi për lakmi, një trashëgimi që vështirë se do të përsëritet ndonjëherë nga cilido këngëtar për shkak të asaj që ka bërë dhe kohës kur e ka bërë.
Një gjë është e sigurt. Ashtu sikurse ka ndodhur me bartësit e tjerë të traditës gjakovare Hamëz Kovaçi-Çarkaxhiu, Ramadan Ganga, Din Bakija, Ymer Riza, Ymer Tullumi, Myftar Gjoki-Qaushi, Halim Sahatçiu, Malush Halilaga-Stublla, Qamili i Vogël, Mazllum Mejzini, Hasan Katona, Muhamet-Met Godeni e të tjerë, do të kujtohet gjithmonë sa të ekzistojë kënga gjakovare, derisa të ekzistojë kënga e bukur shqipe.

Burimi/Facebook- Behar Arllati

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *