Home

Lajme

Elona Caslli – Bora Muzhaqi, gjeografikisht e përcaktueshme

No Comments Argëtim Letersi

Ripostim me qëllim

Me emrin e Bora Muzhaqit, u përballa krejt rastësisht. Nuk e njihja më parë. Do të qe sugjerimi i një ” intelektuali të zonës gri” në rrjet, që do të më prezantonte me emrin e saj si prurje e shkëlqyer në listën e Partisë Socialiste.
Vizitova profilin e prurjes së shkëlqyer në rrjet dhe ajo çka më goditi ishte cilësia e shqipes së shkruar. U gjenda përballë foljeve të zgjedhuara keq, trajtave të shkurtra që ngatërroheshin me përemra vetorë dhe shumë gjymtime të tjera gjuhësore.
Të pretendosh të përfaqësosh vullnetin e shqiptarëve në parlament dhe të paguhesh nga taksat e tyre dhe të shkruash keq gjuhën e tyre, në optikën time mund të jetë gjithçka, veçse shkëlqim intelektual dhe qytetar nuk është.
Nga ana tjetër përmbajtja e mendimit të Bora Muxhaqit është gjeografikisht e përcaktueshme.
Nëse do ta lexoje apo do ta dëgjoje Bora Muxhaqin pa ia parë fytyrën dhe pa ia ditur moshën, do ta përcaktoje menjëherë vendin ku ka lindur dhe çka përfaqëson. Pse e them këtë?!
Bora Muxhaqi është diplomuar në një universitet në Angli. Si rregull koha e shpenzuar për studime në këtë vend duhet t’ia kishte latuar mendimin dhe arkitektura e Anglisë duhet të kishte ndikuar jo pak edhe në arkitekturën e mendimit.
Në një nga fjalimet e saj, Bora Muxhaqi në një format të realizmit socialist na ka përshkruar arritjet e Rilindjes që konkretizohen tek korsitë e biçikletave dhe tek mbjellja e luleve të kumbullës.
Ndërkohë nga Bora Muxhaqi pritej minimalisht që ajo të kryente atë që në gjuhësi quhet
‘ gramatikë e krahasuar’. Sikundër përballen strukturat gramatikore të dy gjuhëve, Borës i takonte të përballte dy qytetërimet në të cilat ka jetuar.
Me siguri, Bora ka dalë diku në qendrën e qytetit ku ka studiuar në Angli. Në një ditë të bukur me pakëz diell, Bora do të jetë ulur në qendrën historike të qytetit dhe do të mjaftonte veç qëndra e qytetit anglez krahasuar me qëndrën e kryeqytetit shqiptar, që e shkëlqyera Bora mos të na i servirte lulet e kumbullës si arritje e pangatërrueshme e qeverisë.
Me pak fjalë, nga e shkëlqyera Bora pritej një mendim i freskët me aromë qytetarie ndërkohë mendimi i Borës vjen era realizëm socialist, ku kryetari i partisë shihet si gjeni dhe fasada e tij si arritje.
Ajo çka dhemb në këtë rast, është se janë pikërisht individët që kanë studiuar jashtë që nuk kanë kurrfarë ndjeshmërie për arkitekturën politike, shoqërore dhe qytetare në këtë vend.
Në parim Bora duhet të ishte e shkëlqyer, por në të vërtetë, Bora është thjesht një qënie e përcaktueshme gjeografikisht.
Mendimi i saj është lehtësisht i identifikueshëm kur duhet të ishte krejt e kundërta. Mendimi i saj duhet të lëvizte shpenguar në ujrat e qytetërimit perëndimor.
Post Scriptum- Unë besoj se marrëdhënia me perëndimin mund të jetë e brendshme ose e jashtme. Nëse është e brendshme të shëndrron. Nëse është e jashtme, të mëson thjesht të vishesh bukur.
Elona Caslli

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *