Home

Lajme

Mbretëria e dashurisë dhe shpirti fisnik i një poeti të talentuar

No Comments Argëtim Letersi

NGA: BAKI YMERI

Shpirti i fjalës nuk gjendet vetëm në tekstet e shenjta, por edhe në tekste të këtilla që përfaqësojnë mërgatën tonë dhe shpirtin shqiptar. Përmes veprës së tij, autori konfirmon bindjen se arrin përmes profesionalizmit dhe mbahesh përmes karakterit. Kjo përzgjedhje me tekste kushtuar poezisë së tij është një dëshmi e interesit dhe vëmendjes, jehonës dhe rezonancës që ka krijuar poezia e Remzi Bashës në gjuhën shqipe. Poeti krijon dhe rikrijon disa subjekte që e lumturojnë vetëdijen e një artisti që nuk mund të jetë indiferent për atë që ndodh rreth tij: ide fisnike, ndërgjegja morale, atdheu dhe femra si subjekt frymëzimesh të larta, drita e dashurisë dhe përjetime intime.

Dashuria e vërtit botën. Dashuria dhe shpirti nuk plaken asnjëherë. Vetëm përmes fuqisë së dashurisë mund t’i mundim të gjitha. Jeta është dashuri, kurse femra është krijesa e parë e Zotit. Femra është një përrallë e përjetshme, hijeshi e rrallë dhe magji e gjallë. Femra shqiptare është kryefjala e bukurisë botërore. E pazëvendësueshme, besnike, e pastër dhe e jashtëzakonshme. Puthja është një rreze dielli që depërton në gjak. Kur e puth femrën shqiptare tre ditë rri pa bukë. Remzi Basha e përçmon banalitetin dhe çmon aktin poetik si një proces të epërm shpirtëror dhe estetik. Poeti ka aftësi për ta dëbuar trishtimin, sepse ai dëshmon se ky ves është një trill poetik a pozë, që e kaplon emigrantin që nga dhimbja fizike e shpirtërore në rrethana të çuditshme.

Poeti provokon një mërgim të shpirtit në vise të panjohura dhe të njohura, në truallin fizik të jetës dhe në një kronotop poetik. Poeti në të gjitha hipostazat e poezisë së tij dëshmon një ndjeshmëri të rrallë, një përjetim të thellë të dukurive që bëhen objekt i poezisë së tij. Remzi Basha dëshmon se i njeh problemet e stilistikës letrare dhe se është një poet i pasur me mjete gjuhësore, se është i pajisur me aftësi të rralla për të hetuar natyrën dhe botën, por mbi të gjitha ai zotëron një aftësi kombinatore të elementeve përbërës të poezisë së tij. Poeti dëshmon guxim dhe i jep flatra fantazisë së tij duke kontrolluar njëkohësisht strukturën e poezisë: Bota po rrëshqet aq bukur/ Ndërmjet njeriut e hijes/ Thuajse nuk e pret asnjë rënie/ Ndërmjet ëndrrës dhe sendeve/ Të shpërndara përtoke. (Ndërmjet njeriut dhe hijes)

Poezia është testamenti i jetës, i miqësisë, i dashurisë dhe atdhedashurisë: Të dua shumë moj Kosovë/ Toka ime ku u rrita/ Zemra del nga kraharori/ Për tek ty vjen çdo ditë/ Kodra të mbushura me pemë/ Të rënduara janë nga malli/ Ku gazi del nga gjiri i tokës/ Dhe plaku bëhet si djali. (Kosovës sime). Që këtej mund të themi se dhe në vargjet e mësipërme kemi të bëjmë me një botë bujare, me një Kosovë kreshnike, me heronj, me vreshta, me dasma, me këngë, me miq e dashamirë. Përshkrimi i mësipërm nuk është vetëm një shprehje e shpirtit, por një ekzistencë organike, objektive. Ja një bërthamë e doktrinës të realizimeve bashkëkohore! Poeti sjell në tekst fraza tejet konkrete e plastike.

Poezia e Remzi Bashës nuk mund të klasifikohet si poezi pornografike, por si poezi erotike, kombëtare dhe historike. Poezia e këtillë shndërrohet në një album vlerash të mirëfillta shqiptare, njerëzore dhe universale. Herë pas here poeti plason në qendër të poezisë së tij ëndrrën, por edhe një dimension të realitetit të tij, i cili është një sukses i merituar i njërit nga poetët më të talentuar të mërgatës sonë poetike. Vlen ta ripërkujtojmë faktin se Remzi Basha është njëri nga poetët më të shquar të mërgatës shqiptare. Poezia e tij është sa intelektuale, po aq edhe përdëllimtare. Dhe, edhe në njërin, edhe në rastin tjetër, deshifrohet në një varg të një besnikërie të padyshimtë në fjalën e vet, e ndjeshme, e bukur, e shprehur dhe e kuptueshme nën zodiakun e një ylli magjik të krijimtarisë autentike.

Pa dyshim, poezia është një rrugë komunikimi, një rrugë e majave. Ajo është fusha e fjalorit të etshëm për të thënë diçka nëpërmjet ritmit, harmonisë apo përfytyrimit. Këto cilësi i përshtaten komentimit të poezisë së Remzi Bashës, krijimtaria e tij duke shkëlqyer me një harmoni të veçantë të jashtme dhe të brendshme, fjalët e tij duke rrjedhur njëra pas tjetrës në një atmosferë elegante me një natyrshmëri fine, precize dhe delikate. Prej këtu, buron ajo gjendje e një fuqie të jashtëzakonshme që e zgjon lekturimi i vargjeve të tij.

Veprat e Remzi Bashës janë të strukturuara me origjinalitet dhe rigorozitet. Krijimtaria e tij poetike nuk degdiset, as në gërshetimin deskriptiv të përfytyrimeve të poetëve të panumërt që ishin të obliguar t’i nënshtrohen cenzurës djallëzore politike të dekadave komuniste. Ajo nuk degdiset as në intimizmin pa fluturim dhe pa shkëlqim që e përbën, në përgjithësi, pala tjetër e frymëzimit në këtë perimetër gjeografik. Lehtësia nuk e kërcënon kreativitetin e këtij poeti të arrirë tashmë në maturitetin e artit poetik.

Poeti flet me dritën dhe flet me Perënditë. Poezia është zëri i zemrës së magjepsur. Zjarri që lind nga shpirti i fjalëve të dashuruara. Poezia është çelësi i shpirtërave të mëdhenj. Kush qëndron në prozhmin e saj mund të komunikojë me hyjnitë. Poezia është mbretëresha e arteve. Ajo është lëngu i jetës. Poezia shpreh shpirtin e njeriut. Fjalët kanë fuqinë për t’i dhënë jetë një universi të pafund. Ata mund të sjellin në jetë një regjistër të pafund ideshë dhe ndjenjash. Fjalët e Remzi Bashës janë flutura të metamorfozuara në mendime, përmes të cilave mendimet e poetit përshkruajnë një profil të veçantë, origjinal, lirik dhe magjik.

Artet dhe letërsia e bukur janë pasqyra të arta të realitetit në të cilin lëviz populli, porsi një tren mbi shinat e mëdha të botës. Fjalori lirik i Remzi Bashës të josh që nga faqet e para të krijimeve të tij: Je e bukur kur din si të më ngushëllosh/ Të kam engjëll, të dua dhe të josh/ Por edhe kur më do ashtu siç të dua/ Sepse të kam zanë dhe të kam grua! (Zana ime). Po qe se e kërkojmë në linjën sa më të afërt të universit, mund të konstatojmë dhe konkludojmë se Remzi Basha është njëri nga poetët më të rëndësishëm lirikës erotike dhe patriotike të mërgatës sonë. (Bukuresht, 20 korrik 2021)

Pas natës së parë

U martuan të dy

Dhe pas natës së parë

Nusja, me trup të bukur

Me bel të përdredhur

Me shikim të ëmbël

E me zë të qartë

Sapo u zgjua

E pyeti shoqin:

A më do prapë?

Ndonjëherë

Kur nuk shkoj tek ajo

I mbyll sytë e shkoj me imagjinatën.

Unë e mbaj detin nëpër valixhe

Dhe e dëgjoj kur dita ka mbaruar.

Ndonjëherë gjej gurë në breg

Të modeluar nga dora e një artisti.

Disa kanë fytyrën tënde të bebes

Të tjerët kanë pafundësinë

E cila fillon nga një pikë.

Koha e mat kalimin tim

Unë kam trup kalimtari në tokë

Ndonjëherë jetën e frikësoj

Ndonjëherë me ëndërra jetoj…

E mora një dhuratë

Të mora në agim si një dhuratë

Që e mbaj në zemrën time që rreh

Dhe në hapat që i çojnë në trotuare

Që çdo ditë shkojnë drejt perëndimit.

Dhuratën e mora në sekondat

Që i masin emocionet e mia

Që i masin momentet e mia

Që vijmë e shkojnë në përjetësi.

Prej teje morra jetën si dhuratë

Jam një njeri i gjallë prej gline

Hije e errët dhe dritë e gjallë

Që shëtit në tokë për një kohë…

Fluturimi

Ngrihem mbi mendjen time

Dhe mendimi e vesh atë në ylberin

Pushoj së foluri dhe dëgjoj heshtjen

Që rri qetësisht, në shpirtin tim.

Shikoj fluturimin e përmbushur me liri

Dhe ëndërrohem me rroba të virgjëra

Që e shpërlajnë çiltrinë në burime

Që vijnë nga qielli dhe shkojnë në oqeane.

Kaloj gjatë natës porsi gjatë ditës

Dhe dyert e fshehta hapen nëpër mure

Shkëpus vargun e mendimeve e bëhem dritare

Nëpër të cilën zogjtë shtegtarë vijnë e shkojnë…

Vapa e korrikut

Seç më nxehu vapa e korrikut
Sa hodha ca çapa tek hija e fikut.
Mu tek hija e thashë po kaloj vapën
Por mua dikush ma ngre grackën.

Se më erdhi tinëz një çupë si sorkadhe
Mu në mes të ditës do të kërcej valle
Do të kërcej valle mu në mes të ditës
U vura në alarme prej turpit afrikës!

E shikoj me nge çupën që erdh tinëz
Se shaka nuk qe mu në mes të ditës!
Ishte si qumështore mbante erë kulloshtër
Por ishte zjarrmore, mendja më erdh rrotull.

Ajo nisi sulmin dhe ,më ftoi në mejdan
Gati me pëllumbin, ndryshe s’kam derman
I nxehur qeshë nga vapa e korrikut
Sikur u kthye nata, mu tek hija e fikut.

Dashuri

Po! Unë të doja dhe dukej ashiqare
Po edhe ty të shkëndijonin sytë
Ah moj dashuri! Sa ç’je tinëzare
Aq moj, aq dukesh si të jesh dritë!

Dritë si një llambushkë e ndezur në shpirt
Shpirti zë ngrohet dhe mend brambullon
Se nuk ka më të ngrohtë se sa dashuritë
Vallë, a ka të ftohtë njeriu kur dashuron?

Jo vetëm s’ka ftohtë, por gjëron veç zjarr
Se zjarri i dashurisë nuk di të shuhet
Këtë nuk e them unë që jam kokëbardhë
Por ky zjarr që edhe kur fshihet, duket.

Po kur thonë

Po kur thonë: Të iku mosha! Nuk ke moshë për avaze
Unë jarani që mos qofsha, shkoj me një që është taze
Shkoj me një që është taze e nuk pyes për katra a pesë
Në fillim, bëri ca naze, por pastaj më dha audiencë.

Ajo seç më dha audiencë dhe u bëmë kokë për kokë
Unë ia putha sytë e zesë dhe e morra në krahë

Dhe e morra në krahë dhe me terezi e shtriva
Ajo më fali një botë…edhe hëngra sa u ngiva.

Për Afërditën

Sot Afërdita pa mua

Shkoi tek njerëzit e saj

Mua nuk ma mbajti nga vapa.

Pa muzën time nuk e kam kollaj

Pa të, gati më shuhet drita

Më bëhet sikur Afërdita

Hapet dera dhe po vjen

A rrohet moj pa ajër

Dhe pa oksigjen?!?

Një natë pa ty

Një natë pa ty, për mua: sa për një vit

Se dy trupa jemi, po kemi një shpirt

Po kjo mbasditja, kur do të mbrrijë?

Sado është vapë, pa ty po mbërdhij.

Shkoj drejt

Shkoj drejt në vijën e vazhdueshme

Derisa fryma më ndërpritet

Duke tërhequr jetën time në një fletë

Në kuptimin rrotullues të zemrës sate.

Unë eci drejt e përpara erës

Që po m’i brazdon pranverat

Që përshtatet në shumë rrudha të imëta

Mbi të cilat derrdhen lotët dhe puthjet.

Unë shkoj drejt botës së vetmisë,

Por nuk jam i vetmi në botë

Kur shoh dritën e rrezatimit

Më shfaqet drita për në parajsë…

Rrruga e zemrës

Vura shikimin në detin e psherëtimave

Derisa emocionet pikturuan lindjen e diellit

Atëherë muzg u ndez si zjarr

Nesër do të rilind nga hiri i tij

Unë e vura hapin në bregdetin tënd

Dhe në fund të fundit, deti më përpiu

Askush nuk e di kalimin tim

Ose mbase zgalemi e pat vërejtur

Se si ia dhashë shpirtin

Dhe me dashuri, hiçi u lehtësua.

Për shumë vite ndjek rrugën e zemrës

Është fija e kuqe që kalon nëpër të gjithë ne.

Dora e Destinit

Pavdekësia më rrjedh nëpër dorë

I përmbajtur me fjalë të palindura

Unë dhe fleta qëndrojmë të heshtur

Nuk e di…

Unë jetoj si një hije në realitet

Ose jam gjallë në ëndërr

Natën shpirti im është i lirë

Shkëputet lehtësisht nga trupi

Endacakët fluturojnë pa kohë

Në botën midis tokës dhe qiellit

Stinët e reja kalojnë nëpër mua

Dhe i shtroj me dashuri në çarçafë

Ndonjëherë filloj me përfundimin

Herë të tjera përfundoj me fillimin…

Duke shikuar

Duke parë qiellin, pashë shpirtin tënd

Dhe ai ishte si një vëlla për mua

Bashkuar nga dielli krenar.

Duke parë malin, pashë pasurinë tënde

Ajo ishte e fshehur në thellësi

Nga sytë e babëzitur të botës.

Duke parë përtej reve

Pashë paraardhësit e tu

Shkruar me gjak në librin e historisë.

Duke parë në sytë e mendjes

Pashë dritën në zemrën tënde

Dhe ajo e bekuar gjatë ditës …

Burimi/botasot.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *