Home

Lajme

Hamdi Nuhiju – A duhet të krenohemi me numrin e madh të mërgatës?

No Comments Lajme Opinion

Në Republikën e Maqedonisë Veriore ka nisur procesi i regjistrimit të popullsisë, njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme në këtë shtet, qysh prej pavarësimit të saj në vitin 1991. Në këtë proces janë të përfshirë të gjitha subjektet politike shqiptare e maqedonase, organizatat religjioze, krerë shtetesh e organizatash jo qeveritare. VMRO-DPMNE-ja opozitare ka lënë shtegun hapur duke mbledhur nënshkrime nëpër sheshe për të bojkotuar regjistrimin e popullsisë. Theksi i VMRO-DPMNE-së në lidhje me bojkotimin e regjistrimit të popullsisë po vihet te falsifikimi. Sipas tyre po përgatitet një falsifikim masiv që do të jetë në dëm të maqedonasve e në dobi të shqiptarëve.

Disa herë si në kor krerët e shtetit e kanë përmendur formulën se regjistrimi i popullsisë është një operacion statistikor i cili nuk ka asgjë të përbashkët me politikën. Por, edhe lexuesi fillestar i ngjarjeve politike e di se mbi numra është ndërtuar multikulturalizmi në këtë shtet si dhe të drejtat e obligimet qytetare. Është e habitshme, por numrat dhe përqindja në Maqedoninë e Veriut tregon se sa mund të përfitosh prej buxhetit të shtetit. Disa herë, akademikët shqiptar në këtë shtet, si Izet Zeqiri, Abdylmenaf Bexheti etj, kanë publikuar të dhëna dhe informacione ku tregojnë për disproporcionin në shpërndarjen e drejtë të buxhetit, si dhe të dhëna për mbushjen e buxhetit nga remitencat që kryesisht vijnë prej mërgatës shqiptare.

Regjistrimi i popullsisë sipas definicionit as në shtetet etnikisht të pastra nuk mund të jetë operacion statistikor. Po një operacion që do t`i ndihmonte institucioneve të shtetit të ndërtonin politika dhe strategji zhvillimore për të ardhmen. Përmes regjistrimit të popullsisë kuptojmë se sa jemi dhe ku jemi të shpërndarë, si dhe në këtë mënyrë edhe i kuptojmë emergjencat të cilat duhet të na shqetësojnë.

Sikur regjistrimi i popullsisë të ishte operacion vetëm statistikor, VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk kishte nevojë të shqetësohej për falsifikimin e mundshëm dhe as që kishte nevojë të përmendte favoret dhe disfavoret e mundshme që do të dilnin prej saj.

Megjithatë, mërgata shqiptare ka nisur të mobilizohet. Kryeministri më i votuar shqiptar në Republikën e Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje drejt mërgatës shqiptare për t`u regjistruar, duke e quajtur këtë operacion si tejet të rëndësishëm për gjenezën tonë kombëtare.

Në medie është raportuar disa herë për probleme me të cilat po përballet mërgata jonë në lidhje me regjistrimin i cili po bëhet në faqen e hapur për këtë qëllim. Data e fundit e regjistrimit të mërgatës është 21 prill i vitit 2021. Ndërsa regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, brenda territorit të saj, nis nga 1 prilli dhe përfundon me 21 prill të vitit 2021.

Për të mënjanuar pengesat dhe dal në ndihmë mërgatës shqiptare, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë vënë në dispozicion qendrat e saj në diasporë. Jo vetëm ai, por edhe subjektet politike shqiptare si dhe organizatat religjioze janë vënë në dispozicion për t`i ndihmuar mërgatës tonë që të tejkalojnë problemet teknike dhe të kryejnë procesin e regjistrimit.

Ajo që po bie në sy kohëve të fundit është një lloj krenarie e numrit të madh të mërgatës e cila deri në këto momente është regjistruar. Individ dhe grupe të caktuara po krenohen se thirrja drejtuar mërgatës shqiptare për t`u regjistruar po shkon në vendin e duhur dhe gjërat janë duke ecur ashtu si duhet.

Ajo ku unë dhe këto grupe duhet ta vemi theksin në lidhje me këtë temë është pyetja: a duhet të krenohemi me numrin e madh të mërgatës? Kush i detyroi ato njerëz të ikin nga Maqedonia? Maqedonasit, lufta, apo paaftësia e pushtetarëve tanë për të zgjidhur problemet esenciale të shqiptarëve?

Dhe pyetja tjetër e cila është ende më e rëndësishme se e para, a e ndali pandemia Kovid 19 zbrazjen e mëtutjeshme të lagjeve, fshatrave, komunave e qyteteve shqiptare?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Tags: