Home

Lajme

“Nuk ka falje presidenciale për Thaçin nëse shpallet fajtor, s’ka referendum për Bashkim”

No Comments Intervista Lajme

Vjosa Osmani ka qenë e ftuar sot në HARDtalk të BBC-së në një intervistë të gjatë 23 minuta dhe në të cilën e gjeti veten shpesh në pozicion mjaft të vështirë

Ajo u prezantua si ushtruese e detyrës që mund të bëhet edhe presidente e re e Kosovës brenda pak javësh.

A mundet Kosova të dëbojë fantazmat e së kaluarës? – ishte tema kryesore në intervistën që Periskopi e ka përkthyer për lexuesit e saj nga gjuha angleze.

Pyetja e parë që i bëri gazetari ishte se ku ndryshonte ajo prej politikanëve të vjetër të Kosovës, por përgjigja e znj.Osmani nuk ishte aspak e elaboruar.

Ajo ka përmendur platformën anti-korrupsion, dhe konsistencën në mbajtjen e qëndrimeve që kanë pasur me Kurtin në dy dekada.

Në të vërtetë, kjo konsistencë mund të jetë e diskutueshme kur dihet se Vetëvendosje ka fshirë komunikatat nga faqja e saj zyrtare online.

Po ashtu, ajo është pyetur se si do të votonte në referendumin për Bashkimin me Shqipërinë, dhe a do të mbështeste burgosjen e Thaçit nëse shpallet fajtor nga Gjykata Speciale.

Intervista e plotë:

BBC:

Në çfarë forme do të thoshit se jeni e ndryshme nga garda e vjetër [e politikanëve kosovarë]?

VO:

Në shumë forma, në fakt, ani pse kam qenë pjesë e politikës për goxha kohë. E nisa [karrierën] shumë herët, kur isha 17 vjeçare – kështu që janë bërë më shumë se njëzet vjet. Unë nuk isha kurrë pjesë e Ekzekutivit kështu që kurrë s’kam pasur pushtet ekzekutiv në vendimet që janë marrë.

Por mendoj se [ndryshimi me të tjerët] fillimisht ka të bëj me platformën politike me të cilën garuam bashkë me kryeministrin në ardhje [Kurtin] që bazohet në platformën tonë anti-korrupsion… Ka edhe shumë arsye por praktikisht bazohet edhe te konsistenca që kemi shfaqur në politikë për dy dekadat e fundit që i kanë bindur qytetarët e Kosovës të na japin mbështetjen dominuese. Kjo tregon se një gjeneratë e re politike, jo sa i përket moshës por sa i përket mendësisë, më në fund do t’ju japë mundësinë popullit të Kosovës që të gjejnë perspektivën e tyre brenda vendit dhe jo të dalin jashtë.

BBC:

Ju përmendët që njerëzit po ikin nga Kosova… pse mendoni që ëndrra e Pavarësisë së Kosovës u kthye në kaq të keqe për aq shumë njerëz në vendin tuaj?

VO:

Pavarësia nuk ishte vetëm një ëndërr. Ai është realiteti aktual dhe Kosova do të qëndrojë. Ne do të mbesim shtet i pavarur dhe sovran. Por, është e qartë se pritjet e popullit sa i përket punësimit dhe drejtësisë ishin më të larta se ajo që u ofrua – kështu që këto pritje u zhgënjyen në shumë aspekte. Siç e thashë, një prej problemeve kryesore në vendin tonë, ishte krimi dhe korrupsioni, të cilat e kemi për qëllim t’i ndalim përmes aksioneve konkrete në qeverinë e ardhshme por në të njëjtën kohë besoj që është edhe vendosja e shembullit nga lidershipin i vendit. Kështu që 1 – ne do të udhëheqim përmes shembullit tonë, të tregojmë se jemi të pakorruptueshëm, se nuk bëjmë kompromise dhe se do të sjellim meritokraci. 2 – duke sjellë arsimim dhe punësim për të rinjtë bazuar në meritokraci.

BBC:

Por, znj.presidente pse duhet kosovarët e rinj t’ju besojnë juve? Sepse, le ta themi troç, ju pavarësisht rinisë që keni, ishit në politikë për goxha shumë kohë. Ju ishin shefe e stafit të presidentit [Sejdiu] më shumë se dhjetë vjet më parë. Kështu që ju jeni e brendshme, insajdere, ju nuk jeni në të vërtetë një autsajdere, një e jashtme. Ju keni bërë kompromise përgjatë karrierës tuaj.

VO:

Por, unë kam bërë kompromise që ishin në interes të vendit dhe në interesin e popullit dhe kurrë e kundërta. Dhe populli i Kosovës e di këtë gjë që është pse edhe më votuan mua dhe z.Kurti në listën tonë të përbashkët. Siç e theksova më lart, unë kurrë nuk kam pasur fuqi ekzekutive në vendim-marrje gjatë dy dekadave të kaluara. Kur unë isha andej, unë kisha rol këshillues… Të jesh në politikë nuk nënkupton gjithqysh të kishe rol në ato që ndodhnin.

BBC:

Tash ju po prezantoni një zgjidhje të qartë mes gardës së vjetër që thoni se ishte e korruptuar dhe gjeneratës së re që thoni se është e pasur. Por, a s’mendoni se gjërat janë më të komplikuara pak? Por, a s’mendoni që njerëzit të cilit ju po i quani të korruptuar tash, shumë njerëz në Kosovë i merrnin si “heronjtë e çlirimit të Kosovës”? Ajo që duket se po thoni është se këta njerëz që mbaheshin heronj për kaq gjatë, ishin në fakt mashtrues?

VO:

Jo, ky nuk është lloji i gjuhës që unë e përdori. Në fakt, unë nuk flas me absolutizëm. Krejt e kundërta, unë mendoj se çdo politikan në Kosovë ka vendimet e drejta dhe të gabuara gjatë karrierës. Ajo çka po provoj të them është se ka pasur shumë vendime të gabuara në të kaluarën. Unë nuk e kam përdorur termin “mashtrues” por ka pasur shumë vendime të gabuara që e vendosën vendin në rrugë të gabuar dhe që e bënë rininë ta humbte shpresën. Kësisoj, për atë arsye, vendit i vyente një fillim i ri e të cilën po e ofrojmë. Termi “shtet i kapur” nuk është përdorur nga ne në Kosovë për herë të parë – është përdorur nga Bashkimi Evropian për strategjinë e saj të zgjerimit… Ajo çka po them unë për periudhën e tashme, nuk ka të bëj me atë që këta liderë e kanë bërë në kohën e luftës.

BBC:

…siç ju e dini më mirë se unë, para-ardhësi juaj Hashim Thaçi tash ndodhet në Hagë duke u përballur me aktakuza shumë serioze të krimeve të luftës – bashkë me të tjerë figura të larta të UÇK-së. A e mbështetni atë proces?

VO:

Drejtësia nuk do të vihet në vend derisa Serbia të dorëzojë kriminelët që kryen krime e mizori kundër popullit të Kosovës. Kjo është një e vërtetë që askush nuk mund ta mohojë… kështu që drejtësia do të vihet në vend, të kërkojë falje dhe të sigurohet se ata që kryen ato krime të vendosen para drejtësisë…

Por, s’mund të ketë barazi mes asaj që Serbia ka bërë dhe asaj që disa individë mund të kenë bërë pas luftës.

BBC:

Znj. Presidente, lëri serbët të flasin për veten e tyre, sepse ata i kanë përfaqësuesit e tyre në këtë program. Ju jeni presidente e Kosovës dhe pyetja për ju është e thjeshtë: Nëse Hashim Thaçi shpallet fajtor për këto krime serioze – a do ta mbështesnit burgosjen e tij për një kohë shumë të gjatë?

VO:

Fillimisht duhet të flas për krimet që janë kryer nga Serbia – sepse ato janë bërë ndaj njerëzve që unë përfaqësoj… më duhet të flas për ata njerëz të Kosovës, për të gjithë ato familje të tyre…

Unë nuk mund të flas hipotetikisht, se cili do të ishte verdikti final kur e dimë se Kosova…

BBC:

Nëse shpallet fajtor, a do ta mbështesnit vendimin që e burgos një kohë shumë të gjatë? Apo – meqë jeni presidente – do t’i ofronit falje presidenciale.

VO:

Ligji ndërkombëtar nuk lejon që të ketë falje presidenciale për ato lloj krimesh që ju përmendët. Por, përgjigja është shumë e thjeshtë. Parlamenti i Kosovës i ka dhënë përgjigje para shumë kohësh, në vitet 2014 dhe në vitin 2014 kur kemi njohur juridiksionin e Dhomave të Specializuara. S’e kemi njohur pjesërisht, por plotësisht [edhe sa i përket dënimeve].

BBC:

Bashkimi Evropian e ka thënë shumë qartë se që Kosova të jetë në rrugën e integrimeve në BE, duhet të ketë jo vetëm dialog të vazhdueshëm por edhe paqe mes Kosovës dhe Serbisë. Aleati juaj, kryeministri Albin Kurti, ka thënë që vazhdimi i dialogut dhe kërkimi i paqes me Serbinë nuk është mes top-prioriteteve të tij. Ai e ka bërë të duket se nuk është i interesuar të vazhdojë dialogun me Serbinë?

VO:

Ai asnjëherë nuk e ka thënë se nuk është i interesuar që të vazhdojë dialogun me Serbinë. Por, njerëzit e Kosovës na kanë besuar në një platformë që bazohet në punësim dhe drejtësi… Këto do të jenë prioritetet tona. Kjo nuk nënkupton se nuk do të fokusohemi edhe në dialog. Kosova e ka zgjatur dorën e bashkëpunimit për Serbinë, edhe pse ata kurrë nuk kanë kërkuar falje.

Por, drejtësia si çdo kund në botë është parakusht për paqe. Kur të ulemi në tavolinën e bisedimeve, ne do të kërkojmë drejtësi për të gjithë viktimat.

BBC:

A jeni e zhgënjyer me BE-në. Pesë shtete anëtare të saj nuk ju kanë njohur si shtet të pavarur. Dhe ju ende nuk keni liberalizim vizash.

VO:

Ne i kemi mbushur krejt kriteret për liberalizim vizash. Kur vjen puna te pesë shtetet që nuk na kanë njohur, do të provojmë ta shkrijmë akullin sepse nuk ka asnjë arsye. S’ka asnjë ngjashmëri mes Kosovës dhe territoreve të kontestuara. Ne nuk do të dorëzohemi që ta forcojmë shtetësinë e Kosovës.

BBC:

Ju po folni për shtetësinë dhe pavarësinë – por aleati juaj, Albin Kurti, pak ditë pasi fitoi zgjedhjet u pyet se a do ta mbështeste një referendum për bashkim me Shqipërinë dhe ai tha Po. Nëse ju jeni partner, duket se ju nuk jeni rrugës për ta forcuar shtetësinë, por rrugës për t’u bashkuar me Shqipërinë.

VO:

Ne kemi qenë të qartë se jemi në partneritet për ta forcuar shtetësinë e Kosovës. Dhe unë kam qenë e qartë se besoj shumë te pavarësia e Kosovës. Z. Kurti dhe unë jemi përgjigjur qartë edhe sa i përket Kushtetutës së Kosovës.

BBC:

Si do të votonit ju nëse do të kishte një referendum për t’u bashkuar me Shqipërinë?

VO:

Nuk do të përgjigjem sepse sipas Kushtetutës tonë nuk mund të ketë referendum – dhe kushtetuta nuk do të ndryshohet asnjëherë. Në kontekstin aktual politik, unë besoj fondamentalisht në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Përgjigja ime është “Kosova është këtu. Kosova është përgjithmonë.”

Burimi/BBC/PERISKOPI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *