Home

Lajme

Kolosët e Mijëvjeçarëve – “Themeltarët” e Identitetit Kombëtar!

No Comments Argëtim Histori

Senad Guraziu – Ars Poetica, Qershor 2016

Ne lexuesit e thjeshtë, “johistorianët”, kureshtarët, që ndonjëherë zbresim bodrumeve plot pluhur e merimanga të historisë, shpesh gjejmë gjëra që na bëjnë përshtypje, që na “intrigojnë”. S’është për t’u çuditur se dhe lexuesit e zakonshëm i kanë arsyet e veta të bodrumeve, pakashumë njësoj siç i kanë dhe historianët. Për fat të mirë aty-këtu kronikat e historisë na servirin gjërash sadopak interesante, dhe hooop na ngjallet kureshtja. Përndryshe të dyja palët do mërziteshin, tekniciteti tekstual, kronikat shterpe, pasaktësitë dhe falsiteti i historisë dinë t’jenë tepër të mërzitshme, aq monotone… s’do ia vlente as mundi i leximit.

Më tepër si frymëzim, në formën e një paralelizimi të shkurtër, ka me vite sikur doja t’i them dy-tri fjalë për heroin tonë kombëtar, për Skënderbeun dhe për heroin e dikurshëm germanik, Arminius (në gjermanishten e sotme, Herman), çliruesin e “Germania”, rezistuesin e shquar të perandorisë më të fuqishme të kohës, të perandorisë Romake. Rezistenca e tij do ta turpëronte atë makinën ushtarake të Romës së pandalshme, suksesi i tij “strategjik” sikur do ta definonte rezistencën germanike për shekuj me radhë.
Mirëpo, hëpërhë – dhe pastaj sikur s’më bëhej puna, gjërat shkisnin në harresë. Thjesht ca fjalë pra, ca “vija të trasha” – nëse eventualisht t’më përvidhet ndonjë gabim, le t’më korrigjojnë historianët 🙂

Anise ka një “boshllëk” gjigant kohor, ose largësi prej aq shumë shekujsh mes tyre, është mjaft interesant “fati identik” i këtyre dy kolosëve, i strategëve të pashoq të luftës. U dalluan si shembuj nga më të lavdishmit e historisë, në qiellin e historisë shndritën si yje të rezistencës së pakompromis dhe të luftës për lirinë e popujve të tyre. Në rrethana fare të ndryshme historike por që të dy u moren peng, që të dy u internuan diku larg, që të dy u shkolluan dhe u bënë oficerë të dalluar, që të dy i dëshmuan aftësitë e tyre në rolet pararendëse (testuese), që të dy morën pjesë nëpër kampanja të luftës diku “larg” në tokat e Ballkanit, që të dy e “tradhtuan” tutorin (armikun – sulltanin a perandorin), që të dy u kthyen në gjirin e popujve të vet, që të dy e fituan respektin e prijatarëve të fiseve e të princave, që të dy u mishëruan për organizimin dhe për bashkimin e fiseve-principatave, që të dy ia dolën dhe u fuqizuan “ligash”, aleancash e marrëveshjesh, që të dy u dalluan për udhëheqje, për vizion e për vendime strategjike, që të dy u vunë në ballë të rezistencës, që të dy u tradhtuan nga radhët e veta, që të dy luftuan dhe korren fitore në beteja vendimtare, që të dy prej kolosë epikë sikur i vunë gurët e parë, jo figurativisht por me plotkuptimin e fjalës, në themelet e identiteve kombëtare… etj.

Në rastin e Arminius fjala është për intervalin historik andej-e-këndej pragut të “erës sonë” (realisht s’është se qe “këputur” ndonjëherë linja e kohës, përveç se me “gjuhën” e numrave në kokën tonë), pra për t’u orientuar sadopak – rreth 2 dekada përpara, dhe menjëherë 2-3 dekada pas asaj “0” – zeros imagjinare. Ndërsa “koha” e Skënderbeut, siç e dimë do vinte rreth 14 a 15 shekuj më vonë.

Skënderbeu u nda nga familja që në fëmijëri, ose tepër i ri, qe dorëzuar peng nga babai i vet, të tilla pengmarrje ishin “kushte” të vazalitetit, imponuar nga perandoria e fuqishme e asaj kohe. Të njëjtin fat e pati “përjetuar” dhe Arminius. Njëjtë sikur dhe Gjergji, edhe djaloshi Arminius do dorëzohej peng në duar të romakëve, për t’u nisur në rrugën e gjatë të mallit e të pikëllimit, drejt “qendrës së botës”, drejt Romës së largët. Edhe Skënderbeu edhe Arminius ishin me prejardhje “fisnike”.

Paçka se në kohën e Arminius fjala ishte për rreth pesëdhjetë fise “barbare” germanike. Në krahasim me qytetërimin romak, historianët sikur lirisht shprehen të “jocivilizuara”, pa kështjellash e pa ndonjë organizim të mirëfilltë komunitetesh në qytete. Bërthamat urbane të fisit Kerusk, nga ku vinte Arminius, por dhe të fiseve të tjera, ishin thjesht ca kasollesh. Krahasuar me qytetërimin e perandorisë, jeta e fiseve germanike atëbotë ishte primitive. Mirëpo fiset do ta administronin jetën dhe aktivitetet kolektive me kodet e traditat e tyre. Babai i Arminius ishte diç si kreu i fisit, një dikush që printe dhe që e gëzonte respektin nga të gjithë.

Sa i përket pengmarrjes, Perandoria Romake operonte me të njëjtat motive, sikur dhe ajo e mëvonshmja, Perandoria Osmane. Aq shumë shekuj përpara se të “aktualizohej” historia otomane, ajo e Romës i mblidhte të rinjtë nëpër provincat e paskajshme perandorake sipas logjikës me dy “arsye” bazike. E para – sigurohej “lojaliteti” i babait, qoftë ndonjë baba i zakonshëm, qoftë princ a fisnik. Dhe e dyta – duke i rritur, duke i edukuar e stërvitur për aq gjatë, ishte supozuar që trimat e rinj të asimiloheshin në “romakë” të vërtetë. Ata mund t’kishin prejardhje “tjetër” por ata do t’mendonin, flisnin e vepronin me “gjuhën e re”, me zemrën e re. Zemra e tyre thjesht do adaptohej me identitetin e ri fizik dhe psikologjik.

Dhe pothuaj gjithmonë, në të shumtën e rasteve nuk ndodhte ndryshe por pikërisht sipas “logjikës” së Romës. Me shekuj Roma i pati trajnuar e konvertuar në “romakë” panumër çunash, mbledhur nga të gjitha skajet e perandorisë. Në kohën e Arminius sikur nuk i dihej fundi a kufiri, ishte thjesht një entitet gjeografik i paskajshëm.
Pra “logjika” e thjeshtë romake, në thelb s’kishte asgjë më “ndryshe” nga ajo Osmane, e fuqizuar shumë shekuj më mbrapa, më gjatë se një mijëvjeçar më vonë.

Germania – Terra Incognita

Historia thotë se Arminius lindi në vitin 18 ose 17 pes. U mor peng nga romakët, si djalë i kreut të fisit Kerusk (babai quhej Segimerus – gjerm. e sotme: Segimer) dhe u trajnua për t’u bërë komandant në radhët e ushtrisë romake. Rininë e kaloi në Romë, ku dhe do pajisej me edukatën ushtarake si dhe me “qytetarinë” romake. Më vonë, e thënë me terma relativë, do ishte 1 dekadë e vetme (nga viti 9 deri 21 kur do vdiste), dhe Arminius do ta ndryshonte “kursin” e historisë përgjithmonë.

Sikur dhe Gjergj Kastrioti që u bë një “beik” (sipas turqishtes së re: bey), edhe Arminius do ta gëzonte statusin e “kalorësit”, ose statusin kalorsiak (në kohën e Romës një rang fisnik më i ulët). Sipas termave të Romës, rang më i ulët i fisnikërisë, por për 25-vjeçarin Arminius ishte i mjaftueshëm që në vitin 9 (të erës sonë) ta përpilonte dhe t’ia sillte Gjeneralit Varus një raport të rrejshëm për rebelime dhe kryengritje në veri të “Germania”. Ai e bindi atë që të devijonte me tre legjionet nën komandën e tij, për ta shtypur kryengritjen.

Gjenerali romak qe pajtuar dhe trupat e tij në fakt marshuan drejt e në kurthin e Arminius, të cilin ai e kishte organizuar duke i bërë bashkë fisin e vet Kerusk, dhe të paktën pesë fise tjera germanike. Trimat “barbarë” do t’sulmonin furishëm dhe do ta asgjësonin tërë ushtrinë romake, e cila përbëhej nga tre legjione dhe nga shtesa prej batalionesh kalorsiake, sikur dhe nga trupa e njësi tjera ndihmëse (mbi 20.000 ushtarë gjithsej). Kur humbja veç ishte e sigurt, Gjenerali Varus do t’bënte vetëvrasje duke rënë mbi shpatën e tij. Fitorja e Arminius dhe tragjedia e ushtrisë romake është e njohur si “Beteja e Pyjeve Teutburg”.

Sipas ekspertëve asgjësimi ose shkatërrimi i tre legjioneve të tëra, si ushtri profesionale e perandorisë, me oficerë dhe me armatimet më të avancuara të kohës, ishte mrekullia vetë. Nga ana tjetër, për Romën ishte njëra nga humbjet më të mëdha dhe më të turpshme që perandoria ka pësuar ndonjëherë në historinë e vet. Fitorja e Arminius sikur do ta përcaktonte fuqinë kulmore të rezistencës germanike, për shekuj me radhë. Me fitoren e tij, përpjekjet romake për t’i pushtuar tokat e Germania sikur qenë “vulosur” të dështonin përgjithmonë. Edhe pse romakët do ia dilnin ta thyenin aleancën germanike të sjellur në jetë nga Arminiusi.

Bazuar në kronikat e Tacitus, ndërmjet viteve 14 e 16 Roma do ndërmerrte disa herë operacione ushtarake në Germania, nën komandën e Gjeneralit Germanicus (nipi i perandorit Tiberius – si dhe babai i perandorit të mëvonshëm, Kaligula). Ushtria romake do korrte fitore dy herë ndaj forcave të Arminius. Aleanca e fiseve të Germania do luhatej, Arminius do t’përballej me kundërshti nga udhëheqës ndër radhët e vetë fisit Kerusk, por dhe të udhëheqësve të tjerë të fiseve germanike pro-romake.

Po ashtu, thuhet se Thusnelda, gruaja e Arminius qenkësh rrëmbyer nga romakët, mbajtur peng ndoshta nga vetë komandanti Germanicus. Rrëmbimi i Thusnelda paska ndodhur në vitin 15. Pra kohë tejet të vështira për trimin Arminius, presion i madh psikologjik. Qëkur ai dhe vetë e pati rrëmbyer të dashurën, të martohej me të (meqë babai i saj, princi Segestes paskësh menduar që vajza të martohej me dike tjetër). Ashtu në robëri, e mbajtur peng nga romakët, Thusnelda do ta lindte dhe djalin e tyre të vetëm.

Mirëpo në vitin 19, komandanti romak do vdiste në rrethana të paqarta, sipas kronistit Tacitus atëbotë mjaft njerëz paskan besuar që Germanicus t’jetë helmuar nga rivalëria ose kundërshtarët (ndër radhët romake). Vetëm 2 vite pas vdekjes së komandantit romak, në v. 21 do vritej dhe Arminius. Derisa për rrethanat e vdekjes së gjeneralit romak Tacitus s’ka “siguri” faktike, për prijësin Arminius thotë se edhe ky qenkësh vrarë nga rivalët (brenda fisit të vet, Kerusk), të cilët mendonin se “po bëhej tepër i fuqishëm”.

Disfatën e Romës, humbjen e Gjeneralit Varius në Teutburg, historianët e konsiderojnë si “humbja më e madhe që Roma ka pësuar ndonjëherë në historinë e vet”, dhe “Beteja e Teutburg” konsiderohet si një nga betejat më vendimtare në histori. Fitorja e Arminius kundër legjioneve romake do ta kishte një efekt shumë të gjerë në historinë e mëvonshme. Romakët sikur qenë “pajtuar” se Germania dhe pyjet e saj të paskajshme ishin thjesht “terra incognita”, sikur matanë lumit Rajna s’ia vlente t’bëhej përpjekje për ta pushtuar, për ta mbajtur nën kontroll… atë që njihej si “Germania”.

Mirëpo historianët po ashtu sugjerojnë se Arminius nuk ishte arsyeja e vetme për ndryshimin e kursit politik të Romës (për lënien “rehat” të Germania). Politika e “brendshme” romake gjithashtu ka luajtur rol, ose ishte një faktor i rëndësishëm; perandorët romakë jo aq shpesh mund t’ia besonin një ushtri të madhe ndonjë rivali të mundshëm politik. Me sukseset ushtarake vinte dhe fama e popullariteti politik… Shkurt, ruana zot nga ushtarakët e suksesshëm dhe ambicioz 🙂

Tacitus (në Annales II, 88) shkruan – “Arminius, padyshim çlirimtari i Germania, i cili e sfidoi Romen, jo në fillimet e fuqisë së saj, si mbretërit e udhëheqësit e tjerë, por në kulmin e fuqisë perandorake…”.

[ ngjitur: Germania, si personifikim i unitetit të kombit gjerman, Arminius, Thusnelda e pafat, gjenerali romak Germanicus, disa piktura si alegori artistike – SG Ars Poetica, Q 2016 ]
  1. Philipp Veit (1793-1877) – Germania, 1834-36
  2. Philipp Veit (1793-1877) – Germania, 1848 (Version)
  3. Hermann Wislicenus – Germania, 1873
  4. Friedrich August von Kaulbach (1850-1920) – Germania, 1914
  5. Johannes Gehrts (1855-1921) – Arminius i thotë lamtumirën gruas së vet, Thusnelda, 1884
  6. Nicolas Poussin (1594-1665) – Vdekja e Germanicus, 1627
  7. Karl von Piloty (1826-1886) – Thusnelda në Procesionin Triumfal të Germanicus, 1873
  8. Johann Friedrich Overbeck (1789-1869) – Italia dhe Germania, 1811-28
  9. Perandoria Romake ~ v. 20 (të erës sonë), ~ rreth vdekjes së Germanicus (v. 19) , dhe të Arminius (v. 21)

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *