Home

Lajme

Shqipëria po e shqyrton bashkimin e mundshëm me Kosovën

No Comments Lajme Opinion

Serbia dëshiron hegjemoninë rajonale, ndërsa Shqipëria dëshiron një shtet të bashkuar kombëtar me Kosovën. Serbia mund të rishikojë një federatë të re të tipit të Jugosllavisë, që do të përjashtonte Kosovën…Blerim Reka

Pse bashkimi shqiptar është më realist se integrimi rajonal hegjemonist serb? Thirrjet për shtete të mëdha nga vendet e vogla të Ballkanit janë rikthyer dhe ka të ngjarë të ndikojnë në diskursin politik të rajonit edhe në dekadën e ardhshme. Serbia do të donte të rikthente hegjemoninë e saj rajonale, duke integruar ekonomikisht vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipërinë. Nga ana e saj, Shqipëria po shqyrton një bashkim të mundshëm me Kosovën. Këto zhvillime tregojnë se si të njëjtat tensione serbe-shqiptare, që kanë ekzistuar për dekada do të vazhdojnë të dominojnë gjeopolitikën e rajonit. Paqja do të varet nga gjetja e një zgjidhjeje për këto dy identitete nacionale

Si mund të ndodhë kjo? Janë tre skenarë të mundshëm.

Më pak e mundshme do të ishte rikrijimi i shteteve tradicionale nacionale, popullatat e të cilëve do të kishin të njëjtën përkatësi etnike dhe flasin të njëjtën gjuhë. Kjo, sepse do të kërkonte një ridizajnim të hartës e me siguri do të shkaktonte luftëra të reja.

Skenari i dytë do të ishte një lloj integrimi rajonal. Kjo mund të ndodhë – sado vështirë – në formën e një konfederate të madhe ballkanike, që do përfshinte të gjitha ose shumicën e vendeve. Por, më shumë ka të ngjarë që të modelohet si dy unione ndër-rajonale: një me bazë Serbinë; dhe tjetri rreth Shqipërisë, pra si një Ballkan me dy marshe (shpejtësi).

Loja pa fitues +

Për momentin, asnjëra prej këtyre zgjidhjeve nuk është e pranueshme as për Serbinë dhe as për Shqipërinë, të cilat të dyja e shohin gjeopolitikën në rajon si një lojë pa fitues. Serbia dëshiron hegjemoninë rajonale, ndërsa Shqipëria dëshiron një shtet të bashkuar kombëtar me Kosovën – secila e papranueshme reciprokisht.

Në teori, megjithatë, ato krijesa nuk janë reciprokisht ekskluzive. Serbia mund të rishikojë një federatë të re të tipit të Jugosllavisë, që do të përjashtonte Kosovën, e cila do të bashkohej me Shqipërinë. Por, ridizajnimi i hartës në këtë mënyrë jo vetëm që do të sjellë kosto të mëdha ekonomike, por do të shkaktonte tragjedi të reja njerëzore. Krijimi i unioneve të reja dhe shteteve nacionale është e mundur vetëm nëpërmjet marrëveshjes dypalëshe ose shumëpalëshe – si ajo e RFGJ me Bashkimin Evropian ose me ribashkimin e Gjermanisë pas vitit 1989. Kjo do të ishte e pamundur në Ballkan, duke pasur parasysh armiqësitë e tanishme midis shteteve. Do të mund pasonte një luftë, e ndjekur pastaj nga një përpjekje ndërkombëtare për t’i bashkuar palët në një konferencë paqësore sikurse ajo e Dejtonit.

Me bashkësinë ndërkombëtare të preokupuar me probleme më të mëdha në Korenë e Veriut, në Siri dhe në Ukrainë, është e vështirë se fuqitë botërore do të shpenzonin energjinë apo kapitalin politik duke u përpjekur për t’i rregulluar kufijtë edhe një herë në Ballkan.

Hegjemonizmi serb

Në prill, presidenti i sapozgjedhur serb, Aleksandar Vuçiç i bëri të qarta synimet e tij, kur u pyet në një intervistë me Politico për vizionin e tij për një rajon, zonë të integruar të tregtisë së lirë në rajon: “Është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipëria”, duke u përgjigjur, se “është një ide politike, por pa rrezikuar sovranitetin (e shteteve të tjera)”.

Por, përse shqiptarët dhe të tjerët në rajon do ta pranonin këtë formë të integrimit politik, kur Serbia për 20 vjet kishte refuzuar vetë të bashkohej me organizatat e propozuara nga Kosova (Zona e tregtisë së lirë në Ballkan- BAFTA), nga Shqipëria, (Beneluksi i Ballkanit) ose nga Mali i Zi (WB 6)? Dhe pse do të ishte i nevojshëm një treg i tillë i ri i përbashkët, kur të gjitha vendet e rajonit dhe Moldavia, tashmë janë pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) që nga viti 2006?

Në muajin maj, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thanë se nëse nuk ka progres drejt anëtarësimit në BE, nuk mund të përjashtohet as bashkimi Shqipëri-Kosovë, si një përgjigje ndaj propozimit të presidentit Vuçiç.

Mediat dhe politikanët serbë u alarmuan, duke hedhur poshtë mundësinë e një “Shqipërie të madhe” – një entitet që jo vetëm do të përfshinte Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe pjesë të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Politikanët shqiptarë dhe kosovarë i hodhën poshtë këto pretendime si propagandë serbe. Diplomatët perëndimorë u bënë thirrje politikanëve shqiptarë dhe kosovarë që të jenë më të kujdesshëm me fjalorin e tyre, pasi biseda për bashkimin Kosovë-Shqipëri mund t’i ringjallë thirrjet për t’i bashkuar të gjitha hapësirat serbe në Ballkan.

Ideja e presidentit serb Vuçiç është jorealiste për të paktën tri arsye: përbërja nacionale e shteteve që ai dëshiron t’i integrojë, orientimet e ndryshme strategjike dhe shqetësimet ekonomike të këtyre shteteve.

Kur bëhet fjalë për përbërjet etnike të shteteve, shqiptarët dhe serbët janë kombet më të mëdha në rajon, ku ka edhe boshnjakë, maqedonas dhe malazezë. Ekzistojnë gjithashtu tri grupe kryesore fetare: të krishterë ortodoksë, myslimanë dhe katolikë. Tensionet ndëretnike dhe ndërfetare çuan në një luftë të përgjakshme, kur Jugosllavia u shkatërrua në vitet 1990. Këto tensione ende luajnë një rol të madh dhe është jorealiste të pritet që të gjitha këto grupe papritmas do të pajtohen që të jetojnë nën një kulm.

Sa i përket orientimit strategjik, duket e vështirë të imagjinohet një entitet i vetëm ballkanik i përbërë nga vende me dy orientime strategjike të kundërta: njëri pro-NATO dhe tjetri pro-Rusisë. Shqipëria dhe Mali i Zi janë tashmë anëtarë të NATO-s, ndërsa në Kosovë ka një kontingjent të madh të NATO-s, (KFOR).

Maqedonia nuk është ende anëtare e NATO-s, por nënshkroi një partneritet me Shtetet e Bashkuara në vitin 2008 dhe qeveria e re bëri të ditur një orientim të qartë euroatlantik. Vendi është bërë një pikë e fortë grindjesh midis dy blloqeve. Në fund të prillit, mbështetësit e partive pro-ruse sulmuan Parlamentin duke plagosur dhjetëra persona, përfshirë së paku tre deputetë. Dyshohet se Moska ishte pas agjencisë së inteligjencës serbe (BIA), përfaqësuesi i së cilës, Goran Zivaljeviq, diplomat në Ambasadën serbe në Shkup, ishte i pranishëm brenda! Në maj, ambasadori rus në BE, Vladimir Chizhov deklaroi se Rusia mund të jetë një “alternativë e integrimit euroatlantik” për Maqedoninë. Kjo shton spekulime se bllokada greke e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO në samitin e Bukureshtit në 2008-ën mund të jetë pjesë e strategjisë së gjerë të Moskës për parandalimin e integrimit të rajonit në Aleancën Veri-Atlantike.

Bosnjë e Hercegovina gjithashtu nuk është në NATO, sepse rajoni më i madh i saj serb, Republika Srpska, ka vënë veton ndaj një lëvizjeje të tillë, nga fakti se Republika Srpska dhe vetë Serbia mbeten të përafruara me Rusinë. Së fundmi, ka shqetësime ekonomike. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në, por Serbia gjithashtu ka një të tillë me Rusinë.

Ekspertët kanë paralajmëruar se propozimi i presidentit Vuçiç do t’i komplikonte çështjet, duke dëmtuar CEFTA-n dhe duke ia dhënë Rusisë Unionin Euroaziatik (Serbia po negocion një marrëveshje të tregtisë së lirë me bllokun) një vend të caktuar në rajon. Ka shqetësime se propozimi është një veprim për të vënë rajonin nën ndikimin ekonomik të Rusisë.

Bashkimi i shqiptarëve

Nga ana tjetër, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën duket më realist, për së paku tri arsye.

Së pari, popullsia e Shqipërisë dhe Kosovës është e përbërë nga më shumë se 90 për qind shqiptarë etnikë. Nëse do të mbahej një referendum për këtë çështje, me siguri do të shkonte në favor të bashkimit. Ata kanë një gjuhë, histori, kulturë dhe tradita të përbashkëta. Meqenëse të dyja janë pjesë e CEFTA-s, ato tregtojnë lirshëm dhe kontrollet kufitare midis tyre janë vetëm një formalitet. Ata kurrë nuk kanë luftuar me njëri-tjetrin as për çështjet etnike, as për ato fetare dhe të dyja kanë një orientim strategjik të qartë euroatlantik.

Së dyti, bashkimi Shqipëri-Kosovë ka disa precedentë europianë që duhet të ndiqen. Gjermania Lindore automatikisht u bë anëtare e BE-së, kur u ribashkua me Gjermaninë Perëndimore. Në samitin e 29 prillit të vitit 2017, u vendos që nëse Irlanda e Veriut do të bashkohej me Republikën e Irlandës, do të hyjë automatikisht në BE. Kosova mund të përdorë një mekanizëm të ngjashëm për t’u bashkuar me NATO-n dhe të fitojë automatikisht kandidaturën si shtetet anëtare e BE-së, thjesht duke u bashkuar me Shqipërinë. Vetvetiu, arritja e anëtarësimit në këto dy organizata Kosovës mund t’i marrë dekada.

Së treti, pasojnë po aq edhe argumentet teknike dhe financiare. Për shembull, dihet se sa proces i vështirë dhe i kushtueshëm është përkthimi i qindra-mija faqeve të normave juridike të BE-së në gjuhën shqipe – e njëjta gjuhë që përdoret edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Pse Kosova duhet t’u hyjë të njëjtave detyrime të mëdha administrative dhe të njëjtave shpenzime, që kërkohen për pranimin në BE?

Skenari afatgjatë: Ballkani në BE

Bashkësia ndërkombëtare ka kundërshtuar idenë e bashkimit Shqipëri-Kosovë, por nëse zgjerimi i BE-së vazhdon të shtyhet – ta zëmë, pas 2025-ës, dështon gjithçka. BE-ja do të duhet të premtojë shumë më tepër se vetëm një “perspektivë evropiane” për vendet e Ballkanit. Ky zotim e ka mbajtur Ballkanin në rrugën evropiane që nga samiti i Selanikut i vitit 2003, por tani ato vende po kërkojnë dëshmi më konkrete se një ditë do të bëhen anëtarë të BE-së.

Për të rifilluar procesin, kancelarja gjermane, Angela Merkel nisi “Procesin e Berlinit” tre vjet më parë – por deri tash – pa rezultate konkrete. Përpara ndalesës së ardhshme të këtij procesi: Samiti i Triestës më 12 korrik, Gjermania njoftoi për një “Ballkan +”, si një “Plan Marshall” të ri për rajonin deri në vitin 2018, duke premtuar 2 miliardë euro kryesisht për infrastrukturën dhe energjinë.

Integrimi i gjithë Ballkanit në BE mbetet, pra një skenar i sigurt afatgjatë, por kjo nuk do të ndodhë para vitit 2025. “Letra e Bardhë e BE-së: 2025”, e cila elaboroi pesë skenarë për të ardhmen e Unionit, nuk e përmendi fare zgjerimin. Me BE-në në krizë, vazhdimin e negociatave për Brex-it dhe ndjenjave nacionaliste dhe populiste në shtetet anëtare, mundësia e bashkimit të Ballkanit në një union eventualisht mund të arrihet vetëm në të ardhmen e largët. Por, një vonesë prej më shumë se 15 vjetësh rrezikon që t’u lë kohë të mjaftueshme intensifikimit të mospajtimeve të vjetra, që mund të rindezin konfliktin – që në fund të fundit do të dëmtojë po ashtu edhe sigurinë evropiane.

Prandaj, skenari i mundshëm është një vazhdim i status quo-së, në të cilin Ballkani do të vijojë të “presë Godonë” derisa Brukseli do të hezitojë të veprojë, me mundësinë më optimiste se këto vende mund të bëhen anëtare të BE-së- pas vitit 2025. BE-ja aktualisht përballet me shumë kriza për të marrë seriozisht me anëtarësimin potencial të Ballkanit. Mirëpo edhe lejimi i Ballkanit që të sharrojë në një vakum- jashtë orbitës euroatlantike – do të ishte gjithashtu e rrezikshme. Nëse BE-ja do të përjashtonte anëtarësimin për shtetet e Ballkanit, do të ndëshkonte rajonin drejt një jostabiliteti të përhershëm.

Unionet sub-rajonale: Ballkani me dy shpejtësi integruese

Skenari tjetër më i mundshëm do të ishte modeli i integrimit sub-rajonal. Kjo mund të realizohej në dy mënyra: ose duke integruar të gjithë Ballkanin nën një njësi të vetme supra-nacionale, ose duke i ndarë vendet në dy sfera gjeopolitike.

Mundësia e parë, në formën e një lloj konfederate e Ballkanit, është më pak e mundshme, duke pasur parasysh rrethanat kaotike pas konfliktit dhe mungesën e një procesi të vërtetë të pajtimit. Armiqësia reciproke midis shteteve është ende shumë e madhe. Edhe nëse Ballkani do të arrinte një lloj pajtimi historik brenda dekadës së ardhshme, pyetjeve (si shtetet që do të kishin një rol udhëheqës, marrëdhëniet ndërshtetërore, si dhe kufijtë dhe regjimet doganore), do të ishin shumë të vështira për t’iu përgjigjur. Një burokraci e re e Ballkanit do të duhej të financohej disi, por kush do të paguante dhe sa për buxhetin e saj? Vendet e Ballkanit janë edhe ashtu të dobëta financiarisht, në krahasim me homologët e tyre në Evropën Perëndimore.

Megjithatë, integrimi sub-rajonal do të ishte më i mundshëm, si një model i Ballkanit me dy shpejtësi integruese. Ky skenar do ta ndante rajonin në dy zona të mëdha: në Ballkanin “Serb” (Serbi dhe Republika Srpska), i orientuar kah Rusia dhe Ballkanin “Shqiptar” (Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi), i orientuar kah BE-ja dhe NATO-ja. Nuk do të kishte vendosje institucionale për këto dy rajone, as pengesa burokratike, as buxhet. Të gjitha shtetet do t’i mbajnë kufijtë e tyre nacionalë, sovranitetin dhe integritetin territorial. Kështu si sfera të ndara asnjëra nuk do të ndërhynte në aspiratat e tjetrës.

Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk lejon as bashkimin serb, as atë shqiptar, atëherë ajo të paktën mund t’i lejojë këto dy mikro-sfera gjeopolitike. Ndërsa kjo mund të tingëllojë si një ndarje e re e stilit të Luftës së Ftohtë në rajon, ajo do të ofronte së paku një tablo më të qartë, do të ishte më e lehtë për të kontrolluar dhe me më pak surpriza për sigurinë.

(Përktheu nga anglishtja: Arsim Osmani)

Burimi/fanpage.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *