Home

Lajme

R E C E N C E, nga Pr.Dr Eshref Ymeri – PER LIBRIN “DALLIMET PROGRAMORE MIDIS LPK & LDK – VESHTRIM KRITIK”, me autor Dilaver Goxhaj

No Comments Lajme Opinion

I dashur Kolonel Goxhaj,

     Vështrimin tuaj kritik, “Dallimet programore midis LPK-së dhe LDK-së.”, kushtuar programeve të dy partive - LDK-së dhe LPK-së, - e lexova jo vetëm me shumë kërshëri, por edhe me shumë kënaqësi. Mendoj se kjo analizë është në nivelin e një teme disertacioni për mbrojtje doktorature. Në këtë studim zbulohet jo vetëm përgatitja  juaj e shkëlqyer në lëmin e artit ushtarak, por edhe formimi juaj i admirueshëm, si një intelektual  me përgatitje erudite. Të dhënat shifrore, me të cilat ju keni pasqyruar  fakte të pakundërshtueshme, dëshmojnë më së miri për pasionin dhe vullnetin tuaj shembullor që janë gjëra karakteristike për një matematikan profesionist.

      Në studimin tuaj, mbi bazën e fakteve kokëforta, të parashtruara edhe nga bashkëthemeluesit e LDK-së, si Mehmet Kraja dhe Milazim Krasniqi, ju i keni bërë rezonancën magnetike LDK-së dhe vetë Ibrahim Rugovës, duke zbuluar arsyet e vërteta të përkrahjes së fuqishme që ai gjeti në shtresat e popullit shqiptar të Kosovës, përkrahje kjo që u konkretizua me anëtarësimin në radhët e saj të gati gjysmës së popullsisë.

      Ju keni shumë të drejtë: Beogradit të sllavoserbizmit duhet t’i japim hakun që meriton: sebosllavizmi, sapo shkeli në trojet ilire në shek. VII, aty ai njohu një popull rrënjës, i cili mysafirin e huaj e respektonte shumë më tepër sesa vetveten, prandaj nuk e pati fare problem ta nënshtronte, ta keqtrajtonte dhe ta skllavëronte, duke i  grabitur krejtësisht historinë. Pikërisht ashtu siç patën vepruar me pellazgët evgjitërit e luginës së Nilit dhe të gadishullit të Sinait. Prandaj Beogradi, me kohë dhe me vakt, kishte përgatitur programin dhe njeriun e duhur për ta vënë në krye të LDK-së - Ibrahim Rugovën, i cili, sa për sy e faqe, do të paraqitej si kundërshtar i Serbisë, por me vepra do t’i shërbente asaj me parullën e famshme paradoksale: pavarësia do të fitohet me rrugë paqësore. Me këtë parullë, ai gjeti mbështetjen e fuqishme të popullit shqiptar të Kosovës, sepse në psikologjinë e tij, të trashëguar brez pas brezi që nga lashtësia pellazgoiliriane, ka pasë qenë e rrënjosur ideja e bashkëjetesës me të keqen, me vuajtjen, me nënshtrimin, çka është shumë karakteristike edhe për formimin psikologjik të popullit rus. Është me të vërtetë e habitshme se si është e mundur që psikologjia e së keqes, e vuajtjes dhe e nënshtrimit në vetëdijen e popullit shqiptar, të ngjasojë kaq shumë me psikologjinë e popullit rus, i cili ndodhet mijëra kilometra larg trojeve tona etnike. Dostojevski e ka zbuluar bukur këtë psikologji të popullit rus dhe në ndonjë shënim që mund ta botoj së afërmi për popullin shqiptar të Kosovës, citatin e Dostojevskit do ta jap të plotë.

      Ju keni ballafaquar bukur mirë programet e dy formacioneve politike - LDK-së dhe LPK-së. Nga ky ballafaqim del qartë se UÇK-ja ishte pjellë e LPK-së, e cila kishte si objektiv kryesor ribashkimin  e të gjitha trojeve shqiptare në Jugosllavi, në kuadrin e krijimit të një republike të shtatë. LPK-ja u formua në emigracion. Po a e keni bindjen, i dashur Kolonel, se ky formacion ka pas qenë i imunizuar nga infiltrimi i shërbimit sekret jugosllav në radhët e veta? Sepse ai shërbim, krejt trojet tona etnike dhe krejt diasporën tonë në Perëndim, sidomos në Zvicër dhe në Gjermani, i ka pasë mbajtur nën një vëzhgim të rreptë. Dihet që grupet komuniste në Shqipëri, që gjatë viteve ’30, Beogradi i ka pasë survejuar imtësisht. Konsullatat jugosllave në Vlorë, Korçë dhe gjetiu, patën punuar me ngarkesë të plotë.  Prandaj lind pyetja: si është e mundur që LPK-ja, ideuesja e krijimit të UÇK-së, nuk mori në dorë drejtimin e saj politik? Kjo do të thotë se Beogradi ka punuar paralelisht për infiltrimin e njerëzve të vet edhe në radhët e LPK-së, edhe në krye të UÇK-së dhe, sipas bindjes së tij, infiltrimi në krye të UÇK-së ishte shumë i rëndësishëm për Serbinë, sepse nga radhët e UÇK-së do të dilnin krerët e formacioneve politike në shërbim të sllavoserbizmit.

Diku ju keni nënvizuar: “Rugova e vuri kombin shqiptar në Kosovë në shërbim të vetes së tij dhe jo në shërbim të kombit”. Duhet: e vuri popullin shqiptar të Kosovës në shërbim të vetes së tij dhe jo në shërbim të mbarë kombit shqiptar”.

Mendimi im përfundimtar është se studimi juaj është një enciklopedi e vërtetë, kushtuar jetës dhe veprimtarisë politike të Ibrahim Rugovës, një enciklopedi kjo, e cila, për herë të parë në historinë tonë mbarëkombëtare, e ravijëzon në një mënyrë të shkëlqyer portretin e tij, si një shërbëtor bukur i kamufluar në shërbim të sllavoserbizmit. Dhe pët këtë shërbim të vyer, Beogradi, popullin shqiptar të Kosovës, do ta shpërblente me pavarësi kur Mesia të zbriste në tokë për herë të dytë.

Urime nga zemra dhe përqafime miqësore.

Pr.Dr. Eshref Ymeri

Santa Barbara, Kaliforni

07 shkurt 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *