Home

Lajme

PERSE DESHTOI PRESIDENTI DONALD TRAMP?

No Comments Lajme Opinion

(Sipas një bisede në mesenxher me një mik në SHBA)

Dilaver Goxhaj

Në mbyllje të ketij viti, të gjitha të dhënat janë që SHBA do të kenë një president të ri në Shtëpinë e Bardhë. Edhe kolegjet zgjedhore në 50 shtetet amerikane e konfirmuan zotin Joe Biden në detyrën e lartë: Presidenti i 46-të i shtetit më të fuqishëm të botës, mik i hershëm strategjik i Shqipërisë sonë.

Ndër rastet e ralla që një president në SHBA nuk zgjidhet për herë të dytë. Po përse humbi këtë shans Donald Tramp, i cili, ndonse akoma edhe pas votës së kolegjeve zgjedhore, ai nuk e pranon dështimin?

  1. Donald Tramp erdhi në pushtet me një ëndërr që e ktheu në parrullë politike plot

tingëllim, ndërkohë që ishte marrë gjithë jetën me biznes dhe jo me politikë: “Ta bëjmë edhe një herë Amerikën të madhe”. E cili amerikan nuk e ka këtë dëshirë? Cili popull nuk do të donte që vendi i tij të ishte siç mund të ketë qenë në kohët më të arta të tij? Dhe Amerika, më shumë se cdo vend tjetër ka pas vërtetë kohë të arta, sidomos këtu e më se 75 vite të shkuara, pas Luftës II Botërore. Trampi e përdori me sukses këtë parrullë, por besojmë se harroi që ligjet e zhvillimit të kapitalizmit janë objektivë dhe nuk varen nga vullneti as i një personi, as i një partie, apo qoftë edhe i një kombi të tërë. Ato ligje na e kanë thënë qartë prej kohësh, se vendet kanë e do të kenë gjithnjë një zhvillim të pabarabartë. Kështuqë, Amerika, vendi që shkëlqeu në rolin e liderit të botës gjatë shekullit të 20-të, prej nga zbatimi i Doktrinës Monro në fillimet e shekullit të shkuar e deri në thyerjen e bipolaritetit në kontrollin e botës me supefuqinë tjetër, ish- Bashkimin Sovjetik. Pas viteve 90-të, SHBA-të praktikisht vazhdojnë të jenë i vetmi vend lider i botës demokratike.

Por Amerika nuk e kishte më në dorë të ishte lider edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të mbarë botës, aq më pak të drejtonte si dikur proceset e ndërlikuara të progresit teknik e teknologjik në një botë që po bëhej gjithnjë e më globale, ndërkohë që në skenë dolën fuqi të tjera ekonomike: Kina, BE, India, Brazili etj.

Sot për sot SHBA janë akoma fuqia më e madhe ekonomike e ushtareke e botës. Por a do të jetë gjithnjë kështu?

E dëshirojmë, po fakt është që populli amerikan nuk e votoi Trampin, gjë që do të thotë se nuk ishte dakord me çfarë bëri ai gjatë katër viteve në pushtet për realizmin e parrullës së tij politike: “Ta bëjmë edhe një herë Amerikën të madhe”. Dhe kjo ndodhi, sepse në zbatimin e saj, ai bëri jo pak gabime, solli pakënaqesi etj.

  1. Ndërkohë, D. Tramp erdhi në pushtet si një populist, përballë një shoqëria me klasa

politike të konsoliduara, me shtresa plot interesa të kundërta, por në një bashkëjetesë normale në emër të ligjit dhe mbështetur në zbatimin e rreptë të tij, qoftë nga ata që e rreshtonin veten në krahun e majtë, qoftë në krahun e djathtë të politikës. Por, për fat të keq të tij dhe të SHBA, D. Tramp praktikisht u shfaq si një ekstremist i djathtë. Për pasojë, me shfaqjet e tij personale e autoritariste nuk arriti të hyjë thellë në filozofinë e popullit amerikan, ku bashkëjetesa e njerëzve me prejardhje të ndryshme etnike, racore, pasurore etj., krijuan kombin e madh e të fuqishëm amerikan. D. Tramp hiqej sikur të tillë e donte populli, duke harruar që para katër vjetëve erdhi në pushtet jo me votën popullore,- tre milionë më pak se H. Klinton -, por përmes votës se kolegjeve zgjedhore, që do të ishte fitore, por edhe sfidë për të në vitet në pushtet. Me sa duket, Ai shpresoi deri në fund se do të fitonte me të njëjtën mënyrë edhe raundin e dytë për president. Por, fitoret e djeshme, nuk bëjnë të fitosh me të njëjtën mënyrë edhe ndeshjen e sotme.

Ai, gjatë urshtrimit të pushtetit tregoi që bënte pjesë mes asaj kategorie njerëzish të ashtuquajtur “supremacistët e bardhë”, që urrejnë popullsinë me ngjyrë, ose afro amerikanët, latinët, indianët,

nga pikpamja etnike, dhe myslymanët nga pikëpamja fetare, e të tjera dallime. Me këto qëndrime, Ai cënoi unitetin tradicional të vendit të tij, gjë që e veazhdon.

  1. Është tjetër gjë të deklarosh, siç bënte Presidenti Tramp, që përpiqej të ndërtonte një

Amerikë më të mirë e më të pasur, duke e vënë theksin te ulja e papunësisë, përmes gjallërimit të ekonomisë dhe kthimit të kapitalit amerikan në vend, si shprehje e proteksionizmit në një botë gjithnjë e më të ndërvarur; e tjetër gjë t’i kundervihesh proceseve globalizuese që kanë përfshirë botën, sidomos në këtë shekull, duke thelluar raportet kontradiktore me vendet e tjera, qofshin aleatë a jo, për interesat e ngushta ekonomike të SHBA.

Amerika është e madhe dhe do të jetë e tillë si vepër e popullit amerikan, e demokrateve dhe e republkaneve, që e kanë qeverisur, dhe jo pasojë e ambicjeve dhe dëshirave të një personi a të një grupi personash. Parullat e premtimet vijnë e shkojnë, rezultatet mbeten.

Vetëm një tregues po të sjellim, konkretisht borxhin kombëtar të SHBA ndaj të tjerëve, kuptohet se nuk ka qenë edhe aq efektive qeverisja e reklamuar nga D. Tramp.

  1. Presidentit Tramp i quhet sukses që nuk e orientoi vendin e tij në ndonjë luftë të re, përfundim ky që mund të konsiderohet i saktë. Por dështimi më i dukshëm i politikës së tij, për të cilën populli në votimet e 3 nëntorit 2020 e ndeshkoi, mund të konsiderohet fakti që ai nxiti politika të tilla sociale, që e kthyen Amerikën në arenë të përplasjeve klasore dhe etnike, shfaqje që mendohej se ishin tejkaluar me presidencën e matur e largëpamëse të disa paraardhësve të tij, për ta mbajtur atdheun e tyre siç duhet të jetë- kampion i lirive dhe të drejtave të njeriut. Dhe rezultati i qeverisjes së tij është vërtet shumë shqetësues, sepse asnjëherë përgjatë shekullit të fundit ky vend nuk ka qenë më i përçarë se sot, ndërkohë që forca e Amerikës ka qëndruar tradicionalisht në unitetin e saj. Ky motiv krenarie i të qenunit amerikan është goditur rëndë dhe është zbehur, dhe presidenti D. Tramp ka përgjegjësinë e tij edhe në këtë aspekt.
  2. D. Tramp, si një politikan atipik, që veshi rroba pushteti, por nuk u bë kurrë një politikan vizionar me bindje të qëndrueshme, madje, duke vënë në plan të parë interesat e veta e jo ato të popullit amerikan, e shpërdoroi pushtetin, duke kritikuar pa arguemente bindëse paraardhësit e tij në Shtëpinë e Bardhë, duke drejtuar me një frymë autoritariste e familjare, duke ndërruar staf pas stafi, duke shkarkuar mbi të tjerët, jo vetëm demokratët e krahut tjetër politik, por edhe deri mbi të njohurit bashkëpunëtorë të tij të afërt; çdo përgjegjësi kur detyrat nuk ecnin, për të dalë gjithnjë vetë i larë, ai ua atribonte vartësve të tij. Por fakt është që vizioni i tij për pushtetin nuk shkoi më tej se ai i një biznesmeni, i cili përdor çdo rrugë e çdo mjet për të fituar, duke mos llogaritur që edhe të tjerët, me përvojë e interesa madje të kundërta me të, mund të jenë më efektivë e më të sukseshëm se ai.

6.Në politikën e jashtme D.Tramp prishi shumë punë në imazhin e perspektivën e marrëdhenieve të SHBA me aleatët e saj tradicionalë, qoftë shtet me shtet, qoftë me Bashkimin Europian, me organizmat e ndryshme ndërkombëtare, përfshi edhe NATO-n mbi 70 vjeçare, duke kërkuar të imponohet mbi liderët e vendeve të tjera dhe të organizmave ndërkombëtare, duke filluar nga OKB e deri te Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke ndërmarrë për pasojë nisma politike e gjeostrategjike që nuk rezultojnë se ishin ndër zgjidhjet më të mira për vendin e tij dhe botën demokratike.

Pavarësisht që u ngrit një akuzë për mbështetjen e Rusisë për ardhjen e tij në pushtet, gjë që nuk u vërtetua, fakt është që ai nuk ruajti marrëdhënie normale me këtë vend të madh e të fuqishëm, siç nuk krijoi raporte të drejta as me Kinën, vendi që dekadat e fundit ka bërë progresin më të madh ekonomik se çdo vend tjetër në botë, i cili edhe nga potenca ekonomiko-ushtarake është sot vendi i dytë më i fuqishëm i botës.

Edhe një përpjekje që bëri për t’u marrë vesh me liderin e Koresë së Veriut, pas tre takimeve me të, rezultoi i pasuksesshëm, siç nuk solli ndonjë zbutje të tensionëve në Lindjen e Mesme, as edhe paraqitja prej tij e Izraelit si “pëllumb paqeje”, duke futur një frymë përçarëse edhe mes vendeve arabe.

Një kapitull pa lavdi në administratën e tij mund të quhet edhe përpjekja për t’u imponuar në normalizmin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, qëndrim që shërbeu thjeshtë si kartë elektorale. Ishte më se e turpshme ndërhyrja e Trampit në marrëdhëniet e ndërlikuara mes Serbisë dhe Kosovës. Ajo ndërhyrje e tij ishte thjeshtë për përfitime të ngushta elektorale, thjeshtë për një spektakël, për t’u treguar se ai është arkitekt i paqes në botë, duke sajuar një marrëveshje që nuk thotë asgjë mes këtyre dy vendeve.

Në mënyrë të veçantë Trampi ka goditur rëndë organizmat ndërkombëtare, duke nisur nga Marrëveshjet botërore për Klimën, duke neglizhuar perspektivën shumë të zymtë që ka bota përpara si pasojë e ngrohjes globale, deri të tërheqja e fondeve amerikane për UNESCO-n e të tjera.

E, pra, është e çuditshme që ky personalitet, e paraqiste veten si pëllumbi i paqes, dhe për këtë madje thoshte që e meritonte çmimin Nobël, ndër të paktat gjëra që nuk i ka kritikuar në diskursin e tij politik e jo politik, ndryshe nga paraardhësit e tij kokëulur e punëtorë të nominuar me çmimin Nobël, përfshi presidentët Karter e Obama, si garantë të paqes në botë, nënpresidentin Al Gore, pikërisht për kontributin e tij dhënë për problemet e mprehta të ruajtjes së globit nga ngrohja globale.

7.Natyrisht, Pandemia Covi-19 dhe administrimi i pasuksesshëm i saj, kur sot shifra e humbjeve të jetës në këtë vend të madh ka kaluar 300 mijë, ka qenë një goditje e rëndë për reputacionin e Presidentit Tramp dhe administratën e tij. Kjo lëngatë botërore qe një barrë e rëndë që nuk e mbanin dot supet e tij , prandaj u përpoq ta shpërndate përgjegjësinë për të, duke filluar që nga këshilltarët e funksionarët më të lartë të këtij sektori në SHBA e deri te drejtuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të mos përmendur lojrat me shifrat e fjalët për qendrat shkencore kërkimore, për kompanitë farmaceutike, për ilaçet, për zyra e të tjera, që në fund të fundit për mëse një vit nuk kanë arritur ta bëjnë zap pandeminë.

Presidenti D. Tramp mbeti zbuluar në detin e pakënaqësisë popullore për administrimin e situatës, duke treguar që SHBA nuk janë në nivelet më të mira të kontrollit në shkallë botërore për situatën shëndetësore të popullit.

8.Nën pushtetin e presidentit D. Tramp u gjallëruan segemente të administratës së tij qe iu kundërvunë të drejtave dhe lirive të shtetasve. Furtuna që u ngrit ndaj policisë në disa raste, si në Viskonsin, në Oregon, Vashington etj, nuk janë thjeshtë kundër policisë, se e tillë ka qenë policia edhe në vitet e shkuara, e rreptë në zbatimin e ligjës, por më së shumti ishte kundër administratës së zotit Tramp që futi si elementë disekuilibri në shoqerinë amerikane dallimin e egër racial.

Për muaj me rradhë u fol për organizata e segmente të jetës politike në këtë vend që ishin jashtë kontrollit të shtetit, dhe mbi këtë bazë janë parë me trishtim e urrejtje nga kushdo, si në këtë vend ashtu edhe jashtë tij, aktet vandaliste që janë ndërmarrë në shumë shtete amerikane për dhunimin e shkatërrimin e përmendoreve të Eterve e figurave të tjera të shquara të jetës politike më se 200 vjeçare amerikane. Presidenti D.Tramp është përgjegjësi numur një edhe për këtë situatë.

Para z. Tramp ishte president Barak Obama, i pari president me ngjyrë në këtë vend, dhe nuk është e tepërt të kujtohet që edhe nën qeverisjen e tij ka pasë tepërime të dhunës policore ndaj segmenteve të veçanta të shoqërisë, qoftë edhe afro- amerikanëve, por askujt nuk i ka shkuar mendja të thyej monumentet e drejtuesve të bardhë të këtij shteti ndër shekuj, atyre që dhanë kontributin e tyre maksimal që të krijoheshin e forcoheshin SHBA dhe të ishte ky vend që është sot.

  1. Sikundër dihet, Posta është një ndër sektorët më të shenjtë të jetës sociale, politike dhe ekonomike në këtë vend, madje shembull për gjithë botën moderne. Mjafton të kujtojmë se Benjamin Franklin, një ndër Eterit e këtij vendi të madh, i cili afro 250 vjet të shkuara ka qenë ministri i parë i Postës Amarikane, ai që vuri themelet e saj. Tashti, në kushtet e pandemisë, D. Tramp, ndonse e vuri me dorën e tij drejtuesin qendror të Postës Amerikane, shfaqi rezervat e tij më të thella për funksionimin e saj, duke kërkuar që në këtë rrugë të deligjitimonte humbjen që mund të pesonte e që e pësoi realisht me votë.

Po shtrohet pyetja: Përse zarfet me postë nuk i dhanë avantazh atij, por zotit Biden? Pergjigja e kesa pyetjeje i jep të drejtë atyre që janë shprehur, se Trampi përgjegjesinë për humbjet e kërkon kudo, por asnjëherë te vetja.

  1. Sic dihet, me vdekjen e një gjyqtareje të Gjykatës së Lartë të SHBA, Trampi nxitoi, pa pyetur askënd, të propozojë me shpejtësi një tjetër gjyqtare, për të plotësuar boshllëkun në këtë organ, që në fund të fundit është filtri më i sigurtë i rregullimeve ligjore të çdo apekti të jetës amerikane, përvojë kjo e provuar ndër shekuj. Sfida që bëri Tramp kundër Kongresit, konkretisht kundër Dhomës së Përfaqësuesve që kontrollohet nga demokratët, për plotësimin e kësaj gjykate para zgjedhjeve, pati si qëllim të prishte ekulibrin mes të zgjedhurve nga njëra e tjetra parti. Por ky veprim, besohet, që ka pasë efekt bumerang, sepse kështu, duke parandjerë humbjen e me dëshirën që ta fitojë pushtetin në tavolinë, ai fyejti rëndë popullin votues, shenjtërinë e votës, sepse praktikisht i tha çdo amerikani: sido që të jetë vota jote, në fund të fundit Gjykata e Lartë do të më japi të drejtë mua.

Ky synim i tij nuk u realizua, siç u dhanë plot prova që nga fillimi i nentorit, si pasoj e integritetit që ka çdo gjyqtar e trupë gjykuese e çdo niveli në këtë vend të madh demokratik.

11.Është bërë zhurmë e madhe në këtë fushatë zgjedhore se gjoja Partia Demokrate në SHBA, parti që për afro dy shekujve e gjysëm ka nxjerrë gjysmën e presidentëve të SHBA, sot na qenka një parti me frymëzim marksist, madje më tej se kaq, thuajse puro komuniste, e të tjera e të tjera broçkulla të tipit Tramp e Grenëll, që nuk i hanë as injorantët e skajeve të këtij vendi të madh demokrarik. Komunizmi në Amerikë nuk ka qenë rrezik real as në kohën e të famshmit senatorit J. Makarti, e jo më sot. Vota e 3 nëntorit 2020 e hodhi poshtë edhe këtë alibi me frymëzim Trampist.

Si përfundim: Donad Tramp një ditë do të largohet nga Shtëpia e Bardhë, pavarësisht se akoma vazhdon të mos e pranojë humbjen. Sot atë po e braktisin edhe bashkëpunëtorë të ngushtë dhe figura të njohura të Parisë Republikane. Mbi zotin Tramp në vazhdim mund të hidhen gjithfarë akuzash, edhe të padrejta. Por një president që nuk paguan taksa, që drejton me familjen e tij të ngushtë, që sipas shtypit është përfshirë prej kohësh në skandale financiare e seksuale, që është shprehur haptazi kundër etnive e religjioneve të tjera, e kishte të vështirë, dhe jeta provoi që e pati të pamundur të gëzonte mbështetje aq sa të siguronte një mandat të dytë.

I vetmi që s’e kuptonte këtë ishte Ai vetë, gjë që tregon se pushteti të deh. Nuk gabojmë po të themi që Presidenti Donald Tramp është viktimë e vetvetes. Në postin më të lartë politik të vendit më të fuqishëm të botës erdhi nga bota e parave, jo e politikës.

Qëndrimet kundërshtuese që D. Tramp po mban për të mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve, janë shumë të dëmshme jo thjeshtë për të, por për Amerikën, për reputacionin e saj në botë, për shembullin që ka dhënë deri më sot si vendi kampion i lirisë e demokracisë.

Me largimin nga skena e politikës e zotit Tramp shprehim dëshirën që ky vend i mrekullueshëm të ketë fituar ekulibrin e tij moral, politik e ekonomik, i cili është një mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë.`

Tiranë, 17 dhjetor 2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *