Home

Lajme

“Mos i bisedoni këto 4 pika në dialog me Serbinë!”

No Comments Aktualitet Lajme

Azem Vllasi

Statusi i Kosovës si shtet është i zgjidhur madje në bashkëpunim me faktorët relevantë ndërkombëtarë.

Prandaj nuk janë tema për dialog:

  1. Statusi i Kosovës si shtet i pavarur e sovran;
  2. Territori dhe kufijtë shtetërorë të Kosovës;

3.Struktura kushtetuese e Kosovës si shtet demokratik me sistem parlamentar;

  1. Resurset e brendshme të Kosovës.

Mësimi i parë është se A.Vuçiqi nuk është i interesuar për vazhdimin e dialogut me Kosovën
-Nuk është me rëndësi se çfarë peshe ka tërheqja eventuale e njohjeve të Kosovës edhe nga 3-4 apo 5 shtete të vogla dhe të parëndësishme gjithandej nëpër Oqeanin Paqësor.
Për Vuçiqin është me rëndësi që votuesve të vet t’u thotë se as për Amerikën nuk ia ndien kur është fjala për Kosovën.

Ne duhet vazhdimisht të jemi të hapur dhe të shprehemi të gatshëm për dialog. Por, për ngutje nuk kemi nevojë. Së paku, nuk na ngutet më shumë se Serbisë.

Njerëzit nga kabineti i Presidencës dhe Qeverisë të angazhuar lidhur me dialogun me Serbinë, duhet ta përgatisin në hollësi planin për aplikimin e masave të reciprocitetit në raport me Serbinë.
Faktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në lehtësimin e dialogut vazhdimisht t’u bëhet me dije se dialogu ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve në mes dyja shteteve e jo për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Statusi i Kosovës si shtet është i zgjidhur madje në bashkëpunim me faktorët relevantë ndërkombëtarë. Legjitimiteti ndërkombëtar i shtetësisë të Kosovës vazhdimisht të mbështetet në vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vitin 2011, duke iu përgjigjur kërkesës së Serbisë nxori vlerësimin se “Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të KB-së.

Faktorët ndërkombëtarë të përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi nënkuptojnë që finalja e këtij dialogu nënkupton njohjen reciproke, do të thotë edhe njohjen e Kosovës si shtet i pavarur e sovran nga ana e Serbisë.

Mirëpo, pala serbe vazhdimisht përsërit nebuloza se “është për një zgjidhje kompromisi, një zgjidhje ku pala shqiptare fiton të gjitha e Serbia asgjë…” pa konkretizuar asnjëherë se çka nënkupton me këtë. Por, janë të prerë se Kosovën si shtet nuk do ta njohë Serbia.

Pra, në një gjendje të tillë ne nuk kemi nevojë që të lëmë përshtypje se njohja nga ana e Serbisë është çështje jetësore për ne. Kosova nuk do të jetë as më shumë e as më pak shtet i mirëfilltë nëse e njeh apo jo Serbia. Është iluzion të besohet se Kosovës do t’i hapen të gjitha dyert për anëtarësim në organizata dhe asociacione ndërkombëtare nëse Serbia na njeh. Edhe në rast të njohjes, Serbia në arenën ndërkombëtare do ta vazhdojë në mënyra të ndryshme veprimtarinë kundër Kosovës. As njohja nga pesë anëtare të Unionit Evropian nuk varet ekskluzivisht nga qëndrimi i Serbisë.

Ato vende, posaçërisht Spanja, Kosovën nuk e kanë njohë për arsye të problemeve të brendshme e jo për hatër të Serbisë. Prandaj, afirmimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare varet prej diplomacisë sonë bashkë me miqtë dhe përkrahësit tanë, e jo krejt nga veprimtaria sabotuese e Serbisë. Së fundit kemi shembuj konkretë që tregojnë se me Serbinë nuk mbarojnë të gjitha problemet nëse ajo na njeh si shtet. Malin e Zi Serbia e ka njohur dhe ka marrëdhënie diplomatike.

Por Mali i Zi së fundit është aq i sulmuar dhe i kontestuar si shtet dhe identiteti etnik i malazezve si kurrë më parë. Jo vetëm përmes Kishës Ortodokse Serbe, por në gjitha mënyrat. Bosnjën po ashtu Serbia e njeh, por e përkrah fuqishëm entitetin serb dhe liderët serbë atje në veprimet e tyre për zhbërjen dhe defunksionalizimin dhe copëtimin e Bosnjës si shtet sovran. Tani dhe në një të ardhme me Serbinë nevojitet një koekzistencë paqësore, fqinjësi normale, bashkëpunim me interes reciprok. Por, nga miqësia e mirëfilltë jemi larg. Me fajin e vetë Serbisë. E, sa i përket njohjes nga ana e Serbisë, ajo nuk ka asnjë dobi nga përsëritja e frazës se kurrë nuk do ta njohë Kosovën.

Dhe, pasi që nuk ka asnjë shans që ta kthejë Kosovën nën sundimin e vet, puna qëndron ndryshe: më shumë dobi nga njohja e Kosovës do të ketë Serbia sesa Kosova. Prandaj kjo njohje një ditë, madje jo shumë larg, do të ndodhë. Mbetet që Serbia ta vlerësojë momentin”.

Liza B, gazetare në A news24

Burimi/a-news24.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *