Home

Lajme

Ollga Schweizer Libohova, gruaja e Myfit bej Libohovës: Kontesha daneze e internuar në Lezhë, që shpëtoi 100 burra nga pushkatimi

No Comments Histori

Pas luksit dhe salloneve mondane, jeta e konteshës së lindur në Danimarkë do të merrte kthesë të papritur pas martesës me ish-ministrin e Brendshëm, Myfit bej Libohova. Internimi në një stallë derrash dhe vendimi për të mos e braktisur Shqipërinë, edhe pas vdekjes së të shoqit… Një histori dashurie dhe besnikërie e pashoq e lidhur ngushtësisht me vendin tonë. Eshtrat e madam Ollgës prehen ende sot në Varrezat e Tufinëst
Për të, banorët e zonës tregojnë histori, që u ngjajnë gojëdhënave. Histori që të kujtojnë subjektet e romaneve të Ismail Kadaresë. Të vjen ndër mend “Darka e gabuar”, pengjet e shpëtuar, por kësaj here nga një grua daneze. Bëhet fjalë për konteshën Ollga Schweizer, e martuar në Shqipëri me ish-ministrin e Brendshëm, Myfit bej Libohova. Gruaja e hijshme, e cila do të mbetej e ve pas 19 vjetësh, do të pësonte vite të tëra internimi dhe persekutimi familjar. Do të nxirrej forcërisht nga shtëpia me urdhër të Petrit Dumes, për të jëtuar në një kasolle pranë një stalle lopësh në Shijak. Punët që iu caktuan ishin nga më të rëndomtat, nga fushat e misrit te pastrimi i stallave. Më pas, jeta e vështirë e në skamje, së bashku me të birin e vetëm të lindur nga kjo martesë, do ta ndiqte edhe në internimin e dytë, në fshatin Tresh të Lezhës, aty ku ajo mbylli sytë për t’u varrosur në vitin 1963. Një nga dëshmitaret që e ka njohur nga afër, Fatbardha Saraçi Mulleti, tregon për takimin e befasishëm me konteshën, e cila rrinte në derën e kasolles, duke zënë hundët me dorë për shkak të erërave të forta të stallës pranë, ndërsa i biri, i kthyer nga studimet në Itali, bënte punë krahu në bujqësi e jo vetëm. Fshatarët e zonës përreth e tregojnë një grua bujare, e cila, edhe pse në skamje, i ndante ato pak gjëra me familjet aty pranë. Ollga Libohova u shqiptarizua deri në varr, duke mos e braktisur për asnjë ditë vendin me të cilin lidhi nyje ndjenjat, bashkë me jetën e saj. Vetëm pak vite më parë, nipi i familjes i zhvarrosi eshtrat e gjyshe Ollgës, për t’i afruar në Varrezat e Tufinës, vend ku prehen edhe sot e kësaj dite…

Zonja Fatbardha, ç’ju lidh ju me konteshën daneze Ollga Schweizer?

Fatbardha Saraçi Mulleti, mbesa e Qazim Mulletit, dëshmitarja që e ka takuar
nga afër konteshën Ollga

Billedresultat for Ollga Schweizer Libohova, gruaja e Myfit bej Libohovës: Kontesha daneze e internuar në Lezhë, që shpëtoi 100 burra nga pushkatimi


Është histori tejet mbresëlënëse ajo e konteshës daneze Ollga Schewizer, e cila mori mbiemrin Libohova pasi u martua me personalitetin e politikës dhe shtetit shqiptar, Myfit Bej Libohova. Jam njohur në detaje me jetën e saj, jo vetëm për efekt studimor, por edhe për faktin se e kam takuar nga afër, e kam njohur personalisht, dhe më vonë, më së shumti përmes nipit, Myfit Beu i Ri. Duke qenë se ishte bijë e një familjeje të pasur, i ati ushtarak i lartë, ndërsa e ëma nga shtresat e aristokracisë daneze, çdo dëshirë e Ollgës ishte urdhër për prindërit e saj. Ndaj, pas pëlqimeve për artin e muzikën në përgjithësi, i ati e dërgon për studime të specializuara për instrumentin e pianos në Turqi, vendi ku edhe do të njihej me shqiptarin Myfit bej Libohova, me të cilin u dashurua marrëzisht, deri sa vendosi të martohej dhe të lidhej përjetësisht me Shqipërinë.
Në ç’kushte e keni njohur atë?
Ka qenë viti 1959… Edhe pse isha e dëbuar familjarisht, si mbesa e Qazim Mulletit, nevoja për mësues bënte që, edhe pse të persekutuar, të caktoheshim në vende të ndryshme për të dhënë mësim, natyrisht ato që kishin përfunduar shkollën e mesme, si në rastin tim. Dhe atë vit mua më caktojnë në fshatin Tresh të Lezhës, ku edhe punova përreth 17 vjet. Isha mësuese biologjie dhe atë ditë kishim shkuar bashkë me nxënësit për të parë nga afër disa ferma, stalla të lopëve e derrave të zonës aty, me synimin për të parë si rriteshin ato, ushqimi etj. Menjëherë më bëri shumë përshtypje kasollja ngjitur me stallat, në derën e së cilës m’u shfaq një grua shtatlartë, e hirshme, së cilës i dhashë dorën. Nuk kam për ta harruar portretin dhe zënien e hundëve herë pas here për shkak të aromave të rënda dhe të forta që kanë stallat e derrave. Nuk jetonte në luks, e megjithatë buzëqeshjen nuk e hiqte nga fytyra.
Ç’pamje kishte kontesha?

Billedresultat for Ollga Schweizer Libohova, gruaja e Myfit bej Libohovës: Kontesha daneze e internuar në Lezhë, që shpëtoi 100 burra nga pushkatimi

Kontesha daneze Ollga Schweizer Libohova, gjatë viteve që jetonte në Shqipëri
Ishte grua simpatike, e cila edhe pse në moshë, nuk i kishte humbur sjelljet aristokrate. E rregullt dhe e dashur me fshatarët e zonës, me të cilët ajo tregohej shumë bamirëse. U falte ushqime e veshje nga të sajat e të të birit dhe këtë detaj ma rrëfyen më vonë edhe disa familje që kishin bashkëjetuar më të, deri ditën që ajo vdiq. Natyrisht që atë ditë nuk është se shkëmbyem biseda të gjata, thjesht mora vesh emrin e saj, pasi fliste shqip dhe shkarazi disa fakte se pse ajo ndodhej në atë kasolle, e vetme, pasi të birin ia kishin dënuar me 11 vite heqje lirie. E vuante vdekjen e të shoqit në moshë fare të re, pasi beu Libohova kishte ndërruar jetë në vitin 1927, vetëm 19 vite pas martesës së tyre. Ollga ishte gruaja e dytë e tij, pasi e para kishte vdekur.
Ajo nuk u largua pas vdekjes së të shoqit?
Edhe pse i shoqi ndërroi jetë në moshë të re, ajo nuk e braktisi Shqipërinë. Fillimisht jetoi në fshatin e të shoqit, në Libohovë, ku të gjithë e thërrisnin madam Ollga dhe ruanin respekt të veçantë për atë grua. Nuk ishte e fisme vetëm në gjenet e saj, por edhe në karakter, në mënyrën si i bënte njerëzit për vete me fjalët e ëmbla, me zërin e pakët, me dashamirësinë që dëshmonte duke u falur jo lëmoshë, por sende, veshmbathje dhe ushqime nga shtëpia e saj. Më në detaje, jetën e vërtetë dhe ngjarjet që pasuan për Ollgën, e kam njohur më vonë, pas takimit më të nipin, Myfit Beun e Ri, i cili vuajti në kurriz një kalvar të vërtetë persekutimi familjar.
Historitë që lidhen me jetën e kësaj gruaje, gati-gati u ngjajnë legjendave…

Billedresultat for Ollga Schweizer Libohova, gruaja e Myfit bej Libohovës: Kontesha daneze e internuar në Lezhë, që shpëtoi 100 burra nga pushkatimi

Myfit bej Libohova, ish-ministër i Brendshëm, i shoqi i konteshës
Është një histori, e cila rrëfehet pothuajse si legjendë, edhe pse ka shumë vite që ka ndodhur. Tamam si ato gojëdhënat që tregojnë gjyshet, por që në rastin e konteshës daneze ka vërtetësi absolute dhe këtë fakt ma ka treguar i nipi. Ka qenë viti 1944 dhe në operacionin e qershorit, forcat pushtuese gjermane kishin shkruar në fshatin Libohovë për të pushkatuar rreth 100 burra. Forcat gjermane kishin hyrë në fshat për të kontrolluar për partizanë, dhe duke qenë se Ollga njihte gjuhën gjermane, doli garant tek oficerët se në fshat nuk kishte më këmbë partizani rrotull. Por ata nuk u bindën dhe rreshtuan tek rrapi 100 burra. Ollga iu drejtua oficerëve se, në rast se do të qëllonin mbi ata burra, më parë duhet të vrisnin atë… Dhe kështu, ata shpëtuan nga pushkatimi. Dikush tjetër nga libohovitët kishte spiunuar se në një shtëpi të fshatit kishte disa partizanë që mbaheshin me bukë e ujë nga familjet dhe, të nesërmen, forcat gjermane u kthyen dhe u vunë zjarrin shtëpive të fshatit.
Çfarë ndodhi më pas me familjen e konteshës?
Ajo që pasoi, ishte skëterra e vërtetë e vuajtjeve të aristokrates. Në vitin 1945, me urdhër direkt të Petrit Dumes, familja Libohova u nxor me forcë nga shtëpia, duke iu konfiskuar çdo pasuri, një prej këtyre ishte biblioteka e familjes, për të cilën ishte dhënë urdhër që të gjithë librat të nxirreshin në fushë dhe të përdoreshin për të ndihmuar djegien e drurëve të zjarrit, ndërsa gratë e fshatit zienin kazanët me rroba për t’u larë. Ollga me të birin u internuan në Shijak, i vendosën në një stallë lopësh, ku qëndruan për më shumë se pesë muaj. Mes skamjes, Ollga ishte e detyruar që të bënte çdo punë krahu që i caktohej, dhe një e tillë ishte si pastrimi i stallave, ashtu edhe mbledhja e misrit në arë. Po nuk ankohej asnjëherë për lodhje apo mundime, tregonte i biri. Nuk i trembej punës dhe çdo ditë dilte pa përtesë në punë, ashtu si edhe gratë e tjera që kishin fat të ngjashëm me të. Djersët i kullonin çurg dhe mundohej në punë të rënda, të cilat me siguri as nuk i kishte çuar nëpër mend që mund t’i bënte ndonjëherë… duke ditur rrënjët e saj aristokratike. Ishte jetesë e vështirë, me të birin i cili e kishte të zorshme të ambientohej me aromat e forta të lopëve, të stallave. Por, ajo sërish kujdesej për vendin ku jetonte, e pastronte, e rregullonte këndshëm, edhe pse qëndronte në kushte varfërie ekstreme.
Po më tej?
U përndoq deri ditën që mbylli sytë. Me të përfunduar internimin në Shijak, i biri, Elmazi, vendos të largohet drejt Italisë me qëllimin për t’u shkolluar. Disa vite më vonë, me të përfunduar studimet, ai në vitin 1949 kthehet në Shqipëri me idenë se gjërat mund të kishin ndryshuar sadopak ose të ishin përmirësuar disi. Që ditën e dytë të qëndrimit në hotel, e arrestojnë me akuzën e arratisjes dhe agjitacion e propagandë. E dënojnë me 11 vite heqje lirie. Në po të njëjtin vit, Ollga internohet në fshatin Tresh të Lezhës, e vetme dhe në skamje të jashtëzakonshme. Sërish, fati kishte lozur keqas me të, dhe kontesha e djeshme caktohet që të jetojë në një kasolle afër një stalle, ku rriteshin derrat. Ndërsa puna e detyruar ishte ajo në bujqësi dhe pastrim të stallave. Ollga nuk e pa më të birin deri ditën që ai përfundoi dënimin, plot 11 vite.
Pse Ollga Libohova vendosi që të vdiste në Shqipëri dhe jo të largohej në Danimarkë pas gjithë atyre vuajtjeve që i shkaktoi regjimi komunist në vendin tonë?
Është e çuditshme mënyra si unë u ritakova me historinë e konteshës daneze… Sa herë që udhëtoja në linjën Shkodër-Tiranë, kur autobusi u afrohej varrezave të Lezhës, buzë rrugës automobilistike gjendej një varr madhështor, i mbuluar i gjithi me lule. Banorët i thoshin varri i madamës, e disa të tjerë varri i konteshës së huaj… Ajo që më bënte më shumë përshtypje se gjatë verës, lulet e bardha të kumbullës që rrethonin varrin e saj, çelnin gjithnjë dhe e mbulonin me hijeshi varrin prej çimentoje. Me sa duket, ishin fshatarë të zonës aty pranë, që e kishin njohur historinë ose të paktën kishin bashkëjetuar me të në internim në Lezhë që kujdeseshin t’ia ujitnin. Kurioziteti më mbeti i pashuar deri ditën që iu afrova varrit, ishte ai konteshës që kisha takuar para disa viteve… Ollga Libohova, e cila kishte mbyllur sytë në mjerim në vitin 1963.
A ka mbetur tashmë ndonjë pinjoll nga familja Libohova?
Elmazi, djali i vetëm i çiftit, u martua me një zonjë me emrin Myzafere. Nga martesa me të lindën tre djem. Elmazi, për shkak të vuajtjeve në burg dhe në hetuesi, ndërroi jetë vetëm disa muaj pasi vdiq e ëma. Pak kohë më pas, arrestojnë të shoqen, Myzaferen, me akuzën e agjitacionit e propagandës. Ajo, për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike që iu shkaktua, vdiq në burg. Djemtë e familjes Libohova janë tanimë të shpërndarë në emigrim, ndërsa disa vite më parë, Myfit Bej Libohova(i ri) erdhi në Shqipëri për të zhvarrosur eshtrat e gjyshes Ollga, e për t’i rivarrosur ato në Varrezat e Tufinës, vend ku prehen sot e kësaj dite.
ERMIRA ISUFAJ

Burimi/Panorama.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *