Home

Lajme

Elona Caslli – Ai i ri mund të ishe ti dhe ajo e re mund të isha unë

No Comments Lajme Opinion

Kujtdo që po gjykon të rinjtë dhe të rejat që vrapojnë tek “ Përputhen” i them veçse një fjali: Ai i ri mund të ishe ti, ajo e re mund të isha unë.
Nuk jam unë e nuk je ti, pasi ne kemi linduar para tyre dhe ata kanë lindur pas nesh.
Nuk jam unë e nuk je ti, pasi joshjet e mbrapshta të kohës kanë ndryshuar.
Nuk jam unë e nuk je ti, pasi për shkak të moshës që kemi arrijmë të kuptojmë qartë që gjykimi i një adoleshenti apo një njeriu 20 vjeç bazohet mbi ëndrra dhe jo mbi logjikë.
Unë nuk e kam të vështirë ta përfytyroj se ç’ndodh në kokën e tyre të rinjve.
Kur je adoleshent apo qoftë kur je i ri, mendon se ti ke kuptuar diçka që njerëzve u ka shpëtuar. Ti do të arrish atë që dikush tjetër nuk e ka arritur më parë. Gdhihesh në ëndërr dhe zgjohesh në ëndërr. Pretendon se askush nuk ta kupton atë çka do të thuash dhe mes gjithë kësaj gjendjeje shfaqet televizioni me dritat e tij.
Vëmendja e kamerave, pëlqimet që shtohen në instagram, njerëz që flasin për ty, famë dhe vëmendje pa kushte dhe e gjitha kjo duket aq rrëzëllitëse, sa mendon se kjo është jeta, se ti do të bëhesh si prezantuesit e programit ku po shkon në të ardhmen dhe e gjithë bota do të jetë në këmbët e tua. Duke imagjinuar gjithë këtë, ti vrapon tek dyert e teatrit për të bërë foto me kandidatët e
“ Përputhen” . Do të jesh si ata. Ata janë shndërruar në model dhe ndonëse prindërit të thonë se jeta nuk është kjo, me këmbëngulje ti refuzon ta besosh, pasi televizioni eshtë gjahtari më i mirë për të rinjtë e të rejat. Një leksion prindëror prej tetë orësh për një adoleshent, e zhbën “ Përputhen” për tetë minuta.
Sikur mos mjaftonin të gjitha problemet që një prind has me një fëmijë adoleshent në Shqipëri, do t’i shtojmë edhe një tjetër atë të
“ Përputhjes”.
Sikur mos mjaftonte çoroditja e të rinjve që rriten në një vend të çoroditur në aspektin ekonomik, politik, social e arsimor do t’i shtojmë edhe një çoroditje tjetër atë të “ Përputhjes”. Do t’u ofrojmë të rinjve famën televizive duke eksperimentuar me ta.
Do t’i bindim se rruga e fames është kjo. Do t’u themi se veçse fama televizive është identitet dhe pa të njeriu nuk vlen dy grosh.
Ata do të biden dhe do të bëjnë gjithçka për të prekur ekranin. Nuk do të kuptojnë asgjë, derisa dritat e skenës të jenë mbyllur dhe të jenë kthyer në të përditshmen e tyre pa kamera dhe pa drita skenike.
Kur kjo të ndodhë, do të kuptojnë se dinjiteti i tyre është nëpërkëmbur, koha e tyre është çuar dëm dhe se gjithçka ishte veçse një iluzion. Ndërkohë producentët do të jenë duke pirë një koktej në një nga plazhet më në zë të Evropës në pritje të gjahut të radhës.
Që kjo mos të ndodhë, u takon të gjithë faktorëve ne Shqiperi,të ngrenë zërin dhe mos të lejojnë të zyrtarizohet një model i tillë në mediat shqiptare.
Ata të rinj nuk kanë nevojë për gjykimin tone. Ata të rinj kanë nevojë për ndihmën tone.
Post Scriptum- Ata të rinj mund të ishim ne.
Elona Caslli

BurimiFacebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *