Home

Lajme

Pse Mërgimtarët e duan aq shumë Albin Kurtin?

No Comments Lajme Opinion

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ashtu siç shumëkush ka parashikuar, po i bishtnon përgjegjësive në qeverisje. Ai iu turr opozitës mbrëmë, e po i turret edhe sot, me kërcënimin që pak-a-shumë mund të përkthehet i banalizuar në “Votojeni Vjosën për presidente, ose jua lëshoj diasporën!”.

Pra, Kurti ka një lidhje të çuditshme por shumë të fortë me diasporën tonë. Por, prej kah buron kjo lidhje dhe çfarë mashtrimesh ndryhen brenda? Partia e Kurtit, Vetëvendosje!, mori rreth 80 për qind të votave të mërgatës në Zgjedhjet e 14 shkurtit. Të gjitha partitë e tjera bashkë i morën vetëm 20 për qind.

Prandaj, kërcënimi jep idenë se ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje do të rriste numrin e votuesve nga diaspora deri në atë masë, sa Kurti do t’i afrohej apo edhe prekte 2/3-at e deputetëve në Kuvend. Ky është gati gati pushtet absolut.

Autoritarizmi

PDK-ja në ditët më të mira të saj i kishte pasur 35 deputetë. LDK-ja në dekadën e fundit kurrë nuk i kishte bërë as 30. E për më keq, këto parti vazhdimisht kishin deputetë që iu dilnin kundër vendimeve të partive përkatëse. Kurti në anën tjetër, i ka 58 deputetë, secili më i nënshtruar se tjetri ndaj diktatit të tij. E megjithatë, as ky pushtet jashtëzakonisht i madh, nuk po i mjafton që të nis punët. Nëse kjo nuk përbën tendencë të qartë autoritare, atëherë çka duhet të ndodh? Në fakt, Kurti ka shfaqur tendenca të qarta autoritare prej vitit 2013. Në vazhdimësi, edhe pse me fare pak deputetë në Kuvend, ai ka arritur që të bllokonte jetën institucionale të vendit duke zvarritur apo ndaluar krejtësisht disa procese me rëndësi të madhe për shtet-formimin tonë. Por, të gjitha këto zvarritje e bllokime, që ndonjëherë bëheshin me metoda jodemokratike si shpërndarja e urrejtjes dhe mos-durimit në popull, e madje edhe me dhunë fizike, vetëm sa i rritën atij popullaritetin.

Dhe, ishte pikërisht pozimi i hapur si autoritar ai që u përdor si karrem për votat e diasporës. Pjesa më e madhe e diasporës jeton nëpër vende demokratike, mirëpo nuk është as e përfshirë në debatet e brendshëm publike, as e integruar në jetën sociale të atjeshme, e për rezultat nuk është as e përgatitur për demokracinë – si një sistem shumë më i komplikuar e më i vështirë se sa autoritarizmi.

Prandaj, një lider i fortë e autoritar ngushëlloi sensin e mos-përfshirjes. Në vend të integrimit në vendet ku jetojnë e punojnë, paguajnë taksa e marrin shërbime, mërgimtarët tanë u integruan dalëngadalë brenda rrjetës së propagandës së Vetëvendosjes që thjeshtoi krejtësisht programin e saj politik në moton “Ne jemi të ndershëm – Ata janë të korruptuar!”, dhe e cila justifikonte çfarëdo veprimi që mund të bënte.

Teknologjia

Vetëvendosje ishte vazhdimisht mijëra kilometra dritë larg partive tjera sa i përket çështjeve organizative në përgjithësi, e teknologjike në veçanti. Para se ta bënte “bastion” të sajin diasporën, e kishte bërë “Facebook-un” dhe rrjetet e tjera sociale. Dhe pikërisht në “Facebook” qytetari nga diaspora ri-lidhej me atdheun. Pikërisht në këtë rrjet social ai fillimisht mori mesazhet e thjeshta e mobilizuese të Albin Kurtit në lidhje me epërsinë e thellë morale të tij, dhe disavantazhin e thellë moral të kundërshtarëve të tij. Aty atij iu mundësua të angazhohej virtualisht, e më pas edhe “të luftonte” po virtualisht për të ardhmen e atdheut.

Ky rrjet social ishte toka ku ndodhi i gjithë rekrutimi i militantëve dhe mobilizimi i simpatizantëve. Por, për dallim nga diaspora, kosovarët rezidentë në Kosovë dilnin matanë Facebook-ut dhe shihnin një terren më të ndryshëm e më kompleks politik. Diaspora në tjetrën anë, krijoi perceptimet e saj pikërisht në këtë mjet teknologjik. Por, përtej rrjeteve sociale, Vetëvendosje ia doli ta përdorte diasporën edhe për donacionet gjeneroze financiare që merrte prej saj – duke shfrytëzuar mirëqenien e tyre krahasuar me qytetarët më të varfër vendës.

Në ushtrinë e madhe virtuale online, ‘regjimenti’ kryesor mund të jetë ‘pa e ditur as vetë’ pikërisht ai i diasporës. Kjo bëri që lidhja mes Kurtit dhe diasporës – duke qenë krejtësisht virtuale – të forcohej e të forcohej. Në një anë, veprimet desktruktive të Kurtit nuk do të lëndonin vetë mërgimtarët, dhe në tjetrën do të prodhohej një dramë politike mjaft argëtuese për ta që do t’i “integronte” edhe më shumë me atdheun. Në kushte të mira financiare, por duke qenë të dezintegruar në vendet ku jetonin, një pjesë e madhe mërgimtarësh e ndjenin domosdoshmërinë e kuptimësimit të jetës së tyre. Një gjë të tillë jua ofroi Kurti duke i bërë pjesë të shfaqjes së tij teatrore me njerëz të ndershëm e të pandershëm, me heronj e tradhtarë, me engjëj e djaj.

Burimi/zeripress.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *