Home

Lajme

Ira S. Kurti – Analiza ime mbi Fenomenin Ndragheta!

No Comments Lajme Opinion

Nisur nga lajmet e fundit me burim përgjimet e prokurorisë Italiane, konferencat për shtyp të Deputetit Taulant Balla, KM EDi Rama, gazetarit Dritan Hila dhe gazetares Alba Kepi nga Italia, dua të bëj një analizë sa më objektive pa rënë në asnjë lloj anëshmërie.
Nga ana Italiane vijnë sinjale se në Shqipëri bëhen pazare me fitime 20% për pushtetarë të lartë në këmbim për pastrimin e parave jo-ligjore (nuk po i quaj të pista, pasi për mendimin tim paraja në përgjithësi qysh kur lindi ishte e pistë) duke u përdorur në ndërtim dhe fusha tjera! Në titull e quajta fenomen, pasi nuk është hera e parë që ne marrim informacione nga prokurorite e vendeve të tjera si Italia, Zvicra, Germania, UK e USA.
Nga ana ligjore këto përgjime nuk përbëjnë fakte për ndalim e persukutim të atyre që u përmendet emri apo posti qeveritar. Sidoqoftë kjo është këmbanë alarmi për Prokurorinë!
Po çfarë bën Prokuroria deri tani? A kishte nevojë Prokuroria t’i vinin sinjalet nga jashtë? Nuk jetojne këtu, këta/o prokurorë, që të shohin realitetin e vendit?
1) Vetëm rreth sheshit Skënderbeg janë duke u ndërtuar 7-8 pallate shumë katësh. Ku i marrin fondet këto ndërtues?
2) Në disa raste pronarët e tokës janë në proçese gjyqësore, që dmth me ligj asnjë ndërtues nuk duhet të zhvilloj punimet pa marr formë të prerë vendimi gjyqësor! Por realiteti tregon se punimet po vazhdojnë dhe me ritme të shpejta.
3) Çmimi i shitjes së një apartamenti 100 m2 ndërtuar nga Enti i banesave më vitin 2000 ishte 2milion lek, sot çmimi nga rivlerësimi që ka bërë Qeveria është rritur 500% po për këtë banesë, pra sot sipas tyre ky apartament kushton 100milion lek. Po si e ka justifikuar Qeveria këtë rivlerësim?
4) Çdo ekonomist e kupton që një banesë hyn te Pronat e palujtshme të cilat kanë një koefiçient konsumi, dmth vlera e tij me kalim e viteve bjen (ulet), njëlloj siç bjen edhe vlera e një makine sapo fillon të eci në rrugë.
Le të analizojmë çfarë mund të ndikoj në rritjen e çmimeve të banesave?
a) A janë rritur të ardhurat e qytetarëve me 500% krahasuar me vitin 2000? Jo, nuk është rritur as me me 2%, pa përmëndur papunësinë në rritje.
b) A është rritur inflacioni në vend me 500% qysh nga viti 2000? Jo, gjithashtu inflacioni nga të dhënat e WB, apo Bankës së Shqipërisë është në masën 2.75% – 3%!!
c) A është rritur popullësia në vend? Jo, rastet e vdekjeve janë shtuar nga viruset, ndotja e tejmbushur e ambjentit, nga streset e sforcuara nga mos pasja e drejtësisë, nga emigrimi (daljet) me ritme të larta etj.
d) A janë rritur çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera me 500%? Jo, nuk janë rritur. Megjithëse ushqimet bazë nuk duhet të ishin të taksuar me 20%, përsëri nuk janë vënë re rritje më të mëdha se 3-30% (30% rritje kanë disa prodrukte të importit nga taksimet e shumëfishta, që përbën temë tjetër diskutimi)!
f) A kanë hyrë në vendin tonë imigrantë (hyrjet) si investitor që të justifikoj këtë rritje? Jo, nuk është futur asnjë investitor ndërtimesh serioz. I vetmi rast imigrimi janë refugjaët e Iranit të cilët kanë ndërtuar fshat-qytetin e tyre me fondet e tyre, pa influencuar tregun vendas për banesa. Kategori tjetër janë disa dhjetra apo qindra imigrantë nga vendet e tjera, por që nuk mund ta influencojë tregun e banesave që është me shumicë e pa kritere.
Pra çfarë llogjike ekonomike ka në rritjen e çmimeve të banesave me 500% deri edhe 700% veçse larja e parave jo-ligjore e cila shkatërron tregun e vërtet dhe marrdhënien kërkesë-ofertë, duke prishur moralin e punës së ndershme pasi i thotë njeriut të thjeshtë që jeton me ndershmëri t’i o futu me krimin e organizuar ose dhe në rrugën e krimit të paorganizuar ekonomik, ose vdis në varfëri e pa shtëpi? Mirëpo Shqiptari është i zgjuar, nuk nënshtrohet lehtë. Si ka thanë i vetquajturi mbreti Zog, mbretërve të tjerë -“Unë jam mbret i tre milion mbretërve”!! Sepse aq ka qënë popullsia Shqiptare atëhere.
Duke rrezikuar e duke sakrifikuar me gjak i janë futur rrugës së krimit shumë shtetas Shqiptar. Dhe kjo përbën dramën më të madhe Shqiptare nga ku, sa e sa, kanë humbur jetën në moshë të re, apo janë zhdukur pa u ditur drejtimi. Por edhe në rastet kur janë akoma gjallë gjumin e natës nuk e bëjnë rehat. Gjithë jetën do ja kenë frikën drejtësisë apo OFLsë 😜 pa përmëndur mallkimet e të pazotëve në punët jo-ligjore e fitim shumta.
5) A janë Gjykatat dhe Prokuroria institucione të pavaruara nga Ekzekutivi apo politikanët? Kam frikë se nuk janë të pavaruara dhe se në një vend të vogël ku vazhdon të mbizotëroj Nipotizmi e Tribalizmi bëhet akoma më e vështirë “pavarësia” në kaq shumë nivele varësie!
6) A ka të drejtë KM Rama t’i çfryjë gazetarëve dhe t’i akuzojë si të shitur pasi duan transparencë nga Qeveria Lokale dhe ajo Qëndrore? Jo, nuk ka të drejtë t’i fyej duke i futur të gjithë me një thes si të shitur. Të shitur duket të jenë vetëm disa, si D. Hila që të len përshtypjen që është i lidhur vet me korrupsionin , pasi nuk ka asnjë talent të veçantë nga ana profesionale veç lëpirjes së pushtetarëve që të ketë emisionin e tij në TV, kurse Adi Krasta të pushohej nga puna megjithëse është më i ngritur nga ana profesionale se Hila. Vet fakti si shkruan Hiladhe mënyra se si mbron të dyshuarit pavaresisht që Prokuroria nuk është shprehur akoma, dhe nga ana tjetër ul në pavlefshmëri prokurorinë Italiane, me argumentin e vetëm që ai vet e kishte vizituar Catalantën për dy ditë e mezi priste të kthehej te sarajet e betonit të Tiranës, asaj Tirane që tashmë i është shkallmuar historia, vlerat qytetare, arsimimi, biblotekat dhe njerzillëku, të bën të dyshosh te “shitja” e tij.!! Ndaj, nuk duhen përgjithësuar të gjithë. S’ka se si mund të jenë shitur ato që hetojnë dhe kërkojnë transparencë? Ku vajti etika e profesionalizmi i një gazetari?
7) A kishte të drejtë deputeti Taulant Balla (taubau) të akuzonte presidentin Meta dhe Kryetarin e PDsë Basha që përgjimet e prokurorisë Italiane janë të lidhur me to? Jo, nuk kishte asnjë të drejtë. Dhe jo vetëm kaq, por ai shkeli ligjin që ka aprovuar vet mbi shpifjet dhe defomacionin e këtyre emrave! Ç’mund të presim nga njerzit e thjeshtë kur lajmet e rreme i përhap një deputet? Ç’mund të presim kur një deputet nuk zbaton ligjin që ka propozuar Partia e vet dhe ai vet e ka votuar? Ç’mund të presim kur një deputet flet përpara se të flasi drejtësia?
8- Gazetarja Alba Kepinga pasi tregoj mbi ngjarjen, shtoj se çudia më e madhe ndodh tre ditë dhe pastaj harrohet.
Mbyllet sikur nuk ka ndodhur gjë akoma. Ndoshta mbyllet për njeriun e thjeshtë që nuk e ka as përgatitjen profesionale as fuqinë ekonomike të përballet me pushtetarët e fuqizuar ekonomikisht dhe të korruptuar, por nuk duhet e nuk mund të mbyllet për një sistem Drejtësie të pavaruar.
9) Në fund të fundit pse çdo shtetas Shqiptar paguan tatim-taksat? I paguajmë që të kemi një administratë shtetërore funksionale. Ky shtet paguhet e zgjidhet për të na shërbyer ne. Apo i marrim ne shërbimet nga kjo administratë ashtu siç duhet? Akoma nuk është plotësuar Gjykata e Lartë me gjykatës, dhe akoma nuk është futur me funksion të plotë Gjykata Kushtetuse.. Shtatë vjet me u gjetë personeli gjyqësor, në një vend ku kemi më shumë jurista seç kemi këpurdha. Por, gjithësecili t’ja japi vet përgjigjen kësaj pyetje themelore. Po SPAK çfarë po bën, apo e justifikon punën e arsyen pse u ngrit?
10) Përderisa informacionet mbi krimin e organizuar kanë ardhur gjithëmonë nga jashtë shtetit e ky realitet është kthyer në një fenomen, pse duhet ne akoma të vazhdojmë të paguajmë pagat e një administrate jo funksionale e aq më pak po i shohim të jenë vënë në shërbim të mirëqënies dhe mbarëvajtjes tonë!
11) A mendoni se ky sistem është komplet i kapur? Unë mendoj që po, qysh kur kryetarët e Partive kanë ngritur kultin e vet duke i hequr Sovranit të drejtë të zgjedhi vet përfaqësimin me deputet ne Kuvendin Popullor, çdo e drejtë Kushtetuese për njeriun e thjeshtë është mohuar e tjetërsuar. Atëhere nga kush pritet të na vijë drejtësia dhe mirëqënia?
12) A ka zgjidhje? E vetmja zgjidhje është REVOLUCIONI (me ndërhyrje të shpejtë) PAQËSORE! Populli i lodhur, i gënjyer, i vjedhur, i robëruar nuk mund të presi të iki Rama e të vij Basha se të dy këta janë bashkëfajtor në kapjen e këtij sistemi. Gjithë klasa politike 30 vjeçare ka dështuar, e nuk duam ti jepet më shanse këtyre lloj politikanësh që vjellin për njëri -tjtetrin, por nuk nërmarrin asnjë hap ligjor kundrejt atyre për të cilin akuzojnë/vjellin. Ne nuk kemi më durimin si komb që të presim sa gjërat të evolojnë (dmth ngadalë) drejt mirëqënies e mbarësisë. Nuk mund të presim sa të hakmerret njëri ndaj tjetrit e pastaj tjetri ndaj atij tjetrit siç kanë bërë shumica e atyre që mori pushtetin e pastaj ndau tepsinë! Shqipërisë i duhet një Qeveri Teknike që do sjelli bashkimin Kombëtar dhe funksionimin e një Shteti ligjor funksional nga profesionista me ndërgjegjje Kombëtare po aq sa edhe me moral e me edukatën e komunikimit qytetar. Që kjo Qeveri Teknike të filloj punën, duhet që të gjithë ne si popull ta kërkojmë me Referendum. Mirëpo këta specialista ja kanë hequr të drejtën Popullit për Referendum, ndaj e vetmja mënyrë është që populli të dali në Protesta pa afat deri në fitore. Po, prit se këto specialista po shfrytëzojnë virusin Corona dhe format e tij për të na ndaluar grumbullimet në protesta me akt normativ që shumëkush kujton se është ligj, por nuk mund të dali mbi Kushtetutën edhe sikur ta kishin kthyer në ligj. Një shtet që shton uniformat blu në vend që shtoj biblotekat e mësuesit e kualifikur, një shtet që blen më shume gazlotsjellës sesa u çon ujin e pijshëm në shtëpi qytetarëve të vet, një shtet që mbështet te trarët e të huajve (borxhi jashtëm, paratë nga informaliteti e krimi) është i destinuar për të dështuar.
REAGONI PËR TË ARDHMEN E VENDIT E PËR TË ARDHMEN E FËMIJËVE TUAJ, që të gëzojmë vendin tonë Mesdhetar, pa krim e duke minimizuar korrupsionin, e mbi të gjitha të kemi jetën e gjatë plot shëndet të pa shkurtuar nga krimi e mafja!
E juaja,
Ira S. Kurti

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *