Home

Lajme

Muhamed B. Sytari – Ky është Islami, këta jemi ne!

No Comments Lajme Opinion

Po dëgjoja me kënaqësi e nostalgji një ligjëratë të mbajtur në nëntor të vitit 2016 në Damask, nga dijetari dhe edukatori i urtë, Hafizi i Kuranit dhe i Hadithit, Shejkh Naim El-Arksusi, imam dhe hatib i xhamisë “El-Iman”, bashkëpunëtor i ngushtë i Shejkh Shuajb Arnautit, rahmet pastë.

Ligjërata përqendrohej tek modeli i tolerancës së muslimanëve në histori. Natyrshëm, jo i atij modeli anemik, pa ngjyrë, erë e shije, që shpeshherë, qarqe të caktuara përpiqen të na prezantojnë edhe në vendin tonë, nëpërmjet tryezave, tribunave e konferencave pa taban e dinjitet, por toleranca e shëndoshë që buron në Kuran, Hadith dhe në shembullin praktik të njerëzve me dinjitet e krenari islame përgjatë shekujve, sot e deri në ditën e fundit mbi këtë gjithësi.

Në fund të ligjëratës së tij, Hoxha i dashur i drejtohet me një mesazh të urtë sirianëve të shpërngulur në Evropë, për shkak të ndodhive mesjetare që kanë kapluar ato vende të shenjta, sot në mesjetën e shpirtit dhe ndërgjegjes së sëmurë njerëzore.

Këshillat e këtij mesazhi, kam dëshirë t’i ndaj me ju:

“A e shihni, o vëllezër, tolerancën e muslimanëve përgjatë historisë, gjë për të cilën dëshmojnë edhe shkrimet e vetë perëndimorëve!

Sepse kjo është cilësi e muslimanit me muslimanin dhe me jomuslimanin! Ajetet kuranore dhe hadithet profetike na e obligojnë këtë, na nxisin drejt saj. Dhe, ja muslimanët, që i zbatuan këto porosi përgjatë shekujve!

Prandaj, me këtë rast, i drejtohemi atyre që kanë emigruar drejt Evropës dhe u themi: Ju jeni ambasadorët e fesë suaj në vendet e Evropës! Ju jeni ambasadorë të vendeve tuaja, prandaj ruajeni moralin e Islamit!

Silluni me njerëzit atje me mirësinë e moralit islam! Tregojuni atyre mirësjelljen e Islamit; të vërtetën në fjalë, besën, përsosmërinë në vepra, nderin, sinqeritetin në punë!

Ruajuni që të dalë prej jush ndonjë fjalë a sjellje, që e dëmton imazhin rrezatues të Islamit! Ruajuni, mos të veproni ndonjë vepër, që i atribuon fesë suaj akuza e dyshime!

Bëhuni thirrës drejt kësaj feje, me moralin tuaj të lartë, me ruajtjen e amanetit, me pastërtinë tuaj, me dlirësinë tuaj, me largimin nga gjynahet dhe prapësitë, me distancimin nga të ushqyerit me pasuri harami!

Bëhuni thirrës drejt kësaj feje duke mos u zhytur me të devijuarit, me praktikimin e rregullave të fesë suaj, që i dini shumë mirë!

Ruajuni, mos të paragjykohet kjo fé e madhnueshme nga veprat tuaja!

Kjo është e vërteta e Islamit tonë, që duhet ta praktikojmë në realitetet tona, në mënyrë që krejt njerëzit ta dijnë se çfarë është Islami: ‘Ne nuk të kemi dërguar ty, (o Muhammed), veçse mëshirë për mbarë botët’.”

Kjo është Siria me elitat e saj, (edhe në ditët e greminave dhe shkatërrimeve të pashembullta), ky është Islami ynë, sot e përherë, këta jemi ne!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 26 nëntor 2020

(Ripost i përmirësuar, nga 26/11/2016)

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *