Home

Lajme

Ndue Lazri – RIFILLUAM KU E KISHIM LËNË

No Comments Kulture

-Nga veprimtaria e shoqatës “Shqiponja” në Reggio Emilia-
U mblodhëm pikërisht aty ku patëm bërë veprimtarinë e fundit kulturore-artistike përpara se të mbyllej gjithçka nga pandemia. Tek ngjisnim shkallët për tek taraca që ndodhet përpara qendrës kulturore “Shqiponja”, na dukej se gjithçka ishte ashtu siç e kishim lënë gati një vit e gjysmë më parë. Nga salla e madhe vinin tingujt e muzikës, ku aktivisti i palodhur Gëzim Korça provonte impiatin e qendrës së zërit për ta patur në gatishmëri. Përpara hyrjes kryetarja e shoqatës, Majlinda Korça, dhe pjesëtarë të tjerë të shoqatës, iu uronin mirëseardhjen miqve që vinin nga larg. Ariana Kosova me dy vajzat e saj tashmë të rritura nga Macerata, Dashi Zguri me bashkëshorten Simona nga Pesaro, Drita Gega e vajza e saj, valltarja e talentuar Stela nga Lecco, Shpresa Minina me bashkëshortin italian dhe Landi Hajazi nga Cremona e shumë të tjerë. Unë e Moza kemi zbritur që nga bjeshkët e Trentinos. Është e madhe kënaqësia e takimit pas kaq kohësh. Përqafime me mall, biseda që nuk duan të mbarojnë si për të mbushur boshllëkun e krijuar në kohën që ka kaluar nga aktiviteti i fundit. Klodian Cami e bashkëshortja e tij, Bena, janë edhe ata në rolin e zotit të shtëpisë, me atë bujarinë që i karakterizon gjithmonë.
Pak nga pak njerëzit hyjnë në sallë e fillon veprimtaria. Është një pasdite tematike kushtuar dy ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe qëndresës së shqiptarëve çamë ndaj genocidit grek. Dy ngjarje që kanë të përbashkët përpjekjen e mbrojtjes së tërësisë së territoreve shqiptare nga copëtimi i shovinistëve fqinjë. Aktiviteti organizohet në bashkëpunim me shoqatën “Zëri i Atdheut”, që bashkon vëllezërit tanë kosovarë emigrantë në zonën e Reggio Emilias.
Pas ekzekutimeve të Himneve kombëtare të Shqipërisë e Italisë, zonja Majlinda Korça hap aktivitetin, duke i falënderuar pjesëmarrësit e shumtë të ardhur në këtë aktivitet.
Duke iu përshtatur kushteve të pandemisë, që nuk mund të konsiderohet akoma e kapërcyer, nuk janë ftuar oratorë historianë me grada e tituj shkencorë. Të bën përshtypje kur dëgjon të flasë aq mirë e qartë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit një e re si Dhurata Prroni. Ashtu siç krijon simpati edhe mësuesi i matematikës Tonin Ndoci, që sjell plot të dhëna e fakte historike nga genocidi grek ndaj popullsisë shqiptare çame. Ai është vërtet mësues matematike, por flet si historian kur trajton argumentin në fjalë e si kritik arti kur promovon më vonë librin “Verginità rapite” të shkrimtares Ismete Selmanaj Leba.
Rreth argumenteve mbi dy ngjarjet historike folën edhe kryetari i shoqatës “Zëri i Atdheut” Sadri Hamitaga, Ariana Kosova, Klodian Cami, Bilbil Bardulla etj. Me zërin që i dridhej nga emocionet, mysafirja nga Cremona, Shpresa Minina, solli kujtime plot dhimbje e dramacitet të gjyshes së saj mbi aktet mizore të grekërve ndaj popullsisë çame.
Pjesëmarrësit nderuan kujtimin e veprimtarit Jakup Jakupi, i cili është ndarë kohët e fundit nga jeta. Motrës së tij iu dorëzuan dy targeta mirënjohjeje nga shoqatat “Shqiponja” dhe “Zëri i Atdheut”.
Pjesëmarrësit kaluan sëbashku deri në orët e vona të mbrëmjes momente të gëzueshme nën tingujt e këngëve e valleve shqiptare.
Aktivitete të tilla janë akte shprese, shprehje e dëshirës që jeta të kthehet në normalitetin e saj e njerëzit të gëzojnë e festojnë sëbashku jo vetëm në data historike, por edhe në takime malli për të kënduar këngën e hedhur vallen e bukur shqipe, nën valëvitjen e flamurit kombëtar. Shoqata “Shqiponja” ka tashmë një traditë të mirë në organizimin e aktiviteteve të tilla dhe është sërish e para që ndez dritën jeshile drejt tyre.
Ndue Lazri

Mund të jetë një imazh i në këmbë dhe ambiente të brendshme
Mund të jetë art
Mund të jetë një imazh i 7 persona, duke përfshirë Ariana Kosova, ambiente të brendshme dhe teksti
Mund të jetë një imazh i 4 persona, duke përfshirë Ndue Lazri, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *