Home

Lajme

Parashqevi Simaku, ikona e papërsëritshme e muzikës shqiptare

No Comments Argëtim Histori

“Në moshën e rinisë“, “E duam lumturinë“, “Më the të dua”, janë vetëm disa nga këngët me të cilat Parashqevi Simaku është ngulitur në kujtesën tonë.

“Një nga zërat më të rrallë të muzikës shqiptare. Ajo këndonte muzikën e lehtë, por këndonte shumë mirë edhe këngën popullore. Kur këndonte këngën e Qamiles, të rrënqethte mishin. Parashqevia është zëri femëror më i mirë i skenës shqiptare.”

Kështu është shprehur në një intervistë në vitin 2015 kompozitori Agim Krajku ndërsa shtoi se ajo është ‘një zë si ai nuk i vjen më Shqipërisë’.

Parashqevi Simaku ishte miti i viteve 80-90.

Ajo u lind në Kavajë më 1 shtator 1966. Dhe më pas u shpërngul në Durrës. Që e vogël filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitorë të talentuar.

“Unë jam vajzë e dy prindërve që si shumë të tjerë në Shqipëri nuk kanë pasur mundësi të përfitojnë nga puna e tyre. Kësisoj më është dashur të luftoj si për ëndrrat dhe për mundësitë ekonomike.Jam munduar sidomos të ndihmoj mesa mundem familjen time. Babai dhe nëna ime janë dashuria dhe mbështetja shpirtërore më e madhe që kam pasur ngaherë. Atyre iu dedikoj jetën dhe ëndrrat e mia. Ata ishin artistë të lindur dhe kultivuan e lejuan tek unë ndjenjën artistike, me gjithë thashethemet dhe ngacmimet e zakonshme që më rrethonin, e që asnjë prind s’dëshiron t’i dëgjojë për bijën e vet.

Unë nuk kam bërë asnjëherë me ta artisten, por fëmijën e përulur, vajzën që lan, pastron shtëpinë, që s’del, kur ata nuk duan, që para se të futet në shtëpi nga shfaqja, fshin trukun që ata s’e durojnë dot, që ju kërkon kohë, pak kohë për martesë, duke ju premtuar se padyshim një ditë do t’i gëzojë si cilado vajzë, prindërit e vet, me martesën e aq pritur”, kështu ka thë ajo në një intervistë në 14 shkurt 1997 për Rudina Xhungën.

Parashqevia këndoi në shumë festivale edhe Koncerte të Pranverës. Më 1985 (Festivali i 24-të i Këngës në RTSH) zuri vendin e parë me këngën “Në moshën e rinisë“, gjithashtu më 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në RTSH me këngën “E duam lumturinë”, kompozuar nga Pirro Çako.

Repertori i saj përfshin një numër të madh interpretimesh.

Pas vitit 1991 ajo largohet edhe jeton në SHBA, duke u marrë edhe atje me muzikën, dhe duke nxjerrë një album të ri. Hera e fundit që u shfaq në skenë ka qenë viti 1996 në Festivali i 35-të i Këngës në RTSH si e ftuar.

Ndërsa hera e fundit që Parashqevi Simaku ka ardhur në Shqipëri ishte në vitin ‘97-të. Në një intervistë dhënë asokohe për Rudina Xhungën në gazetën ‘Koha’, Parashqevia foli për romancën e saj me bashkëshortin amerikan, Robertin.

“Në 14 shkurt ’96, Robert, im shoq më propozoi martesë. Atë mbrëmje shkurti, ai më ftoi në restorantin Xhons të Beverly Hills, ku më dhuroi unazën e familjes së tij. Më pas mësova se po në atë restorant ishte martuar dhe Marilyn Monroe.”

Ajo tregonte se Roberti i dhuronte shumë dashuri, dhe sipas një liste që kish shkruar më parë, ku rendiste 10 vetitë që duhet të kishte bashkëshorti i ardhshëm, Roberti plotësonte 13.

Parashqevia u martua, lindi dhe një djalë nga martesa e saj me Robertin, Luke, por gjithçka mori fund në 2012-tën.

Më vonë u tha se këngëtarja pësoi një paralizë faciale, por gjithçka mbetej në kuadrin e thashethemeve. Asgjë nuk është dëgjuar nga Parashqevia vetë.

Ende sot, ‘e zhdukur’ për rreth 20 vite, Parashqevi Simaku mbetet një nga zërat më të mire që kemi pasur.

Më poshtë iu risjellim në kujtesë këngët e saj.

Këngët

Gëzimi i shtepisë së re (1983)

Në moshën e rinisë (1985)

Një mëngjes (1986)

Kur lulëzon bliri (1986)

Me sytë e tu (1987)

Çdo mëngjes

Çdo gjë bashkë ne e ndajmë

Buzë detit jemi rritur

Bashkëmoshatarët (1987)

Koha nuk na pret (1987)

E duam lumturinë (1988)

Gusht e prush (1988)

Jetoj (1989)

Nuk jam vetëm (1989)

Sonetë për vete (1990)

Lejla (1990)

Dëgjoma këngën (1991)

Se dashuria

Kur të prisja ty

Tik Tik Tak

Mes nesh është dashuria

Më the të dua

Në sytë e tu

Qyteti im

Shoqet

Bashkë ne të dy

Sytë e një vogëlushi

Dashuria e vërtetë

Pyes veten

Jehonë nga Iliria

Haxhireja

Ura e Shijakut

Pranvera do të vijë

Anës lumenjve

Dashuria

Se-sa

Jug-Veri

Kur jam me ty

Pak më shumë

Dielli

Përgatiti: Merita Hoxha

Burimi/urbannews.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *