Home

Lajme

Fjalimi i plotë i deputetes së AlternAtivA-s, Safije Sadiki – Shaini në Kuvend në lidhje me procesin e regjistrimit

No Comments Aktualitet Lajme

I nderuari kryetar i Kuvendit, të nderuar kolegë deputetë, qytetarë të dashur,

Jemi sot në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku në mënyrë të dhunshme na është imponuar një propozim-ndryshim i Ligjit për regjistrimin e popullsisë. Siç më jeni të informuar, kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, që jo më larg se të hënën thoshte në një TV se “nuk shtyhet regjistrimi me marrëveshje politike”, dje nuk na la të bëjmë as amendamente në komision, ndërsa sot është bërë bajraktar i ndërprerjes së regjistrimit, madje duke e shkelur ligjin bashkë me kryetarin e partisë së tij e me shefat e kryetarit të tij, kryeministrin dhe kryetarin e VMRO-së
Të nderuar kolegë, duke qenë në këtë foltore do ta pyes së pari kryetarin e Kuvendit: kur e thoshte ai të vërtetën, atë natë në TV21, kur e rrihte tavolinën dhe thoshte se nuk ka shtyrje të regjistrimit apo dje kur na pengonte të propozojmë amendamente e sot kur na e ka sjellë në seancë plenare propozimin për ndërprerjen e regjistrimit? Ma merr mendja se këtu nuk ekzistojnë dy të vërteta. Ose je PËR ndërprerje të regjistrimit ose je KUNDËR. Nuk mund të jesh edhe PËR edhe KUNDËR. Prandaj, pyetja legjitime është se kush iu paraqit atij në telefon që ia ndryshoi mendjen? Nëse ai nuk na tregon, mbase ndonjëherë Zaevi ose Mickovski do të publikojnë audio-bomba të përgjimeve, nga shërbimet e tyre që i kanë në policinë sekrete, dhe atëherë do ta marrim vesh, porse ka dikush që ta ndryshon mendjen, kjo u pa më së miri në shembullin e tij.

Njeriu i dytë që duhet të na japë shpjegim sot është kryeministri i vendit. Ai, ndonëse e kishte rekomandimin e OKB-së dhe propozimin tonë që regjistrimin të mos e mbajë në këtë kohë pandemie, insistonte me ngulm të patjetërsueshëm se nuk ka shtyrje të regjistrimit. Bile, thoshte, se “pandemia nuk e ndalë regjistrimin” dhe se “ata që mund ta shtyjnë regjistrimin do të kenë përgjegjësi penale”. Dhe, ja, ai – pas takimin me kreun e VMRO-së – doli e tha se “do ta shtyjmë regjistrimin”. Kryeministër, ju lutem bëhuni i sinqertë! A më shumë ju trishtuan numrat e shqiptarëve apo numrat e të sëmurëve? Se ju numrat e të sëmurëve i dinit dhe ato priteshin, ama si duket u trishtuat nga numri i shqiptarëve. Sidoqoftë, duke ju mbajtur për fjale se “ata që e shtyjnë regjistrimin kanë përgjegjësi penale”, unë pres që Prokuroria të veprojë kundër jush dhe z. Mickovski, që keni bërë shkelje të këtillë të ligjit. Dhe, ndonëse tash mund të buzëqeshni se s’ka çfarë t’u bëjë askush, mos harroni se nuk shkon gjithnjë kungulli mbi ujë. Ndryshojnë pushtetet dhe ndryshojnë gjërat. Ajo lëndë nuk vjetrohet. Drejtësia vonon, por nuk harron.

Ndonëse nuk e kemi këtu, do të doja t’ia kujtoj edhe kryetarit të VMRO-së se ai – ndonëse është fituesi më i madh nga kjo shtyrje – njëherazi është bërë bashkëpjesëmarrës në këtë vepër penale. Natyrisht, e kuptoj arsyen e z. Mickovski dhe ai ka të drejtë në planin etnik. Ai dhe partia e tij bënin thirrje për bojkot dhe sikur ky regjistrim të vazhdonte, atyre vërtet mund t’u dilte keq hesapi. Prandaj, ai luajti mrekullueshëm – thjesht i shpëtoi maqedonasit nga dështimi, sigurisht duke e përdorë kryeministrin e zënë ngushtë dhe duke i instrumentalizuar disa shqiptarë, që sot janë bërë bashkë me të. Ai sot e shpallë fitoren etnike, edhe pse nesër mund të përballet me drejtësinë.

Të nderuar kolegë, ajo që më shumë se gjithçka më ka tronditur është secili është mesazhi që ne i dërgojmë bashkësisë ndërkombëtare. Cili është mesazhi për miqtë tanë ndërkombëtarë kur vendimet e këtilla shtetërore merren në takime politike monoetnike. Çka do të bëhej po ta bënin edhe shqiptarët një gjë të tillë? A do ia fillonim kështu segregimit. A mendoni se në çfarë ujëra të turbullt e shpini ashtu Maqedoninë e Veriut?
Pastaj, a nuk është turp për partinë shqiptare në pushtet që vendimin e saj për ta mbështetur atë marrëveshje e merr nga telefonata e kryeministrit. Pse ata nuk ishin pjesë e atij takimi? Apo vazhdon avazi i vjetër: dikur Gruevski ia kumtonte vendimet Ali Ahmetit, ndërsa sot e bën Zaevi. Nëse është kështu, ndërsa askush deri sot nuk na ka bindur se është ndryshe, kjo nuk është keq vetëm për atë parti, por për të gjithë shqiptarët.
Përveç kësaj, derisa flasim për relacionin tonë me ndërkombëtarët, a e dini se Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm në Europë që nuk ka regjistrim të popullsisë në 20 vjetët e fundit? Ky është skandal. Dhe, për të qenë edhe më keq, Maqedonia e Veriut është shtet që dy herë e fillon regjistrimin dhe dy herë e ndërpret. Një shtet i tillë, as më pak e shumë, llogaritet si i dështuar. Dhe, paramendoni një shtet që e shkel ligjin, që nuk mund të organizojë regjistrim të popullsisë dhe që dy herë e ndërpret regjistrimin, pretendon të bëhet anëtar i BE-së,madje e keqpërdor flamurin e BE-së për ta kontrabanduar ligjin në Kuvend.

Këtu dua të theksoj se kjo që po ndodhë është vetëm për një arsye: nëse shtetin e keni ndërtuar në bazë të përqindjeve të popullsisë, ato përqindje gjithnjë do t’u rrinë si shpatë Demokleu mbi kokë. Prandaj, ne kemi kërkuar të bëjmë ridefinimin e këtij shteti, si shtet dykombësh, pa i pasur frikë përqindjet, ose si shtet i deetnizuar plotësisht qytetar, ku asnjë etni nuk është mbi tjetrën dhe ku qytetari është bartësi i sovranitetit. Siç është Republika e Kosovës. Por, meqë të dyja këto ende shihen si tabu-tema, sot ju duhet të bëni shkelje ligjore dhe të turpëroheni në këtë mënyrë.

Kolegë të nderuar, dua që këtu t’u drejtohem edhe drejtuesve të Entit të Statistikave, instruktorëve dhe regjistruesve. Me faktin që dje e sot ata nuk e vijojnë punën e regjistrimit të popullsisë ata bëjnë shkelje ligjore dhe për këtë do të kenë përgjegjësi penale. Nëse jo sot, sepse sot i mbrojnë shefat, dikur do të kenë. Lënda vjetrohet, por jo edhe faji.

Me këtë rast dëshiroj t’u drejtohem edhe kolegëve shqiptarë të BDI-së, atyre që e mbështesin këtë propozim. Të dashur kolegë, unë e kuptoj shqetësimin e Zaevit e të Mickovskit. E di se ata i ka trishtuar masiviteti i shqiptarëve për t’u regjistruar. E di se ata i ka dëshpëruar thirrja e kryeministrave Kurti dhe Rama që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të regjistrohen dhe, ndonëse nuk pajtohem, Zaevit e Mickovskit u jap të drejtë, ama juve çfarë ju shtyri të bëheni me ata? A edhe juve ju pengon numri i shqiptarëve? Sepse unë nuk kam shpjegim tjetër. Veç mos ma përmendni pandeminë! Sepse kur ne u thoshim “mos bëni regjistrim në kohë pandemie”, ju i refuzonit amendamentet tona dhe qeshnit me qesëndi. Andaj, tregojeni arsyen e vërtetë e mos u fshihni! Pse edhe ju jeni bërë bashkë me VMRO-në e LSDM-në e kundër shqiptarëve? A jeni aq të kapur apo ju ka detyruar lideri juaj? Tregoni, mos e keni dert. Ne mund t’ju mbrojmë nëse jeni të kërcënuar. Sidoqoftë, unë po ju flas si shqiptare, pra jo si deputete e Alternativës dhe e koalicionit opozitar shqiptar: në dorën tuaj është që ta bllokojmë këtë plan maqedonas e antishqiptar. Bashkohuni me ne në votimin e shumicës së Badenterit që të dëshmojmë se në këtë shtet nuk vendosin Zaevi e Mickovski dhe se pa shqiptarët nuk mund të merren vendime. Ejani të votojmë kundër propozimit të tyre! Duke votuar kundër këtij propozimi, ju bëheni pjesë e zemrave të të gjithë shqiptarëve anekënd botës. Prandaj, lëreni çka ju thotë lideri juaj. Ai e ka hallin e tij. Mendojeni ju të ardhmen tuaj. A doni të regjistroheni si shqiptarët që janë vagonë të Zaevit e Mickovskit apo dëshironi të jeni ndryshe?!

Sidoqoftë, do ta përfundoj fjalën time duke i ftuar të gjithë deputetët e këtij kuvendi që mos ta votojnë këtë ndërprerje të regjistrimit, sepse ashtu i dërgojmë mesazh botës se shteti ynë është i paaftë dhe nuk ka kapacitet për organizim të regjistrimit.
Pastaj i ftoj deputetët shqiptarë që mos të bëhen vegla të partive maqedonase, por ta mbrojnë interesin e votuesit shqiptar. Nga vota shqiptare varet a kalon ky propozim. Unë e përgëzoj një deputet të BDI-së që ka marrë guxim të mos e votojë këtë nënshtrim dhe i inkurajoj edhe deputetët e tjerë që ta rimendojnë qëndrimin e tyre. Jeta është e gjatë.

Duke e përfunduar fjalën time, dëshiroj ta falënderoj mërgatën tonë të mrekullueshme që edhe kësaj radhe na ka befasuar këndshëm me angazhimin e saj, duke na bindur se ata nuk janë vetëm injeksioni vjetor financiar i këtij shteti, por janë edhe vaksina imunizuese e identitetit tonë në këtë shtet. Ju faleminderit nga zemra, mërgatë e dashur.

Ju faleminderit!

Safije Sadiki – Shaini

02.04.2021

Burimi/portaliarena.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *