Home

Lajme

Ramiz Lladrovci flet për “Bota sot”, tregon kush i sponsorizoi akuzat ndaj krerëve të UÇK-së

No Comments Intervista Lajme

NGA ALBULENA MUJI

Komuna e Drenasit për herë të dytë ka fituar çmimin si për performancën më të mirë komunale. Për këtë, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka thënë se përkushtimi i çdoditshëm dhe zbatimi i prioriteteve e ka bërë dallimin nga komunat e tjera.

Gjithashtu, ai ka folur edhe realizimin e projekteve të cilat i ka premtuar gjatë këtij mandati.

“E kam deklaruar më 2016 se po hyj në garë për dy mandate të plota. Angazhimi im është maksimal që të bëj më të mirën e mundshme për qytetarët dhe i falënderoj për besimin dhe bashkëpunimin”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, Lladrovci ka folur edhe për akuza e Gjykatës Speciale ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas tij, këto akuza janë të hartuara nga armiqtë e Kosovës, por në qarqet ndërkombëtare të sponsorizuara nga anëtarët e Këshillit të sigurimit, e ështu mendon për shkak të termit “ndërmarrje kriminale”.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Përgëzime z.Lladrovci, Komuna që ju e udhëhiqni sërish ka fituar çmimin e parë për perfomancën më të mirë komunale. Si e keni pritur këtë?

Ramiz Lladrovci: E pritur sepse nuk kemi pasur dilema në punën tonë, as nuk kemi pasur dilema në përkushtimin tonë për interesin qytetar.

“Bota sot”: Pse komuna e udhëhequr nga ju e fitoi sërish këtë çmim? Çfarë e bën dallimin e Komunës tuaj me komunat tjera?

Ramiz Lladrovci: Raportimi ynë, përkushtimi i çdoditshëm dhe zbatimi i prioriteteve e ka bërë dallimin. Puna jonë është edhe përtej orarit për çdo stinë të vitit, këtë e dinë zyrtarët e komunës që janë të jashtëzakonshëm, por edhe qytetarët tanë që shohin dhe prekin realisht punën tonë.

“Bota sot”: Edhe pak muaj do të përfundojë mandati juaj si kryetar i Drenasit, a keni mundur t`i realizoni projektet që i keni paraparë gjatë udhëheqjes tuaj?

Ramiz Lladrovci: Projektet e filluara vijojnë, nuk do të ndalen. Pres përkrahje edhe nga Qeveria që sa më shpejt të finalizohen, dihet që vitet zgjedhore edhe sjellin vonesa.

“Bota sot”: A do të jeni kandidat edhe për një mandat në zgjedhjet e ardhshme lokale?

Ramiz Lladrovci: E kam deklaruar më 2016 se po hyj në garë për dy mandate të plota. Angazhimi im është maksimal që të bëj më të mirën e mundshme për qytetarët dhe i falënderoj për besimin dhe bashkëpunimin.

“Bota sot”: Edha Kosova, ashtu sikur e gjithë bota po përballet me pandeminë Covid19, si është gjendja në komunën tuaj?

Ramiz Lladrovci: Nga dita e parë e shpalljes së pandemisë jemi mobilizuar maksimalisht. Edhe vet kam qenë i infektuar dhe i di shpenzimet dhe vështirësitë, po ashtu e di gjendjen sociale të qytetarëve. Ne kemi bërë aq sa kemi mundur, do të bëj për qytetarët aq sa kam mundësi edhe ligjore, edhe njerëzore.

“Bota sot”: Pas rezultatit të dobët të PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, keni kërkuar reforma brenda partisë por deri tani ende nuk ka ndodhur. Cili është komenti juaj për këtë?

Ramiz Lladrovci: Nuk kam koment, por pres mirë e më mirë.

“Bota sot”: Në mungesë të z. Veseli PDK-ja është duke u udhëhequr nga Enver Hoxhaj, ka pasur zëra që pas rezultatit të zgjedhjeve, të zgjidhet kryetari i ri. Çfarë mendoni ju për këtë çështje? A keni aspirata për kryetar të PDK-së? Nëse jo, kush sipas jush do të mund ta rikthente PDK-në më të fuqishme?

Ramiz Lladrovci: Gjendja e një partie pa liderin, sjell vështirësi kudo, jo vetëm në PDK. Por, askush nuk ka të drejtë të ankohet në lidershipin aktual. Para se dikush të merret me të tjerët, le ta vlerësojë punën e vet, ambientin e vet ku punon, por edhe në degën dhe kryesinë e vet. Problem në vendin tonë janë gjithologët që dinë gjithçka. Kjo nuk ju bën mirë qytetarëve, aq më pak nëse janë në funksione publike apo kanë tituj dhe besimin e votuesve. PDK-në e bën më të fuqishme besimi, vetëkritika dhe mënjanimin e keqbërësve.

“Bota sot”: Ndryshe, kreu i partisë tuaj, Kadri Veseli, ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përballen më Gjykatën Speciale. Si i komentoni akuzat e kësaj të fundit?

Ramiz Lladrovci: Akuzat i shoh të padrejta dhe konsideroj se lufta jonë ishte e drejtë dhe në pajtim me ligjet dhe të drejtën ndërkombëtare, ne kishim mision çlirimin nga pushtuesi. Këtë e kemi arritur në partneritet me botën demokratike dhe ne kurrë nuk do ta harrojmë. Vlerat demokratike të atyre që na ndihmuan për tu çliruar, duhet të jenë vlera edhe për neve, përgjithmonë.

“Bota sot”: Me këto akuza të Speciales, a po dëmtohet imazhi i UÇK-së?

Ramiz Lladrovci: Akuzat i shoh të hartuara nga armiqtë e Kosovës, por në qarqet ndërkombëtare të sponsorizuara nga anëtarët e Këshillit të sigurimit. Sepse së paku termi “ndërmarrje kriminale” ma imponon të mendoj kështu. UÇK mbetet krenaria jonë më e ndritur pas Skënderbeut, e dalë nga gjiri i popullit pas shumë shekujve robëri.

“Bota sot”: Cilat janë pritjet tuaja për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor?

Ramiz Lladrovci: Pritjet i kam pozitive, sepse, pritjet e qytetarëve janë të realizuara dhe në proces të realizimit, me përkushtim maksimal, unë po punoj maksimalisht. Dua që të radhis komunën tonë në mesin e komunave ku ia vlen të jetohet, të barabartë para ligjit dhe gjasave të barabarta. Faleminderit!

Burimi/botasot.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *