Home

Lajme

Robert Martiko – SARANDA DHE GRUAJA E PULËBARDHAVE

No Comments Argëtim Histori

Në Sarandën me të gurtat shkallë që drejt bregut zbresin si në arenë,
Në të njëjtin liqen a pellg ujor si në Valencia, Malagë dhe Barcelonë,
Toreador! Ti do të dallosh, pasi të kesh asgjësuar Minotaurin vrastar,
Se asgjë nuk barazohet me qiellin, frymën, lirinë e qytetit mesdhetar
Me hirin, Onkesmosin e lashtë Kaonian, Sebastën martire e Strabonë
Shtëpitë me bukamvile të purpurta dhe të bardhat olehandro lulëzuar
Me magjinë e bregut me stërkala si mikesha të tejdukshme zbukuruar
Qe mbi breg dhe shkëmb përplasen si perla e margaritarë të harbuar…
Dhe nëse mik i dashur ca më shumë përfytyrim në shpirt do të kesh,
Kur dallgët e pashpirta fërgëllojnë mbi anijen e vonuar në detin Jon,
Të ngritur në këmbë një kontinent të mbytur si Atlantida do të gjesh
Ndoshta vet Penelopën në lot e besë për burrin e vet humbur në hon,
Detarin e bukur, një hero-fantazmë që mbi avuj drejt Tokës lundron
Mbasi gruaja pa busull dhe hartë në pëlhurën e anijes shpresën gjallon
Për romancën e humbur poezi ajo bëhet me dallgët e humbjes prozë.
Krahëhapur iluzionin mban, gjergjefin vajzëror të ngrirë në një pozë.
E dashur, e hirshme në pamje Emilia, emri i saj latin këto cilësi shpreh.
Një grua ditësh të lira është ajo me zogjtë e bukur të gjendur përreth.
Shpirtin drejtuar natyrës e çajkat nuk kanë frikë kur hapet një portë.
Të ndryshojë stinët duket sikur kërkon, sfilitjen e hijes ngjyer në lot,
dallgët, shiun, ankthin, psherëtimën, mjegullën e errët dhe harmoninë
Si najadë honesh detare del gruaja në sipërfaqe për të thyer vetminë.
Në bregun e detit ajo kthehet në shpirt për zogj të guximshëm detarë
Mbijetesën admiron, gufimin në flatra, puplat e fryra me vrull fitimtar.
Të rrepta por edhe zemërbuta çafkat në qytetin e ngrohtë mesdhetar
Lëmoshën sulmojnë me pamje misteri ngushëllues me hir përdëllestar.
Dy janë mënyrat e njohjes së Planetit: ta bredhësh atë me xhepin plot
Ose, në mit antik fantazinë të kthesh, duke shpalosur gjithë një botë…
Vajtim i ndrojtur mendimi në zhaurimën gjigante në detin blu mellan
Shtegtar lartësish në besën shpirt të shoqëruar me albatrosë e gabianë.
Sfungjer i virgjër shpirti i gruas me zemrën ngjyer në të parën dashuri,
Që edhe fëshfërimën e butë trumcake pas derës e kthen në erë e stuhi.
Jo më kot çafkat kthehen në ëndrrën e një pranvere të brishtë në agim.
Klithma lirie në shpirtin plumb, duket sikur e pastrojnë atë në fluturim.
Dufit të zemrës i përngjajnë, kohës-lavjerrës që qan e qesh pa lajmëtar
Lind dhe nuk braktis qytetin, vetveten, romantizmi i ëmbël mesdhetar.
Det i fryrë me lot dashuria, rrëmujë dallgët, gabiani burrë e gruaja breg.
Aurorë, Diell e Dritë, Sarandë… ku zemra bie si frutë i pjekur në drekë
Gëzimi shoqëron në krahë pulëbardhat, kur shfaqen si një familje tërë
Re e dhimbsur ëndrra njerëzore, kur nuk mund të qëndrojë në këmbë.
Thesar është bot e gruas, kur e njëjtë mbetet. Edhe kur moti ndryshon.
Magji edhe dashuri e vërtetë, dritë në mug, mister, një yll që vezullon.
I lumtur kush në jetë shkëmben fatkeqësinë me një të bardhë mrekulli.
Zog pa mbrojtje njeriu në erë, ujë me shkumë, gjëmim e dallgë me furi.
Kur deti qetohet, dhuratën që e zgjedh e nderon si manë në shkretëtirë
Gruaja e çajkave qiellit i drejtohet, shpirtit mbijetuar diku në hapësirë
Me kujtimet e një detari të mbarë e me të pashlyeshmet kujtime në rini
Vegim i largët, yll i hirshëm, në një ditë ku të dashuruarit lindin përsëri…

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *