Home

Lajme

Fitorja E Ramës Në Shqipëri, Shuplakë Për Albin Kurtin

No Comments Lajme Opinion

Nga Mero Baze

Shqipëria i dha dje mandatin e tretë për qeverisje Partisë Socialiste dhe kryeministrit në detyrë Edi Rama, me një rezultat të qëndrueshëm, që sipas projeksioneve do të shkojë tek 75 mandate, pas një fushate zgjedhore të tensionuar nga ngjarja tragjike në Elbasan dhe thirrjet e presidentit për dhunë, që rrezikuan procesin zgjedhor.

Por shqiptarët ja plotësuan një dëshirë presidentit. Ata i kthyen zgjedhjet në një referendum, siç ëndërronte ai.

Së pari, zgjedhjet u kthyen në një referendum historik, pasi për herë të parë në këto 30 vjet, një forcë politike merr një mandat të tretë kaq të qartë, dhe ndëshkon një përpjekje 8- vjeçare të Partisë Demokratike në opozitë, për të mos u reformuar, duke tentuar të trajtojnë shqiptarët si budallenj, që nuk e kuptojnë se kush po kërkonte pushtet.

Nën shpresën se shqiptarët nuk mund t’i jepnin për herë të tretë mandatin Edi Ramës, opozita shqiptare dhe konkretisht ajo që udhëhiqet “de facto” nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, shpresuan se do të riktheheshin në pushtet, pasi kishin mundur të mos ndëshkoheshin nga ligji për keq qeverisjen e tyre.

Por atë që nuk e bëri dot sistemi i drejtësisë, e bëri drejtësia popullore e votës së 25 prillit, duke i identifikuar si një e keqe që nuk mund të marrë më pushtetin në Shqipëri.

Sa më shpejt ta kuptojë këtë Partia Demokratike, aq më mirë është për të.

Lulzim Basha, i cili tentoi pa sukses të bëjë një fushatë që harxhonte më shumë energji për të na tërhequr vëmendje që të mos shikonim Sali Berishën dhe Ilir Metën, se sa të simpatizonim atë, nuk ja doli të na bindë as ne, as ata.

Shqiptarët dëshmuan se ishin shumë të qartë, se pas Lulzim Bashës fshihej rikthimi në pushtet i Sali Berishës, familjes së tij kriminale dhe Ilir Metës, me gjithë bëmat e tij.

Së dyti, rezultati i zgjedhjeve ishte dhë një referendum për disa pikëpyetje të mëdha që ngriti presidenti formal i vendit, për të ardhmen e raporteve të Shqipërisë me aleatin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ilir Meta hodhi në referendum, interesin tonë kombëtar në raport me SHBA.

Dy ditë para zgjedhjeve, presidenti në detyrë i Shqipërisë, akuzoi SHBA se kishin një plan për eleminimin fizik të tij në Malin me Gropa, dhe relativizoi raportet e Shqipërisë me SHBA, duke deklaruar se mund të zgjidhnim mes SHBA dhe Rusisë, apo Koresë së Veriut.

Deklaratat shokuese, lehtësohen nga fakti që presidenti konsiderohet gjerësisht si një njeri me çekuilibër psiqik, por fatkeqësisht, ai është ende në zyrën e presidentit.

Rezultati i zgjedhjeve detyron shumicën e dalë nga zgjedhjet, të zbatojë vendimin e këtij referendumi popullor, për të zgjedhur mes interesit tonë kombëtar, që është miqësia me SHBA, dhe qëndrimeve të presidentit, duke e nxjerrë atë nga zyra një orë e më parë, si simbol të degradimit dhe mos përfaqësimit të interesit tonë kombëtar.

Së treti, rezultati i zgjedhjeve, pas një procesi që siç e tha dhe Ilir Meta, meritonte “një dhjetë me yll”, është një zgjedhje e shqiptarëve mes Edi Ramës dhe ofertave fallco përballë tij. Mandati për të është i qartë, i pavarur dhe i pakushtëzuar nga askush, që i jep atij mundësi të ofrojë bashkëpunim me faktorët konstruktiv të opozitës, që duan vërtet të ndahen nga një histori konfliktuale tridhjetë vjeçare, duke errësuar perspektivën tonë perëndimore.

Edi Rama është votuar pa asnjë dilemë nga votuesi shqiptar, edhe pse ka pas dhjetëra arsye të ndjehej i lodhur prej tij, prej problemeve të keqqeverisjes, korrupsionit të pamposhtur ende në administratën e shtetit dhe stilit të tij të pazakontë të komunikimit me publikun dhe ndryshimit të vazhdueshëm.

Albin Kurti është një delirant i sëmurë, që meqë ka arritur një herë të marrë 50 për qind të votave me një koalicion laraman, ku kishte brenda enveristë, djathtistë, myslimanë, ateistë, viktima të dhunës dhe dhunues, e gjithçka tjetër, i duket vetja lider para Edi Ramës, i cili e ka herën e tretë radhazi që votohet personalisht me mbi 50 për qind të votave të shqiptarëve, por nuk i jep leksione askujt për këtë.

Dhe të mendosh që tani, ai do të duhet të vijë në Shqipëri, jo më si kryeministër i Kosovës, por si përfaqësues i opozitës së humbur në Shqipëri, në vend të Ilir Metës, Sali Berishës, dhe Lulzim Bashës. Arriti ta identifikojë dhe Kosovën me të keqen në Shqipëri.

Burimi/gazetatema

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *