Home

Lajme

“VAKSINA ËSHTË KRIJUAR QË BILL GATES T’I VENDOSË NJERËZVE ÇIP”, TEORI KONSPIRATIVE E BALLKANIT APO E VËRTETË?

No Comments Shendetesi

Një studim i Grupit Këshillues për Politikat Publike, Ballkani në Evropë (BiEPAG) vë në pah se afër 80 për qind e popullsisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor beson në masë të madhe apo pjesërisht në njërën nga teoritë konspirative lidhur me koronavirusin.

Këto pohime janë pjesë e raportit “Virusi i dyshimtë: Konspiracionet dhe COVID-19 në Ballkan”, i cili u publikua të enjten në një tryezë të Këshillit Atlantik dhe BiEPAG-ut.

Në raport thuhet se teoritë e konspiracionit, të mëdha dhe të vogla, janë rritur fuqishëm në mbarë botën në vitin 2020. Nga Qanon, me origjinë në Shtetet e Bashkuara e deri tek shoqata Querdenker në Gjermani, që mohon pandeminë dhe krahason kufizimet e qeverisë me Gjermaninë naziste, kanë bërë që me pohimet kundërthënëse të nxisin njerëzit në rrjetet sociale dhe mijëra që dalin në rrugë në gjithë botën. Teoritë e konspiracionit nuk janë të reja, por dukshmëria e lartë e teorive të tilla dhe gatishmëria e mijërave për të dalë në rrugë është risi dhe ka bërë që të fitojnë vëmendje më të madhe.

Teoritë konspirative në Ballkanin Perëndimor gjejnë tokë të pëlleshme. Institucionet janë të brishta dhe shpesh nuk u besohet, ndërsa ekziston edhe një histori e teorive që kishin shpërthyer në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, thuhet në raport.

Janë gjashtë teori mbizotëruese rreth pandemisë. E para që virusi ka “ikur” nga një laborator në Ëuhan, përkatësisht që ka ekzistuar shumë më parë se sa që i është bërë e ditur opinionit publik. E dyta që qeveria kineze e ka prodhuar në laborator virusin dhe ai nuk është natyror. Katër teoritë e tjera janë më të skajshme përfshirë pohimet se virusi është shpërndarë nga industria farmaceutike, që qeveria amerikane e ka prodhuar virusin si armë biologjike, që ai është i lidhur me teknologjinë 5G, që është shpërndarë në mënyrë që Bill Gates-i të vendosë nëpërmjet vaksinimit një çip në kokën e njerëzve në mënyrë që të mund t’i kontrollojë.

Nga këto teori, tri prej tyre që lidhen me Kinën dhe me industrinë farmaceutike besohen nga më shumë se gjysma e të anketuarve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq ndërmjet 27.7 dhe 34.9 për qind e të anketuarve në rajon besojnë në teoritë se virusi ka të bënë me teknologjinë 5G, përfshirjen e ushtrisë amerikane dhe zhvillimin e virusit si armë biologjike dhe teorinë për Bill Gatesin.

Sipas studimit vendi me numrin më të madh të atyre që besojnë në teoritë e konspiracionit në Ballkanin Perëndimor është Shqipëria. Më të popullarizuarat janë ato teori që e bëjnë përgjegjëse Kinën, por edhe kur bëhet fjalë për lidhjet me Bill Gates, 43 për qind e të anketuarve mendojnë se kjo teori është në masë të madhe ose në një masë e vërtetë.

Madje, sipas studimit, as shkalla e arsimimit e as mosha nuk paraqesin mbrojtje ndaj teorive të konspiracionit. Në Kosovë, të zëmë, 47 për qind e atyre që kanë kryer fakultetin mendojnë se industria farmaceutike po shpërndajnë sëmundjen, ndërsa vetëm 22.2 për qind e atyre me arsim fillor besojnë në një teori të tillë. Kjo dëshmon se teoritë e tilla janë të rrënjosura në të gjitha shtresat e shoqërisë.

Përgjithësisht në rajon afër 80 për qind e popullsisë beson në masë të madhe apo pjesërisht në njërën nga teoritë konspirative lidhur me koronavirusin.

Studimi përfshinë edhe elementin gjeopolitik të teorive të konspiracionit gjë që ka shfaqur dallime meqë serbët kundrejt pjesëtarëve të etnive tjera kanë një qasje më dashamirëse ndaj Kinës. Tek të anketuarit në Serbi, është regjistruar shkalla më e ultë e atyre që besojnë në teorinë se Kina e ka “zhvilluar” turisin (35 për qind) apo se ai ka ikur nga një laborator në Ëuhan (39 për qind).

Ndryshe është në Shqipëri ku 65 përkatësisht 58 për qind e të anketuarve besojnë në këto dy teori.

Qytetarët serbë në Malin e Zi dhe në Kosovë besojnë më pak në teoritë që lidhen me Kinën në krahasim me grupet tjera etnike. Mbase kjo është nxitur edhe nga qëndrimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili i quajti “vëllezër” dhe “shpëtimtar” kinezët përgjatë krizës zë pandemisë.

Nga ana tjetër sipas studimit, 86.1 për qind e serbëve të Kosovës besojnë në teoritë që lidhen me Bill Gates, madje 93.7 për qind besojnë se industria farmaceutike la luajtur rolin kryesor në krijimin dhe përhapjen e koronavirusit.

Studimi vë në pah edhe dallimet ndërmjet euro-skeptikëve dhe atyre që mbështesin integrimet evropiane. Nga të parët 60.6 për qind mbështesin një nga teoritë, ndërsa nga të dytët 48.9 për qind.

Florian Bieber, bashkërendues i BiEPAG-ut tha se “tre të katërtat e të anketuarve në Ballkanin Perëndimor besojnë në një shkallë apo shumë në cilëndo prej teorive të konspiracionit për të cilat ne i kemi pyetur, që është shifër më e lartë se në çdo vend të Evropë. Kjo pastaj pasqyrohet në vullnetin e tyre që të vaksinohen”.

“Në mbarë rajonin, 53.4 për qind kanë thënë se nuk do ta marrin vaksinën, ndërkaq vetëm 39.2 kanë thënë se me gjasë do ta marrin vaksinën”, thuhet mes tjerash ë raport./ VOA

Burimi/faxweb

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *