Home

Lajme

ALUMNI-Liceu Artistik – Vangjel NINA – violonçel ( Athinë-Greqi)

No Comments Kulture

Lindi në Tiranë më 11/11/1961. Mësimet e para në violonçel i mori në moshën 6 vjeçare, pranë shkollës së muzikës “Kongresi i Përmetit” me mësuese Afërdita Haskon (1968 – ’72). Në qershor të 1972 fiton të drejtën për të vazhduar studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” të cilin e mbaron me sukses në vitin 1981 nën drejtimin e profesorit Gëzim Laro. Në prill të 1975 është fitues i çmimit të dytë në “Konkursin e talenteve të reja” zhvilluar në Tiranë. Më 1982 fiton konkursin për vazhdimin e studimeve në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) të cilin e mbaron me sukses në vitin 1986 nën drejtimin e profesorit Gjergj Antoniu. Në nëntor të 1983 fiton “Çmimin Inkurajues” në Konkursin Kombëtar për Violonçel organizuar nga Ministria e Arsimit në Tiranë. Më 1984 fiton çmimin e dytë në “Takimin Kombëtar të Interpretuesve” me vepra të kompozitorëve shqiptarë (me koncertin për violonçel të Ina Osmanlli). Nga viti 1986 deri në vitin 1992 është violonçelist në orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit si dhe pjesëtar i “Kuartetit të harqeve të TKOB” (1986 – 1991) me të cilin ka zhvilluar shumë koncerte në Shqipëri, Austri, Greqi dhe Francë. Me këtë kuartet fiton çmimin e parë në “Konkursin Kombëtar të Muzikës së Dhomës” zhvilluar në Durrës më 1989. Nga viti 1986 deri më 1992 është pedagog i jashtëm i violonçelit dhe muzikës së dhomës pranë Institutit të Lartë të Arteve. Më 1991 krijon kuartetin e harqeve “Alban-Quartett” me të cilin ka dhënë shumë koncerte në Shqipëri dhe Greqi. Nga shtatori i vitit 1992 vendoset në Athinë. Fillimisht në Orkestrën e Radio Televizionit Grek si dhe violonçel i parë në orkestrat e muzikës së dhomës “Baroque Athenaeum” dhe “Marsias”. Nga janari i vitit 1993 deri në 2012 është violonçel i parë (principal cello) i “Orkestrës së Ngjyrave” (Orchestra of Colours), një nga orkestrat simfonike kryesore të Greqisë e krijuar nga kompozitori i njohur grek Manos Hadjidakis. Nga viti 1996 deri më 2013 është profesor i klasës së violonçelit dhe muzikës së dhomës në “Municipal Conservatory” në Lamia. Ka marrë pjesë në shumë koncerte me formacione të ndryshme të muzikës së dhomës në shumë vënde të botës si Austri, Jugosllavi, Greqi, Kanada, Amerikë, Angli, Gjermani, Hollandë, Suedi, Itali, Portugali, Spanjë, Francë, Hungari, Turqi, Qipro… Gjithashtu ka bashkëpunuar me shumë artistë të shquar si Sandor, Plasson, Hadjidakis, Aykal, Karidis, Hakobyan, Theodorakis, Kogan, Logiadis… Nga viti 2006 deri në vitin 2008 ka qenë violonçelist i parë i Orkestrës Shtetërore të Operas së Athinës. Aktualisht është violonçelist i parë i orkestrës së dhomës “Akademika” që nga viti 2013 (Academica Athens Orchestra), si dhe në orkestrën “Filarmonia” (Associate Principal Cellist) që nga viti 2016 (Philharmonia Athens Orchestra). Nga viti 2014 e në vazhdim është profesor i klasës së violonçelit dhe muzikës së dhomës në “Athens Conservatoire” ku është shef i departamentit të harqeve. Vangjel Nina luan me një violonçel “anonymous” të shekullit të 19-të.

Burimi/Facebook/ALUMNI Liceu Artistik

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Tags: