Home

Lajme

Gani Geci: Njesiti i Rexhep Selimit e ndali vëllaun tim për armët, ia konfiskuan ato dhe ky ishte komunikimi

No Comments Argëtim Histori

Gani Geci / Lufta pa maska

Deri atëherë, edhe pse kishim ato diferenca, mundohesha t’i bashkoja punët. Mua shpesh më telefononin nga Gjermania njerëz, të cilët edhe pse ishin aq larg, frikësoheshin të zbulonin identitetin e vet. Nganjëherë thonin se qenë ushtarakë, por emrat e tyre nuk i tregonin. E kam pasur të vështirë ta merrja me mend se kush ishin ata. Më vonë mora vesh se kishte thirrë edhe Isa Mustafaj, edhe disa oficierë të tjerë, gjë që e kam marrë vesh pas lufte. Ata gjatë luftës më pysnin përmes telefonit nr. 303 nëse kishim nevojë për ndonjë gjë.

Unë iu përgjigjesha se kishim nevojë për çdo gjë, prej fisheku, këpucë, veshëmbathje, armatim, deri në topa, edhe për helikopterë e aeroplanë ne kemi nevojë, sepse s’kemi asgjë: – çdo gjë që do të sillni do të jetë ndihmë për ne! Qeveria e pagoi një «Jeep», atë na e sollën nga Istogu për Runik e më vonë në Llaushë. Kjo është bërë me shkrim: «Jeep-i është i destinuar për Gani Gecin, për nevoja të destinimit. Pas përfundimit të destinimit i kthehet organeve përkatëse. Unë as që e kam ditur se e kishte dërguar Qeveria. Kjo për mua nuk kishte asnjë rëndësi, sepse me atë «Jeep» i kam dërguar shumë të plagosur në Likoc. Ai ka shërbyer edhe për nevoja luftarake, ndërsa propaganda bëhej se «Jeep-in» e ka Ganiu si mjet personal. Naser Lanin, i cili u plagos në verë të 1998 dhe vdiq për mungesë pas shtatë-tetë ditëve, me duart e mia e kam vendosur në «Jeep» dhe e kam dërguar te mjeku në Likoc, por për fat të keq ai vdiq. Naseri ka qenë i plagosur në dorë dhe në shpatull të këmbes. Sikur të kishim mjek dhe mjete ai do të shpëtonte. Ne u bëmë thirrje mjekëve nga Prishtina, të na vinin në ndihmë në spitalin e Likocit. Ata erdhën në Likoc, por «u ndoqën» nga aty prej atyre që thoshin për ne se «nuk kanë nevojë ata për mjekime».

E kanë kthyer një mjeke, siç duket gruaja e Alush Gashit, si dhe dy mjekë tjerë. Ata nuk i kanë lënë të punojnë, i kanë kthyer. Ne nuk jemi ndalur, kemi punuar pa ndërprerë, kemi insistuar të bashkëpunojmë dhe të mos bëjmë përçarje. Fatbardhësisht në fshatin tonë ende nuk kishim përçarje, përveç Sabit Gecit, i cili erdhi dhe na tha në një tubim se: – Lidhja Demokratike e Kosovës nuk bôn me marrë pjesë në luftë! Për ne nuk kishte pikë rëndësie nëse një luftëtar ishte i LDK-së apo i LPK-së, mjafton që ai të luftonte kundër Serbisë. Mirëpo ata nuk e deshën një gjë të tillë. U bë ofensiva e parë. Unë sërish i kisha shokë. Sylejman Selimin e kam pasë dhe e kam prapë shok. Shkova deri tek ai, atje ku ndodheshin edhe të tjerët dhe i thashë: – Sulltan, vëlla, na jep ndonjë trohë armatim se s’po mujna me i ngul këmbët! Një pjesë e armatimit kishte ardhur në Strellc, dikund andej nga rrethi i Deçanit. Fadili i kishte miqtë andej. Fadili, vëllau im, shkoi për ta marrë këtë armatim. Ndalen diku tek njësitë e Rexhep Selimit në Jabllanicë, të cilët i thonë Fadilit: – Armatim është i Qeverisë, nuk bën me e çue ma andej! (Armatimin e ka patur Fadili në kerr të kuajve duke e sjellë për Drenicë).- Kush është aty?, pyet Fadili.- Është Abedin Rexha dhe Rexhep Selimi!- Mirë qenka, se do të shkoj të bisedoj me ta!, thotë Fadili. Shkon Fadili të bisedojë me ta në Jabllanicë, e ata i thonë:-

Këto armë janë të Qeverisë!- Të Qeverisë qenkan, a? Po këto i ka sjellë Halili!, ua pret Fadili.- Lëri, ti, Fadil këto armë, se ne do të t’i sjellim më vonë! Fadili ishte i shoqëruar nga Naser Çitaku. Ata e lanë armatimin me shpresë se do t’a sillnin shumë shpejtë. Ndërkaq, ne në Llaushë ishim shumë të rrezikuar. Ende nuk kishim marrë as edhe një copë fishek. Ata, Abedin Rexha e Rexhep Selimi i kishin konfiskuar ato armë, dhe i kishin ndarë nëpër disa fshatra. Llausha, për shkak të pozicionit të saj, gjendej në ballë. Skënderaji ishte nën kontrollin e shkijeve, ashtu si edhe rruga prej Mitrovice. Ishte vetëm një pjesë e rrugës së asfaltuar që kontrollohej nga Llausha jonë. Ne vërtetë ndjeheshim të rrezikuar, e ata nuk na linin as armatim, as municion, megjithatë, ne bëmë si bëmë dhe e kaluam disi. Ashtu kemi marrë pjesë edhe në aksionin për Morinë e Pantinë. Njësiti i parë ushtarak që ka hyrë në Mitrovicë ka qenë njësiti që e kam drejtuar unë. Aty isha me Besim Dajakun dhe disa të tjerë. Populli na i ka marrë duart dhe na i ka puthur duke qarë. Me atë rast Besimi pati thënë me dhimbje: – Shyqyr që nuk e dinë njerëzit se në çfarë gjendje na kanë çuar ne!Megjithatë ne ishim pa maska dhe të gjithë me uniformë. Kjo gjë u bënte përshtypje pozitive njerëzve. Në fshatin e Vërnicës jemi takuar me tre civilë serbë. Në Jeep e kisha një murtajë, u ktheva nga njësiti dhe u thashë: – Këta qenkan shkije!, ua pashë gazetën e tyre dhe i ndala.- Prej nga jeni?, i pyeta. – Iz Vërnice!, (nga Vërnica) ma kthyen ata.- A keni armë? Më thanë që jo. Ne i zbritëm nga vetura dhe gjatë kontrollit ua gjetem tri revole, të cilat ua morëm. I pyeta se ku punonin, ata u përgjigjën se ishin punëtorë të Ujësjellësit. Një herë më shkoi mendja t’i vras, por ndërhyri Besim Dajaku dhe më tha: –

Po i vramë këta tre shkije këtu, shkijet kanë mundësi në Shipol t’i vrasin treqind shqiptarë! Ato fjalë ma mbushën mendjen dhe i lëshova. Armët ua mora, një TT, një nëntshe dhe një shtatshe. Ata shkuan. Të nesërmen janë larguar të gjithë shkijet e Vërnicës dhe kanë shkuar në Pantinë, aty ka qenë vetëm një shka, në fshatin Oshlan, në një shtëpi të vetmuar. Mora vesh se kishte marrë pjesë në luftë në Kroaci dhe se nuk kishte shka më të poshtër. I pyeta fshatarët, nuk isha prej atyre ushtarëve që bëja diçka pa i pyetur fshatarët se ç’farë mendimi kishin për të. Në qoftë se fshatarët do të mendonin se nuk duhej vrarë, megjithëse e dinin se ne qemë në luftë, mendoja se do të bëja më shumë keq se mirë. Ata më thanë: – Mos, se nuk jena të përgatitur për luftë, as për mbrojtje e as për tërhjekje! E lash atë shka, kishte qenë vetëm me një grua. Mandej kanë shkuar një grup tjetër, pas një kohe, por ai kishte pas fjetur në sanë, kur janë afruar ky grup, ai i ka gjuajtur prej sane, e mandej këta janë tërhequr. Aty kam pasur rast të shoh popullin se si është në gjendje të shkrihet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të japë edhe jetën e vet. Ishte hera e parë që pas njëqind vjetëve shihnin Ushtrinë e tyre, që fliste gjuhën shqipe. Ky ishte një ndryshim shumë i madh.

Propaganda ka qenë shumë e tmerrshme, jo ka, jo nuk ka Ushtri. Mirëpo, ata na kanë respektuar, na kanë ndihmuar, na kanë dhënë bukë. Por kanë kërkuar nga ne edhe disiplinë. Aty ku nuk kanë pasur mundësi të mbrohen, kanë kërkuar prej nesh që të mos i ngacmonim shkijet. Gjëra të logjikshme. Mos t’u jepnim pretekst shkijeve të shkaktonin tragjedi. Ne jemi kthyer në Llaushë, pastaj filloi Ofensiva e Parë, ne Likoc.

Burimi/epilogu.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *