Home

Lajme

Zija Vukaj – POLIGAMI MODERNE

No Comments Lajme Opinion

Tashmë nuk lejohet as të befasohemi nga kafshllëku i neveritshëm që na serviret nga skllevërit e gjasme qytetërimit bashkëkohor. Na rreh si çekan kërcënimi i modernëve: “Ç’keni, pse çuditeni? Pse i thoni e keqe hales amerikane? A nuk e dini që është hale amerikane? A nuk e ndjeni erën e mirë që kundërmon haleja perëndimore? Me këtë sens nënshtrimi dhe servilizmi provincial, majmunët shqiptarë që nuk kanë asnjë veti origjinale veç majmunepsjes, na sollën të gjitha ekskrementet sociale, të paketuara në trajta televizive nga të katër anët e globit. Këtu nuk ka risi, krijimtari, produktivitet. Ka kopje shkarravinaqe të emisioneve të televizionëve të vendeve të tjera. Transmetohen sidomos trajtat më të shpifura të zjarrmive dhe të mjerimeve Orwelliane, si fermë kafshësh, Big brother etj. dhe së fundmi, për turpin dhe nënshtrimin më fyes të qenies njerëzore të gjinisë femërore emisioni “Love Story”. Kush do të jetë vallë ai individ dykëmbësh që e sjell në botën shqiptare një perversitet të tillë. Një individ që ka meritën se është mashkull, ka shumë para dhe shëndet prej demi, jeton në një atmosferë patriarkati, në një stallë femrash të pafajshme shqiptare, gjë që ofendon, zhvlerëson, fyen, poshtëron në mënyrën më të përbuzshme gjithë njerëzit e gjinisë femërore. Një stil jetese më i zi se në traditën e sulltanëve. Haremi i tij freskohet çdo javë me prurje të reja viktimash, që presin të martohen me gallofin me pamje mëzati race, i cili don ta provojë çdo viktimë që sjellin prurjet e reja javore. Ky maskilizëm i neveritshëm proklamohet në kanalin televiziv, duke i bërë shërbim zhvlerësimit të femrës. Çuditem se si shoqatat e femrave që ankohen dhe militojnë për të drejtat e tyre dhe e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në qiell, nuk e shohin krimin që luhet ndaj tyre në tokë. Maskilizëm kriminal, sepse po të ishte feminizëm, do të kishim një situatë tjetër. Do të kishim njëzet meshkuj të cilët do të synonin të martoheshin me një femër, e cila do të zgjidhte njërin prej tyre, pasi t’i kishte provuar të gjithë si bostanin ose kungujt. Të tjerët do të ishin baxhanakë. Si tek “Vjeshta e Xheladin Beut”! Mirëpo, kjo gjë e ndyrë duhet gëlltitur me pëlqim, pasi është kopjuar nga jashtë. Dhe aftësia për të kopjuar shprehet në këtë mënyrë. Lot, vaje, pishina, puthje aksidentale, të dëshiruara, të qëllimshme, të paqëllimshme, të keqkuptuara. Një lumë libidik i pakontrollueshëm dhe një HARUSHAN potent, që lundron në këtë lumë dhe që tallet me genin e racës sonë; racë e lavdishme nga ku ka dalë edhe ai vetë.
(dash)

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *